Çiklisti danez Max Pedersen u shpall fitues i etapës së tretë dhe të fundit të garës ndërkombëtare “Giro d’Italia 2025” në Shqipëri, që përfundoi pasditen e sotme në qytetin e Vlorës.
Duke dominuar me sprint, Pedersen ia doli në një terren jo dhe aq të lehtë të rimerrte fanelën rozë, pasi kishte triumfuar në etapën e parë, ndërsa në të dytën fitues doli anglezi Tarling.
160 kilometrat me terren kodrinoro-malor, Pedersen i përshkoi për 3 orë, 49 minuta dhe 10 sekonda.
Sa i takon renditjes, pas tij u pozicionua Corbin Strong. Orluis Aular përmbyll 3 vendet e para. Ndërkaq Brandon Rivera dhe Edoardo Zambanini mbajnë vendin e katërt dhe të pestë.
“Giro d’Italia 2025” në Shqipëri, edicioni i 108-të i turit çiklistik më të famshëm sportiv në botë, nisi nga Durrësi më 9 maj, për të përfunduar pas 21 etapash në Romë, të dielën e 1 qershorit./ KultPlus.com
Etapa e parë e Giro d’Italia, edicioni i 108 i një prej tureve më të famshëm në mbarë botën në çiklizëm uli siparin këtë të premte me një fitues në Tiranë.
Shqipëria ka fatin të mirëpres në 3 etapat e para Giro d’italian, aty ku 184 çiklistë garojnë të ndarë në 23 skuadra.
Në përfundim të etapës së parë në vendin e parë doli çiklisti danez Mads Pedersen që e mbylli garën duke regjistruar kohën 3 orë e 36 minuta e 24 sekonda.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një intervistë të çiklistit Mads Pederson në fillim dhe në përfundim të garës.
I pyetur nëse do të ishte Shqipëria vendi i tij i preferuar, Pedersen tha “nëse fitoj sigurisht që do të jetë vendi im i preferuar”.
Po tani?! “Përfundimisht! Është i preferuari im tani”, tha ai pasi u shpall fitues.
Giro d’Italia do të vijojë sërish ditën e sotme me etapën e dytë e cila do të zhvillohet në Tiranë. Ajo është një kronometër individual me gjatësi 13.7 km duke përshkuar rrugët e kryeqytetit, përfshirë edhe një ngjitje prej 1.2 km me një pjerrësi 5.7%./atsh/ KultPlus.com
Vetëm 1 javë ka mbetur nga nisja e garës çiklistike Giro D’italia e cila vjen për herë të parë në Shqipëri.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, u shpreh në një postim në rrjetet sociale se aktiviteti më i famshëm sportiv në botë, do të mbledhë në datat 9, 10 dhe 11 maj çiklistët më të mirë të botës në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, ku do të përshkojnë terrene të ndryshme për të arritur në pikën finale.
Gonxhja tha se, “nga Durrësi në Tiranë e deri në Vlorë, më 9, 10 dhe 11 Maj, 180 çiklistë profesionistë do të garojnë në rrugët tona, duke sjellë emocion, pasion dhe vëmendjen e gjithë botës”.
“Gara çiklistike Giro D’italia është një ngjarje e madhe që do të bashkojë 3 qytete në 3 ditë”, u shpreh Gonxhja.
“Giro D’italia” një nga ngjarjet më të mëdha vjetore të sportit do të kontribuojë në promovimin e Shqipërisë, duke nxitur kështu edhe më shumë turizmin dhe zhvillimin ekonomik të vendit. / KultPlus.com
“Giro d’Italia 2025” do të nisë më 9 maj në Shqipëri, ku do të zhvillohen tri etapat e para, dhe do të përfshijë 21 etapa duke përfunduar më 25 maj në Romë.
Prezantimi i ekipeve pjesëmarrës në aktivitet do të bëhet në datën 7 maj, në orën 20:30 në sheshin “Skënderbej”.
ETAPA 1: Durrës – Tiranë (9 maj)
Xhiro do të nisë rreth orës 13:10 që nga Porti i Durrësit, ku do të bëhet nxehja dhe pedalimi i ekipeve deri sa të arrijnë në KM 0, në Durrës nga ku do të startojë gara. Sportistët do të vijojnë drejt Malit të Robit, në Kavajë, Rrogozhinë, Peqin, Papër, Bradashesh, Gracen, Mullet, TEG, Sauk, Surrel, Tiranë. Në Tiranë, ata do të rrotullohen nga Surreli, në rrugën “Xhanfize Keko”, drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pastaj sërish në rrugën e “Rexhekrit”, drejt Surrelit, në rrugën “Xhanfize Keko” e në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Përfundimi i garës parashikohet të jetë rreth orës 17:03 në sheshin “Nënë Tereza”.
ETAPA 2: Tiranë – Tiranë (10 maj)
Gara nis që nga sheshi “Skënderbej” rreth orës 13:30, në drejtim të bulevardit “Gjergj Fishta”, pastaj nëpërmjet bulevardit “Bajram Curri” drejt sheshit “Nënë Tereza”, në Rrugën e Elbasanit drejt Saukut, rikthehen në bulevardin “Bajram Curri”, nga Ura e Brrylit drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri tek sheshi “Nënë Tereza”, ku rreth orës 17:15 është parashikuar të përfundojë xhiroja.
ETAPA 3: Vlorë – Vlorë (11 maj)
Xhiroja do të nisë rreth orës 13:15, nga Lungomare, ku do të bëhet nxehja dhe pedalimi i ekipeve deri sa të arrijnë në KM 0, në rrugën “Demokracia”, nga ku do të startojë gara. Sportistët do të vijojnë itinerarin drejt Kotës, në Brataj, drejt Qeparoit, më pas nga Porto Palermo në Himarë, e më pas do të kthehen nga Qafa e Llogorasë, drejt Orikumit, e nëpërmjet rrugës “Murat Tërbaçi” do të kthehen në Vlorë. Përfundimi i garës parashikohet të jetë rreth orës 17:26 në rrugën “Sadik Zotaj”./ KultPlus.com