Nga të gjithë shkrimtarët që i kanë dhënë letërsisë botërore atmosferën e errët, tronditëse dhe të mbështjellë në mister, Edgar Allan Poe mbetet figura më emblematike. Poeti dhe shkrimtari amerikan, i njohur për tregimet e tij gotike, temat e errëta dhe portretizimet e mendjes njerëzore në kufijtë e çmendurisë dhe ankthit, duket se jetën e tij jo vetëm që e kaloi në hije, por edhe e mbylli në mënyrë po aq të pashpjegueshme.
Vdekja e Poe-s më 7 tetor 1849, në moshën 40-vjeçare, mbetet një nga misteret më të mëdha të historisë letrare. Edhe sot, mbi 170 vjet më vonë, nuk ka një përgjigje të qartë për rrethanat që çuan në fundin e tij tragjik, një përfundim që mund të ishte shkruar prej vetë Poe-s, në ndonjë nga tregimet e tij të ankthshme dhe misterioze.
Poe kishte planifikuar një udhëtim nga Richmond, Virginia, drejt Nju Jorkut, por gjatë rrugës ndaloi në Baltimore më 28 shtator. Pesë ditët në vijim mbeten të paqarta dhe të zhytura në heshtje. Më 3 tetor, ai u gjet në një gjendje të mjerueshme pranë tavernës Gunner’s Hall, i pavetëdijshëm dhe me rroba që nuk i përkisnin. U dërgua në spitalin Washington College, ku kaloi ditët e fundit të jetës në një luhatje mes vetëdijes dhe delirit, përcjellë KultPlus.
Sipas dëshmive të doktor John J. Moran, Poe përjetoi halucinacione, bisedonte me “qenie të padukshme” dhe ishte i mbuluar me djersë, me fytyrë të zbehtë dhe shikim bosh. Asokohe u mendua se ishte viktimë e alkoolit, një plagë që e kishte ndjekur herë pas here gjatë jetës së tij. Por kjo nuk shpjegon shumë: pse ishte me rroba të huaja? Pse ndodhej në një qendër votimi pikërisht ditën e zgjedhjeve?
Një nga teoritë më të përhapura lidhet me praktikën e “cooping”, një metodë mashtrimi elektoral ku viktimat rrëmbeheshin, drogoheshin dhe maskoheshin për të votuar disa herë në emra të ndryshëm. Poe mund të ketë qenë thjesht në vendin e gabuar, në kohën e gabuar dhe me pamjen e një njeriu të paorientuar, ai u bë pre e një praktike brutale.
Të tjerë kanë hedhur hipoteza se mund të jetë rrahur dhe grabitur, ose madje se ka marrë ndonjë sëmundje si tërbimi. Por asnjë nga këto nuk është vërtetuar plotësisht. Misteri mbetet, ashtu siç do ta kishte dashur vetë Poe.
Ironikisht, Poe, mjeshtri i misterit dhe i së panjohurës, u nda nga jeta në mënyrën më të përshtatshme për një autor të tillë: duke lënë pas një fund të hapur, një enigmë dhe një pyetje që vazhdon të ngacmojë mendjet.
Sot, ajo që mbetet nuk është vetëm trishtimi për humbjen e një shkrimtari të madh, por edhe ndjesia e thellë se vetë jeta e Poe-s ishte një rrëfim i paplotë si një poezi e prerë në mes, ose si një tregim që mbyllet me fjali të ftohta, pa përfundim.
Edgar Allan Poe jetoi në mister, dhe vdiq në po të njëjtën mënyrë./KultPlus.com
