Institucionet e Kosovës nisin kampanjën për mbjelljen e 1 milion drunjve

Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i është bashkuar kampanjës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, për mbjelljen e një milion drunjve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kjo kampanjë po realizohet me bashkimin e forcave të këtyre tri institucioneve, njofton Klankosova, përcjell KultPlus.

“Gjersa po punojmë vazhdimisht për të siguruar një ringritje të qëndrueshme pas pandemisë e kemi të qartë që çfarëdo që do të ndërmarrim nuk mundemi kurrsesi ta bëjmë atë duke anashkaluar mbrojtjen e mjedisit, përkundrazi mbrojtja e mjedisit është prioriteti ynë i përbashkët. Prandaj i kemi bashkuar forcat për të filluar kampanjën nëpërmjet së cilës synojmë mbjelljen e një milion drunjve gjatë muajve në vijim”, ka thënë presidentja Osmani.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka bërë thirrje për t’u bashkëngjitur në këtë kampanjë për mbjelljen e një milion drunjve në gjithë Kosovën, krejt kjo me qëllim që vitin tjetër Dita Botërore e Mjedisit ta gjejë Kosovën me një ambient më të gjelbër.

“Shpyllëzimi në vendin tonë ka arritur nivele shqetësuese e ndotja e ajrit mbetet një ndër problematikat kryesore ndër vite, prandaj të angazhohemi së bashku sot në mënyrë që e ardhmja të frymoj lirshëm nesër. Aktivitetet tona sociale e ekonomike t’i zhvillojmë në një mjedis më të shëndosh”, ka thënë ministri Faton Peci.

Në anën tjetër, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, bën thirrje që të mbrohet mjedisi, pasi që në këtë mënyrë thotë se mbrohet edhe kombi. “Sfidat kemi të shumta e të përbashkëta, por besoj fuqishëm që nga sot po hapim një kapitull të ri të mentalitet qeverisës në vendin”, ka thënë ministri Aliu.

Ndryshe, kampanja për mbjelljen e 1 milion drunjve ka filluar sot dhe do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm. Kjo kampanjë mbështetet nga Presidenca e Kosovës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. / KultPlus.com

26 organizata kërkojnë urgjentisht reagimin e institucioneve për keqprezantimin e shqiptarëve në tekstet ballkanike

26 organizata të shoqërisë civile kërkojnë nga Presidenca e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës (Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës) që të reagojnë për keqprezentimin e shqiptarëve dhe të Kosovës nëpër tekstet alternative gjithëballkanike të historisë, përcjellë KultPlus.

Në vitin 1999 OJQ “Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe” (CDRSEE) me seli në Selanik, inicoi projektin e vet më të rëndësishëm “Joint History Project” (Projekti i Historisë së Përbashkët), në mënyrë që mësimdhënësve të historisë në Ballkan t’u ofronin materiale që përmbanin shumë këndvështrime për të njëjtën ngjarje. Projekti synonte jo vetëm të rishikonte mësimdhënien etnocentrike të historisë, por edhe t’i nxiste mendimin kritik e debatin, ta promovonte diversitetin e t’i pranonte si vuajtjet ashtu edhe arritjet e përbashkëta të popujve ballkanikë.

Për këtë CDRSEE angazhoi historianë nga i gjithë rajoni dhe projekti rezultoi me hartimin e gjashtë vëllimeve, duke nisur me historinë mesjetare të Ballkanit për të ardhë në ditët e sotme. Vëllimet titullohen 1. Perandoria Osmane; 2. Kombet dhe Shtetet në Europën Juglindore; 3. Luftërat Ballkanike; 4. Lufta e Dytë Botërore; 5. Lufta e Ftohtë (1944-1990), dhe 6. Luftërat, Ndarjet dhe Integrimi (1990-2008).

Gjatë hartimit të këtyre teksteve, CDRSEE mbajti marrëdhënie të afërta pune me të gjitha ministritë e arsimit në rajon dhe gëzoi mbështetjen nga gjithsej 25 donatorë ndërkombëtarë, duke përfshirë BE-në. Të gjashtë vëllimet u përkthyen nga origjinali anglisht në dhjetë gjuhë (nëntë ballkanike dhe japonisht) e u promovuan në shumë prej kryeqyteteve rajonale, përfshirë edhe Prishtinën më 2018.

“Ne organizatat e shoqërive civile në Kosovë jemi shumë të shqetësuara që në këto vëllime të CDRSEE-së shumë ngjarje tejet të rëndësishme të historisë së Kosovës nuk figurojnë fare. Në anën tjetër, shumë nga ngjarjet paraqiten në mënyrë sipërfaqësore, jokorrekte, të pasaktë, të njëanshme, e nganjëherë edhe ofenduese, sa ndonjëherë të krijohet përshtypja se disa nga pjesët për shqiptarët dhe Kosovën do t’i kenë hartuar historianë të indoktrinuar me nacionalizëm serb. Mënyra si paraqitet historia e Kosovës në këto publikime nuk i kontribuon aspak misionit të pretenduar të CDRSEE-së për tejkalimin e trashëgimisë së dhimbshme të të kaluarës dhe pajtimin afatgjatë mes popujve ballkanikë dhe se mënyra e prezantimit të historisë së Kosovës duhet të ndryshojë urgjentisht”, thuhet në komunikatë.

Andaj, këto organizata kërkojnë nga Presidenca e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës (Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës) që urgjentisht të reagojnë për këtë keqprezentim të shqiptarëve në përgjithësi, e të Kosovës në veçanti:

– duke ndaluar përdorimin e këtyre teksteve alternative gjithëballkanike të historisë nëpër shkollat fillore e të mesme në Kosovë; si dhe

– duke kërkuar nga botuesi CDRSEE që të ndryshojë keqprezentimin e shqiptarëve dhe të Kosovës nëpër këto tekste alternative gjithëballkanike të historisë.

1. ADMOVERE

2. CEL KOSOVA

3. CHwB (Cultural Heritage without Borders)

4. CPC (Qendra për Kurajo Politike)

5. ÇOHU (Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet)

6. DEBATE CENTER

7. EC MA NDRYSHE

8. EKË

9. ETEA

10. FOL

11. GERMIN

12. INTEGRA

13. INPO

14. KADC (Kosovo Advocacy and Development Centre)

15. KCSF (Kosovo Civil Society Foundation)

16. KFOS (Kosovo Foundation for Open Society)

17. KGVK (Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës)

18. KAF (Kosovo Architecture Foundation)

19. LET’S DO IT KOSOVA

20. ORCA (Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim)

21. POLIS

22. Qendra Kosovare për Studime Gjinore

23. QKSS (Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë)

24. RrGK (Rrjeti i Grave të Kosovës)

25. Shoqata e Intelektualëve të Pavarur – Deçan

26. YIHR Kosova (Youth Initiative for Human Rights) / KultPlus.com