Hapet “Java e Frankofonisë”, do të sjell një program të pasur kulturor artistik

Mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është mbajtur ceremonia e hapjes së “Javës së Frankofonisë” organizuar nga Ambasada Franceze në bashkëpunim me ambasadorët e shteteve frankofone.

Edicioni i 22-të i kësaj ngjarje do të sjell një program të pasur kulturor artistik që përfshin aktivitete të shumta në fushën e artit, kulturës, sportit, trashëgimisë, inxhinierisë, njohurive mbi BE-në, dhe tema të tjera mbi aktualitetin.

Të pranishëm në hapje ishin personalitete të shumta ndërkombëtare dhe vendore përfshirë këtu, Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, Ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly, Ambasadori i Kanadasë për Kosovë dhe Kroaci, Alan Bowman, shefi i ri Zyrës Diplomatike të Belgjikës në Kosovë, Julien Sassel, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku e të tjerë.

Ceremonia u mbyll me një recital nga sopranoja, Besa Llugiqi, me përcjellje të pianistit dhe pedagogut të muzikës, Mizbah Kaçamaku. / KultPlus.com

“Java e Frankofonisë në Kosovë” vjen me edicionin e 21-të

Ambasada e Francës në Kosovë ka prezantuar edicionin e 21-të të programit të Javës së Frankofonisë në Kosovë, përcjellë KultPlus.

Ngjarjet e planifikuara për këtë rast organizohen në partneritet me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Aleancën Franceze të Prishtinës, ambasadat dhe misionet diplomatike të Belgjikës, Zvicrës, dhe shumë partnerë tjerë nga Kosova dhe Franca.

Hapja do të bëhet ditën e diel, më 21 mars në orën 16:00 me një koncert nga PRISHTINA BRASS, ndërsa në po të njëjtën ditë, në ora 18:00 do të bëhet shfaqja e filmit “LE CHANT DU LOUP” nga Antoin Baudry (Me titra në shqip).

Çdo vit që nga viti 2000, Ambasada e Francës në Prishtinë ka organizuar ngjarje të shumta për të kremtuar botën frëngjishfolëse dhe vlerat universale që ajo mishëron. Përkundër rrethanave të reja të shkaktuara nga Covid-19 edhe këtë vit ata kanë gjetur mundësi dhe mënyra atraktive për të shënuar Javën e Frankofonisë në Kosovë përmes aktiviteteve të ndryshme.

Programi i frankofonisë ngërthen në vete një shumëllojshmëri të gjerë të ngjarjeve: koncerte, filma, letërsi, rini, gastronomi, filma dhe dokumentarë. Në fokus të veçantë do të jenë konferencat, çdo ditë mbahen disa konferenca me panelistë nga institucione franceze dhe kosovare si; RELAIS CULTURE EUROPE,SAINT LUC, LA MANUFACTURE, UNIVERSITETI I LILËS,LES FRESNOY nga Franca, DOKUFEST,ANIBAR, MANIFESTA, QENDRA KINEMATOGRAFIKE E KOSOVES si dhe vende tjera.

Do të trajtohen temat si: kultura, edukimi, mjedisi, trashëgimia dhe qytetërimi evropian si dhe inovacioni. Të gjitha aktivitetet do të organizohen në Kino Armata. Për më tepër, nga 21 deri më 26 mars në hapësirën jashtë Kino ARMATËS do vendoset një ekran (LED DISPLAY P4 OUTDOOR FULL HD DIMENSIONS 5x3m), ku do të shfaqen video, programe, filma, dokumentarë të shumtë përgjatë ditës. Ndërsa konferenca për medie do të mbahet të hënën më 22 mars duke filluar nga ora 09:15 Për rëndësinë e Frankofonisë në Kosovë do të flasë Ambasadorja e Francës në Kosovë – MarieChristine Butel, përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, si dhe përfaqësues nga Ambasadat e Zvicrës, Belgjikës dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com