Në 100-vjetorin e lindjes, akademik Idriz Ajeti ishte nderuar me dy çmime të larta

Jeta Zymberi

Akademiku Idriz Ajeti, ndërroi jetë sot në moshën 102 vjeçare duke shënuar kështu një humbje të madhe për popullin shqiptarë. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 27 janar të vitit 2017 organizuan Konferencën jubilare-shkencore me rastin e 100-vjetorit të lindjes së akademik Idriz Ajetit, shkruan KultPlus.


Në mesin e shumë miqve, studiuesve e njerëz të institucioneve, u nderua doajeni, gjuhëtari, albanologu dhe profesori i gjuhës shqipe, vepra e të cilit flet më shumë se fjalët, por megjithatë të gjithë kishin diçka të madhe për të thënë për këtë figurë të shquar për popullin shqiptarë, i cili në këtë 100 vjetor kishte ardhur i nderuar dhe ishte ulur për të dëgjuar gjithë ato fjalë që u thanë për të. 

Në fillim të kësaj konference u tha që profesori Idriz Ajeti ka 3 data të lindjes të shënuara, por që 27 janari është data e lindjes së tij e cila edhe është shënuar në pasaportën e tij, e pikërisht kjo datë ishte zgjedhur për tu shënuar lindja e profesorit. Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në atë kohë, akademik Hivzi Islami, mori fjalën fillimisht, i cili theksoi se kohët e shkuara të shqiptarëve ishin të rënda, por dijetarët tanë ishin njerëz të veçantë të cilët kontribuuan shumë për vendin. 



“Kur përmendet emri i profesorit në mjedisin tonë akademik, kulturor dhe shoqërorë, të gjithë e dimë që bëhet fjalë për profesor Idriz Ajetin, sikur në Tiranë kur përmendet emri i Eqrem Çabej. Historia e gjuhësisë dhe shkencave albanologjike dhe e kulturës shqiptare nuk mund të merret me mend pa profesorin Ajetin”, ka thënë ndër të tjera Islami. Me këtë rast, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dekoruar profesorin me Medaljen për Merita të Jashtëzakonshme në Fushën e Shkencës, Arsimit dhe Kulturës. Por në pamundësi që të ishte i pranishëm dhe të ja jap dekoratën, ajo do të dorëzohet me një rast të veçantë. 

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marian Dema, e vlerësoi porfesorin Ajeti si një ndër personalitetet më të shquara të shkencës, kulturës dhe arsimit në Kosovë. “Me emrin e tij lidhen një varg procesesh që janë zhvilluar pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, procese këto të cilat i sigurojnë profesor Idrizit vend meritor në formimin dhe zhvillimin e institucioneve arsimore dhe shkencore. Emri i tij tashmë është i skalitur në opusin e shkencës dhe arsimit në Kosovë. Universiteti i Prishtinës e konsideron Ajetin si xhevahir të tij dhe i është skajshmërisht falënderues për punën, mundin dhe djersën e derdhur në këtë Universitet. Figura morale dhe atdhetare e tij do të shkëlqejë gjithnjë në panteonin e qytetërimit të kulturës sonë kombëtare. Lum ne që të kemi”, përfundoi fjalën e tij rektori Dema. 


Kjo Konferencë jubilare-shkencore që u organizua me rastin e 100-vjetorit të lindjes së akademik Idriz Ajetit vazhdoi përgjatë tërë ditës ku u lexuan edhe shumë kumtesa të tjera nga njerëz të artit, shkencës e dijes.
 
Akademik, Idriz Ajeti ishte edhe anëtarë nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, andaj Akademia e Shkencave të Shqipërisë kishte vendosur që me këtë rast edhe ta nderoj profesorin me një çmim, për të cilin doli të flasë kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Muzafer Korkuti, ka thënë që kjo ditë është e shënuar sepse 100 vjet më parë ka lindur Idriz Ajeti, dijetari me kontribute origjinale në gjuhësi dhe personalitet me ndikim në historinë e vendimit shqiptarë, një figurë e shquar e shkencës albanologjike. 

Në raste të tilla, përvjetorë të mëdha ka edhe vlerësime të tjera dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, ka organizuar për herë të parë dhënien e çmimeve shkencore kombëtare për kontribute në fushat e shkencave albanologjike, dhe juria e këtij çmimi, ka nderuar akademik Idriz Ajeti me Çmimin e Karrierës, i cili jepet për herë të parë nga kjo Akademi. Këtë çmim dhe diplomën përkatëse, Muzafer Korkuti ia dha profesorit Ajeti, duke u përcjellë me duartrokitje të shumta.

Kjo konferencë do të mbahet mend si një ngjarje ku profesori Idriz Ajeti u nderua për së gjalli me dy çmime dhe dëgjoi kumtesat e shumë miqve e kolegëve për jetën dhe veprën e tij të shquar. /KultPlus.com

Sot do të mbahet komemoracion dhe homazhe për Idriz Ajetin

Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës njofton opinionin e gjerë se me rastin e vdekjes së akademik Idriz Ajetit, në mjediset e Akademisë do të mbahet mbledhja komemorative në orën 13:00, ndërsa homazhet do të mbahen nga ora 13:30.

Varrimi i akademik Idriz Ajetit bëhet në varrezat e Prishtinës, në orën 15:30.

Ndryshe, sot është ndarë nga jeta në moshën 102-vjeçare, albanologu, gjuhëtari e intelektuali, pedagogu dhe veprimtari i palodhshëm në zhvillimet tona shoqërore, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Idriz Ajeti. /KultPlus.com

Haradinaj për Ajetin: Bota shqiptare humbi sot njërin nga personalitetet më të ndritshme të historisë sonë të re

Sot, në moshën 102 vjeçare, ka vdekur albanologu dhe shkrimtari i njohur Idriz Ajeti.

Humbja e një njeriu si Idriz Ajeti i cili ka dhënë shumë për shoqërinë tonë është një humbje e madhe.

Për largimin e Ajetit nga kjo botë ka shkruar edhe kryeministri i vendit Ramush Haradinaj i cili vlerëson lart kontributin e Ajetit në zhvillimet shoqërore e politike të Kosovës.

“Bota shqiptare humbi sot njërin nga personalitetet më të ndritshme të historisë sonë të re, albanologun e shquar Idriz Ajetin. Gjatë 70 vjet karrierë shkencore, Akademik Ajeti la gjurmë të pashlyeshme në gjuhësinë dhe zhvillimet shoqërore e politike të Kosovës. Kontributi i tij në vitet ’90 ishte i jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe të vërtetës së Kosovës. Kalimi i tij në amshim është humbje për shkencën dhe kulturën mbarëshqiptare. Ngushëllime të thella familjes Ajeti, komunitetit akademik dhe miqve të shumtë.”, ka shkruar kryeministri Haradinaj. / KultPlus.com

Ndërron jetë akademik Idriz Ajeti në moshën 102 vjeçare

Albanologu, gjuhëtari e intelektuali i njohur Idriz Ajeti, ka vdekur sot në moshën 102 vjeçare.

Profesori i shquar, Idriz Ajeti do të kujtohet përherë për angazhimin tij të palodhshëm deri në fund si anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate si deh anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Idriz Ajeti, lindi në fshatin Tupallë të Komunës së Medvegjës më 26 qershor të vitit 1917. Shkollën fillore e mbaroi në Banjën e Sijarinës më 1930, të mesmen e kreu në Shkup më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit – në Degën e romanistikës. Studimet i mbaroi pas luftës, në vitin 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit. Që atëherë e deri në vitin 1953, me cilësi profesori të gjuhës shqipe, punoi në Gjimnazin e Prishtinës. Nga viti 1953 deri në vitin 1960, me cilësi lektori, jepte mësim në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë.

Që nga viti 1960, njëherë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar, jep mësim në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë të Prishtinës. Iu dhanë disa shpërblime e dekorata, ndër të cilat edhe Shpërblimi i 7 korrikut dhe ai i KAÇKJ.

Presidenti Ibrahim Rugova e dekoroi me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa me rastin e 90-vjetorit të lindjes, Presidenti Fatmir Sejdiu e dekoroi me Çmimin Presidencial për Studiues. Hetimi i dialekteve nga pikëpamja diakronike, pastaj trajtimi i dokumenteve të moçme gjuhësore të shkruara me alfabetin arabo-turk dhe më në fund studimi i marrëdhënieve të shojshoqme shqiptare-serbe – janë troje të interesimit shkencor të Idriz Ajetit. Merret edhe me çështje të gjuhës së sotme shqipe. Qe iniciator i shumë konsultave dhe bashkëmarrëveshjeve gjuhësore ku u kërkuan shtigje të reja për njësimin e gjuhës shqipe dhe të drejtshkrimit të saj.

Hartoi tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme dhe për studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit të Prishtinës (1960), u nxor revista shkencore Gjurmime albanologjike (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj.

Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Pas zgjedhjeve paralele të vitit 1998 për Kuvendin e Republikës së Kosovës, zgjidhet kryetar i parë i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në vitin 1997, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i ka botuar veprën e plotë në pesë vëllime.

Vdekja e Akademik Idriz Ajetit është një humbje e madhe për të gjitha fushat e të gjithë njerëzit që e njohën atë. / KultPlus.com