Gjetje të reja në Amfiteatrin e Durrësit

Të tjera gjetje e fakte kanë dalë në dritë nga projekti kërkimor-shkencor i Amfiteatrit të Durrësit. Pavarësisht temperaturave të larta, procesi i gërmimeve vazhdon për njohjen e mëtejshme të trashëgimisë arkeologjike.

“Ishte një ndjesi e veçantë të asistoje në procesin e gërmimeve të një skuadre shqiptaro-italiane”, tha ministrja e Kulturës, Elva Marariti, e cila ka parë nga afër gjetjet.

Projekti i gërmimeve bashkëdrejtohet nga dr. Elvana Metalla (Instituti Arkeologjisë) dhe dr. Sonia Antonelli (Universiteti Chieti, Itali), bashkëfinancuar nga Minisria e Jashtme Italiane e bashkëpunimit ndërkombëtar – MAECI dhe miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, pranë Ministrisë së Kulturës.

Gjatë ekspeditës 4-javore, ku morën pjesë arkeologë, studentë italianë dhe shqiptarë, u arrit zbulimi i vazhdimit të disa prej galerive të amfiteatrit si edhe gjurmët e një furre mesjetare, që sipas drejtueseve të projektit mund të datohet në periudhën e hershme apo të mesme mesjetare.

Gërmimi nxori një numër të shumtë gjetjesh kryesisht qeramike dhe materiale të imëta, që përforcojnë imazhin e një vendbanimi portual, shumë të gjallë, nga pikëpamja e marrëdhënieve tregtare, pas përfundimit të antikitetit dhe që tregojnë historinë e këtij qyteti magjepsës. /atsh / KultPlus.com

Shkencëtarët, të shqetësuar nga gjetjet e reja në Çernobil

26 prilli i vitit 1986 ishte një nga ditët më tragjike në historinë e njerëzimit. Reaktori 4 i qendrës bërthamore të Çernobilit, në Ukrainë, shpërtheu duke shkaktuar vdekjen e dy punëtorëve.

Më pas, rreth 30 punëtorë dhe zjarrfikës vdiqën si pasojë e radiacionit.

Pavarësisht shifrës zyrtare të viktimave, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se efektet e këtij shpërthimi mund të kenë shkaktuar 4000 viktima nga kanceri, ndërsa organizata të tjerë pretendojnë se numri i viktimave nga pasojat e shpërthimit të reaktorit është rreth 100 000.

Banorët u evakuuan dhe reaktori u “varros” me një mbulojë mbrojtëse, por kthimi i jetës normale në zonë nuk u arrit dot. Ende sot, në Çernobil mund të dallohen qartë pasojat e asaj ngjarjeje të rëndë dhe disa prej tyre po shqetësojnë tej mase shkencëtarët.

Aktualisht, në “zonën e ndaluar” të Çernobilit ka vetëm kafshë dhe bimë të egra. Niveli i radiacionit aty është shumë i ulët tashmë dhe sipas shkencëtarit spanjoll, German Orizaola, Çernobili është kthyer në “parajsën e ujqërve”. Gjithashtu, në këtë zonë po shfaqen edhe specie të reja, si ariu i murrmë, që kishte 100 vite që nuk shihej në Çernobil. / KultPlus.com