Regjisori i shfaqjes “Lela & Co”, Eki Rrahmani: Gjatë shfaqjes e kafshoja gjuhën që mos me qajt

Era Berisha

Drama e autores Cordelia Lynn, mbrëmë u gjallërua nën aktrimin mahnitës të Gentë Retkoceri dhe Kushtrim Sheremeti, të cilët para publikut kosovar zgjuan emocione e ngritën vetëdijesimin ndaj trafikimit të qenies njerëzore përmes gërshetimit të humorit e realitetit që përçoi shfaqja ‘’Lela & Co’’ nën regjinë e Eki Rrahmani, shkruan KultPlus.

Skena e vogël e Teatrit Kombëtar të Kosovës, kishte marrë një pamje tjetër ku vendosja e ekranit televiziv, projektorit që shfaqej herë pas here, një kafaz që portretizonte botën e vogël të Lelës, reflektorët e kuq e të ngrohtë dhe dritat e llojllojshme, krijuan ndjesinë se kjo shfaqje që kishte për bazë këmbënguljen e gruas kundër trajtimit të vrazhdë të saj nga karakteret e meshkujve, të cilët përmes mohimit dhe arsyetimit për mbijetesë e trajtojnë gruan si një pronë apo objekt duke e shkatërruar botën e saj deri në copëza, po ndodhte me të vërtetë para syve tanë, para një televizori.

Drama e shqipëruar nga Jeton Kulingja, ishte me të vërtetë një histori tërheqëse ku rrethanat e vrazhda qysh nga fillimi deri në fund, u shfaqën jashtëzakonisht bukur dhe publiku i përjetoi në brendësi, ndjenjat e pakrahasueshme që karakteri i Lelës, i përjetoi përmes dhunës, keqtrajtimit, manipulimit, përdhunimit dhe prostitucionit.

Rrahja nga babai në ditëlindjen e saj, ngacmimi seksual nga dhëndri, manipulimi nga motra e saj, abuzimi mental dhe fizik nga burri i saj dhe ushtari i huaj që shfrytëzon trupin e saj, ishin këto vetëm disa rrethana të tmerrshme që personazhi i Lelës portretizoi, e në anën tjetër, të gjitha këto karaktere të meshkujve, i luajti aktori Kushtrim Sheremeti, i cili monolog pas monologu, shpalosi vetëm disa nga trajtimet që kanë ndodhur në realitetin tonë dhe vazhdojnë të ndodhin edhe sot, e për të cilat, secili nga ne i mbyllim sytë e shikojmë në anën tjetër.

‘’Lela & Co”, shpalosi thirrje të vazhdueshme e gjithanshme për vetëdijesimin ndaj trafikimit të qenieve njerëzore. Pasqyrimi i botës në perspektivën e gruas e sidomos në rolin e nënës, ishte ajo më e ndjeshmja, ku Lela dhe fëmija e saj, babai i së cilit nuk dihet, jetojnë përmes një ngufatje të përsëritshme që ndodhin nga rrethanat e krijuara. Ndërsa, vdekja e bebes të saj nga mosushqyerja, solli vdekjen shpirtërore të Lelës, e me të vdiq edhe bota e cila sa erdhi e u zvogëlua deri në dy duart e saj, ajo bota të cilën ajo e konsideronte të mjaftueshme për të jetuar.

Për të treguar përshtypjet e tij rreth shfaqjes, për KultPlus foli regjisori Eki Rrahmani.

“Jam kënaqur fillimisht se njerëzit qëndruan edhe pse koha e nxehtë dhe jam shumë i emocionuar sepse gjithçka shkoi mirë dhe ia kemi arrit atë që kemi punuar. Edhe pse kushtet katastrofale, shfaqja shkoi shumë mirë dhe njerëzit fillojnë të flasin për këtë çështje të trajtuar brenda shfaqje. Gjatë kësaj shfaqje të rëndë, ndonjëherë e kafshoja gjuhën që mos me qajt sepse shumë e dhimbshme”, ka thënë Rrahmani.

Po ashtu, aktori Kushtrim Sheremeti, për KultPlus shpalosi përshtypjet e tij dhe emocionet pas shfaqjes.

“Po ndihna shumë i lodhur dhe i djersitur por shfaqja ishte shumë e mirë dhe besoj që publiku e priti bukur mirë sepse reagimet e tyre dalloheshin. Ishte një punë e bërë me dashuri dhe gjithçka që bëhet me dashuri, të paktën keq nuk mundet me dal. Ishte një shfaqje e lodhshme por jam shumë i lumtur që përfundoi mirë’’, thotë Sheremeti.

Gjithashtu, aktorja Gentë Retkoceri për KultPlus foli rreth emocioneve përgjatë shfaqjes dhe pas saj.

“Jam shumë e lumtur që publiku u përgjigj mirë ndaj asaj se çfarë kanë parë, por u frikësova pak për shkak të tekstit por energjia ime ishte në një nivel tejet të mirë. Provat e sofistikuara sollën ndarjen e duhur të roleve, emocioneve dhe mesazheve”, thotë Retkoceri.

Repriza e shfaqjes “Lela & Co”, vjen sonte në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Nesër premiera e shfaqjes “Lela & Co”, Sheremeti: Kur publiku të del nga shfaqja, ka për tu ndjerë i ngulfatur

Era Berisha

Shfaqja e shkruar në vitin 2015, e titulluar ‘Lela&Co’, e autores Cordelia Lynn, bazohet në një histori të vërtetë ku pasqyrohet këmbëngulja e gruas kundër trajtimit të vrazhdë të saj nga karakteret e meshkujve, të cilët përmes mohimit dhe arsyetimit për mbijetesë, mundohen ta trafikojnë atë në mënyrë tejet të ashpër, e që nesër vjen premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës nën regjinë e Eki Rrahmani dhe nën aktrimin e Gentë Retkoceri dhe Kushtrim Sheremeti, shkruan KultPlus.

Kjo dramë e shqipëruar nga Jeton Kulingja, është një histori tërheqëse që para publikut do të shpalos rrethana të tmerrshme përmes së cilave dallohet thirrja e gjithanshme për vetëdijesimin e publikut ndaj trafikimit të qenieve njerëzore. Ndërsa, skenografia nga Edi Agagjyshi, i ka dhënë shfaqjes një imazh të qartë ku koncepti i një ekrani televiziv të vendosur në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar, do të pasqyrojë botën e rolit të gruas e cila sa vjen e ngushtohet më shumë.

“Lela & Co”, vjen si një dokumentim i një ngjarje të vërtetë që supozohet se ka ndodhur në trojet shqiptare, për arsye se i vetmi mesazh i fshehur brenda shfaqjes është lokacioni se ku është vendosur ngjarja. Ndërsa, përmes monologut të gruas dhe monologut të një burri që luan të gjitha rolet e mashkullit në jetën e saj, si: babin, burrin, dhëndrin dhe ushtarin, do të vijnë pikërisht nga dy aktorët të cilët para publikut do të shfaqin momente mjaft të rënda duke vetëdijesuar publikun që të zgjohet nga gjumi, të mos hesht e të mos shikoj në anën tjetër.

Paramendimet e regjisorit Eki Rrahmani, për të cilin kjo është shfaqja e tij e parë si regjisor, do të shpalosen ndaj realitetit tonë kosovar duke komunikuar me të në një nivel të veçantë.

Në konferencën për media, regjisori Eki Rrahmani, ka folur rreth përzgjedhjes për këtë shfaqje dhe mesazhit të saj.

“Unë zakonisht punoj si producent i filmave dokumentarë që 15 vite rishtazi dhe para 4 viteve kam filluar të jetoj në Katar, aty ku fillimisht u takova me gruan dhe u martuam. Genta në Katar filloi të trajtonte njerëzit për aktrim dhe në fakt i kishte marrë malli për aktrim, andaj gjeta këtë shfaqje dhe më është dukur tejet interesant ku trajtohen tema kundër patriarkalizmit, kundër mënyrës se si meshkujt trajtojnë gratë, kundër trafikimit të grave dhe pak kundër sistemit kapitalist”, thotë Rrahmani.

Sipas tij, kjo shfaqje nuk e ka të definuar lokacionin e vet dhe në lexim e sipër regjisorit iu është krijuar ndjesia se kjo patjetër është realizuar në Ballkan dhe mënyra e përshkrimit në gjuhën angleze dukej se si një storje e Ballkanit.

“Duke e shikuar një intervistë të hershme të autores, ajo është shprehur se historia është e një shoqes së saj që vjen nga Shqipëria dhe autorja vetëm e ka dramatizuar tutje. Këtu u vërtetua fakti se me të vërtetë ngjarja rrjedh nga Ballkani dhe në fakt storja është e shkruar në mënyrë shumë të guximshme në aspektin tekstual sepse është pak më ndryshe se shfaqjet e tjera”, shpalos Rrahmani.

Për Rrahmanin, për sa i përket prostitucionit dhe trafikimit të qenies njerëzore, në realitetin tonë pas luftës shihet se edhe pse ushtarët kanë ardhur për të ndihmuar një shtet, ata kanë pasur kërkesa të ndryshme sepse janë ndjerë seksualisht të frustruar.

“Kryesorja për mua është se ne si shoqëri, se si i qasemi këtyre fenomeneve është shumë qasje mbyllur sepse në fakt të gjithë e dimë se çfarë po ndodh por gjithmonë shohim në anën tjetër. Shoqëria jonë si aktorë, si policë e si gazetarë, të gjithë e dimë se çfarë po ndodh dhe vetëm heshtin duke besuar se do të zhduket vetvetiu” përfundon Rrahmani.

Ndërsa, aktorja Gentë Retkoceri, ka folur rreth rolit të saj, se çfarë trajton ai rol dhe shfaqjes që e konsideron se është shumë më ndryshe se ato të zakonshmet.

“Mënyra e shkrimit të shfaqjes është më bashkëkohore dhe pak më ndryshe se shfaqjet klasike të shkruara. Por gjithashtu, fakti se roli i Lelës ka disa monologë, njëra pas tjetrës dhe ndërhyrje me karakteret që i luan aktori mashkull, është pikërisht kjo arsyeja që shfaqja është më ndryshe”, thotë Retkoceri.

Sipas saj, të mësuarit e tekstit për të nuk është aspak problem dhe shumicën e tekstit ajo e ka mësuar menjëherë në fillim, ndërsa edhe pse stresi e ankthi nuk ka munguar për shkak të përzierjes së mendimeve gjatë provave, aktorja është shprehur se gjithmonë ekziston improvizimi.

“Ka shumë momente të ndryshme në shfaqje, e para është kur babai e rrah fizikisht vajzën në ditëlindjen e saj, e që në fakt ndodh shumë shpesh në kulturën tonë dhe pse nuk flitet shumë tek ne por është dhunë dhe abuzim. Pastaj, humbja e virgjërisë dhe mënyra se si motra e saj e madhe e parapërgatit motrën e vogël duke e manipuluar atë”, thotë Retkoceri.

Po ashtu, aktori Kushtrim Sheremeti, ka folur rreth rolit të tij dhe personazheve që ai do të luajë përgjatë shfaqjes.

“Përtej eksperimentimit me regjisorin, teksti ka qenë jashtëzakonisht i mirë ku përçon mesazhe, të cilat duhet të trajtohen sepse është njëfarë provokimi artistik. Pastaj, koncepti i regjisorit që të mos largohet nga pjesa filmike e eksperiencës së tij, prandaj besoj që këtë shfaqje minimaliste, e bënë shumë më të veçantë, vizioni dhe qasja e regjisorit, ka momente shumë filmike brenda këtij teatri”, thotë Sheremeti.

Sipas tij, ka qenë një sfidë për ti formuar katër personazhe brenda një shfaqje ku disa ndërrohen brenda sekondave, disa brenda minutave e disa kthehen prej fillimit. Andaj, për të njëkohësisht ka qenë edhe një provokim që ta sfidojë veten në aspektin e aktrimit.

“Secili prej personazheve është më i pisët se tjetri duke filluar që nga babai deri tek bashkëshorti ose ushtaraku. Në anën tjetër, besoj që askush nuk bënë diçka keq duke qenë i vetëdijshëm dhe në momentin që vret dikë, personi mendon që është mirë sepse po ia shkatërron biznesin e caktuar por pastaj rezultati i veprimeve të njeriut mund të vlerësohet në aspektin moral”, shpalos Sheremeti.

Tutje ai ka folur rreth dokumentimit të shfaqjes në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që në fakt për të konsiderohet nderi më i madh që i bëhet tekstit, teatrit dhe rezultatit të punës.

“Kur publiku të del nga shfaqja, ka për tu ndjerë i ngulfatur dhe do të detyrohet që të reflektoj dhe të mendoj për krejt atë se çka do të shohin”, thekson Sheremeti.

Kështu krejt në fund, regjisori dhe aktorët kanë shpalosur pritshmëritë e tyre rreth premierës së shfaqjes.

Eki Rrahmani: ”Në qoftë se mbërrijmë për të bërë diçka për këtë çështjen e shfaqjes, pra për trafikimin e grave, ku njerëzit mund të fillojnë, të flasin e të debatojnë, për mua do të ishte është arritja më e madhe”.

Kushtrim Sheremeti: ”Po pres që ka me qenë një shfaqje e pëlqyer për njerëzit që e duan teatrin për shkak se nuk ka super komercializëm por besoj që njerëzit që vijnë do të mund të reflektojnë mbi atë se çka ndodh rreth nesh, e për të cilën ata i mbyllin sytë herë me qëllim e herë pa qëllim”.

Gentë Retkoceri: ”Besoj se do të pëlqehet sepse ashtu kam një ndjenjë. Unë mezi po pres për të luajtur për arsye se jam shumë e entuziazmuar dhe natyrisht kam punuar goxha në këtë shfaqje dhe mezi po pres për të dëgjuar se çfarë do të thotë publiku”.

Premiera e shfaqjes “Lela & Co”, vjen nesër në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës duke filluar nga ora 20:00. Ndërsa, repriza e parë vjen me 29 qershor. / KultPlus.com