Hëna po zvogëlohet, çfarë sjell kjo për Tokën dhe misionet e ardhshme në satelitin tonë?

Një rajon i hënës është vënë në qendër të një gare të re mes agjencive hapësinore ndërkombëtare. Kjo pasi besohet se aty mund të gjendet akull.

Interesi në polin jugor të satelitit tonë natyror arriti pikun vitin e shkuar kur misioni Chandrayaan-3 i Kinës bëri uljen e parë në zonë, vetëm disa ditë pasi një anije kozmike e Rusisë, Luna-25, u përplas teksa ndiqte të njëjtën rrugë.

NASA ka zgjedhur po këtë rajon të Hënës për t’u ulur misionin Artemis III, mision ky që mund të shënojë rikthimin e astronautëve në hënë në vitin 2026. Edhe Kina ka plane për të krijuar habitate në të ardhmen në polin jugor.

Por, një studim që financohet nga NASA ka ngritur alarmin: Teksa bërthama e hënës ftohet gradualisht dhe zvogëlohet, sipërfaqja e saj “rrudhoset”, siç ndodh me një kokërr rrushi kur thahet. Këto fenomene, sipas shkencëtarëve, krijojnë tërmete që mund të zgjasin për orë të tëra, si dhe rrëshqitje të tokës.

Ashtu si pjesa më e madhe e satelitit tonë natyror, kjo zonë në polin e jugut që është aktualisht subjekt i këtij interesi kaq të madh, është e prirur drejt këtyre fenomeneve sizmike, duke u bërë kështu rrezik potencial për sondat dhe pajisjet që njerëzit mund të dërgojnë në të ardhmen në hënë.

“Nuk po e themi që të alarmojmë njeri dhe në asnjë mënyrë për të dekurajuar ekspeditat e eksplorimit në polin jugor të hënës”, u shpreh autori udhëheqës i studimit, Thomas R. Watters.

“Por, e mira është që të jemi të vetëdijshëm që hëna nuk është ky vendi beninj ku asgjë e keqe nuk ndodh”, shtoi ai.

Hëna është zvogëluar me rreth 45.72 metra në perimetër përgjatë miliona viteve të fundit, një sasi e konsiderueshme e parë në terma gjeologjikë, por këto ndryshime sipas shkencëtarëve, janë shumë të vogla për të shkaktuar ndonjë efekt madhor në tokë apo në ciklet e baticave që planeti ynë ka./alsatm/KultPlus.com

NASA kultivoi specat e parë në hapësirë

Astronautët e NASA-s në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës më në fund kanë shijuar specat e parë djegës që kanë rritur në hapësirë ​​për katër muajt e fundit.

Ata jo vetëm që kultivuan specat e parë djegës por i konsumuan në taco. Astronautja Megan MacArthur bëri ato që i quajti si “tacot e mia më të mira hapësinore” duke përdorur disa nga specat, pak mish lope dhe domate.

Por përtej argëtimit, astronautëve iu desh të regjistronin përvojën e tyre pasi tacot ishin pjesë e një eksperimenti më të gjerë.

NASA tha më herët se eksperimenti synon të eksplorojë mënyra për rritjen e produkteve për misionet hapësinore më afatgjata. Astronautët mbollën farat në një habitat të avancuar bimësh, një kabinë zhvillimi e pajisur me më shumë se 180 sensorë dhe drita LED.

Astronauti i NASA-s, Mark Vande Hei, punon me specat kili që rriten në Habitatin e Avancuar të Bimëve në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës më 12 korrik 2021, raporton abcnews.

Ekipi në Qendrën Hapësinore Kennedy mbolli specat pothuajse në të njëjtat kushte në Tokë për të parë nëse mikrograviteti dhe faktorë të tjerë në hapësirë ​​ndikuan në rritjen e tyre.

Një imazh i specave kilit që rriten në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës./ KultPlus.com