Shtëpia e Marigo Posios, Hoçishti destinacion i turizmit kulturor

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole së bashku me Drejtorin e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale, Niko Kotherja, nënprefektin e Devollit Henrik Rusi dhe përfaqësues të bashkisë së Devollit, vizituan familjarët e Marigo Posios (Violeta dhe Bardhi Pojani), në 90-vjetorin e ndarjes së saj nga jeta në 23 gusht të vitit 1932.

Marigo Posio jetoi një pjesë të jetës në Hoçisht të Devollit, e cila shërbeu edhe si një bazë e vërtetë atdhetarizmi.

“Marigoja ka qenë një nga gratë më të shquara të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë. Në veprimtarinë e saj spikati jo thjesht akti sinjifikativ i qëndisjes së flamurit që u valëvit në ditën e shpalljes së Pavarësisë, por edhe një veprimtari e gjerë politike atdhetare dhe emancipuese, sidomos për rolin e grave”, u shpreh prefekti Jole.

Jole tha se “puna që familjarët kanë bërë me shumë dashuri për rindërtimin e shtëpisë, mbështetja e bashkisë Devoll për të siguruar infrastrukturën e nevojshme që e akseson lehtësisht objektin, e padyshim pasioni i Nikos për ta kuruar mjedisin e shtëpisë me dëshmi e fakte historike të asaj periudhe, jo vetëm do të plotësojnë një dëshirë të familjarëve apo nxjerrin në pah vlerat e spikatura të figurës së saj të mirënjohur nga gjithë shqiptarët, por edhe do ta kthejnë Hoçishtin në një destinacion të vizitueshëm për turizmin kulturor, sidomos për fëmijët e brezat e rinj që gjithmonë duhet të edukohen me frymën atdhetare dhe historinë tonë kombëtare”.

“Të gjithë bashkë dakordësuam që për 28 nëntorin e ardhshëm, të organizojmë një aktivitet të bukur aty”, tha Jole.

Marigo Posio lindi në qytetin e Korçës, më 1878. Ajo rridhte nga një familje me tradita të shquara atdhetare. Në kujtesën popullore, Marigo Posio, njihet si gruaja që qëndisi flamurin që u ngrit nga Ismail Qemali në Vlorë. / atsh / KultPlus.com