Çka është toksiciteti dhe ku fillon ai? A është vetëm në lumenjtë e ndotur dhe në tokën e helmuar, apo jeton edhe në sistemet që lejuan të bëhet kështu? A e mbajti gjallë fryma jonë, apo ishim thjesht indiferentë që nuk deshëm me pa?
Në edicionin e 15-të, Green Fest e vendos në qendër të reflektimit një temë që është njëkohësisht biologjike, sociale dhe shpirtërore: “Toxicity”. Toksiciteti nuk është veç një term shkencor për përbërjet e rrezikshme; është edhe një realitet i përditshëm – i mishëruar në vendimet që tolerojmë, në strukturat që nuk i sfidojmë dhe në heshtjen që shpesh zgjedhim.
Siç e përshkruan akademiku Rob Nixon, toksiciteti është “dhunë e ngadalshme” – një proces i ngadaltë, shpesh i padukshëm dhe i paemërtuar, që lë pasoja të përhershme te më të pambrojturit. Nga ajri që thithim e uji që pimë, te marrëdhëniet sociale dhe drejtësia mjedisore – gjithçka ndikohet nga ky helm i heshtur.
Green Fest këtë vit nuk e sjell temën për të tronditur, por për të shfaqur të padukshmen, për të pyetur, për të kërkuar kuptim:
A është Toka toksike, apo jemi ne toksikë për Tokën?
Çka do të thotë me u detoksifiku si individë, si komunitet dhe si shoqëri?
A mund të shërojë arti atë që e ka dëmtuar shoqëria?
Përmes një programi artistik, kulturor e rekreativ, festivali synon të krijojë hapësira për reflektim, ndjeshmëri dhe shërim kolektiv – aty ku ndotja nuk është vetëm mjedisore, por edhe morale./KultPlus.com