Brendi i diamanteve “HRK” nga Hysnie Kastrati, prezanton koleksionin e ri në Romë

Jeta Zymberi

Hysnie Kastrati, emri i cili u bë i njohur në vendin tonë që në momentin kur u mësua që ajo është një vajzë e re shqiptare e cila ka arritur të jetësojë një ëndërr të madhe, atë të sjelljes së brendit të stolive me gurë të çmueshëm të titulluar “HRK”, ka vazhduar të punojë në këtë rrugëtim të nisur me një energji të palodhshme, shkruan KultPlus.

Pas lansimit të dy koleksioneve të para me të cilët Hysnija përjetoj një sukses të madh, asaj ju desh të bënte një pauzë pasi fitoi titullin nënë, por asnjëherë nuk u shkëputë nga ëndrra që kishte nisur me shumë energji.
Ajo tashmë po rikthehet me një koleksion të ri për të dëshmuar që brendi i saj do të ketë një jetëgjatësi dhe suksesi do të jetë prezent gjithmonë.

“Për arsye të lindjes së fëmijës për një kohë nuk kemi sjellë diçka të re në treg, por gjatë kësaj kohe ne kemi punuar me klientë dhe me porosia. Për gati 16 muaj jemi marrë me klientë e porosi por ndryshe është kur i kthehesh komplet punës dhe fokusi është aty”, ka treguar për KultPlus Hysie Kastrati.

Hysnie Kastrati

Brendi i saj i diamanteve të cilin ajo e prezantoi në kuadër të kompanisë së saj “La Maison du diamant”, fillimisht është prezantuar në Itali për të vazhduar tutje edhe në shtete të tjera.

Koleksioni i parë është lëshuar në treg me çmime që jo gjithkush mund t’i arrijë, por duke e parë kërkesën shumë të madhe, Kastrati ka vendosur që këtë koleksion ta sjellë me çmime më mesatare që edhe të tjerët të kenë mundësinë ta kenë.

“Koleksioni i ri është gati vetëm pritet të prezantohet. Edhe ky koleksion do ta ketë frymën e njëjtë si koleksionet e kaluara, ne zakonisht i përmbahemi konceptit të brendit dhe nuk dalim shumë jashtë atyre që i kemi. Në këtë koleksion ka produkte më ekonomike pasi që do hymë edhe për treg të Kosovës dhe Shqipërisë, por ka edhe prej më të shtrenjtave që si kemi praktikuar në dy koleksionet e para”, ka treguar tutje Kastrati.

Koleksioni i ri nga ‘HRK’ do të prezantohet më datë 28 tetor në Romë në një darkë private që është titulluar ‘Dinner ëith Diamonds’.

Por, në gjithë këtë rrugëtim nuk mungojnë as vështirësitë, sidomos kur dihet që kemi të bëjmë me gurët më të çmuar në botë, andaj edhe Hysnija tregon që ndihma e bashkëshortit të saj është e tejet e madhe.

“Bashkëshorti im është ai që vazhdimisht qëndron përkrah meje në çdo rrugëtim dhe çdo vendim që marr. Puna që e bëj shumë e vështirë për shkak që kemi të bëjmë me shifra të larta dhe e keni parasysh që gabimet më të vogla në këtë punë paguhen shtrenjtë . Andaj duhet shumë kujdes “, është shprehur ajo tutje.

Kjo linje diamantesh deri më tani nuk ka pasur ndonjë prezantim në Kosovë, në vendlindjen e Hysnijes, por kësaj gjëje tashmë po i vjen fundi. Ajo ka treguar për KultPlus se shumë shpejt brendi i saj do të fillojë të shitet edhe në tregun e Kosovës e Shqipërisë. /KultPlus.com