Rama: Në Gjirokastër është rikthyer “Iso mbi kalldrëm”

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga qyteti i Gjirokastrës, i cili është një ndër destinacionet më të preferuara nga turistët në vend.

Në këtë qytet po zhvillohet festivali i isopolifonisë “Iso mbi kalldrëm” me të madhin e këngës polifonike Arjan Shehu dhe grupi “Ergjëria” që çelën të parën e mbrëmjeve për shumë grupe të tjera.

“Në Gjirokastër ku këndon çdo rrugicë e  mbajnë iso dhe gurët, është rikthyer “Iso mbi kalldrëm” me të madhin e këngës polifonike Arjan Shehu dhe grupi “Ergjëria” që çelën të parën e mbrëmjeve për shumë grupe të tjera”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

“Ju presim në Gjirokastër, gjatë gjithë gushtit për t’iu bashkuar isos sonë, pasuri e çmuar e qytetit të gurtë me shpirt të ergjendtë”, thekson kreu i qeverisë.

Edhe këtë gusht, ashtu si çdo verë u rikthye në Gjirokastër “Iso mbi kalldrëm”, ku morën pjesë grupe folklorike të qytetit ndërsa organizimi i dha gjallëri qytetit.

Aktiviteti tërhoqi vizitorë të shumtë, përfshirë edhe turistë të huaj, të cilët bëhen kuriozë për këngën me iso.

Ky organizim do të vijojë gjatë gjithë gushtit dhe do të marrin pjesë grupe folklorike nga të gjitha njësitë administrative të Gjirokastrës./atsh/KultPlus.com

Fundjavat e polifonisë tërheqin turistë në Gjirokastër

Në fundjavë ka vazhduar cikli i fundjavave të këngës polifonike, në qytetin e Gjirokastrës, duke tërhequr vëmendjen e artdashësve të këngës popullore por edhe turistëve. Prej fillimit të muajit gusht iso-polifonia ka zbritur çdo fundjavë në Pazarin karakteristik të Gjirokastrës, në një event të titulluar “Iso mbi kalldrëm”, në kuadër të të cilit grupe të ndryshme popullore, interpretojnë në ambient të hapur, duke u bërë një prej atraksioneve kryesore të mbrëmjeve gjirokastrite.

Në skenat artistike të improvizuara përgjatë rrugëve të kalldrëmta kanë performuar disa prej grupeve të mirënjohura të këngës popullore labe si grupi “Ergjëria” dhe “Cfakës”. Sipas kryetarit të bashkisë Flamur Golemi, në koncertet që kanë si skenë ansamblin arkitektonik të Pazarit karakteristik, artistët popullorë po shpalosin për artdashësit dhe turistët vlerat më të spikatura të këngës iso-polifonike, të kësaj pasurie të UNESCO-s.

“Organizimi synon të kthehet edhe në një pikë tërheqëse për guidat e turistëve vendas dhe të huaj që vizitojnë këtë verë Gjirokastrën”, pohon kryebashkiaku Golemi.

Përgjatë kësaj vere Bashkia Gjirokastër po organizon aktivitete kulturore dhe artistike të cilat tërheqin edhe grupet turistike./ atsh / KultPlus.com