126 vjet nga vdekja e mbretit të Valcerit, Johann Strauss II

Johann Strauss i Ri lindi më 25 tetor 1825 në Vjenë, Austri, dhe vdiq më 3 qershor 1899. Ai është një nga figurat më të ndritura të muzikës austriake dhe botërore, i njohur sidomos për kompozimin e valcerëve, polkave dhe operetave që e bëjnë atë një ndër emrat më të dashur të muzikës klasike të shekullit XIX, transmeton Kultplus.

Johann Strauss i Ri ishte djali i kompozitorit të njohur Johann Strauss i Vjetër, i cili fillimisht nuk dëshironte që biri i tij të merrej me muzikë. Ai donte që Johann të studionte për ekonomi ose ndonjë profesion tjetër të qëndrueshëm. Megjithatë, pas largimit të babait nga familja, nëna e tij e përkrahu në rrugën muzikore dhe Johann filloi studimet me mësues të ndryshëm privatë, përfshirë Joseph Drechsler.

Në vitin 1844, në moshën 19-vjeçare, Johann Strauss i Ri mbajti koncertin e tij të parë në restorantin “Dommayer’s Casino” në Hietzing të Vjenës. Performanca e tij u prit me entuziazëm dhe menjëherë filloi të fitojë popullaritet, megjithëse për disa vite u përball me konkurrencën e drejtpërdrejtë të të atit.

Pas vdekjes së Johann Strauss-it të Vjetër në vitin 1849, ai bashkoi orkestrën e të atit me të tijën dhe u bë figura kryesore e muzikës argëtuese në Austri.

Johann Strauss i Ri kompozoi mbi 500 vepra, përfshirë valcerë të famshëm si: ‘An der schönen blauen Donau (Në Danubin e bukur blu, 1867)’, ‘Këngët e Danubit’, ‘Kiss me quick’, ‘Polka, marshe dhe galopa’. Ai po ashtu kompozoi opereta, si ‘Die Fledermaus (Lakuriqi i natës, 1874)’, ‘Eine Nacht in Venedig (Një natë në Venecie, 1883)’, ‘Der Zigeunerbaron (Baroni Cigan, 1885)’

Valcerët e tij ishin jo vetëm muzikë për kërcim, por edhe kompozime të sofistikuara, plot elegancë, melodi të paharrueshme dhe orkestrim brilant. Ai e ngriti valcerin nga një formë e thjeshtë argëtimi popullor në një art të vërtetë muzikor.

Johann Strauss ishte i martuar tri herë dhe jetoi një jetë plot ngjarje, duke udhëtuar shpesh dhe duke dirigjuar veprat e tij në shumë qytete të Evropës. Ai pati ndikim të jashtëzakonshëm në muzikën e kohës së tij dhe është ende shumë i dashur sot, sidomos në koncertin tradicional të Vitit të Ri në Vjenë, ku veprat e tij janë pjesë kyçe e programit.

Strauss i Ri mbetet një ikonë e muzikës austriake dhe evropiane. Veprat e tij vazhdojnë të interpretohen në të gjitha anët e botës, duke i dhënë jetë shpirtit të Vjenës dhe duke mbetur simbol i bukurisë dhe gëzimit muzikor./KultPlus.com