“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” mbyll ‘PriFest’ – historia e vërtetë e vëllezërve përballë një diagnoze shkatërruese

Era Berisha

Një histori e veçantë, prekëse, rrallëherë e trajtuar, fenomenale, inspiruese dhe njëkohësisht e veçantë në llojin e vetë, ka zbritur mbrëmë në skenën e Kino Armatës, aty ku po mbahet edicioni i pesëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’, me rastin e premierës së filmit tashmë të suksesshëm “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” me regji dhe skenar të Gentian Koçit, shkruan KultPlus.

Fiks kur ora shënoi 19:46, nisi edhe premiera e filmit “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”. Dritat u fikën, e së bashku me të edhe shushurimat brenda hapësirës. Bazuar në një ngjarje të vërtetë, filmi ka ardhur si dedikim nga regjisori për babin e tij, ashtu siç u shpalos e shkruar edhe në sekondat e parë kur pamjet e para zunë vend në ekranin gjigand.

Dy vëllezër binjakë identikë e shurdhmemecë që nga lindja, Agimi dhe Gëzimi (Edgar Morais dhe Rafael Morais) zbulojnë se vuajnë nga një sëmundje gjenetike që gjithashtu do t’i bëjë ata të verbër në mënyrë progresive dhe të pakthyeshme. Asnjëherë nuk kanë qenë të ndarë nga njëri-tjetri. Jetojnë e punojnë së bashku në një biznes të përpunimit të drurit. Ata ndajnë një banesë të gjerë në Tiranë së bashku me të dashurën e Gëzimit, Ana që luhet nga aktorja shqiptare Drita Kabashi e cila debutoi pikërisht me këtë film.

Por përveç hapësirës, ata janë të lidhur shpirtërisht me njëri-tjetrin. Komunikojnë me shkrime dhe lexim buzësh, por mes tyre ka evoluar një gjuhë private, e cila ka të bëjë më shumë me shkëmbimin e prekjes dhe shikimit sesa fjalët.

ADN-ja e tyre si binjakë monozigotë është ajo se çfarë kontribuon në film për të ngjallur dhembshurinë më të madhe të parashikuar brenda audiencës. Të dy vëllezërit eventualisht marrin vesh se do të humbasin përgjithmonë dhe plotësisht shikimin si dhe dëgjimin. Në anën tjetër, Ana bëhet pjesë e pandashme e jetës së tyre, për shkak se ajo krejt lehtësisht pranon për të marrë në dorë, marrëdhënien vëllazërore për të dy ata.

Regjisori Gentian Koçi ka bërë një punë të shkëlqyer duke sjellë në vëmendje marrëdhëniet komplekse të njerëzve. Fokusi i tij është vënë direkt mbi fuqinë që kanë mendimet e një personi, kur ai person i caktuar fundoset përbrenda errësirës së trurit të vetë.

Duhet cekur se tre aktorët kryesorë që luajnë në film kishin kaluar gjashtë muaj duke mësuar gjuhën shqipe të shenjave në Shoqatën Kombëtare Shqiptare të të Shurdhërve (ANAD), dhe kjo është dëshmi për dashurinë e madhe të realizimit të një filmi që veçse ka dëshmuar për potencialin e lartë që posedon.

Kjo dramë ekzistenciale që prek thellësisht në shpirt cilindo, ka përcjellë emocione të fuqishme përmes lojës së syve, gjuhës së trupit e gjuhës së shenjave, si dhe me vetëm pak tekst. Interpretimet nga dy aktorët portugezë kanë qenë diçka marramendëse, në esencën më të bukur të fjalës. Ndërlidhja e tyre në lojën e performancave ka shpalosur një kimi organike që është për t’u marrë lakmi. Stili që ka regjisori Koçi nuk është aspak sentimental, por zhdërvjellët nëpërmjet një ritmi të qetë e të heshtur që përkon përgjatë gjithë filmit.

Rolet dytësore, po ashtu janë njëlloj të çuditshëm në karakter. Përgjithësisht, janë njerëz të mirë, që ndihmojnë njerëzit përreth. Portretizohen në mënyrë brilante, të zgjuar, duke kundërshtuar çdo padrejtësi të mundshme. Jeta e tyre është e zakonshme.

Por, atë se çfarë e bën filmin të ketë një qartësi artistike të pastër si loti, është humori i thukur, përjetimi i pengesave esenciale për jetesë, ngjashmëria fizike e binjakëve, marrëdhënia intime e botës emocionale së binjakëve, dashuria pa kushte e binjakëve si dhe vizualja e skenës finale, plot shpresë tragjike.

Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet në publik ato që zhurmuan sallën në Kino Armatë. Paraprakisht, në skenë për një fjali rasti doli ekipi i filmit “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”.

Regjisori Gentian Koçi është shprehur i lumtur për premierën po e dha mbrëmë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’.

“Jam shumë i gëzuar që jam këtu dhe në fakt e kam pritur këtë premierë prej kohësh. Unë po kthehem në PriFilmFest pas njëmbëdhjetë vitesh, andaj jam shumë kurioz të di mendimet e juaja. Faleminderit që keni ardhur sepse filmi është shumë special për mua. Është bërë me shumë dashuri, shumë sakrificë. I bërë bukur, më duket. Kam një kastë fantastike, andaj shpresoj të ju pëlqej.”

Ndërsa, aktorja shqiptare që debutoi në këtë film, Drita Kabashi ka thënë se premiera e filmit në PriFest, është një moment i shenjtë për të.

“Dua që vetëm të ju falënderoj të gjithëve dhe shpresoj që filmi të ju pëlqej. Ky është një moment shumë i shenjtë për mua që po e ndaj me komunitetin tim.”

Kujtojmë se “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” pati premierën botërore në konkurrencën kryesore në Festivalin e Filmit Tallinn Black Nights (PÖFF), premierën nordike në Festivalin e Filmit Göteborg, premierën gjermane në CineVision Competition në 40th Filmfest München, premierën greke në Festivalin e 64-të të Filmit të Selanikut.

Filmi fitoi çmime për regjinë më të mirë në edicionin e 41-të të Filmit në Bergamo, “Dielli i Artë” për filmin më të mirë dhe çmimin e kritikëve në Programin SEE në Festivalin e Filmit ‘CineDays’.

“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është aplikimi zyrtar i Shqipërisë për Akademinë Çmimet – Oscars 2023.

Filmi është prodhuar nga “Artalb Film Productions” (Shqipëri), në bashkëprodhim me “Maria & Mayer” (Portugali), “Graal Films” (Greqi) dhe “Added Value Films” (Kosovë). / KultPlus.com

PriFest prezanton filmin përmbyllës të programit kryesor garues

PriFest – Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë – do ta mbyll programin garues të filmit të metrazhit të gjatë në edicionin e 15-të të festivalit, me shfaqjen e filmit “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, të regjisorit Gentian Koçi dhe producente Blerina Hankollari, përcjell KultPlus.

Drejtori i festivalit Fatos Berisha shprehi gëzimin e tij që Programi Garues i filmave Ballkanik do të mbyllet me një koproduksion të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Jam shumë i lumtur që sivjet do ta hapim dhe mbyllim programin garues me filma që janë koproduksione me Kosovën”, tha ai. “Për më tepër, këta filma veç se janë dëshmuar me premiera botërore në festivale të kategorisë A”.

Shfaqja e “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” demonstron përsëri përkushtimin e festivalit për të sjellur para publikut filma që festojnë trashëgiminë e pasur kinematografike të rajonit.

Ky film është përzgjedhur për ta përfaqësuar Shqipërinë në Oscars.

“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është produkt i një bashkëpunimi mbresëlënës ndërmjet Shqipërisë, Portugalisë, Greqisë dhe Kosovës. Në film luajnë aktorë të shquar si Edgar Morais, Rafael Morais dhe Drita Kabashi, aktore me origjinë nga Kosova e cila po luan për herë të parë në një film në gjuhën shqipe.

Disa prej aktorëve tjerë nga Kosova që luajnë në film janë Shkumbin Istrefi, Hajat Toçilla dhe Alban Goranci. Producent kosovar i filmit është Liridon Cahani.

Ky film është përkrahur nga Qendrat Kinematografike të Shqipërisë dhe Kosovës.

Filmi e dërgon audiencën në një udhëtim emocional në Tiranën e sotme. Agimi dhe Gëzimi, dy vëllezër binjakë identikë në të tridhjetat, që nuk dëgjojnë që nga lindja, jetojnë nën të njëjtën çati. Ana, e dashura e Gëzimit, një vajzë tejet e hareshme, i viziton ata shumë shpesh. Një mbrëmje, Agimi në timon, duke u kthyer në shtëpi bashkë me Gëzimin, kur papritur shikimi i tij turbullohet. Për pak sa nuk ndodh një aksident fatal! Tek okulisti, disa ditë më vonë, dy vëllezërit zbulojnë se për shkak të një sëmundjeje shumë të rrallë gjenetike, ata do të verbohen me shpejtësi të ndryshme, por në mënyrë progresive dhe të pakthyeshme. Të zhytur ngadalë drejt një errësire të heshtur e të padurueshme, në pamundësi për të komunikuar me njëri-tjetrin dhe me botën, me Anën të vetme përkrah tyre, dy vëllezërit duhet të marrin së bashku një vendim të fortë rreth një filxhani kafeje, me këpucë të reja veshur.

“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” e pati premierën botërore në programin kryesor garues të Tallinn Film Festival.

PriFest ka kënaqësinë ta prezantojë premierën kosovare të “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” në edicionin e 15-të. PriFest do të vazhdojë me përkushtim ta promovojë kinemanë kosovare dhe rajonale, si dhe filmbërësit e saj.

Nga 12 deri më 17 shtator, PriFest do të shfaq një përzgjedhje të shkëlqyeshme të filmave, kështu që ruani datat dhe ejani ta shijojmë së bashku mrekullinë e filmit. / KultPlus.com

Filmi shqiptar i regjisorit Gentian Koçi me distributor ndërkombëtar

Variety, një nga revistat më të njohura amerikane, e përqendruar në aktivitetin artistik e kulturor, ka shkruar së fundmi për filmin e regjisorit shqiptar Gentin Koçi, “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”.

Filmi po bën bujë ende pa pasur premierën e tij botërore e cila do të ndodhë së shpejti në Festivalin Ndërkombëtar të Tallinn-it. Sipas Variety, filmi i Gentian Koçit do të ketë distributor kompaninë M-Appeal, kompania e shitjeve me seli në Berlin.

Lajmi konfirmohet nga vetë kompania M-Appeal e cila në faqen e saj online shkruan se “janë të lumtur me blerjen e re”.

Maren Kroymann, drejtoresha menaxhuese e M-Appeal, ka deklaruar se në M-Appeal dëshirojnë filma që na bëjnë të kuptojmë më mirë botën nga këndvështrime të ndryshme.

“Kjo dramë e drejtuar nga narrativa sjell publikun në universin intim të binjakëve që nuk dëgjojnë, Agimi dhe Gëzimi. Është një film pothuajse pa dialog të folur, por që shpreh fuqishëm se komunikimi dhe dashuria nuk kanë nevojë për fjalë”, është shprehur Kroymann.

“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është kandidatura zyrtare e Shqipërisë për çmimet Oscars. Regjisori e përshkruan filmin si një dramë ekzistenciale. Filmi rrëfen lidhjen e fuqishme të 2 vëllezërve binjakë, të shurdhët, të cilët mësojnë se bashkë me dëgjimin do të humbasin edhe shikimin.

Aktorët kanë studiuar 6 muaj për të mësuar gjuhën e shenjave. / KultPlus.com

Kineastë prestigjiozë në jurinë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Tirana, TIFF, që do të nisë së shpejti në Tiranë, ka në përbërje të jurisë emra kineastësh të cilët janë duke korrur suksese, aktualisht, me projektet e tyre personale, në festivale të klasit A.

Filmat që tashmë janë përzgjedhur për të garuar në kategorinë “feature”, do të vlerësohen nga Cristina Grosan, Gentian Koçi dhe Eliza Petkova. Kjo është një nga kategoritë më të rëndësishme, ku të kandiduarit pretendojnë cmimin e “Bufit te Artë”.

Cristina Grosan, hungarezo-rumune, është një kineaste e re e cila debutoi një vit më parë me filmin e saj artistik “Things Worth Weeping For”, i cili  e pati premierën në Festivalin e Filmit të Sarajevës. Filmi tashmë është në Netflix Hungary dhe po bën xhiron e festivaleve ndërkombëtare, nëpër botë. Para pak ditësh Cristina Grosan u vlerësua në edicionin e 79-të të Festivalit të Venecias, si regjisorja më e mirë nën 40 vjeç. Vlerësimi iu dha për filmin “Ordinary Failures”

Ndërkohë i vetmi shqiptar në jurinë e filmit “feature”, është Gentian Koçi, regjisor i talentuar, i cili vetëm pak ditë më parë mori dritën e gjelbër për të tentuar çmimet Oscar. Qendra Kombëtare e Kinematografisë, votoi që filmi i Gentian Koçit, “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” të jetë kandidatura zyrtare e Shqipërisë, për kategorinë “Filmi më i Mirë i Huaj”, në edicionin e 95-të të OSCARS. Ky film do të ketë premierën botërore në Festivalin e Filmit Tallinn Black Nights, në Estoni, duke qenë pjesë e garës zyrtare për çmimin “Filmi Artistik më i Mirë”. Koçi është bashkëproducent në disa prodhime ndërkombëtare dhe ka realizuar disa filma të metrazhit të shkurtër dhe dokumentarë të suksesshëm.

Eliza Petkova është me origjinë nga Bullgaria, por jeton e punon në Berlin. Ka studiuar për filozofi e më pas për regji në Akademinë e Filmit e Televizionit, në Berlin. Ka realizuar 3 filma artistikë, të metrazhit të gjatë, si edhe shume filma dokumentarë. Filmat e saj janë shfaqur në Festivalin e Kanës dhe atë të Berlinit. Ajo ka qenë anëtare jurie në shumë festivale të tjera ndërkombëtare.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë, do të zhvillohet nga 24-30 shtator, me projeksione që kryesisht do të jenë tek Kinema Millennium. /atsh /KultPlus.com

Filmi i Gentian Koçit, gati për premierën botërore në Estoni

Qendra Kombëtare e Kinematografisë njofton se, filmi artistik “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, me skenar e regji të Gentian Koçit, do të ketë premierën botërore, në Festivalin e Filmit Tallinn Black Nights, në Estoni, duke qenë pjesë e garës zyrtare për çmimin “Filmi Artistik më i Mirë”.

Ky film është kandidatura zyrtare e Shqipërisë, për kategorinë “Filmi më i Mirë i Huaj”, në edicionin e 95-të të OSCARS.

Filmi i Gentian Koçit, prodhim i shtëpisë kinematografike “ARTALB Film Productions”, është realizuar në bashkëprodhim me Maria & Mayer (Portugali), Graal Films (Greqi) dhe Added Value Films (Kosovë).

Filmi artistik “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Radio-Televizioni Publik Shqiptar, Qendra Greke e Filmit, Televizioni Publik Grek, Qendra Kinematografike e Kosovës, Instituti Portugez i Kinemasë dhe Audiovizualit, Eurimages, Media-Creative Europe dhe bashkia e Tiranës.

Festivali “Tallinn Black Nights” është festival ndërkombëtar i kategorisë A, e njëjta kategori me Berlinin, Venecian e Kanën.  Edicioni i 26-të i këtij festivali do të zhvillohet nga data 11 deri në 27 nëntor./ atsh/ KultPlus.com