Promovohet vepra “Sterjo Spasse, Jeta dhe krijimtaria letrare” e Isak Shemës

Gjatë vazhdës së aktiviteteve të Panairit të 21-të të librit Prishtina 2019, sot u promovua vepra studimore e prof. Isak Shemës, me titull “Sterjo Spasse, Jeta dhe krijimtaria letrare”, shkruan KultPlus.

Vepra studimore e filluar vite me parë, mbi shkrimtarin shqiptar Sterjo Spasse, me një qasje që profesor Shema e sjell në dy pjesë, pjesa studimore letrare e profesorit dhe bibliografia e Iliden Spasses, i biri i shkrimtarit.

Nën prezencën e shkrimtarit dhe publicistit Behar Gjokës, Iliden Spasses dhe Xhabir Ismailit promovimi i këtij libri u çmua shumë, si një pasuri e letërsisë sonë për brezat e ardhshme që do ta shfrytëzojnë si një studim mbi jetën e shkrimtarit shqiptar.

Sterjo Spasse është nga ata shkrimtar që ka lexuesin e tij, shkrimtar që për shkak të adresimeve të pjesës shoqërore dhe një tematike të veçantë të brezit të pas-viteve të ’40-ta, këto tipare i zbërthen në këtë punim Isak Shema, si një vepër letrare dhe shkencore që kemi prej Sterjo Spasses, të shtrira në kohë nga studiuesi, që janë edhe artikujt e tjerë që profesori është ndalur dhe ka parë me vëmendje se çfarë ndodh mes marrëdhënies së veprës letrare dhe asaj shkencore.

Sterjo Spasse, Jeta dhe krijimtaria letrare”, studimi më i ri i prof. Isak Shemës, si një punë e madhe e profesor Shemës, u prezantua në panair duke marrë vlerësime pozitive, dhe duke e lavdëruar e çmuar punën disa vjeçare të profesorit. / V. Shabani / KultPlus.com

Isak Shema sjell librin për jetën dhe veprimtarinë e Konicës nga arkivat e Brukselit

Gili Hoxhaj

“Sot është përuruar libri më i ri nga Isak Shema që gjurmon në veprimtarinë e figurës së njohur të Faik Konica. “Veprimtaria e Faik Konicës Bruxelles 8960-1902”, titullohet libri që u përurua sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Përmes evidentimeve, analizave, teksteve të ribotuara, përshkrimeve e gjurmimeve nëpër arkivat e Brukselit, libri sjell shumë aspekte të jetës politike e letrare të Konicës.

Studiuesi Hysen Matoshi sot në promovimin e këtij libri, tha se interesimet e vijueshme të Isak Shemës për personalitetin e Konicës janë të kahershme dhe gjithçka është kurorëzuar në këtë libër duke përfshirë edhe hulumtime në qytetin e Brukselit ku jetoi për disa vite Konica.

“Ndonëse libri është rezultat i interesimeve dhe studimeve të kahershme, ai merr shkas dhe përplotësohet edhe nga fakti se vitin e kaluar profesori Shema ka bërë një hulumtim të përgjithshëm në arkivin mbretëror në Bruksel lidhur me aspekte të jetës së Faik Konicës për kohën sa qëndroi në këtë qytet dhe veprimtarinë e tij shkrimore në ditët e përmendura. Materialet e marra në këtë arkiv qartësojnë më mirë qëndrimin e autoriteteve të kohës, intrigat që thureshin rreth Faik Konicës dhe në masë të madhe edhe shkakun e lëvizjes së tij drejt Londrës. Marrë parasysh faktin se rreth tij, në të kaluarën, është qëmtuar me kujdes dhe me interesim të shtuar është mbledhur dhe publikuar lënda dokumentare, konsiderojmë se, qoftë edhe ndonjë e dhënë e re, e arsyeton punën dhe mundin e investuar në këtë drejtim ”, tha Matoshi. Ai tutje shtoi se libri përbëhet nga tri tersi të posaçme që kanë të përbashkët objektin studimor. Ai tutje tha se punimet studimore të Isak Shemes janë ndihmesë e çmueshme për njohjen e jetës dhe veprës së Konicës.

“Natyrisht ka edhe të dhëna dokumentare për jetën familjare të Konicës, sikurse është certifikata e lindjes e të birit Henrikun të cilin e kishte sjellë në jetë me bashkëjetuesen e tij Sophie Annette Hygo. Pastaj vend me rëndësi zë edhe një akuzë që pranë autoriteteve të sigurisë i bëhej nga një zonjë angleze, e cila pretendonte se e bija e saj, Marie Forbes – Rodhna, po mashtrohej për qëllime përfitimi material nga ky anarkist revolucionar, por që diçka e tillë nuk ishte vërtetuar nga organet kompetente”, tha Matoshi.

Profesori Sali Bashota tha se profesori Shema në librin e tij më të ri me titull “Veprimtaria e Faik Konicës Bruxelles 8960-1902”, ofron dokumente të njohura dhe të panjohura për jetën edhe veprimtarinë e Konicës. Ai tha se pjesë e rëndësishme e librit është përfshirja e disa dokumenteve arkivore nga Brukseli, ku përfshihen shkresa, dokumente dhe telegrame, intervista, komente e artikuj të ndryshëm.

“Dokumentet janë pjesa më e madhe në gjuhën shqipe dhe disa janë në gjuhën frënge dhe janë edhe disa shkrime në gjuhën angleze dhe disa në gjuhën frënge. Qëllimi kryesor i profesorit Shema është që ta vendos në pah veprimtarinë edhe politike edhe publicistike edhe letrare por edhe diplomatike të Konicës. Prandaj veprimtaria kulturore, letrare gjuhësore e publicistike e Konicës është e gjerë dhe e shumanshme kështu që profesor Shema e ka sistemuar pjesën më të rëndësishme sidomos në pjesën e tretë të veprës”, tha Bashota në fjalën e tij.

Pas Bashotës, fjalën e mori Shefkije Islamaj e cila tha se libri i Isak Shemës dëshmon se Faik Konica me punën e tij të zellshme dhe këmbëngulëse në të gjitha fushat shoqërore, kulturore e letrare zë vend nderi në historinë kulturore shqiptare, ndërsa tutje Islamaj shtoi se aty zë vend edhe dashuria e tij për historinë, kulturën dhe gjuhën shqipe.

“Libri që po promovohet sot i kushtohet një prej personaliteteve më të shquara në kulturën shqiptare, Faik Konicës përkatësisht veprimtarisë së tij letrare, kulturore e gjuhësore gjatë kohës sa ishte në Bruksel, kohë vetëm gjashtë vjeçare por e pasur dhe e ngjeshur me veprimtari patriotike, kulturore letrare”, u shpreh Islamaj.

Autori Isak Shema i falënderoi të gjithë të pranishmit e veçmas nxënësit e shkollës “Faik Konica”, ndërsa pati një porosi për lexuesit e librit.

“Qëllimi ynë ka qenë që të vazhdohet procesi i studimeve dhe të plotësohen ato tema dhe ato aspekte të jetës dhe krijimtarisë së Konicës, unë besoj që vepra ka lenë një përshtypje te lexuesit dhe lexuesit ta kenë librin dhe jo vetëm brezi më i hershëm por edhe brezi më i ri”, tha Shema në fjalën e tij.

Në këtë përurim libri u lexuan edhe poezi nga Konica, dhe u përcjell me dy pika muzikore përcjell me piano. / KultPlus.com

Me veprat e Isak Shemës do të shënohet “Dita Evropiane e Gjuhëve” në Zagreb

Me rastin e Ditës Evropiane te Gjuhëve, Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të qytetit të Zagrebit dhe Këshilli i Mësuesve Shqiptarë të Kroacisë, të mbështetur nga Ermina Lekaj Perlaskaj, deputete në Parlamentin kroat, organizon manifestimin kulturoro-arsimor e shkencor që do të mbahet në Zagreb të Kroacisë, shkruan KultPlus.

Ky manifestim do të mbahet më 28 shtator , në orën 18:00, Salla e Qendrës Kulturore Shqiptare, ku edhe do të bëhet promovimi i veprave të autorit Isak Shema. Me këtë rast, në këtë manifestim do të bëhet promovimi i monografisë “Josip V. Rela-Jeta dhe krijimtaria letrare” sikurse edhe promovimi i librit “Studije albanske književnosti”. Për librat do të flasin Maximiljana Barinčić dhe autori Isak Shema.

Poashtu do të mbahet edhe ceremonia e dorëzimit të mirënjohjes “Një jetë për arsimin”, mirënjohje kjo që do ti dorëzohet Florina Lumezit për meritat e shumanshme në zhvillimin e mësimit të gjuhës shqipe në Kosovë dhe Kroaci, dhënë nga Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë së Republikës së Kosovës.
Dhye krejt në fund do të prezantohet edhe një program artistik, ku do të paraqiten nxënëset: Vanesa Iličić-kitarë e Fotina Duni-violinë./KultPlus.com