Muzeu i Kosovës hap ekspozitën kushtuar Skënderbeut

Ekspozita do të jetë e hapur nga sot deri më 6 dhjetor Muzeu i Kosovës sot hap ekspozitën “Moti i Madh” kushtuar Heroit të Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Ekspozita përmban statute, replika, gravura të autoreve të ndryshëm me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar, i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane. Kjo ekspozitë është realizuar në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita do të jetë e hapur nga sot deri më 6 dhjetor./KultPlus.com

Në këmbanarën e Katedrales “Shën Nëna Terezë”, mozaiku i Gjergj Kastriotit, inaugurimi të shtunën

Ipeshkvia Prizren-Prishtinë, këtë të shtunë, më 10 nëntor 2018, organizon meshë dhe koreodramë për Gjergj Kastriotin – Skënderbun në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, në kuadër të shënimit të Vitit Jubilar 550-vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, njoftojnë nga Katedralja Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Mesha e shenjtë në Katedralen Shën Nënë Tereza, të cilës do t’i prijë SH. T. Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, në koncelebrim me meshtarë, rregulltarë, me pjesëmarrje të rregulltareve, besimtarëve dhe njerëzve vullnetmirë, do të nisë në ora 11:00, kurse pas meshe, rreth orës 12:00 do të bëhet inaugurimi i mozaikut të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili është i vendosur në këmbanarën e Katedrales.

Kurse në ora 12:30 do të paraqitet një koreodramë mbi Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, nga koreografi Xhemal Berisha, nën interpretimin e Ansamblit Arbëresha (Misioni Katolik Shqipar Sirnach – CH). Në këtë shfaqje do të ndodh një takim i Gjergj Kastriotit me Nënë Terezën. Koreodrama mbahet në Sallën e Qendrës “Pjetër Bogdani”, e cila gjendet në ambientet e Katedrales.

Promovohen librat me pulla shqiptare të Nënë Terezës dhe Gjergj Kastriotit, nga koleksionisti Hysen Dizdari

Alberina Haxhijaj

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës sot janë promovuar dy libra të veçantë për Nënë Terezën dhe Skënderbeun. Librat “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017” dhe “Nënë Tereza në pullat shqiptare”, të koleksionistit dhe autorit Hysen Dizdari, shkruan KultPlus.

Hysen Dizdari është një koleksionin të cilit dëshira për të mbledhur pulla postare i kishte lindur shumë natyrshëm, duke mos e menduar asnjëherë se do arrinte që të ishte autori i dy librave të cilat do mbanin koleksione të veçanta të pullave kushtuar dy figurave të mëdha shqiptare, Nënë Terezës dhe Skënderbeut.

Mirëpo ashtu siç tha sot edhe profesoresha e tij, Flutura Xhavi, ka mjaftuar që Dizdari të kishte një ide dhe të besonte në të dhe puna deri te realizimi i saj do ishte i pashmangshëm për të pasi që ai veçohej si student punëtor dhe i dedikuar.

“Figurat e mëdha si Skënderbeu dhe Nëna Tereza duhet që t’i bëjmë të kapshme dhe jo vetëm të krenohemi që ata janë shqiptarë si ne pasi që bota vazhdimit po ecën. Ne duhet që të kapemi pas vlerave të tyre që shumë pak kush i ka dhe të bëhemi bartës të këtyre vlerave”, u shpreh ajo.

Libri për Nënë Terezën fillon me “Emisioni i zakonshëm – Nëna Tereza”, emërtuar më 4 tetor 1992 i cili përmbante dhjetë pulla postare me të njëjtën pamje, Nënë Tereza duke mbajtur në duar një fëmijë. Ky libër ka gjithsej 14 emisione të ndryshme dedikuar figurës së Nënë Terezës.

Në anën tjetër Don Lush Gjergji u shpreh se çdo libër i cili diskuton apo vë në pah kontributin e Nënë Terezës është i mirëseardhur pasi që ajo është nëna universale e mbarë njerëzimit dhe e meriton një kujdes të tillë.

“Librin të cilin e sjellim këtu është me pulla postare kushtuar Shën Nënë Terezës, me këto pulla të cilat ngjiten në zarfe dhe dërgohen çdo kund në botë. Unë kisha dashur që figura, që jeta dhe vepra e saj të vuloset në mendjet dhe zemrat tona. Që ne të jemi postierët e lajmit të mirë se Shën Nëna jonë Tereza ishte dhe mbetet bijë ilire, arbërore dhe shqiptare”, u shpreh ai.

Për librat bisedoi edhe vet autori i cili falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë udhëtim. Libri për pullat postare kushtuar Skënderbeut ka 33 emisione, i pari është emërtuar më 1 dhjetor 1913. Ndërsa në mesin e pullave postare është edhe ajo e figurës së Skënderbeut realizuar nga piktori Ibrahim Kodra, emërtuar më 20 nëntor 2004.

“Mbledhja e pullave dhe përgatitja për botim e albumit historik për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, bazuar te historia mbi 100 vjeçare e filatelisë shqiptare, ishte një sipërmarrje shumë e vështirë, por edhe përgjegjësi e madhe”, u shpreh ai.

Në fund ai tregoi se ndër vite duke ju shtuar numri i pullave në koleksionin e tij, i ka lindur ideja e krijimit të një koleksioni të veçantë me pulla të cilat do u kushtohen figurave të mëdha patriotike dhe atdhetare të popullit shqiptar./ KultPlus.com

“Nata e Gjergjit” vjen përmes Etno Fest, sjellë për herë të parë një grup Arbëreshësh nga Italia në Kosovë

Viti 2018-të, sjellë edicionin e tetë të Etno Fest, shkruan KultPlus. Kësisoj, këtë vit ky festival është ndarë në dy sesione.

Sesioni i parë ndryshe i quajtur si Sesioni Verorë, mbahet më 4 dhe 5 gusht në Fshatin Kukaj, ku tashmë edhe është bërë publikimi i programit që do të përmbajë ky sesioni i Etno Fest-it.

Nata e parë më 4 gusht, sjellë “Natën e Gjergjit”, e cila vjen në frymën e kujtimit dhe nderimit të heroit kombëtar Gjergj Kastioti ndërsa nata e dytë më 5 gusht paraqet “Natën e Diasporës” një manifestim gjithëpërfshirës për dhe me mërgimtarët.

“Çuditërisht ende nuk kemi përgjigje nga komisioni shtetëror për shënimin e përvjetorit të Skënderbeut, a do të na përkrahë a nuk do të na përkrahë për t’i dhënë këtij eventi frymën institucionale. Sidoqoftë do t’i mbajmë dy eventet me ato që mundemi dhe që kemi, e ju të dashur qytetarë, ju bashkatdhetarë jeni të mirëpritur si gjithnjë. Prezenca dhe ndihma juaj është vitale për vazhdimin e këtij festivali”, thuhet në njoftimin e stafit organizativ të Etno Fest.

“Nata e Gjergjit”, për herë të parë një grup Arbëreshësh nga Italia do të performojnë në Kosovë me rastin e këtij eventi së bashku me Pleqtë e Krujës” dhe Kastriotët e Ferizajt.
Ekspozitat dhe konferenca shkencore si dhe performanca tjera do ta bëjnë të veçantë “Natën e Gjergjit” kryeheroit kombëtar.

Sa i përket programit të “Natës së Diasporës”, është një program i ngjeshur me vizita të ndryshme, ekspozita, mbrëmje poetike, debat, program muzikor, e shumë ngjarje të tjera.

Rikujtojmë se Sesioni Vjeshtor i Etno Fest, mbahet nga data 1 deri më 5 shtator, ndërsa programi nuk është bërë ende i ditur./ KultPlus.com

Stema e Kastriotëve e trashëguar brez pas brezi (FOTO)

Studiuesi Gjon Keka ka zbuluar në një kronikë evropiane, një stemë të vitit 1687 që tregon se si shtëpia e Kastriotëve dhe stema e tyre kishte shqiponjën e kurorëzuar dhe yllin në stemën e tyre, shkruan KultPlus.

Kjo stemë tregon qartë se si dukej atëherë flamuri i Gjergj Kastriotit dhe shqiponja e kurorëzuar dhe si duket sot flamuri pa kurorat mbi kokën e tyre dhe yllin lartë.

“Nuk dihet pse flamuri që sot mbajmë me shqiponjën nuk ka kurorat mbi kokat e shqiponjave dhe yllin ashtu sikur e kishte ngritur Gjergj Kastrioti ne Krujë. Sidoqoftë kjo stemë, kjo shqiponjë e kurorëzuar dhe yllin lartë është stema dhe flamuri origjinal i identitetit tonë kombëtar arbnor evropian”, thotë Keka./ KultPlus.com

“Vallja e shpatave”, luhet pranë varrit të heroit Gjergj Kastrioti- Skënderbeut (VIDEO)

“Vallja e shpatave” apo e njohur si “Vallja e Pirros” është një nga vallet më të njohura dhe më të lashta shqiptare, shkruan KultPlus.

Kjo valle e njohur që është realizuar pranë varrit të heroit të kombit, Gjergj Kastrioti i ka rrënjët që nga lashtësia dhe ishte e njohur si “vallja e Pirros”

https://www.facebook.com/DardaniaSacra.2015/videos/2050842545240692/

Vallja pirrike ishte valle e lashtë që luhej në Greqinë e Lashtë, Iliri, Maqedoni e Thraki. Sipas legjendës, edhe Kurretet (banorët eponim të ishullit të Kretës) kanë luajtur një valle të tillë shpatash me synim që ta mbrojnë Zeusin foshnje nga ndëshkimi i pa kthim i atit të tij Kronosit që gëlltiste fëmijët e vet që në lindje./ KultPlus.com

Gjergj Kastrioti kishte kaq vjet kur u martua me Donikën

Gjon Keka

Gjergj Kastrioti u martua me Donika (Marina) Arianiti më 26 prill 1451, por ka edhe autorë që lëvizin datën e martesës së tyre.

Disa e shënojnë më 27 prill, apo në fillim të muajit maj të vitit 1451, sidoqoftë martesa e Gjergj Kastriotit me Donikën ka ndodhë në vitin 1451, sipas gojdhënave thuhet se pas lutjeve që i bënë miqtë e tij, sepse atij nuk i binte në mend të martohej, ai ishte i zënë me luftën kundër pushtuesve turq.

Thuhet se Gjergji kur u martua kishte 48 vjet, ndërsa Donika 23 vjet. Ata u bekuan me lindjen e djalit të tyre Gjonit, si pasardhës i mbretërisë së Kastriotëve./KultPlus.com

Poezia e Paolo Giovios për Gjergj Kastriotin

Francesco Tajani, në veprën e tij “Le Istorie Albanesi”, botuar në Salerno në 1886, ka përkthyer nga latinishtja në italisht, në faqen n° 124, poezinë e Paolo Giovio-s për Gjergj Kastriotin, të cilën e gjejmë në faqen n° 147 të veprës me titull “Elogia virorum bellica virtute illustrium”, botuar në 1575 nga Pietro Perna.

Aurenc Bebja, ka përshtatur këtë poezi në shqip dhe e ka sjellë për lexuesin, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Gjergj, brenda varrit tënd mbyllet
Rrënimi i turqve dhe mbrojtja e Epirit;
Kockat e tua pa kundërshtim,
Në shumë vende u shpërndanë dhe përhapën.

Pjesët e trupit që duhet të qëndronin të mbyllura,
Për të mos u ndjerë më të fyera nga armiku,
Ashtu nga emri yt u lind lavdia e zjarrtë,
Sa në një mijë pjesë u thyen dhe shkëmbyen.

Sepse duke u larguar nga kjo botë,
Trupi yt u copëtua nga armiqtë e tu,
sikur për tu ndjerë të rëndësishëm.

Dhe virtyti për tu dhënë jetë të tjerëve,
vjen nga ti, ashtu i njëjti,
të dha famë dhe nder.

Giovio – Jeta e njerëzve të shquar

Kënga e Gjergj Kastriotit (VIDEO)

Po e sjellim sot këngën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kjo këngën është kënduar në filmin e Skënderbeut dhe kjo video është pikërisht një fragment i shkëputur nga filmi, shkruan KultPlus.

Rikujojmë se dje ishte 550 vjetori i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ndërkaq viti 2018-të është shpallu Vit Mbarëkombëtar i Skënderbeut./ KultPlus.com

Gjergj Kastrioti sipas At Nicolas Caussin

Shkruan Aurenc Bebja

Prifti, At Nicolas Caussin, ka lindur në vitin 1583 në qytetin francez të Troyes. Ndërroi jetë në 1651. Dy vite më vonë, në1653, u publikua libri i tij me titullin “Oborri i shenjtë i At Nicolas Caussin”, me një volum prej 748 faqesh. Në këtë libër gjejmë shkrimin i tij të shkurtër, por tepër interesant, për heroin tonë kombëtar, princin e Matit dhe mbretin e Shqiptarëve, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun.

Shkrimi titullohet : “Georges Castriot”. Rikthimi i tij në shqip ishte disi i vështirë, sepse është shkruar në frëngjishten e vjetër. Si fillim, më është dashur ta risjell atë në frëngjishten e tanishme, dhe në vijim ta përshtat në gjuhën tonë. Jam munduar tu qëndroj besnik fjalëve të autorit, megjithëse nuk ishte një mision tepër i lehtë, por mundi ia vlen për vepra të tilla, të cilat janë të rralla dhe me rëndësi kombëtare.

Kush ishte Gjergj Kastrioti ? Ja rrëfimi i At Nikollas për heroin tonë:

Fillimet e Gjergj Kastriotit

Shoh në Kastriotin, dikë më të madh se Leonidasi dhe Themistokli, shoh Pirron, shoh Aleksandrin e Madh, edhe pse armiqtë e tij ishin më të fortë sesa ata të Maqedonasit, pra guximi i tij nuk duhet nënvleftësuar. Ai ishte ushtar para se të bëhej burrë, dhe natyrshëm u gjet me shpatë në dorë dhe kurajo në zemër.

I madh, me një fytyrë magjepse, i fuqishëm dhe i shëndetshëm, sytë e tij kompozoheshin mes ylberit dhe rrufesë, duart e tij qenë krijuar për të mbajtur shkëndijat e rrufesë, këmbët e tij nuk ngjasonin me asnjeri, të gjitha këto tipare paralajmëronin famën (suksesin) e tij.

Si Shqiponjë e vogël, filloj që në fëmijëri të luajë me rrufetë. Këtij Herkuli iu deshtë të fillojë dhe tu marrë frymën gjarpërinjve të djepit të tij, iu deshtë të ushqehej në mes të armiqve dhe të luftojë që i mitur kundra të rriturve. I ati, Gjon Kastrioti, i cili kishte pak forca dhe shumë fatkeqësi, u detyrua ta dërgojë peng dhe të rritet tek Turqit e Muratit.

Pallati sulltanor i imponoj emrin Skënderbe, që është ai i Aleksandrit, emër i cili i solli mbarësi dhe e respektoj me plot fjalën. U trajnua në të gjitha ushtrimet e milicisë së akademisë Turke, ku ia arriti me forcë, aftësi, e miratim, dhe ku secili e shikonte atë si një mbështetës të veçantë të Perandorisë së Muhamedit.

Por ai, në zemër kishte gjithmonë Jezusin, mendonte gjithmonë të gjente mënyra për tu shkëputur nga Perandoria. Në brendësi të shpirtit të tij, kishte një flakë, e cila e përvëlonte për zellin që kishte për të rimëkëmbur altarët e krishterëve të vrarë dhe të shkatërronte Shtetin e osmanllinjëve.

Dyshimet dhe kurthet e Sulltan Muratit

Sulltan Murati filloj të kishte frikë nga skllavi i tij, dhe pati frikë të ushqejë në Pallatin e tij një luan që një ditë do të ishte i aftë ti tregonte dhëmbët.

Në beteja të ndryshme, tentoj ta fuste në kurth për ta zhdukur duke përfituar nga guximi i pafundmë i Skënderbeut. Një « scythe » (banorë i lashtë i Azisë qendrore) kishte ardhur në oborrin e Muratit për tu ndeshur në një kafaz të mbyllur me rivalë të tjerë për jetë a vdekje. Fitoj duele të shumta dhe kishte besim të tepërt në forcën e tij. Secili rrotull kishte frikë kur guximtari Kastriot u ndesh me të, por ai i drodhi qafën me një dorë, dhe e vrau me tjetrën. Ata që nuk u mërzitën e duartrokitën.

Meqë ky duel i doli huq Muratit, ai gjeti një rast tjetër nëpërmjet një kalorësi persian, i cili kërkonte me ngulm të bënte duel me heshtë (shtizë). Ishte një burrë që e njihte mirë këtë profesion, i cili lëvizte nëpër qytete dhe provinca, ku kërkonte përballje me kundërshtarë për tu përmirësuar dhe rritur reputacionin e tij.

Duhej një David për këtë Goliat, Aleksandri ynë i ri, vrapon drejt tij si një shqiponjë, e tërheq zvarrë dhe e shtrin për tokë persianin, i cili villte shpirt e gjak.

Por Murati, i cili luante personazhin e Saulit (mbretit të parë të izraelitëve), nuk reshti kurrë së gjeturi raste të tjera për të ushtruar Davidin e tij. Në luftë, i dha punë nga më të ndryshmet, por Skënderbeu korrte gjithmonë sukses, transformonte në trofe të gjitha çështjet që mund të shkaktonin rrënimin të tij dhe kthehej i gjallë nga goja e luanëve.

Ngjitja e Gjergj Kastriotit, rënia e Sulltan Muratit

Sulltan tradhtari i thurte fjalë (lavde) të bukura Skënderbeut…I premtonte se do ti dorëzonte Shtetet (Tokat) pas vdekjes së babait, por ditën e fundit të jetës së Gjon Kastriotit, fjalë e tij dëshmuan se ishin mashtrime dhe premtimet i mori era.

Skënderbeut i kishte sosur durimi dhe vendosi të marrë Mbretërinë e Shqipërisë me një lojë taktike delikate. Lajmi bujshëm shkon në Pallatin e Sulltanit, dhe të gjitha qëllimet e Muratit ishin hakmarrja. Hali Bassa (Ali ose Halit Pasha) dërgohet me 40 mijë ushtarë për ti dhënë fund kësaj situate. Por të gjithë trupat e tij u shpartalluan dhe nuk u mbeti asgjë për tu krenuar, përveçse ndoshta humbja ndaj Kastriot trimit…

Çfarë mund të themi më shumë për madhështinë e Skënderbeut ? Fytyra tiranike dhe e ashpër e sulltanit, e cila pati qenë e tillë gjatë gjithë jetës së tij, u zbut dhe mori shenjat e një lutësi. Ai kërkoj paqen, por ia refuzuan, kërkoj një marrëveshje por e përçmuan. Arrogant, i ndjerë i provokuar, erdhi me 200 mijë ushtarë në Krujë, në kryeqytetin e Kastriot guximtarit (Sulltani dështoi plotësisht). Ai që kishte jetuar me lavdi, vdiq nga trishtimi i poshtërimit të tij dhe mori me vete në botën tjetër pafuqinë dhe dëshirën e përjetshme të hakmarrjes.

Mehmeti, djali i tij, terrori i Universit, i cili rrëzoi dy Perandori, pushtoj 200 qytete, vrau 20 milion njerëz, erdhi dhe dështoi po në këtë vend shkëmbor. A ishte e nevojshme gjithë kjo gjakderdhje për të shkruar mbi trofetë e Kastriotit titullin i Pamposhtur ?

Homazh për kontributin e Gjergj Kastriotit

Kush do ta kishte besuar së një njeri i vdekshëm do të arrinte deri në këtë pikë ? Sigurisht, duhet pranuar se ai e huazoj emrin e tij tek Zoti për të gjitha këto, dhe anasjelltas Zoti i huazoj krahun e tij.

Thuhet për të që nuk refuzoi kurrë një betejë, kurrë nuk e ktheu shpinën, kurrë nuk u plagos, përveçse një herë fare lehtë. Ai ka vrarë dy mijë barbarë me dorën (shpatën) e tij. Mehmeti, djali i Muratit, dëshironte të prekte këtë shpatë të cilën Skënderbeu përdorte, e admiroj atë edhe pse ishte e larë me gjak turqsh. Atij i ra në dorë shpata e çelikut, por kurrë krahu që e përdorte.

O Kastriot trimi, në qoftë se katolikët mundën të shpëtonin nga tirania e Sulltanëve, kjo mund të ndodhte falë teje. Duhet pohuar që plagët tona ishin të pashërueshme, dhe përçarjet mes nesh na penguan ti sillnim ndihmë dorës tënde hyjnore. Ethet të morën jetën në qytetin e Lezhës…Pasi jetove si Komandanti më i admiruar, ti vdiqe si një fetar i vërtetë, duke prekur të gjithë zemrat e atyre që tu përkushtuan me shumë ndjeshmëri…

Dhe tani, ti nuk ke nevojë që të të gjejmë varrin, sepse memoria jote ka gjetur po aq monumente sa ka zemra ndër shekuj./ KultPlus.com

Kënga heroike arbëreshe kushtuar vdekjes së Gjergj Kastriotit

Shkruan Aurenc Bebja

Kënga e më poshtme, kushtuar Gjergj Kastriotit, është marrë në veprën e shkrimtares me origjinë shqiptare, Dora d’Istria-s (Elena Gjika), me titullin : “La nationalité albanaise d’après les chants populaires – Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”.

Vepra e Elena Gjikës është botuar në vitin 1866 në gjuhën frënge në “Revue des Deux Mondes”, Paris. Autorja ka përmbledhur disa këngë popullore shqiptare, ku njëra prej tyre i dedikohet heroit tonë kombëtar.

Më saktësisht, autorja e ka marrë këngën për Skënderbeun në veprën “Su gli Albanesi, ricerche e pensieri” të shkrimtarit arbëresh, Vincenzo Dorsa, të botuar në vitin 1847 në Napoli.

Ja kënga në vijim:

Kur u nis Skënderbeu për në luftë, gjatë rrugës që po ndiqte, ai takon Vdekjen, e dërguara e hidhur e aventurës së trishtë. – Emri im është vdekja : kthehu mbrapsht, o Skënderbe, sepse jetës tënde po i vjen fundi – Ai e dëgjon, e vështron, nxjerr shpatën, ndërsa ajo qëndron e shtangur.

Hije e erës, që tremb vetëm frikacakët, nga e di ti se unë duhet të vdes? Zemra jote e ngrirë a mund të profetizojë zhdukjen time ? Apo të është hapur libri i fatit të heronjve ?

Dje, në qiej, u hapën për mua librat e fatit. E zezë dhe e ftohtë si një vello, ajo zbriste mbi kokën tënde, dhe më pas ajo u hodh mbi të tjerët.

Skënderbeu përplas duart, dhe zemra e tij lëshon një ofshamë. Ah ! Fatkeq! Më erdhi fundi. Ai fillon të kujtojë të kaluarën ; sheh djalin e tij të rritet pa baba dhe mbretërinë mes lotëve. Ai mbledh luftëtarët e tij dhe u thotë :

Luftëtarët e mi besnikë, Turku do të pushtojë të gjithë tokën tuaj, dhe ju do të bëheni skllevërit e tij. Dukagjin, më sjell këtu djalin tim, këtë djalë simpatik, kështu që t’i jap mendimin tim. Lule e braktisur, lule e dashurisë sime, merr me vete nënën tënde dhe përgatit tri nga anijet më të mira. Nëse Turku e merr vesh (e ka fjalën për vdekjen e tij), ai do të të rrëmbejë dhe do të fyejë nënën tënde. Zbrit drejt plazhit : aty, ka një selvi të errët e të trishtë. Lidh kalin tim në atë selvi, dhe vendos flamurin tim mbi të, që të valvitet nga erërat e detit, dhe vari atij shpatën time. Gjaku i Turqve ka mbetur në pjesën e mprehtë të saj në të cilën fle vdekja. Nën pemën e zezë, armët e luftëtarit të frikshëm a do të qëndrojnë të heshtura ? Kur fryen era e tërbuar, kali hingëllon, flamuri valvitet, shpata jehon. Turku do ta dëgjojë, dhe, duke u dridhur, i zbehtë, i trishtuar, do të tërhiqet duke menduar për vdekjen./ KultPlus.com