Presidenti Meta dekoron me ‘Nderi i Kombit’ mjeshtrin e baletit, Ilir Kerni

Presidenti Ilir Meta çmoi me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit”, mjeshtrin e baletit dhe drejtuesin e spikatur artistik Ilir Kerni, në një ceremoni solemne në ambientet e Presidencës.

Dekorata shkon për artistin e mirënjohur shqiptar me famë ndërkombëtare, i cili mban edhe titullin “Ambasador i Kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së tij të suksesshme artistike për shpalosjen e cilësive të spikatura si interpretues balerin, si baletmaestër dhe drejtues artistik, duke pasqyruar pozitivisht vlerat e vyera të artit dhe kulturës shqiptare në Shqipëri e në skenat botërore.  Në mirënjohje të pasionit dhe idealizmit të njeriut të përkushtuar ndaj artit, si balerin dhe koreograf i rrallë dhe i talentuar, të përkushtimit të tij të pashterur e të karrierës së tij të shkëlqyer prej më shumë  se 40 vitesh, pjesa më e madhe në skenat e huaja, duke u shndërruar në një shembull frymëzimi për brezat dhe artistët e rinj.”

Pasi ndoqën një dokumentar për jetën dhe veprimtarinë artistike të baletmaestros Kerni, Presidenti Meta iu drejtua të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse.

“Përgjatë më shumë se 40 viteve karrierë, në artin dhe fushën e baletit, Ilir Kerni ka ngritur lart emrin e Shqipërisë dhe ka promovuar vlerat tona më të mira kombëtare, përmes interpretimeve të tij, në shumë skena dhe teatro të botës. Ilir Kerni është një personalitet i shquar, shumë i njohur për të gjithë ne dhe shumë prezent veçanërisht gjatë viteve ’80 e deri në hapjen e Shqipërisë, por gjithashtu shumë i shquar në këto 30 vite, sidomos në skenat botërore”, u shpreh Meta.

Përgjatë 30 viteve karrierë jashtë vendit, ai ka bashkëpunuar me shumë emra të njohur të baletit europian dhe botëror.

Ilir Kerni u shqua për punën e tij pedagogjike si pedagog në Akademinë e Baletit në Tiranë, por puna e tij pedagogjike është e shtrirë edhe në shumë vende të tjera, si Japoni, Tajvan, Francë dhe Kroaci.

Në tetor të vitit 2019, ai u emërua drejtor baleti i ‘Teatrit Kombëtar Kroat, në Split’, duke u bërë kështu artisti i parë shqiptar, të cilit i besohet një post drejtues në një teatër kombëtar prestigjioz jashtë vendit.

Një balerin i talentuar në skenat tona dhe ato botërore, koreograf i disa baleteve të njohura, pedagog, drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, dhe tashmë drejtor baleti i Teatrit Kombëtar Kroat, në Split, karriera e pasur e Ilir Kernit është dëshmi e punës së palodhur, e përkushtimit dhe e talentit të tij, por mbi të gjithë pasionit për baletin.

“Vendi ynë ka nxjerrë shumë talente, me të cilët i gjithë populli shqiptar krenohet, kur i shohim teksa arrijnë majat më të larta të suksesit në nivel ndërkombëtar, dhe të cilët përmes artit të tyre shërbejnë si ambasadorë të pasurisë shqiptare në vendet e tjera ku ata performojnë”, tha Meta./atsh/KultPlus.com