Historia e aviacionit botëror mund të kishte një faqe krejt ndryshe nëse bota do t’i njihte më herët veprat e Hasan Masuricës, novatorit shqiptar nga Zarbinca e Luginës së Preshevës. Sipas dëshmive historike, në vitin 1899 plot katër vjet para vëllezërve Wright, Masurica ndërtoi fluturaken e parë pa motor, e njohur në atë kohë si “ballon”.
Kjo shpikje u realizua me ndihmën e kovaçit të fshatit dhe u provua nga i biri i tij 12-vjeçar, i cili arriti të ngrihej deri në 70 metra lartësi dhe të përshkonte afro katër kilometra në ajër, duke lënë të habitur banorët e zonës.
Por Masurica nuk ndalet këtu. Nga viti 1901 deri më 1905 ai ndërtoi pushkë automatike me një, pesë dhe 25 fishekë, të cilën e demonstroi personalisht para Sulltan Abdyl Hamidit në Stamboll. I mahnitur nga mjeshtëria e tij, Sulltani i ofroi kushte për të rindërtuar aeroplanin dhe për të prodhuar armët, por Masurica refuzoi që shpikjet e tij të përdoreshin kundër shqiptarëve.
I njohur për inteligjencën, dijen dhe patriotizmin e tij, Masurica parashikoi zhvillime të mëdha teknologjike që sot po realizohen: komunikimin ndërkontinental në kohë reale, udhëtimet në hapësirë dhe automatizimin e plotë të punës.
Figura e Hasan Masuricës, shpikës, mësues, imam dhe patriot, mbetet një thesar i pazbuluar plotësisht i historisë shqiptare dhe botërore, që meriton të ndriçohet nga studiuesit./KultPlus.com
