Java Kulturore Hungareze në Elbasan, mbushur plot aktivitete

Në kuadër të Javës Kulturore Hungareze një sërë aktivitetesh me fokus shkëmbimin por edhe njohjen me traditat, kulturën dhe historitë e dy vendeve do të zhvillohen më qytetin e Elbasanit.

I pranishëm për të hapur aktivitetet ishte ambasadori i Hungarisë në vendin tonë për të promovuar programet kulturore. Java nisi me pikturat e piktorëve hungarezë që transmetojnë art të shekullit 21.

Ambasadori u shpreh se Shqipëria dhe Hungaria janë dy shtete larg njëra-tjetrës por kanë shumë të përbashkëta në traditë.

“Disa muaj më parë vendosa që të vija në Elbasan gjatë javës se kulturës hungareze. Sigurisht që më pëlqen ideja pasi Elbasani është një nga qytet më të vjetra në Shqipëri. Kalaja e Elbasanit është shumë unike, ne duhet të zbulonim se çfarë prodhimesh tradicionale mund të sillnim këtu dhe këto janë pikturat të cilat i përkasin shekullit të 21. Hungaria është gjithashtu një vend i vjetër si Shqipëria dhe dëshironin të sillnim diçka tradicionale, ndaj në mbrëmje në teatrin ‘Skampa’, grupi hungarez i valleve do të performojnë muzikë dhe valle tradicionale”,-tha Adam Lovassy, ambasador i Hungarisë.

Ekspozitën me piktura e vlerësuan edhe qytetarë dhe admirues të këtij arti, të cilët theksuan rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave.

“Mundohemi që ti kuptojmë dhe ti pëlqejmë, që te kemi kënaqësi. Ata që e duan artin përshtaten me rrymat e reja, shumë të bukura ishin unë kam bërë disa fotografi.”

Aktiviteti i radhës do të mbahet në teatrin ‘Skampa’ ku artistë nga Hungaria do të performojnë për publikun elbasanas./tema/KultPlus.com

Java Kulturore Hungareze në 1-6 shtator, tinguj magjepsës e performanca tradicionale

Magjia e Javëve Kulturore Ndërkombëtare do të vijojë nga 1-6 shtator me Hungarinë, me koncerte, ekspozita, shfaqje dhe argëtim pa fund.

Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale videon promovuese të kësaj jave kulturore.

Koncerte live dhe performanca folklorike tradicionale, por edhe ekspozita mahnitëse me skulptura xhami dhe piktura do të jenë disa nga aktivitetet argëtuese të kësaj jave kulturore.

“Rikthehemi sërish me Javët Kulturore Ndërkombëtare, këtë radhë duke ju prezantuar me Javën Kulturore Hungareze nga data 1 deri më 6 Shtator. Nga tingujt magjepsës të koncerteve live dhe performancat folklorike tradicionale që do të mbushin Tiranën, Elbasanin, dhe Vlorën plot gjallëri, tek eventi i veçantë me Chess Jazz dhe Rubik Cube kjo javë ka diçka për të gjithë”, u shpreh Gonxhja.

Ministri ftoi qytetarët të eksplorojnë ekspozitat mahnitëse me skulptura xhami dhe piktura, të marrin pjesë në workshop të veçanta me artistët dhe të përjetojnë ritmet e muzikës klasike dhe duelet e Beatbox-it.

“Jeni gati të zhyteni në kulturën hungareze? Na ndiqni dhe bëhuni pjesë e çdo momenti unik”, u shpreh Gonxhja.

Edicion i tretë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare çeli siparin më 1 maj dhe do të zhvillohet deri në nëntor. JKN do të mbushë salla, teatro, galeri arti, sheshe dhe qytete me programe të pasura aktivitetesh nga 20 shtete.

JKN nisi me “Javën e Evropës” dhe vijon me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin, Brazilin, Hungarinë, Holandën, Turiqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Gjermaninë, Japoninë, SHBA,  Austrinë, Spanjën, Malin e  Zi, Meksikën e Kosovën.

Edicioni i parë i JKN-së filloi si një nismë e ish-Ministrisë së Kulturës në vitin 2022, me dëshirën për të përçuar vlerat dhe traditat e për të nxitur shkëmbimin kulturor dhe frymëzuar inovacionin.

Nëpërmjet këtij projekti vendet njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat. JKN e shndërron skenën e aktiviteteve kulturore në vend në një arenë ndërkombëtare shumëkulturore dhe shumëdisiplinore./atsh/KultPlus.com