Në GKK shpaloset ekspozita “Rrethi”, piktori Gani Gashi nderohet me titullin “Doktor Honoris Kauza”

Era Berisha

Një numër tejet i madh i pikturave të vendosura përgjatë mureve disangjyrëshe të Galerisë Kombëtare të Kosovës mbrëmë kishin gjetur jetësimin e tyre dhe po frymonin në ngjyra të ndezura e në gjendje kaotike me ç’rast në secilin cep ato piktura kishin zënë rob edhe syrin e të pranishmëve që po admironte veprat unike të piktorit Gani Gashi i cili mbrëmë hapi ekspozitën e tij të titulluar “Rrethi”, ekspozitë kjo që vjen e kuruar nga Krenar Zejno, shkruan KultPlus.

Në ceremoninë e hapjes solemne të ekspozitës, drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Naim Spahiu e mori fjalën fillimisht për të falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen dhe tutje ai shprehi kënaqësinë e tij që më në fund piktori Gani Gashi sivjet është pjesë e programit të Galerisë.

“Sot kemi nderin të prezantojmë artistin Gani Gashi i cili jo vetëm unë personalisht por i gjithë stafi sot ndihet mirë për shkak se e kemi një artist që me vite ka konkurruar të jetës pjesë e këtij programi të Galerisë dhe fatmirësisht sivjet është në planprogram. Falënderojmë dhe këshillin drejtues që kanë bërë këtë përzgjedhje. Njëherit sot është edhe Dita e Artit Botëror që shënohet kudo nëpër vende të ndryshme të botës. Kështu që ne e kemi zgjedh këtë artist që ta shënojmë këtë ditë”, thotë Spahiu.

Kuratori i ekspozitës, Krenar Zejno tutje tregoi se veçantia e kësaj ekspozite është se çdo tablo është e mbushur nga këndi në kënd.

“Së pari falënderoj artistin që besoi te prekja fare e vogël e imja që është krejtësisht minore dhe nuk ka të bëjë fare me një vepër të rëndësishme që okupon të dy sallat e Galerisë. Është thjesht një shkrim dhe një afërsi shpirtërore sepse ne njihemi prej vitesh. Kjo është ekspozita e tretë që bëjmë së bashku. Piktori si i tillë ka pas empatinë që t’i krijonte kushte çdo lloj hezitimi të një autori që është tek studio. Tabloja është festa e syrit. Ekspozita është ‘mesha’ apo ‘ramazani’ i syrit. Gjithandej nga bomba në luftë, e pëson syri jashtë mase. Elementi që bie shumë në sy menjëherë është puna si e tillë. Mbushja e tablosë me ornamente, detaje, praninë e qenies diku me një sy diku me një siluetë, diku me një elipsë si maskat afrikane, diku tjetër me një prani koke por ama jo vetëm tre viza, por një punë me të vërtetë e jashtëzakonshme. Veçantia e kësaj ekspozite se çdo tablo është e mbushur nga këndi në kënd”, thotë Zejno.

Ndërsa, vajza e piktorit, Lira Gashi tutje me një emocion të pashoq lexoi një rrëfim të sajën dedikuar babait të saj. Me titull “Ta jetosh jetën me ngjyra”, ajo cilësoi piktorin Gashi si të vetmin piktor që ka këtë mjeshtëri teknike, metodë pune dhe që gdhend pikturën në pëlhurë me ngjyra e gërsheton elementet e grafikës në pikturë.

Po ashtu, mbesa e piktorit, Lyra Begolli lexoi një nga shumë esetë që e ka shkruar për gjyshin e saj. “Nëpër rrathët e gjyshit”, titullohej eseja e cila shtjelloi artin e piktorit, mesazhin pas pikturave, historinë e një bohemi, shpërthimin e simboleve dhe detajet nga më të ndryshmet që vinë nga thellësia e shpirtit të një artisti.

Ambasadori Avni Spahiu në hapjen e kësaj ekspozite përkujtoi edhe grupin e artistëve ‘Dardanët’ të cilët sipas tij e pasuruan tej mase artin në Kosovë.

“Është me të vërtetë kënaqësi që ta shoh mikun tim me këtë ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Artit. Në të gjitha ato ekspozita që organizoheshin shumë herët në kohë, Gani Gashi ishte pjesë e rëndësishme e tyre. Më kujtohet edhe një grup artistësh që quheshin ‘Dardanët’ të cilët nuk e lanë artin në Kosovë që të vdiste, siç e dëshironte dikush. Por këta qëndruan dhe më kujtohen shumë mirë ato piktura të mrekullueshme që në njëfarë mënyre ftillonin edhe shpirtin e kombit të vetë në momente nëpër të cilat po kalonte. Prandaj kjo mbrëmje ka domethënie të madhe jo vetëm për Ganiun por edhe për të gjithë ne”, thotë Spahiu.

Sipas tij, kjo ekspozitë meriton vëmendjen e të gjithë artdashësve të Kosovës ngase piktori Gashi me bashkëpunëtorët e tij kanë shënuar një etapë të rëndësishme në historinë e artit pamor të Kosovës.

Para se edhe autori i ekspozitës të merrte fjalën, atij iu dhurua çmimi “Doktor Honoris Kauza” që vjen nga Akademia Evropiane e Arteve në bashkëpunim me Komunitetin Kombëtar Shqiptar.

Gjithashtu, piktori Gani Gashi krejt në fund i falënderoi të gjithë të pranishmit si dhe përkujtoi ekspozitën e parë të tij në korridorin e Fakultetit Filozofik.

“Ju falënderoj nga zemra që keni gjetur kohë të vini në këtë mbrëmje. Pas këtyre fjalëve të bukura që i thanë të gjithë, s’kam çfarë të them më për vete. Çfarë kam pas për të thënë, e kam thënë me veprat e mia. Ekspozitën time të parë e kam hapur në vitin 1969 në Prishtinë dhe në mungesë të galerive asaj kohe e kemi organizuar në Fakultetin Filozofik, ekspozitën time që është shumë e rëndësishme për mua sepse më hapi rrugën për vazhdimin e punës time të mëtutjeshme. Sonte këtu, kjo ekspozitë është edhe më e rëndësishme sepse në njëfarë mënyre është një rrumbullakim i gjithë krijimtarisë time prej asaj kohe e deri më sot, pas tetëdhjetë e disa viteve. Po ashtu kam një falënderim të veçantë për Naim Spahiun, drejtorin e Galerisë, i cili është angazhuar jashtë mase për organizimin e ekspozitës time”, thotë Gashi i cili pastaj e shpalli të hapur ekspozitën.  

Pas këtyre fjalimeve emocionuese, të pranishmit që ishin në një numër tejet të madh me padurim po hynin brenda dalëngadalë. Me sy drejt pikturave ata u drejtuan drejt pikturave në fillim teksa disa po shkonin edhe direkt në fund. Ishin pikturat diversive ato të cilat u shpalosën në dimensione nga më të ndryshmet dhe në formën më unike që Galeria Kombëtare e Kosovës ka pasur rastin ta përjetojë. Njashtu sikurse hëna e plotë që shoqëronte të pranishmit në hapjen solemne, ashtu ishin edhe pikturat e piktorit Gashi. Të plota e të mbushura në çdo cep të mundshëm, ato vodhën vëmendjen e gjithsecilit dhe i detyruan të pranishmit të vështronin thellë përbrenda shpirtit të secilës pikturë.

Mëdyshjet e audiencës për të zbërthyer emocionin, kuptimin, mesazhin apo thjesht teknikën e futur në pikturë ishin ato që bënë që kjo ekspozitë të frymojë në një enigmë e cila me një gjëegjëzë të shkëlqyer ndërvepronte me secilin njeri. Ndonëse anash pikturave nuk ishin të vendosura emrat e tyre, nuk deshi shumë kohë që secila pikturë t’i shpreh copëzat e veta. Të krijuara përgjatë viteve të ndryshme duke nis qysh nga viti 2005 e deri tek 2022, pikturat portretizonin një gjendje fort të ngatërruar në pamje e cila shprehej nëpërmjet mbizotërimit të ngjyrës së verdhë, kaltër apo të kuqe. Ngjyrat e përplasura mrekullueshëm në pikturë ngjallnin një ndjenjë e cila shfaqej vetëm në rastin kur thellësia e njeriut depërtonte brenda intensitetit të pasur pamor.

Ndërkohë ishin disa piktura të cilat ndodheshin në pozicione të posaçme, ato të cilat pikërisht komunikonin një brengë, trishtim, rebelim, gjurmë, lojë, kujtim, siluetë, portret, harmoni apo edhe një mozaik me ç’rast këto elemente frymonin në ngjyra krejtësisht gjallëruese, për të hyrë kështu në qoshet më të skajshme të mendjes së njeriut të pranishëm. Kurioziteti për të soditur këndshëm fytyrat apo gjysmë fytyrat që kishin kapluar tablotë në një mënyrë brilante ishte tejet e pranishme dhe kjo më së miri vërehej tek shprehjet e fytyrave që mundoheshin të hynin brenda një plotësie të qetë shpirtërore që pikturat posedonin në vetvete.

Tutje në vazhdim ndodheshin edhe ato piktura të cilat në detaje krejtësisht të imëta binin në ndesh me shumicën e pikturave të krijuara përgjatë viteve më të vona, që pësonin një ndryshim në gjendjen kaotike të imazheve. Përsosja e një boshllëku që në vetvete është kontrast i pandryshuar i plotësisë shfaqej në këto piktura të cilat kanë preokupuar artistin në vitet e mëhershme për të sjell një çorodi mahnitëse e të rafinuar që shpalos dukshëm teknikën mjeshtërore të tij dhe punën e tij ambicioze.

Pena e piktorit Gashi që haptazi ka prek të gjitha qoshet e tablove të prezantuara mbrëmë, njëkohësisht ka prekur edhe shikuesin e dëgjuesin e mirëfilltë të artit të tij. Në të dy katet e Galerisë, ai ka arritur të shpalos thellësinë e të qenurit një artisti i cili komunikon me veprën përballë tij, teksa ekspozimi i asaj vepre krijon një komunikim të ndërmjetshëm mes artistit, pikturës dhe artdashësve. Krejt kjo ndërlidhje dëshmon për talentin e tij të pakrahasueshëm që heshtazi hyn në psikikën e shpirtit të njeriut dhe përhapet ëmbëlsisht në bërthamën e ekzistencës njerëzore.

 Ekspozita do të jetë e hapur deri me datë: 05.05.2022 / KultPlus.com

Ekspozita e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës vjen të shtunën për herë të parë në GKK

Ekspotiza e WCM është në Prishtinë për herë të parë, përcjell KultPlus.

Përmes tregimeve personale, objekteve dhe provave videot që janë pjesë e koleksionit të Muzeut të Fëmijërisë së Luftës, ekspozita do të hedhë dritë mbi përvojat e rritjes në BE-së Kosovë, Kroaci, Serbi, Ukrainë, Siri, Afganistan dhe Palestinë.

Pas hapjes më 16 prill, duke filluar nga ora 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët deri më 30 prill.

Ekspozita realizohet në partneritet me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Galerinë Kombëtare të Kosovës, ForuminZFD Kosovë dhe BE-në në Kosovë. / KultPlus.com

Të premten në GKK hapet ekspozita “Rrethi” nga Gani Gashi

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës së shpejti vjen ekspozita e titulluar “Rrethi” nga artisti Gani Gashi, përcjell KultPlus.

Ekspozita e cila hapet të premten është e kuruar nga Krenar Zejno. Ndërkaq, “Rrethi” do të hapet duke filluar nga ora 20:00.

“Rrethi” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 5 maj.

Gani Gashi u lind më 27 shkurt 1944 në Mramur të Komunës së Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën Normale në Prishtinë në vitin 1963. Akademinë e Arteve Figurative (drejtimi i grafikës) si dhe studimet pasdiplomike i mbaroi në Prishtinë. Nga viti 1963 deri në vitin 1967 punoi në arsim, ndërsa në vitin 1968 filloi punën në redaksinë e gazetës së përditshme “Rilindja” në Prishtinë, ku punoi në vendin e redaktorit artistik, e ku herë pas herë botoi edhe shkrime autoriale nga lëmi e artit figurativ deri më 21 shkurt 2002.

Është anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës që nga viti 1980. Tani jeton dhe vepron si artist i lirë në Prishtinë. / KultPlus.com

Hapet “Dialog në errësirë”, artisti Hajredini: Ëndërr e kam pasur që valixhet t’i prezantoj në mënyrë muzeale

Afro 31 vepra artistike frymuan mbrëmë në hapësirën e Galerisë Kombëtare të Kosovës me rastin e hapjes së ekspozitës “Dialog në errësirë – Dialogue in the dark” së artistit Driton Hajredini. Kuruar nga Shkëlzen Maliqi, ekspozita solli para publikut një numër të madh të veprave aq bukur të realizuara të cilat me inkuadrimin e katër videove, një fotografie dhe instalacionit, artisti ka arritur të prekë çdo medium të mundshëm të shprehjes, shkruan KultPlus.

Të pranishmit mbushën vendin me prezencën e tyre dhe me sy të cilët vazhdimisht kërkonin pikturë pas pikture. Kati i parë i Galerisë mblodhi rreth vetes në një numër të madh artistësh të cilët admironin nga larg pikturat si: “Andërr artistike”, “Më fal Magritte”, “Më fal Fontana”, “Martesa”, “Punë e madhe!”, “Hapësirë reklamimi”, “Energjia”, “Sorry Polke”, “Andërr” dhe “Zgjom para se të shkosh”, të cilat erdhën fuqishëm në ngjyra të lehta e mjaft të larmishme, por pati edhe nga ato të cilat të bënin të shikosh pak minuta më shumë se zakonisht.

Ndërkaq, artisti ekspozitën e nis me pyetjen “Hello, is anybody out there?”, për të vazhduar me pikturat e përngjashme nga madhësia që janë të titulluara si: “Uncle Hari”, “Uncle Cinto”, “Uncle Rene”, “Aunt Catherine”dhe “Uncle Edi”, si një hyrje për të futur publikun brenda një pikëpyetje por që njëkohësisht është cilësuar si një ikonografi tallëse e Hajredinit për të spikatur rolin e kuratorëve në artin bashkëkohor.

Po ashtu, instalacioni “Kush e vrau pikturën?”, e vendosur në njërin nga qoshet e hapësirës, spikati pikërisht një skenë krimi ku ideja e vrasjes është shfaqur po njëlloj si nga policia hetuese. Shiriti i cili ndalon qasjen e personave brenda, pothuajse portretizoi botën e shoqërisë tonë, duke u shndërruar kështu në një mesazh tejet interesant pasi që përgjigjen e mbante secili person që u vu mbrëmë para këtij instalacioni.

Ndërsa, në katin e dytë të GKK-së, fotoja e vetme që përballet me publikun është e titulluar “Ju betohem se jam Piktor”, e që në foto paraqitet vetë artisti, për të vazhduar me ciklin e tij të njohur, atë të valixheve. Të pozicionuara në mënyrë ta mahnitshme ku ndriçimi i posaçëm binte pingul mbi to, pikturat e dimensioneve të ndryshme u gjallëruan nga errësira që i përthekonte të pranishmit e nga vëmendja e shumtë që morën ato mbrëmë. Nga ngjyrat e bukur të errëta, pikturat në thelb shpërfaqnin shpresë, pritje, ikje, investime e ndoshta dhe udhëtime, por që në krye kishin secila nga një korb. Me gjithsej 13 piktura të këtij kuadri, artisti Hajredini na përafron me idenë se një mur po rritet, por se cili do të jetë ai mur, ai nuk e zbulon, por lë që publiku të jetë ai i cili komunikon me këto piktura.

Përgjatë mureve të Galerisë Kombëtare të Kosovës, artisti Hajredini arrin që të tregojë diçka, qoftë përmes veprave të njohura të artit, cikleve të ndryshme të shpërfaqura, instalacionit, fotografisë, apo edhe katër videove si “Mëkati”, “Diku në Prishtinë”, “Për milionerët” dhe “Sindroma Abramovic”, të cilat ngërthejnë në vete një histori të vetë artistit që vendos ta shpalos. Dilema se a është një mëkat që të lindësh si shqiptar në Kosovë, fuqia e komercialitetit, lufta në Kosovë si dhe performanca e artistes Marina Abramovic, ishin këto temat që u shtjelluan nëpër këto video.

Për të treguar rreth idesë për të sjell këtë ekspozitë si dhe konceptit të saj, për KultPlus foli artisti Driton Hajredini.

“Ideja për të ekspozuar gjithmonë është aktuale se artisti punon për të treguar diçka, sidomos që nga shekulli 14-të, artisti është ai i cili pa e pasur dikë prapa, pa mbështetje, dëshiron që shikuesit t’i tregojë diçka. Unë aplikova për një ekspozitë personale dhe u pranova, andaj dhe gjithçka shkoi mirë. Puna në këtë ekspozitë zgjati për dy muaj për të shfaqur 14 piktura me valixhe lart dhe 17 punime në katin e poshtëm. Faktikisht, janë tri cikle të punimeve”, thotë Hajredini.

Sipas tij, ëndrra e tij ishte që valixhet të prezantohen në mënyrë muzeale, pra të jetë errësirë në mes punimeve por të shihet vetëm piktura.

“Piktura më e veçantë për mua do të ishte piktura “Run family run”, një valixhe e hapur me fotografi të familjes time për arsye se unë sa isha në Gjermani, familja ime ishte e zhvendosur. Pas luftës, pas pyetjes time të parë “A është vrarë dikush?”, pyetja e dytë ishte “A kanë shpëtu fotografitë?”. Nëse do të digjeshin ato, pra dhe historia jonë do të mbaronte”, përfundon ai.

Ndërsa, piktorja Zake Prelvukaj për KultPlus tha se Dritoni është një artisti i cili shprehjet e tij artistike gjithmonë vinë guximshëm në secilin medium që ai përdor.

“Dritoni është një artist serioz i cili nuk paraqitet shpeshherë në ekspozita, mirëpo të menduarit e ka atë absorbimin e tij ndër kohë, të cilën e përmbledh siç e ka bërë me këtë ekspozitë. Ai vërtetë di të dialogojë dhe ky dialog në errësirë që e ka zgjedhë është ajo që flet shumë sepse shumë dialogë në errësirë domosdo ndodhin për të shpëtuar botën. Dritoni me shprehje artistike gjithmonë ka qenë i guximshëm në çdo medium që ka përdorur”, thotë Prelvukaj.

Sipas saj, Dritoni është një artist që ka pasuruar edhe fondin e përgjithshëm kosovar të arteve dhe kudo që shkon paraqitet me njëfarë arti inteligjent që ndoshta dikush nuk mund as ta lexojë.

Në anën tjetër, pas kësaj date ekspozita do të jepet edhe në orarin e rregullt nga ora 10:00-18:00, çdo të martë deri të dielën. / KultPlus.com

“Dialog në errësirë”, ekspozita e Driton Hajredinit hapet më 15 mars në GKK

“Dialog në errësirë – Dialogue in the dark” e artistit Driton Hajredini do të hapet me 15 mars, përcjell KultPlus.

Kuruar nga Shkëlzen Maliqi, ekspozita për publikun do të hapet në orën 19:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

“Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve”, Don Lush Gjergji: Kjo ekspozitë tregon se Skënderbeu pati guxim që t’i kthehet vetvetes si ilir, si arbëror

Era Berisha

Dorëshkrime, vula, gravura, ksilografi, litografi, piktura, skulptura, mozaikë, monedha, medalje, pulla postare, manuskripte mbi pergamenë, buste në mermerë, vepra diverisve të punuara në teknika të ndryshme, mbrëmë kishin zënë vend në hapësirën e Galerisë Kombëtare të Kosovës, me rastin e hapjes së ekspozitës të titulluar “Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve”, ekspozitë kjo nga artisti Luan Tashi me kurator Remzi Hasani, që synoi të fuqizojë akoma më shumë figurën tonë historike, Gjergj Kastriot Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Kur ora shënoi 19:00, të pranishmit pothuajse mbushën plot hapësirën përreth duke admiruar e duke u përqendruar në jo vetëm pikturat artistike të punuara me temperë afresk apo edhe me vaj, por edhe në fotografitë e dimensioneve të mëdha që artisti Tashi i ka sjellë në një formë të re të artit konceptual. Identifikimi, përshkrimi, interpretimi i përmbajtjes së imazheve, subjektet e përshkruara e deri tek detajet e veçanta të përdorura për ta bërë këtë, duket se kanë krijuar një ikonografi skënderbejane që nga fillimi i ekspozitës e deri në mbarim, duke rezultuar në një gërshetim të stilit artistik dhe dimensionit historik.

Pas hulumtimeve shumë-vjeçare shkencore të portreteve të heroit kombëtarë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu si vazhdimësi e librit monografik të botuar më parë, artisti Tashi hap këtë ekspozitë që shpërfaqë mbi 65 vepra dhe artefakte të tjera mjaft të begatshme duke filluar qysh nga vepra e parë e skalitur në gurë nga skulptori dhe arkitekti shqiptar Andrea Nikollë Aleksi, punuar në vitin 1455, për të vazhduar tek vepra e punuar nga piktori arbëresh, Roberto Gammone, i cili e ka punuar portretin e Skënderbeut në teknikën ‘vaj në pëlhurë’ në vitin 2018, e deri tek monumenti madhështor i Skënderbeut të skulptorit shqiptar, Bujar Vani, të vitit 2022.

Përgjatë mureve të Galerisë Kombëtare të Kosovës që ka nisur tashmë programin për vitin 2022, shihet qartazi portreti i Skënderbeut në versione të ndryshme nga autorë të ndryshëm të cilët e shfaqin atë zakonisht me kapelë apo përkrenare me kokën e dhisë. Kurse, fytyra e tij është e kthyer anash në gjysmë profil ku dallohet hunda e tij skifter, mjekra e gjatë e rrallë herë atë e shohim edhe me flokë të gjata. Ndërsa, në veshje dallohet mbizotërimi i ngjyrës së kuqe, për ti dhënë kështu atij një karakter të guximshëm e jashtëzakonisht frymëzues.

Tërë këto vepra artistike me një cilësi shumë të lartë sot gjenden gjithandej qyteteve evropiane për të dëshmuar për njërën nga figurat historike dhe këto vepra sot ruhen në galeri, muze, biblioteka si dhe në koleksione private duke filluar nga Vjena, Parisi, Londra e deri në New York.

Nëpërmjet kësaj ekspozite, artisti Luan Tashi konsiderohet se i ka dhënë një dimension të ri projektit të tij studimor, duke e përafruar artistikisht më pranë publikut të gjerë, figurën e Skënderbeut, të këtij kalorësi që deri në fund të jetës së tij u rezistoi me sukses të gjitha sulmeve dhe pushtimeve osmane, i cili duke e mbrojtur popullin shqiptar, u bë edhe mburojë e qytetërimit evropian.

Pastaj në ceremoninë e hapjes solemne të ekspozitës për të treguar për këtë ekspozitë që vjen në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës nga artisti Tashi i cili solli hulumtimin e tij me vite të tëra, foli profesoresha nga Maqedonia e Veriut, Jëlldëz Asani.

“Sa kam përgjegjësinë, po aq kam edhe kënaqësinë që sonte ta bëj hapjen e ekspozitës me fotografi kushtuar heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Të përzgjedhura në mënyrë artistike nga artisti, portretisti dhe studiuesi shumëvjeçar, Luan Tashi. Kryesisht këto imazhe që do ti shihni këtu shfaqen si faksimile të letërkëmbimeve dhe manuskripteve, si fotografi të stemave dhe vulave por më tepër janë edhe reproduksione të pikturave, skulpturave dhe gravurave”, thotë Asani.

Sipas saj, Skënderbeu sa ka qenë figurë historike, po aq është edhe artistike, andaj dhe jo rastësisht, edhe heroi kombëtar ka frymëzuar një numër të madh të krijuesve nga vendi dhe bota ku figura e tij në vazhdimësi ka qenë objekt trajtimi jo vetëm i historianëve, i letërsisë, dramës, muzikës por edhe arteve pamore.

“Çdo trajtim vizual i kësaj figure personaliteti ka një histori dhe një rrëfim në vete duke paraqitur dokumente, dëshmi historike si dhe mjete komunikimi dhe mediume artistike. Andaj, këto vepra figurative përbëjnë thelbin e idesë dhe subjektin tematik të trajtimit shumëdimensional të Luan Tashit, i cili e pasqyron figurën e Skënderbeut dhe njëkohësisht bënë lidhjet mes pikturës dhe fotografisë. Pra, ai krijon një lloj relacioni që është evidente edhe sonte në këtë ekspozitë”, shpalos Asani.

Ndërsa, kuratori Remzi Hasani foli rreth figurës së Skënderbeut, figurë kjo që është bërë pjesë e arteve shqiptare qysh nga viti 1968.

“Artistët shqiptar e trajtojnë figurën e Skënderbeut dhe ndoqën punën e artistëve botërorë. Figura e tij bëhet pjesë e arteve shqiptare qysh në vitin 1968 me rastin e shënimit të 500 vjetorit të vdekjes së tij. Busti i portretit të Skënderbeut e vitit 1889 është i punuar nga atdhetari, skulptori dhe piktori Murat Toptani, bust ky që njihet si i pari në botën shqiptare. Versioni i Skënderbeut vjen nga ikonografi Anastas N. Ballamaçi në vitin 1898 i frymëzuar nga piktura e rojës perandorake të piktorit francez Théodore Géricault në vitin 1812. Më 1890, është punuar një portret nga Kolë Idromeno. Figura e tij është e paraqitur edhe në pikturën e punuar më 1927 nga Zef Kolombi”, shpalos Hasani.

Sipas tij, pas një sërë monumentesh të ngritura në sheshet e qyteteve shqiptare, Odhise Pasakli në vitin 1939, realizoi portretin epik të heroit kombëtar me tipare me fuqi titanike. Ndërsa, ndër monumentet më madhështore të figurës së Skënderbeut cilësohet vepra e mjeshtrit shqiptar, Janaq Paço.

Kurse, Don Lush Gjergji, foli për rëndësinë që kjo ekspozitë ngërthen në vete, duke bërë thirrje që kjo ekspozitë duhet të prekë në zemrën dhe ndërgjegjen tonë.

“Skënderbeu është moisiu arbëror edhe pas 554 viteve ai jeton në kujtesën e jo vetëm popullit shqiptar por në atë të mbarë njerëzimit. Kemi shumë elemente dhe dimensione historike dhe aktuale të jetës dhe veprës së tij. Figura e tij zgjon shumë mendime, vlerësime, shqyrtime, këndvështrime deri edhe tek kundërshtimet apo diskutimet. Kjo dëshmon bindshëm se aktualiteti i tij vazhdon të jetë sfidë për çdo njeri të vullnetit dhe të zemrës së mirë e sidomos për ne, dikur ilir në kohën e tij, arbëror, e sot shqiptar. Ai popullit tonë i’a kthej dinjitetin dhe personalitetin, i’a kthej lirinë dhe pavarësinë duke përmirësuar gabime të shumta të dinastive apo principatave tona të ndara e të përçara. Ky njeri arriti ti bind arbërorët se vetëm të vëllazëruar e bashkuar, mund të jetojmë dhe mbijetojmë”, thotë ai.

Sipas tij, Besëlidhja e Lezhës, akti kulmor i artit dhe strategjisë së vizionit të Skënderbeut, vuri gurë themelin për shtetin arbëror me një kohezion dhe bashkëpunim në çdo kuptim dhe drejtim për formimin e binomit të rëndësishëm, ‘shtet dhe komb’.

“Skënderbeu e ndriçoi dhe vlerësoi historinë tonë ilire, pra lashtësinë, traditën, kulturën, qytetërimin duke frymëzuar për vlera dhe virtyte. Kjo ekspozitë e pikturave të ndryshme të kohërave të ndryshme na mëson se Skënderbeu pati forcë, vizion, guxim e trimëri që t’i kthehet vetvetes si ilir, si arbëror dhe të bëjë që principatat shqiptare të jenë të vëllazëruar e të bashkuar, duke lënë anash ndarjet e përçarjet për një ide të lartë të vëllazërimit shqiptar. Kjo ekspozitë nuk mund të shihet vetëm me sy, nuk mund të jetohet vetëm me mend por duhet të prekë zemrën dhe ndërgjegjen e secilit prej nesh se sa ne në Gjergjin tonë, gjejmë pasqyrën për ta parë vetveten, për të qenë vetvetja e për të dëshmuar lashtësinë tonë por edhe të tashmen”, përfundon ai.

Po ashtu, artistja Zake Prelvukaj erdhi me një rrëfim rreth autorit e njëkohësisht bëri thirrje që kjo ekspozitë të zë vend të përhershëm në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Kosovës.

“Sa krenare qëndron sot Galeria, flet ndryshe, flet më shumë se kurrë më gjuhën e shpirtit, gjuhën e shenjtë të kombit tonë. Luani është artist rebel multidisiplinar sepse asnjëherë nuk është ndalë në vetëm një stacion krijues por në shumë prej tyre. Ai gjithmonë vazhdon të hulumtojë duke mos u ndalur fare duke i dhënë vetes detyrë shumë të vështirë; hulumtime në terrene të ndryshme për veprat nga artistë evropianë e shqiptarë si: dorëshkrime, vula, gravura, litografi, piktura, skulptura, mozaikë, monedha, medalje, pulla postare e të tjera. Për shumë arsye, sidomos për brezin e ri kërkoj që kjo ekspozitë të zë vend të përhershëm në hapësirat e Muzeut tonë Kombëtar”, thotë ajo.

Gjithashtu, artisti Luan Tashi krejt në fund falënderoi pjesëmarrësit për prezencën e tyre duke i përshëndetur ata përzemërsisht me ç’rast shënoi të hapur ekspozitën.

Me hapjen e kësaj ekspozite, Galeria Kombëtare e Kosovës fillon me sukses planprogramin e vitit 2022.

Ndërkaq, ekspozita “Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve” do të qëndrojë e hapur për një muaj. / KultPlus.com

“Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve” e kuruar nga Remzi Hasani vjen së shpejti në GKK

Ekspozita e titulluar “Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve” e profesorit Luan Tashi, së shpejti vjen në Galerinë Kombëtare të Kosovës, përcjell KultPlus.

“Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve” vjen e kuruar nga Remzi Hasani. Ndërkaq, ekspozita do të hapet më 8 shkurt, duke filluar nga ora 19:00.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 8 mars.

“Lusim mysafirët që të respektojnë masat e rekomanduara nga IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e Covid-19”, ka shkruar Galeria. / KultPlus.com

Shpaloset ekspozita ‘Paralel’ e Eliza Hoxhës, një rrugëtim personal i të ’90-tave dhe një reflektim e interpretim i pasojave të luftës

Mbijetesa, rezistenca, qëndresa e përpjekja për liri e një jetë më të mirë të shqiptarëve përgjatë viteve të 90-ta, u shpalos mbrëmë nëpërmjet ekspozitës personale të artistes Eliza Hoxha, të titulluar ‘Paralel’ e që në vete ngërtheu fotografi të mbushura me ndjenjën e pakënaqësisë që artistja i ka spikatur pikërisht me syrin e saj e që asokohe regjistroheshin në javoren politike “Zëri”, shkruan KultPlus.

Rrugëtimi personal i artistes u dallua qysh nga fotografia e parë e deri tek ajo e fundit. Ishin ngjarjet si: Protesta e grave “Shkurorëzim Paqësorë” më 25 mars 1998, Protesta e grave me bukë për Drenicën më 16 mars 19, Protesta e grave me fleta të bardha para Zyrës Informative Amerikane në Dragodan (Arbëri) më 8 mars 1998, Protesta e grave me qirinj më 1998, Protesta në Prishtinë gjatë viteve të 90-ta, fytyra të shumta të luftëtarëve të UCK-së dhe emrat e viktimave nga lufta e fundit në Kosovë, ato të cilat përshkonin muret e bardha të Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Fillimisht, në mungesë të dritave, përgjatë errësirës absolute, të pranishmit fillonin të hynin brenda Galerisë, teksa ata me dritat e telefonave të tyre shikonin qetësisht e admironin pamjet diversive që me madhësinë e veçantinë e tyre dukeshin se po mbillnin rrënjë brenda shpirtit të pranishëm.

Ndërkohë, veçantia e instalacionit të titulluar “Hapësirë e lirë” është simulim i Pavijonit të Kosovës në Venecia në Bienalen e Arkitekturës më 2018, me ç’rast një tepih i shtrirë solli petkun e dyfishtë të qytetit ku me pika të zeza u shënjuan institucionet arsimore publike dhe me pika të kuqe nëpër periferi u shënjuan shkollat shtëpi të sistemit paralel të edukimit. E ky tepih i cili është thurur në vek e është punë dore nga gratë e fshatit Gjonaj në Kosovë, u kurua nga artistja Hoxha e cila portretizoi ‘Prishtinën paralele’ një shtresim i ri fizik, funksional e emocional i prodhuar nga shqiptarët në Prishtinën e viteve të 90-ta. Shumë nga shqiptarët dhanë shtëpitë e tyre për t’i akomoduar mbi 400,000 nxënës dhe student për 10 vite në sistemin paralel të edukimit. Shtëpia u bë shkollë, galeri, spital, zyre, dyqan e çka do tjetër në të njëjtën kohë.

E njëra nga ato është edhe Shkolla – shtëpi e Herticëve.

Tutje, numri i madh i të pranishmëve pothuajse zinte çdo hapësirë brenda Galerisë, e kjo e bënte këtë ngjarje edhe më të përafërt me publikun i cili me padurim shikonte e lexonte nga afër edhe detajet më të vogla të plasaritura në mure.

Krejt në fund, hapja zyrtare që supozohej të ndodhte në fillim u zhvillua në fund, ku artistja Eliza Hoxha, përfaqësuesja nga Ministria e Kulturës, Klodeta Krasniqi dhe profesori Shkelzen Maliqi, u ftuan për një fjalë rasti.

“Është një kënaqësi që të jem këtu e që të kemi afër një artiste si Eliza në pjesën e programit të Galerisë për këtë vit. Një artiste e cila ndër vite ka kontribuar në përmirësimin e kualitetit të kulturës tonë. Duke e pasur parasysh temën të cilën e trajton e që konsideroj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të na rikthej në ato momente që shumë shpesh po i harrojmë e që duhemi patjetër ti shfrytëzojmë në mënyrë që mos ta lejojmë edhe pjesën tjetër të botës, ta harrojë historinë e Kosovës”, thotë Krasniqi.

Ndërsa, profesori Shkelzen Maliqi vlerësoi lartë talentet e Elizës e që të njëjtat vinë të gërshetuara në këto vepra.

“Ky terri që na priti këtu, më kujtoi ato plakat tona në shekullin e kaluar që folshin për luftërat e dikurshme. Kjo ekspozitë, sidomos fokusi i saj është tek protestat e grave gjatë viteve 90-ta, si një rikthim i dinjitetit. Unë dua të citoj diçka, se zhvillimi i teknologjisë një ditë do ta shlirojë aq shumë njeriun sa që do të ketë mundësi që të zhvilloj dhjetë apo pesëmbëdhjetë talente të veta. Eliza talentet e saj i ka gërshetuar paralelisht në veprat e saj”, thotë Mulliqi.

Po ashtu, artistja Eliza Hoxha foli rreth idesë së ekspozitës që u bazua tërësisht në përvojat personale të saj.

“Faleminderit për durimin në terr së bashku, për të bërë dritë më pas. Faleminderit që keni ardhur për të ndarë këtë mbrëmje me mu së bashku e për të ndarë kujtime të shumta së bashku që i kemi kaluar e i kemi përjetuar vitet e 90-ta, përpjekjen për të drejtat tona elementare për edukim si e para, për të ekzistuar, për të qenë e të themi se jemi këtu dhe më pas luftën, depërtimin, lirinë, çlirimin, pavarësinë. Mendoj se jemi një gjeneratë me shumë sfida por në të njëjtën kohë edhe e bekuar sepse kemi përjetuar gjëra të jashtëzakonshme”, thotë Hoxha.

Sipas saj, ekspozita është njëfarë mbërthimi në aspketin personal, përvojave personale.

“Atë kohë, mendoj se mund të bëja diçka me aparat në dorë. Dikush me pushkë e dikush me procese të caktuara. Shumica e filmave kanë mbetur në javoren politike ‘Zëri’, por një pjesë e viteve të fundit kanë mbetur në shpi, e kur kemi qenë refugjatë kemi shkuar në Maqedoni për ti marrë ato negativa me vete. E çka është më e rëndësishmja, se unë këtyre filmave nuk iu kam kthyer 15 vjet pas luftës sepse sikur çdo i ri, kam pasur qejf të shoh përpara e të shfrytëzoj lirinë për ti realizuar ëndrrat. Por, ka ardhur një moment reflektimi për arsyes se plagët nuk janë mbyllur”, përfundon Hoxha.

Për Hoxhën, kjo ekspozitë i dedikohet babait të saj, për dy arsye. Njëra, ka qenë se ai është munduar gjithmonë ta ndreq vendin ku ai jeton me aq sa ka pasur mundësi. Ndërsa e dyta, është se ai ka pasur një natyrë shumë të njëjtë me të por aq edhe kundërshtuese.

Me hapjen e kësaj ekspozite, Galeria Kombëtare e Kosovës përmbyll me sukses planprogramin e vitit 2021.

Ndërkaq, ekspozita qëndron e hapur nga e marta deri tek e premtja (10:00-18:00), kurse të shtunën e dielën nga ora 10:00 deri 17:00. / KultPlus.com

Shpaloset ekspozita “Arti gjatë pandemisë”, kuratori Ejupi: Arti funksionon vetëm kur ka kaos

Era Berisha

Gjithsej 9 artistë vendor janë përzgjedhur për të shpalosur historitë e tyre personale të përjetuara gjatë pandemisë nëpërmjet krijimeve artistike të cilat përmes ekspozitës “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në ngjarje të vërtetë” të kuruar nga Gazmend Ejupi, erdhën në një formë kaotike e krejtësisht të veçantë, me ç’rast secila pikturë, instalacion dhe performancë shfaqi një histori, një mendim e edhe ndjenja që hynin e bridhnin nëpër shpirtrat e pranishëm të mërkurën mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ora shënoi 19:00 kur dyert u hapën e një numër i madh i audiencës të cilët ndaheshin në grupe, po hynin dalëngadalë brenda ku fillimisht ata patën rastin që të shohin veprën e artistëve si Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka, të cilët fillin e ekspozitës kishin vendosur të shndërrojnë në një gjendje kaotike, ashtu edhe siç ishte përjetimi i pandemisë. Një atmosferë e ndezur nga dritat me ngjyrë rozë ku teknologjia kishte zënë vendin dhe hapësirën në çdo kënd e që njëkohësisht portretizonte një përdredhje të ndjenjave njerëzore që digjeshin ngadalë si një kujtim i vyshkur.

Pas kësaj copëze hyrëse të instalacionit, të pranishmit vazhduan rrugëtimin drejt një hapësire ku magjia e pikturave të artistëve si: Avdi Hajdari, Arbnor Karaliti, Brilant Milazimi, Jetullah Sylejmani, Luan Bajraktari, Renea Begolli  dhe Valdrin Thaqi, mbizotëronte në secilën moment që syri i njeriut mund të kapte e të përjetonte.

Ishte radha e pikturave të titulluara: “Proof of life”, “Aidofska” dhe “Jane playing ëith the cat”, të artistit Arbnor Karaliti, të cilat jepnin iluzionin se çdo ngjyrë e errët, çdo vështrim i pranishëm dhe çdo teknikë e ngjyrosjes, po hynte brenda zemrës së njeriut e po rrëmbente vëzhgimin e saj, duke mos e lëshuar në asnjë sekondë të vetëm.

Tutje, vepra “Definition” e artistit Valdrin Thaqi, nuk la vend për përcaktim e as përkufizim të ndjenjës së papërshkrueshme që piktura përçonte. E vendosur si një rastësi e veçantë, piktura solli elegancën e vdekjes pranë natyrës të qetë e aromës të dëlirë të një gjelbërimi unik. Ndryshe nga ngjyrat e ndezura e të dukshme të natyrës që zakonisht shfaqen në piktura, ishin ngjyrat pothuajse të përafërta e të një intensiteti të njëjtë që shpalosën një qetësi të çrregulluar e krejtësisht origjinale.

Ndërkohë, instalacioni “Dëgërrgjik 18,2021” i artistit Jetullah Sylejmani dhe skulptura “Pa titull” e artistit Luan Bajraktari, ishin të vendosura në një linjë horizontale ku një mur i vetëm e i bardhë ndante veprat nga njëra tjetra. Dy veprat në veçantitë e tyre portretizuan një gjendje nëpërmjet së cilës, njeriu i pranishëm tashmë veçse ishte i familjarizuar me të e i cili në këtë rast pati rastin të ndërveprojë me veprat artistike e ti shijojë nga afër në secilin kënd.

Ndërsa, pikturat e përmasave të mëdha të artistëve si: Brilant Milazimit dhe Renea Begollit, si dhe performanca e artistit Avdi Hajdari, futi publikun në ndjenjën e habisë, ku vezullimat e syve të tyre po dalloheshin që në momentin kur ata vunë sytë mbi këto vepra. Unike në stilin e tyre, pikturat kapluan vëmendjen e atyre që adhuronin ngjyrat e ndezura e kuptimet e fshehura. Ndërsa, performanca unike e vetë artistit Hajdari, vulosi mbrëmjen me prezencën fizike të njeriut në veprën artistike, me ç’rast aroma e dheut, luleve dhe vetmia e vendosjes së veprës, përqafoi publikun në një ngrohtësi admirimi të pandierë më parë.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth krijimit të ekspozitës dhe përshtypjeve të tij për KultPlus foli kuratori Gazmend Ejupi.

“Ideja erdhi nga Galeria Kombëtare për të pasur një ekspozitë kolektive me artistët e Kosovës. Koncepti i ekspozitës thirret: bazuar në ngjarje të vërtetë, ku trajtohet një temë që kur filloi pandemia dhe ideja ka qenë shumë e thjesht se si kemi funksionuar. Ndërsa, instalacioni në hapësirë fillon me kaos dhe punimet brenda në hapësirë janë shumë minimale dhe realizmi i veprave të artistëve ka njëfarë peshe që shndërrohet më shumë në një mesazh”, thotë Ejupi.

Sipas tij, përzgjedhja e artistëve ka qenë shumë e vështirë sepse ka pasur shumë artistë të talentuar që zgjodhën të aplikojnë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

“Për neve ka qenë me rëndësi se si janë trajtuar shfrytëzimi i konceptit, hulumtimi, shfrytëzimi i materialeve dhe paramendimet e tyre rreth shfrytëzimit të hapësirës që ne si kuratorë të kemi qasjen e të menduarit kritik paralel me artistin”, thotë ai.

Për Ejupin, pjesëmarrja e madhe e të pranishmëve për të parë ekspozitën dhe ndjenja e ringjalljes që ai ka marrë përgjatë natës, ishte përshtypja më e madhe që ai ka ndjerë.

“Arti funksionon vetëm kur ka kaos, kjo është fuqia më e madhe”, përfundon Ejupi për KultPlus.

Kurse, artisti Arbnor Karaliti për KultPlus tregoi idenë pas veprës artistike të tij.

“Në ekspozitën që veç e kemi parë sot, morra pjesë me katër punë të mija që janë krijime gjatë periudhës së karantinës për çka edhe është krijuar ekspozita. Punët në konceptin e tyre janë disa momente të kapura gjatë kësaj periudhe të izolimit që e kemi përjetuar secili nga ne dhe janë thjesht çaste përditshmërie ku mund të shihen disa njerëz që janë në fakt shoqëri e imja në pozitat e tyre gjatë asaj periudhe që ishin të mbyllur si pasojë e karantinës”, thotë Karaliti.

Sipas tij, piktura “Jane playing ëith the cat”, ka qenë vepra e tij e preferuar për arsye se ishte e para vepër në fazën e izolimit dhe se shijimi i procesit ishte në një nivel tjetër për arsye se mbyllja totale e tij në një dhomë ku vetëm pikturimi frymonte, ishte e dëshiruar për një kohë të gjatë për tiu përkushtuar punës.

“Vështirësia më e madhe ndoshta do të ishte puna e materialit sepse kemi qenë aq të izoluar saqë nuk kemi pasur mundësi të furnizohemi me material kurse si ekspozitë nuk ka pasur ndonjë vështirësi por thjesht ka qenë njëfarë kurorëzimi i krejt kësaj pune të artistëve të Kosovës gjatë pandemisë duke iu përmbajtur temës së izolimit”, thotë ai.

Për Karalitin, emocionet e mëdha për arsye të pranisë së madhe të njerëzve, malli i thellë për diçka të tillë në Galerinë Kombëtare si dhe ekspozimi i veprave të tij, ishin në një nivel jashtëzakonisht të madh e të dëshirueshëm tash e sa kohë.

Po ashtu, artisti Shkamb Jaka për KultPlus foli rreth konceptit të veprës së tij dhe artistes Laureta Hajrullahut.

“Ideja për të bashkëpunuar ka ardhur qysh moti por tani e gjetëm mundësinë që në këtë ekspozitë të aplikojmë së bashku. Idenë e kemi filluar për të sjell diçka organike dhe njëfarë estetike të programit ‘TikTok’ pasi që ka qenë influencë e madhe gjatë pandemisë. Disa drita dhe lule ishin si diçka organike që na kanë munguar gjatë kohës së pandemisë e që kanë qenë të vetmet gjëra organike që kemi mundur të përjetojmë në mbyllje e së bashku me videot tona që kanë treguar punët tona, kemi shfaqur përjetimin tonë të pandemisë”, thotë Jaka.

Sipas tij, ekspozita e tërë ka lënë përshtypjen e vetë për arsye se të gjithë artistët kanë qenë në bashkëpunim me njëri-tjetrin në mënyrë që të funksionojë tema e njëjtë, pra ajo e izolimit.

Ekspozita “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në ngjarje të vërtetë” ka ftuar artistët me mediumet e tyre të përzgjedhura të paraqesin punët e tyre të krijuara gjatë kohës së pandemisë dhe në përgjigje ndaj saj. / KultPlus.com

Komuna e Prishtinës nënshkruan marrëveshje me GKK-në, pritet të ekspozohen veprat e Hotelit Grand dhe artisti Alban Muja

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar marrëveshje me Galerinë Kombëtare të Kosovës për bashkëpunim në realizimin e ekspozitave të ndryshme të cilat janë pjesë e programit kulturor të kryeqytetit, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga drejtori për kulturë në komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, nëpërmjet një postimi në Facebook.

Berisha ka shkruar se pjesë e ekspozitave do të jetë edhe ajo me koleksionin e veprave të Hotelit Grand dhe ajo e artistit Alban Muja ku do t’i ekspozojë veprat e tij jetësore që i ka realizuar gjatë 15 viteve të fundit.

Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:

Sot kemi nenshkru marreveshje me Galerine Kombetare te Kosoves per bashkepunim ne realizimin e ekspozitave te ndryshme si pjese e programit kulturor te qytetit te Prishtines. 

Nder te tjera, vlen te permendet ekspozita me koleksionin e veprave te Hotel Grandit te trasheguara nga GKK dhe ajo e artistit Alban Muja ku do t’’i ekspozoje veprat e tij jetesore qe i ka realizuar gjate 15 viteve te fundit.

Marreveshjen e nenshkruam bashke me U.D i drejtorit i GKK-se, Naim Spahiun te cilin e falenderoj per pritjen dhe bashkepunimin e ndersjelle./ KultPlus.com

Kthehen veprat e 121 artistëve kosovarë në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se në Galerinë e Arteve janë kthyer veprat e 121 autorëve të Kosovës, shkruan KultPlus.

‘Lajm i mirë për artin në këtë fundvit
Me propzimin tim si ministre sot është votuar Evidentimi dhe kthimi aty ku e kanë vendin – në Galerinë e arteve – 121 veprat e autorëve që Kosovës i kanë dhënë identitet, në fushën e arteve pamore, dhe shpronësimi i tyre ishte një ndër prioritetet e mia si ministre.

MKRS konsideron se rikthimi i veprave të artit që ne i vlerësojmë si asete kombëtare – të ekspozuara në “Grand Hotel-Prishtina”, tek thesaret e popullit, aty ku ruhen dhe ku ka qasje publiku i gjerë, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, është një ndër aktet madhore të kësaj Qeverie!

Falenderoj Drejtorin e AKP-së, z. Valon Tolaj dhe stafin e MKRS-së, që punuan me ngulm që të përmbushen kërkesat ligjore’, ka shkruar Dumoshi në Facebook. / KultPlus.com

Dhurata Ramosaj Shala zgjedhet zëvendësuese e Drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës

Që nga data 4 gusht 2020, Dhurata Ramosaj Shala mori përgjegjësi shtesë si Zëvendësuese e Drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Ajo filloi punën si Koordinatore e Projekteve të Edukimit në Galerinë Kombëtare të Kosovës në vitin 2005. Në vitin 2011, caktohet si u.d. Drejtore e GKK dhe nga viti 2012 transferohet në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.

Në këto 15 vjet përvojë, ka menaxhuar mbi 60 ekspozita të artistëve vendor dhe të huaj.

Gjatë kësaj periudhe ajo do ti menaxhojë të dy galeritë, GKK dhe GMK. / KultPlus.com

Jakup Ferri me ekspozitë individuale në GKK

Galeria Kombëtare e Kosovës do të hapë ekspozitën individuale të artistit Jakup Ferri, shkruan KultPlus.

Në kuadër të kësaj ekspozite do të shpaloset për publikun puna 15 vjeçare e artistit me pikturat, vizatimet dhe tapiceritë.

Ekspozita individuale do të hapet për vizitorë më datë 1 Gusht në ora 11:00.

Ekspozita nuk do të ketë ceremoni të hapjes por që nga data 1 deri më 30 Gusht do të jetë e hapur për të gjithë ju.

Artisti është shprehur se për këtë ekspozitë janë sjell 100 punime nga Holanda.

“Ka qenë shumë e vështirë̈ që t’i sjellim 100 punime nga Holanda, falënderoj Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Komunën e Prishtinës të cilët ndihmuan shumë rreth gjithë këtij organizimi”, ka shkruar artisti.

GKK ka bërë lutje për mysafirët që të respektojnë masat e rekomanduara nga Instituti IKSHPK dhe Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e Covid-19.

Jakup Ferri i lindur në vitin 1981, në Prishtinë, Kosovë, ka studiuar në Fakultetin e Arteve të Prishtinës dhe Rijksakademy në Amsterdam.

Në vitin 2008, Jakup Ferri mori çmimin Buning Brongers në Amsterdam. Ai ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme ndërkombëtare, ndër të tjera: U-TURN Quadrennial for Contemporary Art Copenhagen, Istanbul Biennal dhe De Hallen në Haarlem. / KultPlus.com

Ritëm dinamik i formave

Shkruan: Hivzi Muharremi

Me rastin e ekspozitës Biennali të vizatimit hapur kohë më parë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Bienali i vizatimit, i pari me radhë, organizuar nga Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës, është manifestim i të arriturave më cilësore të krijuesve në fushën e vizatimit, në të cilin shpalosen shtresat më të thella e më subtile të ndërdijes dhe vetëdijes së krijuesve figurativë.

Vija si element dominant dhe thelbësor i vizatimit është bartëse e ngjarjes, idesë, porosisë dhe problemit figurative të veprës. Ajo mundëson definime të drejtpërdrejta në rrjedhën spontane të mendimeve dhe pulsimeve kreative e emocionale. Ngjyra si element piktural dhe materialet grafike të shlyeshme dhe kësisoji të përshtatshme për përmirësimin e lëshimeve dhe dështimeve gjatë procesit krijues sic është përdorja e lapsave, krejoneve të ngjyrosura, përdorja e impasteve, të ngjyrës temperë me tushin e laviruar, kollazheve etj janë realizuar nga një numër i konsiderueshëm të krijuesëve figurativ. Vija dhe ngjyra janë dy elemente parësore në realizimin e vizatimeve, ashtu sic është rasti edhe me grafikën.

Adem Rusinovci, “Pa titull”

Ekspozita e Biennalit të vizatimit ndërkombëtar është eveniment i cili ka një traditë të gjatë që nga vitet e shtatëdhjeta e deri në mbylljën e saj, ashtu sic ka ndodhur me të gjitha aktivitet kultuore në Kosovë para dhe gjatë luftës. Ky projekt i cili ka qenë pjesë përbërese e Shoqatës së Artistëve figurativë të Kosovës, pas një periudhe të gjatë mosfunksionimi, me themelimin e Asociacionit të aristëve vizual të Kosovës e fillon funksionalizimin në aspektin institucional dhe është e para që organizohët në ambientet e Galerisë së Arteve. Nga kjo ekspozitë cdo të dyten vjet në vijimësi artdashësit kanë mundësi me i vrojtu veprat e autorëve si vendor poashtu edhe ndërkombëtar.

Në ekspozitën e parë të Biennalit të vizatimit morrën pjesë dyzetenëntë autorë. Përmes vizatimeve janë munduar ta shprehin karakteristikat më thelbësore të drejtimeve apo stilit që e kultivojnë gjatë krijimtarisë së tyre artistike. Përmes elementeve figurative një shpërfaqje e tillë reflekton tek shumica e pjesmarrësve të këtij manifestimi. Punimet e autorëve në përgjithësi vecohën për nga trajtimi i frymës reale, ekspresive, surreale e deri tek ato me primesa abstrakte të koncepteve të ndryshme të artit modern. Në frymën e këtyre drejtimeve cdo autorë e shpërfaq ndjenjat dhe botën e vetë shpirtëore përmes linjave, formave, ngjyrave dhe raporteve të dritë hijeve. Përmes këtyre elementeve figurative krijuesit arrijnë t’i shprehin përmes fabullës së imazheve të trajtura edhe anën përmbajtësore, gjë që, një mpleksje e tillë akoma e më shumë e dinamizon ritmin kompozicional të vizatimit. Një ritëm i tillë dinamikë më së miri mund të venerrohet në vizatimin e krijuesit Adem Rusinovci, ku e vë në spikamë aktualitetin e kontekstit kohor, me transformime dhe metamorfoza të përjetësimit të ngjarjeve të ndryshme historike, të trajtuara me një gjuhë sa ekspresive, dramatike po aq edhe optimiste në një lartësim estetik të detajeve të vizatuara, gjithnjë e më shumë shpërfaqë të dy anët artistike atë vizatimore dhe përmbajtësore. Një ravijizim kompozicional i veprës e emërtuar” Pa titull” është realizuar në frymën moderne me primesa të artit surreal e metafizik. Punimi i autorit Rusinovci, ka fituar Cmimin e nderit, “Miqt e Biennales”, cmim qe ipet nga miqtë e Biennalit.

Gjithashtu edhe të autori Agim Salihu, në vizatimin e emërtuar “Pa titull”, dominon hapësira në trajtim të dy figurave ku trupi nudo zhytet me kokë dhe duar të deformuar asocon në një qenie fantazmagorike dhe ndërlidhet plotësisht me aktualitetin kohor të globit botëror ku si aksentim i tërë fabullës kompozicionale është një detaj i ngjarjës pandemike si një virus asociativ në siluetë që në tërësi e ka trondit tërë globin botëror.

Përmes portreteve piktori Alban Meka e mpleks aktualitetin e një atmosfere sa të bezdishme po aq e llahtarshme. Tërë kjo reflekton në shpirtin e tyre, që përmes shikimit të tyre portretet shpërfaqin gjendjen e përgjithshme dramatike. Në mënyrë studimore janë realizuar në raporte dritë hije.

Tek autorja nga Maqedonia Blagoje Mineski, “E fshehur e dukshme”, dhe “Furiozo”, spikatë një frymë moderne, me një teknikë mjaftë të theksuar në definim të planeve me shumëllojshmëri formash nga ato të përvijuara nga fokusimi kah qendra e deri tek format diagonale të cilat spikasin me një ekspresivitet të vetë strukturës kompozicionale të vizatimit.

Tek autori nga Sllovenia, Crtomir Frelih “Moti i keq I, II”, njëherit fitues i Cmimit kryesor të Bienales “Gjelosh Gjokaj”, është vizatim asociativ simbolikë që në esencë paraqet një kohë të një atmosfere të një tendosjeje të Globit në përgjithësi. Në aspektin teknik e artistik realizim studimor sa që duket si vepër grafikore me poteze ekspresive dhe dramatike të ngjyrës së zezë me nuancime të ngjyrës okër. Vizatimet e Crtomirit, vecohen me hapësira imagjinative të kolonizuara me figura në lëvizje ekliptike, ku dallojmë një begati të definimeve valerike të motivit.

Përfaqësuesi nga Bosnja e Hercegovina Dzeko Hodzic, përmes ngjyrave subtile dhe formave kontrastive realizon dy vizatime në frymën ekspresive, përmes deformimit të kokave që kalojnë në abstraksion.

Në vizatimet e piktorit Gani Llalloshi, i cili jeton dhe vepron në Slloveni. Në ekspozitën e Bienalit të vizatimit prezantohet me dy punime –vizatime, “Ëndrra I, II”, Që të dyja vizatime në aspektin kompozicional ravijëzohen përmes dy ndarjeve kompozicionale ku autori e shpërfaq figurat sidomos në pjesen e sipërme të planit të dytë që përfundon në një transformim nga bardhësia e sfondit kompozicional. Në këto dy vizatime deri në një masë gufon spontaniteti ekspresiv i përmbyllur në kompozicion racional, gjallëron ritmi dinamik i formave dhe vijave, që hyjnë në funksion të ikonografisë së tij me figura dhe ambientin e nënqiellit tonë.

Vizatimet e Haxhi Kastratit, vecohen me hapësira imagjinative të kolonizuara me figura nudo të transformuara në koka të gjallesave, fokave. Është një sintetizim i formave, të lëvizjes ekliptike, ku dallojmë një begati të definimeve valerike të motivit, përkatësisht formave nudo kompozicionale.

Gjithashtu edhe Helidon Haliti, prezentohet me dy vizatime “Pa titull”, Vizatime këto të realizuara në një frymë moderne, të thjeshtësuara, por shumë domethënëse si në aspektin përmbajtësor, poashtu edhe figurativ me një ritëm dinamik si të formave njerëzore poashtu edhe të kafshëve. Këto skena janë mjaftë të suksesshme, të shprehura në kompozicion. të qarta e racionale, në të cilin cdo element definohet me maturi dhe përkushtim.

Piktori Isa Alimusaj para ardashësve të Prishtinës prezantohet me vizatimet nga cikli “Profile Dardane”. Vizatimet e kokave dardane kryesisht janë të trajtuara në një atmosferë sa dramatike po aq edhe metafizike. Dukshëm dallojnë nga pikturat e cikleve më të hershme të realizuara në të njejtën temë, meqë autori mbi dyzet vjet është duke u marrë me trajtimin e kësaj teme, andaj, dukshëm reflekton një qasje shumë më e avansuar si në aspektin përmbajtësor po ashtu edhe në vizatim.

Vizatimet e Ismet Jonuzit “Dëmi” dhe “Hijet”, janë dy punime që në aspektin e domethënies përmbajtësore ndërlidhen si dy koncepte. Koncepti i dëmit është pasojë e një atmosfere të brishtë arkitektonike e një periudhe të shkuar në aspektin historik e që hija gjithmon e përcjell në aspektin filozofik. Hijet janë pjesë përbërëse e cdo fenomeni dhe në mënyrë të ndërsjell ndërlidhet me imazhet e ndryshme kohore. Realizim i dinjitetshëm dhe studimor.

Vizatimi “Pa titull” i Jakup Ferrit është një konglomerat imazhesh të trajtuara në një hapësirë kompozicionale me shpërfaqje të një relaxi, të një pushimi jo vetëm nga lodhja apo rezitja, por nga brengat e përditshmërisë së jetës dinamike. E tërë fabula e skenave të trajtuara evokohet në sfondin e zi, svond i cili ndikon në theksueshmërinë e kontrasteve koloristike. Është laureat i Cmimit të Bienales “Gjelosh Gjokaj”,(një cmim i barabart për dy autorë, njëri nga Sllovenia e tjetri nga Kosova).

Për nga realizimi poetiko-asociativ të vizatimi të autorit Musa Prelvukaj “Zëri i mëngjesit, vecohet vizatimi për nga trajtimi i një fryme moderne të figurave të realizuara në frymën surreale. Figura ku identifikohën nga kokat e tyre të stërlodhura dhe të raskapitura dhe të transformuara në trupin e shpezës bibanit. Aksentin kryesor të ngjarjës e fikson në planin e parë kompozicional.

Këtyre iu bashkohet edhe Naim Spahiu, me vizatimin “Notuesit e kohës” me figurë gjigante në planin kompozicional, ku mbi kokën dhe trupin e figurës spikasin kokat e figurave të cilat e kanë humbur pamjen e imazhit dhe dukën si të tretura në aktin monumental të figurës qendrore. Të gjitha këto janë të harmonishëm dhe vecohen me një teksturë të pasur të vijave të kombinuara me tush të laviruar.

Nimon Lokaj, me atmosferë të një apokalipse kohore në vizatimin “Plaku” evokon një periudhë të gjatë kohore të përmbushura me ngjarje dhe skena sa të llahtarshme po aq edhe dramatike. Plaku, litari, ngulfatja janë metafora të përjetësuara të një etnie që nga periudhat e hershme e deri me sot. Të definuar me forma të sintetizuara dhe kompozicion adekuat, i kundërvë vijat të drejta e të lakuara me shrafura të dendura në masat e errëta.

Metafora dhe simbolika e bisedës me figurat e kafshës, janë dy punime të realizuara me përkushtim nga autorja Ormira Lulani. Është punim studimor si në aspektin analitik poashtu edhe përmbajtësor. Pra, efekti kryesor i vizatimit është shpërfaqja e aspektit psikologjik dhe realizimi figural anatomik.

Vizatimet e Nehat Beqirit “Loja” dhe “Përtej”, shëmbëllejnë me konseguencë tekniciste dhe njohje të ligjshmërive të shprehjes vizatimore. Janë vepra shumë të të suksesshme dhe me një frymë moderne të realizimit, Tërësisht i shkarkuar nga elementet e teperta dhe punimi duket si i kryer prej një fryme.

Vizatimet e Majlinda Kelmendit janë studioze me shrafura elegante, në të cilat ndërhyn edhe intervenca tingëlluese koloristike të pasura me forma të imazheve abstrakte kompozicionale.

Vizatimet e Paolo Ferluga vecohen për nga strukturimi subtil i njollave valerike të pasura me teksturë prej të cilave sublimohen format e një imazhi dhe interpretimet pikturale.

Shyqri Gjurkaj, prezentohet me vizatimet nga cikli, “Gjurmë në kohë” dhe “Pa titull”, të cilët në vete ngërthejnë elemente nga fryma e artit modern. Tërë ngjarja në vete ngërthen një histori gjatë kontesteve të ndryshme kohore, që më së miri venerohet përmes akcentimit të ngjyrës së kuqe në mes të gurëve si imazhe parësore të vizatimit asociativo-simbolikë.

Zake Prelvukaj: “Temporaliteti” Vizatim i shprehur me shpërthim eruptiv të vijave të inkuadruara brenda dy formave kuadrante dhe gjysëm kuadronte të ndërlidhur në mënyrë ekstenzive për kompozim, ku zhvillohet në një lojë sa ekspresive po aq edhe melodioze të konturave spontane që e gjallërojnë ngjarjen e brendshme të figurës dhe kokave.

Kamuran Goranci i kushtohet definimit të variacioneve imagjinative të formave me përshtypje relievore në vizatimet “Iluzioni I, II”. Ku përfiton një ritëm dinamik përmes linjave subtile. Vizatimet e Agron Mulliqit, i karakterizon tekstura e freskët dhe spontaniteti i heqjes së vijave, si dhe nga vizatimi ekspresiv me lojë të gjallë të dritë-hijeve dhe ritmit patetik të formave. Gjurmët infantile të figuracionit në formë siluete reflektohen në vizatimet e Remus Willson. / KultPlus.com

Mbyllet Galeria Kombëtare, dy punëtorë rezultojnë pozitiv me Covid19

Galeria Kombëtare e Kosovës ka njoftuar se do të qëndrojë e mbyllur deri më 25 qershor, pasiqë dy punëtorë kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, shkruan KultPlus.

Në njoftimin për media për këtë arsye edhe hapja e ekspozitës “Bienalja Ndërkombëtare e Vizatimit” nga AAVK shtyhet edhe për një javë dhe hapet për vizitorë te enjten e ardhshme, 25 qershor.

”Meqë në stafin e GKK I kemi tanimë dy raste aktive me COVID-19, sipas rekomandimit të IKSHP, hapësirat tona qëndrojnë mbyllur për stafin administrativ dhe teknik si dhe për vizitorë derisa të përfundojë periudha e izolimit preventiv, në fund të kësaj jave. Për këtë arsye, hapja e ekspozitës “Bienalja Ndërkombëtare e Vizatimit” nga AAVK shtyhet edhe për një javë dhe hapet për vizitorë te enjten e ardhshme, 25 Qershor.

Ju dëshirojmë shëndet, me shpresë se së bashku do ta kalojmë krizën!’”, thuhet në njoftimin e faqes zyrtare të Galerisë Kombëtare në Facebook. / KultPlus.com

GKK vazhdon me ekspozita virtuale, Agani: Publiku po na përgëzon për këto iniciativa

Xhemile Hysenaj

Periudha e fundit nëpër të cilën po kalon bota përfshi këtu edhe vendin tonë, ka bërë që institucionet në Kosovë të zhvillojnë shumë aktivitete virtuale duke qenë kështu më afër artdashësve, në mënyrë që të mos ketë ngecje të mëdha as në zhvillimet kulturore, shkruan KultPlus.

Ndër këto institucione, afër dashamirësve të artit ka qenë edhe Galeria Kombëtare e Kosovës, përmes ekspozitave virtuale në kuadër të platformave ‘Artisti në karantinë’ dhe ‘Muzeu virtual’.

Edhe pse dyert e këtij institucioni si shumë institucione të tjera për publikun nuk kanë qenë të hapura, Galeria Kombëtare e Kosovës ka vazhduar punën parreshtur përmes ekspozitave virtuale të cilat kanë rezultuar mjaft të suksesshme dhe efektive për adhuruesit e artit dhe artistët të cilët janë prezantuar përmes tyre.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, ka treguar për KultPlus se janë në pritje të përmirësimit të gjendjes, dhe se nëse kjo krizë shkon drejt përmirësimit pritet që nga fundi i muajit maj të vazhdojnë me ekspozita, ndërkaq në rast se gjendja përkeqësohet apo vazhdon pa ndonjë ndryshim, Agani tregoi se Galeria është e obliguar të vazhdojë me këtë mënyrë, poashtu të krijojë edhe ndonjë platformë të re.

‘Ekspozitat virtuale ka qenë të gatshme, sepse nga shkurti i vitit të kaluar kemi filluar t’i dokumentojnë ekspozitat në këtë mënyrë, ndërsa tash i kemi publikuar me radhë’, vazhdoi tutje Agani për KultPlus.

Platformat ‘Artisti në karantinë’ dhe ‘Muzeu virtual’, të cilat si nismë e Galerisë Kombëtare, kanë filluar në mënyrë që të angazhohen artistët duke publikuar koleksionet e tyre, këto platforma kanë qenë mjaft të suksesshme dhe publiku i ka pritur mjaft mirë.

Këto dy platforma kanë përfshirë artistë të ndryshëm si Zeni Ballazhi, Artan Hajrullahu, Driant Zeneli, Driton Selmani e të tjerë, artistë këta që përmes artit të tyre kanë qenë prezent në shtëpinë e secilit prej artdashësve.

‘Publiku e ka pranuar tepër mirë këtë mënyrë të ekspozitave, po na përgëzojnë për këto iniciativa’, shprehet Arta Agani. / KultPlus.com

GKK hap ekspozitën virtuale ‘Artist në karantinë’

Galeria Kombëtare e Kosovës sot fillon ekspozitën virtuale “ARTIST NË KARANTINË” duke mbajtur aktiv interaksionin me publikun në këtë kohë të vështirë.

Artistët në izolim do të postojnë punimet e tyre ekskluzivisht për ju, duke filluar me Driton Selmani.

Driton Selmani — Everything, 2020
40 × 35 cm Acrylic on found plastic bag
Courtesy: The Artist & Eugster Gallery

Driton Selmani — Worry About, 2020
40 × 35 cm Acrylic on found plastic bag
Courtesy: The Artist & Eugster Gallery

Driton Selmani — Happy End, 2020
60 × 60 cm Acrylic draëing on paper
Courtesy: The Artist & Eugster Gallery / KultPlus.com

GKK ju sjell ekspozitën e Burim Gashit në shtëpi, vizitoni atë në 360 shkallë

Për shkak të situatës së krijuar nga Koronavirusi – COVID 19, janë ndalur të gjitha aktivitete kulturore dhe janë mbyllur institucionet kulturore si: galeritë, muzetë, teatri etj, shkruan KultPlus.

Në pamundësi për ta hapur Galerinë Kombëtare të Kosovës, udhëheqësit e këtij institucioni e kanë menduar një tjetër formë që të jenë sa më pranë jush këto ditë.

Ekspozitën “Heshtje e rëndë” të artistit Burim Gashi e cila është e hapur në galeri, ju tashmë mund ta vizitoni në 360 shkallë përmes këtij linku: https://www.lapsi360.com/burim360/?fbclid=IwAR3fH7pUNPPDKoYtDeKEKIBQo2l-fpMqE6JrbuEAQ-oRWehnGvflqX-pr5U

Deklarata e kuratorës Many Gransch:

Të shikosh një peizazh të natyrës së qetë mund të jetë relaksues madje edhe i gëzueshëm. Por ndonjëherë ato pamje sjellin ndjenja të përziera. Në disa vende ka një heshtje të rëndë në ajër, një pasiguri që mund ta ndjeni edhe pse nuk mund të shihni asgjë. Kjo atmosferë mund të bëhet edhe më e fortë nëse dini për historinë e atij vendi ose nëse kërkoni përgjigje që nuk mund të gjenden.

Ekspozita `heshtja e rëndë`, tregon veprat e fundit të skulptorit kosovar Burim Gashi dhe tregon pasojat emocionale të ngjarjeve traumatike që ishin krijuar nga lufta, dhuna dhe paqartësia për njerëzit e zhdukur. Në këtë seri të re të veprave Burimi tregon shumë përvoja personale dhe traumatike që lufta dhe dekadat në vijim i kanë shkaktuar atij dhe njerëzve përreth tij.

Duke shikuar veprat e tij vërehet se materiali i skulpturave
monumentale nga çeliku shkakton një kontrast të vrazhdë me format
organike, rrjedhëse të pamjes filigrane të skulpturave dhe
instalacioneve. Forma dhe materiali i veprave të artit reflektonte mbi
peshën subjektive që shtrihet mbi çdo person dhe gjithashtu shtrojnë pyetje se çfarë po ju bën kjo peshë njerëzve nëse vazhdojnë ta mbajnë atë në heshtje.

Në veprat e tij Burim Gashi jo vetëm që po i hap veten audiencës, por gjithashtu krijon një hapësirë të ndjeshme për të reflektuar, menduar dhe folur për përvojat, emocionet dhe kujtimet individuale dhe kolektive. / KultPlus.com

GKK shpalos programin e ekspozitave për vitin 2020

Programi i Galerisë Kombëtare të Kosovës për vitin 2020 është aprovuar nga Këshilli Drejtues i Galerisë dhe është dorëzuar në Ministrinë e Kulturës për aprovim, shkruan KultPlus.

Menaxhmenti dhe Këshilli Drejtues, sërish mëtuan që në program të inkuadrojnë sa më shumë projekte që pasqyrojnë realitetin tonë, si dhe atë të artit bashkëkohor në botë.

”Qëllimi ynë me rastin e përpilimit të programit ishte që të prekim sa më shumë çështje globale dhe lokale, që e influencojnë kulturën dhe artin dhe anasjelltas. Këtë do ta realizojmë duke ngritur ide të reja përmes qasjes inovative, drejt një shoqërie sa më të pasur kulturalisht dhe artistikisht, jodiskriminuese dhe gjithpërfshirëse – pa dallim gjinie, race, orientimi seksual apo bindjeje politike.”, thuhet në kominikatën për media.

Galeria Kombëtare ndër të tjerash synon të pasurojë programin me aktivitete të ndryshme që tejkalojnë kufijtë tradicional mes diciplinave artistike, duke shpresuar kështuqë kushtet në të cilat punojnë të përmirësohen dukshëm, duke filluar nga infrastruktura e ndërtesës së galerisë e deri te puna e pavarur institucionale

Programi i ekspozitave të Galerisë Kombëtare të Kosovës përfshin 11 ekspozita që do të hapen në GKK, nga të cilat 7 janë individuale ( Burim Gashi, Lirie Buliqi, Alban Muja, Sigmar Polke, Jakup Ferri, Zharko Bashevski, Eliza Hoxha) dhe 4 grupore ( Onufri Remade, Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës, Artistët nga Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Bienalja Muslim Mulliqi).

Pos kësaj, përmes shkëmbimit të ekspozitave GKK do të vazhdojë bashkëpunimin me Maqedoninë Veriore, BiH, dhe Turqinë.

Ndërkaq, në Strehimoren e Bregut të Dielllit do të hapet ekspozita permanente e koleksionit të GKK në kuadër të projektit “Strehimorja e Artit Modern dhe Bashkëkohor” të filluar qysh para dy vitesh me Komunën e Prishtinës.

Programi i Edukimit do të vazhdojë për të tretin vit me rradhë me projektin “ARTTEEN CLUB” i cili u tregua shumë i suksesshëm përnga rritja e interesimit për aktivitete produktive nga ana e të rinjve, si dhe për nga orientimi në karrierë duke i mësuar ata diçka më shumë për artin bashkëkohor.

Programi i Ligjeratës dhe Debatit do të zhvillohet në GKK në bashkëpunim me disa institucione ndërkombëtare, ku persona të rëndësishëm nga skena ndërkombëtare e artit bashkëkohor si kuratorë, teoricienë etj, do të mbajnë punëtori dhe ligjerata në GKK me qëllim zhvillimin e strukturave të qëndrueshme punuese dhe bashkëpunuese mes artistëve dhe punëtorëve kulturorë.

Pos përgaditjeve që tanimë kanë filluar edhe ky do të jetë një nga hapat e parë të GKK si partnere e Manifesta 14, bienales nomadike që do të mbahet në vitin 2022 në Prishtinë.

Gjatë vitit 2020 GKK planifikon të dalë me disa publikime të pavarura nga ekspozitat e përkohshme, në kuadër të Programit të Hulumtimit dhe Publikimeve, e që do të jenë të fokusuara në Koleksionin e GKK. / KultPlus.com

GKK mirëpret ekspozitën “Arti në mbrojtje të ambientit”

Galeria Kombëtare e Kosovës mirëpret këto ditë ekspozitën “Arti në mbrojtje të ambientit” nga ArtteenClub- Laboratori i kreativitetit.

Artteenclub-laboratori i kreativitetit, është projekt i Galerisë Kombëtare të Kosovës i cili zhvillohet në kuadër të programit të edukimit. Projekti ka për qëllim që të mbledhë adoleshentët e talentuar në arte vizuale dhe së bashku me ta të punojë në mediume të ndryshme të artit vizual. Është viti i dytë që ArtteenClub është pjesë e programit të edukimit në GKK.

Këtë vit ky grup ka  punuar në një projekt që ka të bëjë me mbrojtjen e ambientit. Veprat e artit të punuara nga pjesëmarrësit do të jenë kampanjë për vetëdijesimin e gjeneratave të reja për reduktimin, zëvendësimin dhe riciklimin e mbeturinave. Projekti ArtteenClub 2019 është përkrahur nga KosovoUnitedStatesAlumni-KUSA dhe implementohet nga Galeria Kombëtare e
Kosovës.

Ceremonia e hapjes do të bëhet të enjten me 29 gusht, në orën 19:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

Kuratori i “Gjon Milit” mbajti ligjëratë në GKK mbi influencën e teknologjisë në jetët tona

“Imagjinojeni sikur jeni në një dhomë, dritat ndalen për disa sekonda, kur dritat të jenë ndezur njëri nga të pranishmit është i vdekur. Pasi e thërrasim policinë ata vendosin që t’i konfiskojnë të gjithë telefonat celularë të pranishmëve. A mendoni që përmes telefonave tuaj, policët, mund ta zgjidhin çështjen?”

Në këtë mënyrë, shkrimtari dhe kuratori João Ribas, kuratori i edicionit e 16-të të Bienalit të fotografisë “Gjon Milit”, e ka filluar ligjëratën e tij mbi influencën e teknologjisë në jetët tona, që u mbajt në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Përballë kolegëve dhe studentëve João Ribas ka treguar se si teknologjia, në mënyrë të pashmangshme ka ndikuar drejtpërdrejtë në jetët tona, që nga mënyra se si ecim, si rrimë dhe si flasim me njerëzit.

“Lidhja e teknologjisë me jetën e tanishme është shumë interesante sepse e ka ndryshuar komplet dinamikën e jetës sonë”, ka thënë Ribas.

“Ashtu si natyra, teknologjia na ka detyruar t’i adaptohemi asaj. Në një anë na ka ndihmuar që të krijojmë imazhe dhe gjëra që kanë ekzistuar vetëm në imagjinatën tonë, por nga ana tjetër duhet të paguajmë një çmim të mirë për këtë”, ka shtuar Ribas.

Pjesa më interesante e kësaj ligjërate ka qenë debati se si ndikon teknologjia në ligjbërje.

“Pse rrini para semaforit për ditën jeshile, pse nuk ecni në mes të rrugës, edhe kur nuk ka makina në rrugë. Të gjitha këtë janë prova që teknologjia ka ndikuar prej vitesh në jetën tonë, dhe më e rëndësishmja, në bërjen e ligjeve”, ka shpjeguar ai.

Duke cituar nga një studim i tij, i titulluar “Etika rreth teknologjisë”, Ribas ka treguar se me kohë imazhet ose kujtimet janë shndërruar vetëm në një “Swipe”.

“Sipas statistikave njerëzit rrinë para pikturës së Da Vinçit apo Mona Lizës, vetëm për 15 sekonda, por nuk e kanë problem të rrinë me orë të tëra në telefonat e tyre. Sipas ligjit as fotot që i vë online nuk janë më pronë komplet e jotja pasi i përkasin një publiku më të gjerë që mund të bëjë gjithçka me to.

Shumë shpesh kemi parë që njerëzit bëhen shikues të shfaqjes të tyre online, dhe mund t’ua siguroj që të gjithë në telefonat tonë kemi prova për një krim të kryer. Pavarësisht i çfarë nivelit është ky krim”, ka shpjeguar Ribas në fund të debatit.

João Ribas është shkrimtar dhe kurator bazuar në Porto. Ai më parë ishte drejtor i Muzeut të Arteve Bashkëkohore Serralves, Porto, ku gjithashtu mbajti postin e zëvendësdrejtorit dhe kuratorit të lartë (2014-2018). Gjithashtu ishte kurator i MIT List Visual Arts Center (2009-13) dhe i Qendrës së Vizatimeve, New York (2007-09). Ribas fitoi katër çmime të njëpasnjëshme AICA për ekspozitën më të mirë (2008-2011) dhe Emmy Hall Awards Tremaine Exhibition (2010). Shkrimet i tij janë botuar në publikime të shumta, si Artforum, Afterall, Artnews, Art in America, Frieze, Mousse, The Exhibitionist, Spike dhe The Guardian.  / Rrona Jaka / KultPlus.com

Sonte hapet ekspozita e finalistëve të “Artistët e rinj”

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës sonte hapet ekspozita e finalistëve të edicionit të tretë të çmimit “Artistët e rinj”, kuruar nga Zeni Ballazhi dhe me pjesëmarrësit Adea Pula, Arbnor Karaliti, Brilant Milazimi, Dion Zeqiri, Fidan Bejtullahu dhe Valdrin Thaqi.

Ky edicion i “Artistëve të rinj” është pjesë e aktiviteteve 20/20 me rastin e njëzetvjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës. Ceremonia e hapjes do të bëhet në orën 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

GKK sjell ekspozitën e edicionit të tretë të çmimit “Artistët e rinj”

Galeria Kombëtare e Kosovës do të hapë ekspozitën e finalistëve të edicionit të tretë të çmimit “Artistët e rinj”, përcjell KultPlus.

Kuruar nga Zeni Ballazhi, në këtë ekspozitë pjesëmarrësit e sivjetmë janë: Adea Pula,  Arbnor Karaliti, Brilant Milazimi,  Dion Zeqiri,  Fidan Bejtullahu dhe Valdrin Thaqi.

Ky edicion i AR është pjesë e aktiviteteve 20/20 me rastin e njëzetvjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës.

Ekspozita hapet  të enjten më 27 qershor, në orën 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com