Konferencë mbi politikat kulturore novatore, në Javën e Kulturës Britanike

Në Tiranë u zhvillua konferenca “Drejt Politikave Kulturore Novatore”, ku u diskutua për strategjitë për të përmirësuar sektorin kulturor në Shqipëri.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott dhe ambasadori i Suedisë, Nicklas Strom, ndanë vizionet dhe perspektivat e tyre për përmirësimin e politikave kulturore.

Konferenca vijoi me një panel diskutimi mbi sfidat dhe përmirësimin e politikave kulturore, ku ishin pjesemarrës Lira Pipa, Zv. Ministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Keti Luarasi, nënkryetare e Bashkisë Tiranë, Gilly Campbell, drejtore e Zhvillimit në Këshillin e Arteve të Irlandës së Veriut, Florent Mehmeti, drejtor i Teatrit ODA të Prishtinës si dhe Sabina Lalaj, avokate.

Ky takim bëri bashkë zëra kryesorë nga qeveria, partnerët ndërkombëtarë, arti e kultura për të eksploruar rrugë të reja për zhvillimin kulturor, gjithëpërfshirjen dhe qëndrueshmërinë./atsh/KultPlus.com

Java e Kulturës Britanike nis me ndeshje kriketi në sheshin ‘Skënderbej’

Nisi mbrëmjen e sotme me një ndeshje kriketi Java e Kulturës Britanike në Tiranë, që çel sezonin e dytë të Javëve të Kulturës Ndërkombëtare.

Skuadrat shqiptare dhe britanike të kriketit u ndeshën në një “miqësore” në sheshin “Skënderbej” duke sjellë për publikun lojën shumë të dashur për britanikët, por jo dhe aq të panjohur për shqiptarët.

Mjaft qytetarë u ndalën të shohin lojën dhe të informohen për rregullat e saj, ndërsa skuadrat performuan lëvizjet e tyre më të mira.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King-Smith u shpreh në një intervistë, më herët se kriketi mund të mos jetë shumë i njohur në Shqipëri, por në Britani luhet ashtu si edhe në botë. “Shqipëria luan shumë futboll dhe e njeh mirë, kështu që menduam të prezantojmë edhe kriketin”, tha ai.

Java e Kulturës Britanike sjell për publikun shqiptar një sërë aktivitetesh që kremtojnë kulturën, artin, muzikën dhe sportin britanik, në 100-vjetorin e marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.

Katër shtetet e para që do të rihapin sezonin e Javëve Kulturore do të jenë: Britania e Madhe (1 deri në 11 shtator), Suedia (12-18 shtator), Egjipti (19-25 shtator) dhe Kina (26 shtator – 2 tetor).

Gjatë muajit shtator e në vijim do të spikasin ndër të tjera, koncerte me muzikë klasike dhe moderne egjiptiane, performanca folklorike egjiptiane, festivali i kulturës kineze, performanca Taiji, ceremonia e çajit dhe ushqimit kinez, loja tradicionale cricket, koncerti i ABBA Tribute, si dhe koncerti i shumëpritur i këngëtares shqiptare të njohur ndërkombëtarisht, Rita Ora.

Muajt e verës, projekti pati një ndërprerje. Java e fundit e organizuar ishte ajo e kulturës turke, në përfundim të së cilës pati një koncert nga violinisti virtuoz me origjinë shqiptare Elvin Hoxha Ganiyev./ KultPlus.com