“Kaq të këqij sa janë të mirë” – pse na pëlqejnë filmat e tmerrshëm?

Kritikët e filmit kanë dhënë verdiktin: versioni i ri i War of the Worlds, ku Ice Cube luan rolin e një burri që duhet të shpëtojë njerëzimin nga një pushtim alienësh pa u larguar nga tavolina e punës, është i keq. Por sa i keq? Është thjesht “adaptimi më i keq i mundshëm i veprës së HG Wells”? Është “një nga filmat më të këqij të dekadës deri tani”? Apo madje “një nga filmat më të këqij ndonjëherë”? 

Kur këtë javë nisën të dalin recensionet, interneti u argëtua me rezultatin 0% nga kritikët në faqen Rotten Tomatoes. Ndërsa disa u bashkuan me entuziazëm në “sulm”, të tjerë u tërhoqën prej filmit të Prime Video si fluturat drejt dritës. “Më duket se tani duhet ta shoh patjetër,” shkroi aktori i The White Lotus Patrick. 

Schwarzenegger, i cili, si djali i Arnold-it, ndoshta ka hasur edhe ndonjë film me vlerësime të ulëta. Ai nuk është i vetmi që ndjen “magnetizmin” e një filmi me recensione shkatërruese, disa filma të tmerrshëm kanë krijuar ndjekës të zjarrtë pikërisht sepse janë kaq keq, sa bëhen të mirë. 

Lon Harris, producent ekzekutiv i podcast-it This Week in Startups, ndezi debatin këtë javë kur postoi: “Rënia nën 5% në Rotten Tomatoes ka thuajse të njëjtin efekt tek unë si të thyhet shifra 90%. Është diçka që më duhet ta përjetoj patjetër.” Një film me vlerësim minimal, thotë Harris, është automatikisht interesant: “Një rezultat shumë i ulët tregon marrëveshje universale: ky film është i keq. Tani dua të di më shumë… Pse të gjithë bien dakord? Papritur, jam i intriguar. Shikoj shumë filma, ka kaq shumë përmbajtje që del, dhe shumica është e zbehtë e e harrueshme.” 

I intriguar, Harris e pa War of the Worlds, dhe filmi ia përmbushi “pritshmëritë e ulëta”: “Është shumë qesharak, interpretimi solo i Ice Cube duke reaguar para ekranit të laptopit herë pas here afrohet me parodi dhe shpesh më bëri të qesh, dhe ka një subplot të tërë për dërgesat me dron të Amazon-it, aq i drejtpërdrejtë sa është thuajse e pabesueshme që e kanë përfshirë.” Filmi nuk është aspak i sofistikuar.

Personazhi i Ice Cube, një agjent qeveritar i survejimit, duhet të shpëtojë botën dhe familjen nga distanca, duke parë pushtimin alien në ekranin e tij, një zgjedhje e shpjeguar nga fakti se filmi u realizua gjatë pandemisë. Ai kishte qëndruar në sirtar që atëherë, derisa u publikua tani. Harris shton: “Ka një lloj bukurie të shohësh një film që nuk është i lëmuar e i përsosur si shumica e të tjerëve, ku mund të dallosh dorën e artistëve duke bërë më të mirën për të mbuluar problemet me buxhetin dhe vonesat e prodhimit. Kjo më duket më interesante se thjesht ‘një tjetër film pushtimi alien’.” 

Pas kritikave të para të ashpra, një recensues vendosi t’i dilte në krah filmit. 
Jordan Hoffman nga Entertainment Weekly shkroi të enjten: “A është ky film vërtet aq i keq? Përgjigjja është… absolutisht jo. Sigurisht që është budalla, por është edhe shumë argëtues.” Shkrimi, i cili e përfundonte me: “Filmi është një rrëmujë, por një rrëmujë e hareshme,” u konsiderua pozitiv nga Rotten Tomatoes, duke e ngritur rezultatin nga 0% në “lartësinë” prej 4% në kohën e publikimit. 

Sipas Timon Singh, themelues i Bristol Bad Film Club një dekadë më parë, filmat vërtet të tmerrshëm janë shpesh më të preferueshëm se ata që janë thjesht të mërzitshëm: “Kam parë filma ku plani nuk është as në fokus, ekipi teknik hyn në kuadër, paruku e aktorit bie, dhe përsëri është një film jashtëzakonisht argëtues.” Ai shton se disa superprodhime mund të jenë “të fryra” dhe “të mërzitshme”, duke përmendur Transformers: The Last Knight (2017) si shembull. 

“Në krahasim, Samurai Cop është teknikisht një film i tmerrshëm, por është 90 minuta me aktrim qesharak, skena të tmerrshme sherri, dhe pasi ta shohësh, nuk do ta harrosh kurrë. Ndërsa Transformers: The Last Knight mund ta harrosh ndërsa ende po e shikon.” Filma të tjerë që kanë fituar kult pasuesish përfshijnë The Room (2003), të përshkruar dikur nga Daily Beast si “një kryevepër mbeturinash”. Megjithatë, The Room, i realizuar nga “auteuri i filmave të këqij” Tommy Wiseau, ka mjaftueshëm argëtim pervers për të mbajtur një 24% relativisht “të respektueshëm” në Rotten Tomatoes.

Katharine Coldiron, autore e Junk Film: Why Bad Movies Matter, thotë se është më mirë të shohësh një regjisor si Wiseau duke u përpjekur me gjithë shpirt dhe duke dështuar, sesa dikë që punon me autopilot: “Kur një film bëhet me sinqeritet, dhe dështon, kjo është fantastike për t’u parë.” Ajo thotë se filmi i saj i preferuar “i tmerrshëm” është Staying Alive (1983), vazhdimi i disko-klassikut Saturday Night Fever, me regji të Sylvester Stallone, që u kritikua rëndë pavarësisht suksesit komercial: “Të gjithë personazhet, përveç njërit, janë sociopat, kështu që filmi nuk funksionon në pothuajse asnjë nivel. Më pëlqen ta vë dhe t’i bërtas.”/BBC/KultPlus.com