Java Kulturore Spanjolle, kërcimtarja më e mirë e flamenkos “magjeps” Tiranën

“Bienvenido a flamenco” ishte recitali i Rocío Garridos, valltares nga Spanja e cila interpretoi mbrëmë në sallën e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse, në Tiranë.

Recitali i flamenkos erdhi në kuadër të Javës Kulturore Spanjolle. Rocío Garridos është fituese e çmimeve prestigjioze ndërkombëtare si kërcimtarja më e mirë e flamenkos. Kërcimi i saj ka fuqinë për të sjellë ndjeshmërinë e kitarës në çdo lëvizje, duke rritur emocionin e këndimit dhe duke krijuar muzikë me ritmin e trokitjes së këpucëve.

Flamenco, me rrënjët e tij të thella në kulturën spanjolle, është një kombinim i mrekullueshëm i muzikës, kërcimit dhe shprehjes emocionale, që përfshin ritme të ndryshme dhe improvizim të jashtëzakonshëm.

Emocionet e kësaj forme arti të lashtë që vazhdon të frymëzojë dhe magjepsë njerëzit në të gjithë botën, pati mundësinë t’i përjetonte edhe publiku i kryeqytetit./atsh/KultPlus.com

Java Kulturore Spanjolle, të rejat e arkitekturës bashkëkohore që vijnë nga Spanja

Në galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura (FAB) është çelur fotoekspozita “Arkitektura dhe Inxhinieria Emblematike në Spanjën Bashkëkohore, në vështrimin e Ricardo Santonja”.

Kjo ekspozitë vjen në kuadër të Javës Kulturore Spanjolle, duke na ftuar të bëhemi pjesë e një udhëtimi vizual përmes arkitekturës spanjolle të realizuar në fund shekullit të 20-të dhe fillimit të shekullit të 21-të. Arkitektura spanjolle po avancon duke ofruar propozime të reja arkitektonike. Ricardo Santonja sjell një koleksion mahnitës që tregon përparimin dhe inovacionin në dizajnin arkitektonik, me vepra nga arkitektë të njohur kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Ekspozita është një mundësi për të eksploruar bukurinë dhe kreativitetin e arkitekturës bashkëkohore përmes Santonja-s, një artist vizual dhe profesor në Shkollën e Lartë Teknike të Arkitekturës në Madrid.

Gjithashtu ai realizoi edhe një workshop, “Teknikat Fotografike për Komunikimin Arkitektonik,” duke iu ofruar mundësinë, të apasionuarve të fotografisë dhe arkitekturës, për të mësuar nga një nga profesionistët më të njohur të fushës.

Dr. Ricardo Santonja zhvilloi një workshop praktik bazuar në vizatimin me dritë përmes dhomës së errët./atsh/KultPlus.com

Flamenko, kinematografi, arkitekturë, gastronomi e shumë të tjera, në Javën Kulturore Spanjolle

Më të bukurat e kulturës spanjolle do të vijnë në vendin tonë nga datat 1 deri më 7 nëntor. Java Kulturore Spanjolle do të ofrojë flamenko, ekspozita, kinematografi, dokumentare, ekspozita mbi arkitekturën, workshop me kampion botëror në bodybuilding duke premtuar një atmosferë sa argëtuese, aq edhe edukative.

Aktivitetet e shumta nisin me ekspozitën “Arkitektura emblematike në Spanjën Bashkëkohore”, që do të qëndrojë e hapur deri më datë 5 nëntor në Galerinë FAB, në Universitetin e Arteve në Tiranë. Kjo ekspozitë që tregon arkitekturën e realizuar në Spanjë në fund të shekullit të 20-të dhe në fillim të shekullit të 21-të, ofron vizionin e një vendi që po avancon dhe ofron propozime të reja arkitektonike me vepra nga arkitektë të njohur ndërkombëtare.

Data 2 nëntor, i është rezervuar një workshop-i që do të mësoje teknikat e fotografisë. “Teknikat fotografike për komunikimin arkitektonik” nga dr. Ricardo Santonja, një artist vizual, fotograf dhe profesor në Shkollën e Lartë Teknike të Arkitekturës në Madrid, do të mbahet në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Kurse për të gjithë ata që duan të ndihen si në Spanjë, më datë 4 nëntor, në Katedralen Ortodokse në Tiranë, do të organizohet koncerti “Bienvenidos a flamenca” nga Rocio Garrido, fituese e çmimit “kërcimtarja më e mirë në Festivalin Ndërkombëtar la Union 2023”, festivali më prestigjioz kushtuar flamenkos në Spanjë. Një formë arti i gjallë dhe shumë ekspresiv me origjinë nga Andaluzia në Spanjën jugore, Flamengo që përfshin muzikën, kërcimin dhe këndimin dhe muzikën, premton një mbrëmje të mrekullueshme.

Më 5 nëntor, në Akademinë e Filmit Marubi në Tiranë do të shfaqet dokumentari “Summers el rebelde” nga dr. Miguel Olid Suero. Ndërsa në datën 6, në të njëjtin destinacion, në Akademinë e Filmit “Marubi”, Suero do të zhvillojë një masterclass dhe një konferencë për shtyp mbi temën “Censura në kinematografinë spanjolle: procesi i përpunimit të një dokumentari”.

Për të gjithë të pasionuarit pas sportit, në nëntor, në sallën “Tonin Harapi” tek Liceu Artistik, do të kenë mundësi që të ndjekin një masterclass nga kampioni spanjoll i botës në Fitnes, Miguel Seijo. Të rinjtë do të marrin leksione dhe këshilla për një jetesë sa më sportive, të tregojnë përkushtim, të stërviten dhe të mbajnë një dietë të shëndetshme për një trup të bukur. Miguel do të flasë edhe mbi sfidat dhe arritjet e tij si sportist, duke inkurajuar të rinjtë të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të zhvillojnë zakone të mira për një trup të shëndetshëm.

Në Javën Kulturore Spanjolle nuk kishte si të mungonte degustimi i gastronomisë apo verërave, aq të njohura në të gjithë botën për larminë dhe cilësinë e tyre.

Java Kulturore Spanjolle do të pasohet nga ajo e Malit të Zi, që premton aktivitete të shumta kulturore e gjithëpërfshirëse./atsh/KultPlus.com

Java Kulturore Spanjolle sjell ritmin dhe pasionin e flamenkos në Tiranë

Java Kulturore Spanjolle i solli mbrëmjen e djeshme kryeqytetit, pasionin e vallëzimit tradicional flamenko.

Patricia Guerrero ka vallëzuar në Katedralen Orthodhokse, shoqëruar nga një trio muzikantësh spanjollë, nën ritmet e muzikës cigane, tipike e rajonit jugor të Andaluzisë.

Salla e Katedrales ishte e mbushur plotësisht nga spektatorët të cilët ndoqën me kurreshtje këtë vallëzim spanjoll, i dokumentuar për herë të parë në 1774 në librin “Las Cartas Marruecas”.

Flamenko u shpall nga UNESCO, në vitin 2010, Kryevepër e Trashëgimisë Jomateriale të Njerëzimit.

Ndërkohë ditën e sotme Java Kulturore Spanjolle do të sjellë filmin e Alejandro Amenabar, “Mar Adentro”, me interpretimin e shkëlqyer të Javier Bardem. “Mar Adentro” është një film i vlerësuar gjërësisht me nominime për çmimin Oscar, Golden Globes dhe me trofeun “Luani i Argjendtë”, marrë në Festivalin e Filmit në Venecia.

Prodhimet kinematografike spanjolle do të shfaqen 3 netë radhazi te “Reja”./atsh/KultPlus.com