Filmi “Heldin”, ku marrin pjesë edhe aktorët shqiptarë Ridvan Murati dhe Albana Agaj po vazhdon të korrë suksese në skenën ndërkombëtare të kinemasë. Pas premierës në Festivalin e Filmit Berlinale dhe lansimit në platformën Netflix, projekti ka shënuar një tjetër arritje të madhe: kompania prestigjioze Music Box Films ka siguruar të drejtat për shpërndarjen e filmit në Amerikën e Veriut.
Ndërkohë, “Heldin” është përzgjedhur zyrtarisht si përfaqësuesi i Zvicrës për kategorinë Best International Feature Film në edicionin e 98-të të Academy Awards (Oscars), duke e vendosur filmin në garë për një nga njohjet më të mëdha të industrisë së filmit botëror.
E realizuar nga regjisorja Petra Volpe, drama ndjek historinë e Florias, një infermiere në repartin e kirurgjisë, e cila përballet me ngjarje tronditëse gjatë një ndërrimi të vonë në spital. Me një rrëfim të ngjeshur dhe emocional, filmi ka fituar vlerësime të larta nga kritika dhe publiku, shkruan KultPlus.
Pjesëmarrja e Ridvan Muratit dhe Albana Agajt i shton filmit një dimension të veçantë, duke dëshmuar gjithnjë e më shumë praninë e aktorëve shqiptarë në produksione evropiane me ndikim të gjerë ndërkombëtar.
Për publikun, kjo është një mundësi për të parë një film me vlera artistike të larta në platformat më të njohura, ndërsa për ekipin realizues, një hap më afër nominimit në Oscars./KultPlus.com
