Gjeneral Kudusi Lama befason me librin “Nëna ime Mihane Lama”

Gjenerali mirënjohur i luftës së Kosovës, Kudusi Lama, sapo e ka botuar një libër të veçantë në përvojën e tij profesionale: një monografi kushtuar nënës së tij, Mihane Lama, me titull “Nëna ime Mihane Lama”.

Ky libër i rrallë, i shkruar nga një ushtarak karriere e gjeneral lufte, habit lexuesin për ndjeshmërinë që bartë dhe sidomos për kulturën e shkrimit. Libri i Lamës rrëfen jetën e nënës së tij (Mihane Lama), e cila i kishte rritur me vuajtje dhe sakrifica shumë të mëdha dy fëmijët e saj të mbetur pa baba që në vegjëli të hershme (të cilët më vonë u bënë ushtarakë me nam).

Akademik Rexhep Qosja, që është recensues i këtij libri, e ka vlerësuar si të veçantë e me vlerë librin, jo vetëm për përmbajtjen dhe përshkrimin e protagonistes, por edhe për faktin se ai është shkruar me një mjeshtri të rrallë nga një gjeneral.

“Kjo vepër e Kudusi Lamës është me ndikim të veçantë pedagogjik dhe duhet të lexohet e rilexohet, sepse lexuesi shqiptar ka nevojë për libra të këtillë sot”, ka shkruar Rexhep Qosja në parathënien për këtë libër. Po ashtu edhe redaktori i botimit, Emil Lafe, ka shkruar se duke rrëfyer për nënën Mihane, Kudusi Lama e sjellë të gjallë jo vetëm figurën e nënës por edhe një botë dhe një epokë.

“Ky libër nuk është thjesht një shprehje dashurie e një peng nderimi për nënën, por edhe një histori njerëzore e shoqërore me përmasa të një romani shumëplanësh”, ka shkruar Emil Lafe.

Kudusi Lama është autor i disa librave nga fusha e studimeve ushtarake dhe të sigurisë por, ai ia gjithashtu ka botuar edhe disa libra publicistikë. Karrierën profesionale e ka ndërtuar si oficer në Ushtrinë e Shqipërisë deri në gradën e gjeneralit. Gjatë viteve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1997-1999) ka qenë komandant i Divizionit të Kukësit në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë./KultPlus.com