“It Was Just An Accident” nga Jafar Panahi fiton Palmën e Artë në Festivalin e Filmit në Kanë

“Ishte Thjesht një Aksident” nga Jafar Panahi ka fituar Palmën e Artë në Festivalin e Filmit në Kanë 2025, i cili përfundoi mbrëmjen e së shtunës (25 maj). Ky është filmi i parë i regjisorit iranian pas lirimit nga burgu dhe ndjek historinë e një burri, gruas së tij shtatzënë dhe vajzës së tyre të vogël, të cilët përfshihen në një aksident të vogël automobilistik që shkakton një zinxhir ngjarjesh të errëta.

Në fjalimin e tij, Panahi iu drejtua “të gjithë iranianëve, me opinione të ndryshme, në Iran dhe nëpër botë”. Ai tha: “Gjëja më e rëndësishme është vendi ynë dhe liria e vendit tonë. Le të arrijmë së bashku në atë moment, kur askush të mos guxojë të na thotë çfarë të veshim, çfarë të bëjmë apo të mos bëjmë.”

Ky është filmi i gjashtë radhazi fitues i Palmës së Artë për kompaninë Neon, e cila ka të drejtat për Amerikën e Veriut (Mubi ka të drejtat për disa territore ndërkombëtare). Neon ka fituar gjithashtu çmime për katër prej filmave të shpërblyer mbrëmjen e ndarjes së çmimeve.

Ceremonia u zhvillua pa probleme, pavarësisht një ndërprerjeje masive të energjisë elektrike që preku gjithë Jugun e Francës më herët gjatë ditës dhe që solli ndalimin e plotë të çdo aktiviteti në Kanë. Rreth orës 15:00, energjia u rikthye ndërsa aktorët dhe organizatorët nxituan të rikthenin gjithçka në vend për tapetin e kuq./ KultPlus.com