Grupi “Ilirët” hedh sërish vallen për ruajtjen e trashëgimisë folklorike

Më 18 shtator 2021, Komuna e Chavannes-près-Renens, Zvicër organizon festën e madhe “Këtu Komuna e Chavannes”, ku grupi Ilirët do të fillojë programin që nga ora 13:00, duke paraqitur programin e tyre për një orë.

Në këtë manifestim muzikor do të shfaqen edhe grupet muzikore italiane, portugeze, spanjolle si dhe grupet e të rinjve të kësaj komune.

Kjo festë e madhe është një ngjarje e mirë për rajonin e komunave perëndimor të Lozanës, si dhe vetë kantonin Vaud. Ky takim do të bashkojë të gjithë brezat në një kontekst muzikor dhe festiv, me ç’rast banorët do të mund të zbulojnë pasurinë e kulturave të ndryshme. Një festival i tillë folklorik mishëron një mjet të dobishëm për ruajtjen, promovimin dhe përhapjen e trashëgimisë kulturore jomateriale dhe këtë, veçanërisht përmes zhanreve të shprehjes si muzikës, vallëzimit, riteve, zakoneve, njohurive artizanale dhe artistike etj. Për të kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në ruajtjen dhe rritjen e identitetit dhe diversitetit kulturor, një festival folklorik duhet të zhvillohet në një kontekst të përshtatshëm kulturor.

Ilirët e konsiderojnë rëndësinë e trashëgimisë kulturore jomateriale, shkrirjen e diversitetit kulturor si garantues të zhvillimit të qëndrueshëm, siç nënvizohet nga Rekomandimi i UNESCO-s mbi ruajtjen e kulturës tradicionale dhe popullore të vitit 1989, nga Deklarata Universale e UNESCO-s mbi Diversitetin Kulturor të vitit 2001 dhe nga Konventa për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.

Kjo festë do të bashkojë artistët në një atmosferë paqeje dhe miqësie. Me programet e këtyre komuniteteve, të cilat i bëjnë të njohura traditat e vendeve të tyre për pjesëmarrësit e tjerë dhe për publikun e gjerë, kontribuojnë në respektimin e trashëgimive dhe traditave kulturore të popujve./ Migjen Kajtazi / KultPlus.com