Shfaqje filmash me metrazh të shkurtër në Javën Kulturore Greke

Në kuadër të Javës së Kulturës Greke, pasditen e sotme do të shfaqen filma të metrazhit të shkurtër në ArTurbina.

Organizatorët e JKN ftojnë të përjetoni rrëfimin krijues dhe artin kinematografik të “A la carte”, një film nga Taxiarchis Deligiannis dhe Vasilis Tsiouvaras, “Fault” nga Katerina Papanastasatou, “Pendulus” nga Gkotsis Dimitris dhe “To Vancouver” nga Artemis Anastasiadou.

Kjo ngjarje, sipas JKN, ofron një mundësi unike për t’u thelluar në vizionet dhe proceset krijuese të kineastëve.

Javët Kulturore Ndërkombëtare, përmes një postimi online, u shprehën se kinematografia është një nga format më komplekse të artit dhe kulturës, e cila nxit mendimin kritik dhe provokon emocione të reja. Dhe për këtë arsye janë përzgjedhur edhe këta filma të shkurtër që do të shfaqen për Javën Kulturore Greke. Të gjithë të apasionuarit mund të kapin këtë shans për të eksploruar kinemanë bashkëkohore greke dhe për t’u angazhuar drejtpërdrejt me profesionistët e talentuar të cilët i kanë realizuar këto filma./atsh/KultPlus.com

“Miti i Letos”, shfaqja që hapi Javën Kulturore Greke

Java Kulturore Greke nisi me një performancë artistike kontemporane që do të ngelet gjatë në kujtesën e publikut pjesëmarrës.

Artisti protagonist Yannis Adoniou dhe KUNST STOFF i mbërthyen ndjekësit e shfaqjes me tërësinë e lëvizjeve dhe tingujve muzikorë të Nikos Giannios.

Java Greke u hap me shfaqjen bazuar mbi mitin e Letos, gruaja e Zeusit dhe nëna e Apollonit e Artemisës, simboli i urtësisë e modestisë.

Në faqen online të Javëve Kulturore Ndërkombëtare shkruhet se, miti i Letos zbriti në Amfiteatrin e Liqenit për të treguar rrugëtimin e tij duke trajtuar tema themelore dhe të qenësishme dhe se kjo shfaqje është vetëm magjia e fillimit që pritet të sjellë Java Greke.

Ashtu si edhe më parë, aktivitetet kulturore të JKN nuk do të kufizohen me Tiranën, por do të organizohen edhe në qytete të tjera të vendit./atsh/KultPlus.com

Java Kulturore Greke nis me balet bashkëkohor tek Amfiteatri i Liqenit

Javët Kulturore Ndërkombëtare vijojnë me artistët që vijnë nga vendi fqinj Greqia. Java Kulturore Greke do të zhvillohet prej datës 22 e deri më 29 maj. Siç thuhet në faqen e JKN, java greke do të nisë me shumë energji, klas dhe elegancë.

Një performancë magjepsëse kërcimi bashkëkohor nga Yannis Adoniou dhe Kunst Stoff, do të vijë mbrëmjen e nesërme nën qiellin plot yje të Amfiteatrit të Liqenit.

Frymëzuar nga miti i Letos, kjo pjesë unike eksploron temat e fuqisë, turbullirave, mbijetesës, paqes dhe lirisë. Me çdo lëvizje, vokal, ndërthurje vizuale dhe tinguj muzikore nga Nikos Giannios, kjo performancë është një rrugëtim i paharrueshëm zbulimi personal.

JKN thotë se do të jetë një eksperiencë të jashtëzakonshme kulturore, plot jetë e shpirt, prandaj nuk duhet humbur./atsh/KultPlus.com