Çanta e parë Hermes Birkin del në ankand, kjo është historia e krijimit të kësaj çante ikonike 

Çanta u realizua posaçërisht për Birkin në vitin 1985 nga atëherë CEO i Hermès, Jean-Louis Dumas. E bërë nga një material lëkure, modeli tipik i kësaj marke përmban një rrip të pandashëm, ndryshe nga versionet që shiten sot në treg. Ajo gjithashtu ka të stampuara inicialet e Birkin – J.B.

Kjo çantë është Birkin origjinal që do të bëhej çanta më e famshme në botë. U krijua në vitin 1985 nga shtëpia e modës Hermès për Jane Birkin. E dini historinë: ajo takon Z. (Jean-Louis) Dumas në aeroplan, ankohet, ‘Kjo çantë është shumë e vogël’, dhe Z. Dumas i tha, ‘Unë jam CEO i Hermès, do ta bëj unë çantën tënde’ dhe kjo është ajo çantë,” tha Aurélie Vassy, CEO në Sotheby’s.

Atelier-i i Hermès e krijoi çantën Birkin bazuar në një model të vjetër të quajtur Haut à Courroies.

 Ishte një çantë udhëtimi. Me sa duket, Jane Birkin e mbajti për nëntë vjet çdo ditë dhe forma e saj është ende shumë e bukur,” tha Aurélie Vassy.

Artistja me origjinë britanike, e njohur për aktivizmin e saj në fushata si HIV/AIDS, të drejtat e emigrantëve dhe të drejtat e grave, kishte vendosur stampë të UNICEF dhe Médecins du Monde (Mjekët e Botës) mbi çantën origjinale Birkin.

Ajo e nxori çantën në ankand në vitin 1994 për të mbështetur një organizatë bamirëse franceze që lufton HIV/AIDS-in. Më pas, çanta u rishit në vitin 2000, këtë herë e blerë nga një koleksioniste private franceze. Pas huazimit të çantës për ekspozita në MOMA të Nju Jorkut dhe në muzetë e Londrës, koleksionistja ka vendosur t’i japë fund pronësisë së saj dhe ta nxjerrë në ankand.

Sipas drejtuesve të ankandit, si çanta Hermès Kelly prej lëkure krokodili e mbuluar me diamante, e cila u shit për mbi 500 mijë dollarë, dhe trikoja e famshme e deles së zezë e Princeshës Diana, e shitur për 1 milion dollarë, edhe kjo çantë mund të arrijë rekord në shitje.

Çanta do të jetë pjesë e ankandit të “Ikonave të Modës” të Sotheby’s në Paris, që përfshin edhe fustane nga emra si Dior, Balmain dhe Alaïa, dhe që do të mbahet më 10 korrik, gjatë Javës së Modës Haute Couture./ Tv Klan/ KultPlus.com