Aktivitetet e Javës Kulturore Malazeze

Pesë artiste të talentuara ndanë magjinë e traditave të Bregut të Bokës dhe Malit të Zi përmes këngëve popullore dhe autoktone.

Performanca e veçantë solli një atmosferë të bukur, duke lidhur muzikën tradicionale me nuanca të muzikës pop. Aktiviteti u zhvillua në pedonalen e kryeqytetit dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithë të pranishmëve aty.

Më herët, një tjetër aktivitet në kuadër të Javëve Kulturore, u zhvillua në Qendrën Kombëtare të Librit e Leximit, ku u fol mbi letërsinë dhe autorët malazezë.

Ndërkohë, në dy ditët e fundit të Javës Kulturore Malezeze, në Tiranë do të qëndrojë e hapur një ekspozitë e veçantë që eksploron pamjet kartografike të Boka Kotorska dhe zonës përreth saj nga fundi i shekullit IV deri në fillimin e shekullit XX.

Materiali kartografik nga Muzeu Detar në Kotor sjell së bashku burime të dixhitalizuara nga arkivat dhe bibliotekat kombëtare në të gjithë Evropën dhe SHBA.

Do të ekspozohen 185 hartë gjeografike, detare, topografike, ushtarake, historike, politike, etnografike dhe shumë të tjera, të cilat ilustrojnë bukurinë e Gjirit të Kotorit./atsh/KultPlus.com

Java Kulturore Malazeze do të bëjë bashkë artin e traditën

Në përfundim të Javës Kulturore Spanjolle mbërrin Java Kulturore e Malit të Zi. Nga data 7 e deri në 12 nëntor publiku do të ketë mundësi të ndjekë një sërë aktivitetesh që do të bëjnë bashkë artin e traditën për një festë të vërtetë kulturore gjatë kësaj jave të jashtëzakonshme.

Java Kulturore Malazeze ka në program një gamë të gjerë aktivitetesh, duke filluar nga kinematografia, ekspozita të artit bashkëkohor dhe kartografike, workshop mbi përkthimin letrar dygjuhësh, duke përfunduar me koncert muzikor dhe shfaqje teatrale.

Përveç Tiranës Java Malazeze shkon edhe në qytetin e Shkodrës me shfaqjen teatrale “Butterfly” e cila do të vihet në skenën e Teatrit “Migjeni”.

Organizatorët ftojnë artdashësit t’u bashkohen këtyre aktiviteteve për të festuar dhe shijuar pasurinë kulturore të Malit të Zi, duke premtuar se do të jetë një javë e mbushur me frymëzim, kreativitet dhe kulturë./atsh/KultPlus.com