Zëri i paharrueshëm i Hanife Sejfulla-Reçani, bylbylit të Pollogut

Hanife Sejfulla – Reçani, u lind më 1938, në ambient ku e pati trashëguar këngën nga familja e saj, të cilët e vazhduan traditën e tyre edhe pas shpërnguljes nga Luma, ku në odat e burrave, përveç kuvendeve, muhabeteve e shakave, ia merrnin edhe këngës. Hanifja u martua në moshë fare të re, diku si 17 vjeçare, por bashkëshortin, profesorin e nderuar të gjimnazit të Gostivarit Feim Sejfullai-Reçani, e pat përkrahësin më të madh të saj, i cili realisht rridhte nga një familje me virtyte kombëtare. Talenti i saj u zbulua herët, si nxënëse e klasës së dytë apo të tretë, gjatë manifestimit të këngëve dhe valleve të pionerëve në podiumin e vendosur në rrafshin e Leunovës dhe Niqiforovës, komuna e Mavrovës.

Si 12 vjeçare mori pjesë në organizime të ndryshme në Mavrovë, ku Hanifja hodhi hapat e para si këngëtare. Përveç kësaj, Hanife Sejfulla Reçani dallohej si një vajzë shembullore dhe e shkëlqyer në mësime, gjë e cila i ndihmoi të krijonte portretin e saj si artiste, qysh në moshë fare të vogël.Profesor Lorenc Andoni, në vitet e ’60-ta qe redaktor i muzikës në Radio Prishtinën,  duke gjurmuar për këngëtare tjera me vlera, kishte hasur në emrin e Hanifes. Hanifja në këtë periudhë si duket kishte pushuar paksa nga angazhimet artistike, dhe Lorenci me të hetuar këtë shkon drejt e në shtëpinë e saj. Këtu pritet me tradita të larta lumjane nga bashkëshorti dhe nga Hanifja vetë, e profesor Lorenci nënvizon se Hanifja duheshte detyrimisht të vjen të inçizojë në Radio Prishtinën.

Në Prishtinë inçizoi dy këngët më të popullarizuara të saj: “Bien tri daire” dhe “Dil aty ku dole mbramë”. Vitin 1971 vjen ftesa përsëri nga prof. Lorenc Andoni dhe Isak Muçolli për të inçizuar këngë të tjera. Tashmë, Hanifja e pat më të lehtë, meqenëse ishte popullarizuar tej mase dhe publiku kërkonte ta dëgjonte edhe me këngë të tjera. Pas kësaj, punëtorët e UDB-së e akuzojnë pse ka kënduar në Prishtinë e jo në Shkup, ndaj u trasua iniciativa e Talat Avçes dhe e muzikologut Ismail Hoxha që ta ftojnë për të inçizuar në Radio Shkupin.

Të parën këngë për ta inçizuar e caktuan “Për midis pazarit të Durrësit” dhe “Mori cucë matjane”. Hanifja hasi në ndihmesë të madhe nga kryeredaktori i Radio Shkupit Talat Avçe i cili e ndihmon Hanifen që të shkolloheshte në formimin e zërit të saj. Hanife Sejfulla Reçani bashkë me Shaban Stafajn dhe Maksut Deharin e themeluan shoqërinë “Besa” të Gostivarit, e cila funksionoi fuqishëm 8 vjet me radhë.  U paraqit me një pjesë të mirë të repertoarit të saj që përbëhej nga këngët lirike, siç kemi: “Dukanja”, “Pse je idhnu ti me mua”, “Prej Tetove në Gostivar”. Në vitin 1970 u shpall “Këngëtare e vitit” për interpretimin e këngëve të Pollogut e të Sharrit. U nderua me disa çmime e mirënjohje, u shpall  “Qytetare nderi” nga ana e Kryetarit të atehershem të komunës së Gostivarit, u dekorua edhe me “Medaljen Presidenciale e Meritave” nga ana e presidencës së Kosovës.

Këngë emblemë të saj do ngelen: “Bien tri daire”, “Prej Tetove në Gostivar”, “Moj fusha e Korabit”, “I hipa pamporit”, “Kënga e çobanit”, “Dil aty ku dole mbramë”, “Pse je hidhnu ti me mue”. Në repertoarin e saj kemi një pasuri prej afro 200 këngësh, njëra më e suksesshme se tjetra. Vitet e fundit të jetës i kaloi pranë gjirit familjar, ashtu e sëmurë nën përkujdesjen e fëmijëve dhe bashkëshortit. Zemra e saj pushoi së rrahuri më 17 nëntor të 2017, duke lënë pas vetes fëmijët, familjen dhe thesarin e saj artistik,e mbi të gjitha, la pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në zemrën e artit të kombit tonë.

Për burimet e informacioneve u siguruam nga anëtarët e familjes Sejfullai / Qendra Colibris!

Për më shumë ndiqni linqet:

https://www.youtube.com/playlist… / QendraColibris/ KultPlus.com

Zëri i ëmbël i Hanife Sejfulla Reçani dhe repertori i saj përgjatë 50 viteve (VIDEO)

Këngëtarja Hanife Sejfulla Reçani, arriti që në repertorin e saj të ketë një pasuri të përbërë nga 150 këngë, që ajo i këndoi për 50 vite me radhë, shkruan KultPlus.

Ndër më të njohurat janë këngët: “Bien tri dairetˮ, “Prej Tetove në Gostivarˮ, ˮMoj fusha e Korabitˮ, “I hipa vaporitˮ, “Kënga e çobanitˮ…

Talentin dhe zërin e saj prej këngëtareje e zbuluan mësuesit e saj të shkollës ku ajo mësonte, pa mbushur akoma 12-vjeç. Ata e përkrahën atë për t´u bërë një këngëtare e madhe.

Hanife Sejfulla Reçani ishte e bija e Sahit Keçës nga fshati Shkinak Grykë-Çajë. Për arsye të kushteve të vështira ekonomike, familja e saj u shpërngul nga Shkinaku rreth vitit 1934.

Ata morën rrugën në lindje për të kaluar në fushën e Pollogut dhe qendrën e saj Gostivarin, ku edhe nisën një jetë të re.

Në Gostivar ata gjetën mikpritjen dhe përkrahjen e banorëve vendas ashtu si dhe lumjanë të tjerë që vendoseshin në këto anë./ KultPlus.com

“Pse je idhnu”, kur Hanife Sejfulla Reçani i këndonte dashurisë (VIDEO)

Këngëtarja Hanife Sejfulla Reçani, që në repertorin e saj ka rreth 150 këngë, ishte pjesë e skenës për 50 vite radhazi, shkruan KultPlus.

Hanife Sejfulla Reçani, ndërroi jetë në nëntor të vitit 2017-të, por pas saj la një pasuri të madhe të këngëve shqipe, të cilat këndohen nga shumë këngëtarë tjerë edhe sot.

“Pse je idhnu ti me mu”, ishte një ndër këngët e dashura për adhuruesit e Hanifës, të cilën KultPlus, vendosi që sot ta risjellë në memorien e tyre. / KultPlus.com

…Kur mi qoshe letrat djalo,
shnosh e mirë që jam,
shih o djalo gjej një tjetër,
se për ty nuk jam….