Ndërhyrje restauruese në Kishën e Shpërfytyrimit në Herbel

Një nga monumentet më të veçanta të trashëgimisë sonë kulturore po i nënshtrohet një procesi të kujdesshëm restaurimi nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Specialistët e IKTK-së po punojnë për restaurimin e Kishës së Shpërfytyrimit në Herbel, të Dibrës.
Punimet përfshijnë ndërhyrje strukturore në themele, restaurimin e fasadave të dëmtuara, riparimin e çarjeve, restaurimin e dyshemesë me pllaka guri dhe ruajtjen e elementeve të vjetra të tavanit.

Kisha e Shpërfytyrimit, i përket Mesjetës së Hershme dhe është e kulturës bizantine. Kisha ndodhet në jugperëndim të fshatit Herbel, në një kodër të lartë. Ka ndërtim të thjeshtë, pronaus-abside. Absida trefaqeshe i takon parapushtimit turk dhe shërben si altar. Në mes të absidës gjendet një dritare e ngushtë dhe e lartë. Muratura është me gur gëlqeror e lidhur me llaç gëlqereje dhe tulla. Tullat janë të vendosura mes gurëve dhe mes rreshtave.

Kjo kishë është shpallur Monument Kulture që në vitin 1970./atsh/KultPlus.com