Gjimnazi në Deçan, shkolla ku dituria dhe arti gërshetohen mes vete

Suada Qorraj

Muret e brendshme të Gjimnazit ‘Vëllezërit Frashëri’ në Deçan ka kohë që janë mbushur me piktura e murale. Por, tashmë një gjë e tillë është jetësuar edhe në muret e jashtme të kësaj shkolle, duke i dhënë kështu gjallëri, por dhe një hijeshi ndryshe vendit ku gjithsecili kalon, apo dikur ka kaluar një pjesë të jetës, shkruan KultPlus.

Ishte pikërisht profesoresha e artit figurativ, Djellëza Carrabregu, e cila në bashkëpunim me nxënësen e saj, Dea Cacaj, për dhjetë ditë punë intensive ka përfunduar pikturimin e muralit që gjendet në muret e jashtme të kësaj shkolle.

Në një intervistë për KultPlus, Carrabregu ka treguar se murali përbëhet nga elemente të ndryshme që vënë në pah një mesazh të vetëm, me poçin elektrik që lidhet me inteligjencën e idetë, por mbi të gjitha me errësirën që zhduket.

“Në këtë mural kemi paraqitur disa elemente të ndryshme të cilat mbartin me vete një mesazh. Ajo që theksohet më shumë dhe vihet në pah është poçi elektrik të cilin e kemi paraqitur për shkak të lidhjes së tij me inteligjencën dhe idetë. Kur krijohet një ide e shkëlqyeshme, llampa ndizet. Nuk ka më errësirë dhe gjithçka është e ndritshme. Pastaj, këtu kemi paraqitur disa elemente që përfaqësojnë shkencat e natyrës si fizikën, biologjinë, kiminë dhe ato shoqërore si historinë, gjeografinë si dhe matematikën e gjuhën shqipe.

Ndërsa, truri është i vendosur mu në mes të llampës, pikërisht aty ku ndriçon llampa, për arsyen se të gjitha njohuritë që i marrim nga këto lëndë bëjnë që truri ynë të pasurohet me njohuri të reja”, ka thënë ajo.

Tutje ajo ka treguar se qëllimi kryesor për krijimin e këtij murali është që të përcjellin një mesazh tek nxënësit për të ju treguar se drita e së ardhmes gjendet brenda mendjes së tyre.

“Ideja dhe qëllimi kryesor ishin që të sjellim një pamje të bukur për ambientin e shkollës, mirëpo edhe të përcjellim një mesazh tek nxënësit, që drita e të ardhmes së tyre gjendet brenda mendjes së tyre qoftë për shkencë, art apo edhe histori”, ka shtuar ajo.

Profesoresha tregon për KultPlus se ky nuk është murali i parë që ka marrë jetë në këtë shkollë. Sipas saj tashmë ka një numër të madh të muraleve që janë jetësuar, tashmë nga ish nxënësit e kësaj shkolle, Aglentina Aliçkaj dhe Blerim Tahiraj.

Muralet e pikturuara nga këta dy nxënës shfaqin, Albert Ajshtajnin dhe hënën t’përhumbur në mes të natës. Ky mural madje shoqërohet edhe me thënien “Mos humbisni hënën duke numëruar yjet”.

Për profesoreshën realizimi i këtij murali nga ana e saj dhe e nxënëses së saj, mirëpo edhe muralet e mëhershme, nuk do të mund të realizoheshin pa ndihmën e shkollës dhe drejtorit të shkollës.

“Sigurisht, pa mbështetjen e shkollës dhe stafit udhëheqës ky mural nuk do të ishte realizuar pasi që mjetet të cilat kanë qenë jashtë fushës sonë janë siguruar nga drejtori i shkollës, Hamid Qorraj, duke u nisur nga punimet artistike të mëparshme brenda shkollës. Pritshmëria ka qenë shumë e madhe, sapo kemi filluar punën mendoj që ju ka pëlqyer si stafit mësimor ashtu edhe nxënësve”, vazhdon rrëfimin e saj Carrabregu.

Krejt në fund, Djellëza Carrabregu, ka pohuar se puna e një artisti nuk fillon dhe nuk përfundon asnjëherë me një punim, apo krijimin e një pamje të bukur në shkollë, duke shtuar se do të vazhdojnë me punime të tilla edhe në të ardhmen./ KultPlus.com