Me ekspozitën e përkohshme “Burgu i Idealit”, u hap Muzeu i Burgut të Prishtinës

U hap Muzeu i Burgut të Prishtinës, përcjell KultPlus.

Me ekspozitën e përkohshme “Burgu i Idealit”, sot u hap Muzeu i Burgut të Prishtinës. Historia, shtypja e idesë për liri, rrëfimet dhe rezistenca e të burgosurve politik tani do të tregohen dhe ndjehen në një mënyrë të veçantë, brenda njërit prej objekteve ku ndodhën keqtrajtimet.

Ekspozita sjell tekste historike, fotografi, ilustrime, video materiale e intervista me rrëfime, krijimtari artistike të burgut si piktura e vjersha nga ish të burgosurit, emrat e mbi 9000 të ish të burgosurve politik shqiptar në këtë dhe burgje të tjera të Kosovës.

Në këtë ngjarje morën pjesë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik, Hydajet Hyseni, ish të burgosur politikë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare e pjesëmarrës të shumtë.

Ministri Çeku në fjalën e tij ndër të tjera tha se ky është hapi i parë drejt shndërrimit të kësaj ndërtese në qendër dokumentimi dhe ekspozimi të krimeve të regjimit të Jugosllavisë dhe atij të Serbisë kundër shqiptarëve.

Ndërsa Hydajet Hyseni ka theksuar se duke e kthyer burgun në një muze të ri, Prishtina do ta ketë një objekt monumental shkollor edukativ, frymëzues por edhe memorial përkujtues.

Me vendim të MKRS-së, Muzeu i Burgut të Prishtinës nga sot është edhe aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore.

Burgu i Idealit është i hapur për vizitorë në orarin 10:00-19:00, çdo ditë përveç të hënave. / KultPlus.com

Me ekspozitën e përkohshme “Burgu i Idealit”, do të bëhet hapja e Muzeut të Burgut të Prishtinës

Ndërtesa e ish-Burgut të Prishtinës e cila mban brenda vetes histori të shumta të përndjekjes, maltretimit dhe shtypjes së idesë për liri, është shndërruar në muze i cili paraqet narrativën dhe rezistencën popullore të të burgosurve politik në të gjitha burgjet e Kosovës.

Hapja e Muzeut të Burgut të Prishtinës me ekspozitën e përkohshme ”Burgu i Idealit” do të mbahet me 12 korrik, duke filluar nga ora 17:00.

Nga data 12 korrik, Muzeu do të jetë i hapur për vizitorët në këtë orar:

E martë – e diel
10:00 – 19:00. / KultPlus.com