Çfarë është një ‘jetë luksoze’ tani, Olivier Gabet e shpalos përmes ekspozitës “Luxes”

Luksozja si koncept gjithnjë është dukur i rrënjosur në materializëm. Përgjatë shekujve ajo ka qenë e rrallë, e çmuar, inovative, jashtëzakonisht ekstravagante apo edhe minimaliste, por gjithnjë ka përfshirë gjërat e bukura, shpesh të tepërta, shkruan BBC Culture, përcjell KultPlus.

Ekspozita “Luxes” e cila hapet në “Musée des Arts Décoratifs” në Paris në tetor, do të vë në pikëpyetje se a është e mundur të shkojmë drejt një përkufizimi më kuptimplotë të luksit në një botë ku burimet natyrore janë në rënie dhe konsumi i tepërt po ka një efekt katastrofik në mjedisin tonë.

“Është e qartë se luksi i sotëm përballet me sfida të reja”, thotë Olivier Gabet, drejtori i muzeut dhe kurator i ekspozitës, për BBC Culture.

“Padyshim, materialiteti dhe materializmi vihen në pikëpyetje të fortë; luksi po rizbulon një dimension jo material – kohën, hapësirën dhe gjithashtu përvojat – një moment mund të jetë luksoz si një objekt, të udhëtosh në këto kohë të izolimit është një luks suprem, mund të vazhdojë të jetë i tillë për një kohë”.

Koha dhe udhëtimi, dy gjëra që në vetvete duken pafundësisht të çmuara sot, ishin thelbësore në evolucionin e luksit, pasi kontakti me kombet e tjera nxiti dëshirën për sende të rralla dhe ekzotike.

“Tregtia në një shkallë globale është e lidhur natyrshëm me idenë e luksit. Që nga Antikiteti, materialet e çmuara kanë qenë temë e çështjeve ekonomike, madje edhe gjeopolitike”, thotë Gabet.

“Ideja e kohës, ajo që ne shpenzojmë duke transportuar ar, mëndafsh ose erëza, distancat e kaluara dhe ideja e hapësirës së pushtuar janë po aq thelbësore”, shton ai.

“Gradualisht, luksi bëhet një shenjë e dallimit individual më shumë sesa një dallim shoqëror; është kjo që ne e quajmë shije”, thotë Gabet.

Udhëtimi është në krye të listës së dëshirave të të gjithëve për momentin, por nuk është thjesht arratisje.

 “Njerëzit duan përvoja që i ndihmojnë ata të mësojnë dhe të njohin gjëra për vendin dhe veten e tyre, për t’i ndihmuar në mënyrë thelbësore që të lidhen përsëri me ata që janë dhe me shpirtëroren e tyre, ose me natyrën dhe botën përreth tyre”, thotë Olbertova.

Duke pasur parasysh rrethanat aktuale, nuk është për t’u habitur që udhëtimet luksoze përqendrohen në privatësi, izolim, mirëqenie dhe vendpushime ku njerëzit mund të distancohen në mënyrë të sigurt, por ekziston shqetësimi i vërtetë që kjo duhet të balancohet me një shqetësim për mjedisin.

“Ne nuk kemi nevojë për gjithçka që të jemi luksozë – kjo thjesht bie shumë në sy dhe është pa kuptim”, thotë Olbertova.

“Njerëzit do të zgjedhin fusha të caktuara të jetës së tyre, dhe më pas përdorin marka për t’i ngritur ato dhe ky është luksi thelbësor”.

Sipas Olbertovës ne do të mësojmë se si të kujdesemi për gjëra siç duhet, kështu që ato do të zgjasin me vite. Qëndrueshmëria do të bëhet jetike.

“Duhet të jetë thjesht gjëja që është logjike – këto gjëra që ne i shohim si trende duhet të bëhen normalja e re”. Ajo e pranon që ne nuk jemi akoma në atë gjendje.

“Kjo është një pauzë – është si një gjendje ndryshimi, ribalancimi dhe rikalibrimi”, thotë ajo. Le të shpresojmë që kjo pauzë të çojë në një ‘art të të jetuarit’ të ri. Një që e konsideron vetë jetën mallin më të dëshirueshëm dhe më të rëndësishëm nga të gjithë./KultPlus.com