Gjirokastra u vizitua nga 90 mijë turistë në vitin 2021

Rreth 90 mijë turistë vendas dhe të huaj vizituan gjatë vitit 2021, qytetin e Gjirokastrës dhe rrethinat e tij.

Sipas bashkisë Gjirokastër, përgjatë vitit të kaluar vizitueshmëria nga turistët regjistroi rritje duke tejkaluar vështirësitë e shkaktuara nga pandemia.

Muzeu i Armëve dhe Muzeu i Luftës së Ftohtë, mirëpritën 7 mijë turistë vendas dhe të huaj ndërkohë që dy muzeumet e tjera, Muzeu Etnografik dhe Shtëpia Kadare janë në proces rikonceptimi.

Nxitja dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm është një prej prioriteteve kryesore të Bashkisë Gjirokastër.

Përgjatë këtij viti bashkia në bashkëpunim me qeverinë dhe donatorë të tjerë synon zbatimin e ndërhyrjeve për rijetëzimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, rikonceptimin e muzeve dhe organizimin e një kalendari të pasur aktivitetesh në shërbim të zhvillimit të turizmit.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.

Kalaja e gurtë, parku i Antigonesë, muzetë e qytetit vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës./atsh/ KultPlus.com

Vijon puna për rikthimin e rrugëve me kalldrëm në Gjirokastër

Në qytetin e Gjirokastrës vijon puna për kthimin në identitet të rrugëve të kalldrëmta, një ndër vlerat përfaqësuese të qytetit të gurtë.

Mjeshtrit e kalldrëmeve vijojnë të skalitin në gur identitetin e Gjirokastrës.

Pas përfundimit me sukses të rehabilitimit të infrastrukturës dhe restaurimit të kalldrëmeve në Pazarin e Gjirokastrës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit vazhdon me sagën e projekteve në këtë qytet që mbart vetëm vlera.

Janë drejt përfundimit punimet për ndërhyrjen “Restaurimi dhe Interpretimi i shtegut të Edward Lear dhe Udhëtarëve”. / KultPlus.com