Nga Albert Vataj
Në një reflektim krahasues, i ndritshëm për nga thellësia dhe sinteza, shkrimtari dhe kritiku amerikan John Updike ndalet te dy figura madhore të letërsisë botërore të shekullit XX: Ismail Kadare dhe Gabriel García Márquez. Ai i vendos këta dy gjigantë të letrave përballë njëri-tjetrit jo për të shpallur fitues, por për të ndriçuar dy mënyra të ndryshme të shkrimit nën pesha të ndryshme të historisë, kulturës dhe pushtetit.
“Ismail Kadare dhe Gabriel García Márquez; të dy tregojnë rreth qyteteve që lëshojnë vezullime magjepsëse dhe mbizotërohen nga klanizmi.”
Në këtë vëzhgim, Updike e dallon ngjashmërinë e dukshme mes veprave të tyre: të dy krijojnë botë që përkunden mes realitetit dhe fantazisë, ku qytetet janë më shumë simbole shpirtërore sesa koordinata gjeografike. Por ai dallon qartë edhe dallimet thelbësore:
“Qyteti prej guri i Kadares duket më pak jashtë botës reale, më pak i panjohur, më pak i paçuditshëm sesa qyteti Makondo i Márquezit, i tëri me ndërtesa të larta me mure pasqyrash…”
Këtu, Gjirokastra e Kadaresë është një vend i konkretësuar, i fortë, me rrënjë në kujtesën historike dhe të fëmijërisë. Ndërsa Makondoja e Márquezit është një laborator i realitetit magjik — vendi ku kohët përzihen dhe muret reflektojnë sa vetveten aq edhe fantazinë kolektive të një Amerike Latine të përmbysur.
Por pyetja më e rëndësishme që ngre Updike është:
“Si ishte në gjendje Ismail Kadare, nën një regjim famëkeq ksenofobik si ai i Enver Hoxhës, të krijonte një art kaq të hollë e të shprehej aq lirshëm?”
Kjo pyetje është thelbi i shqetësimit kritik perëndimor për shkrimtarin që vjen nga diktatura. Në sytë e Updike, Kadare nuk është thjesht një autor që mbijetoi censurën; ai është një krijues që e përdori atë si sfond për të ndërtuar një gjuhë aludimesh, të shtresëzuar e të rafinuar. Sipas tij, ekzistojnë disa mënyra që lejojnë një shkrimtar të mbijetojë dhe madje të lulëzojë nën totalitarizëm:
“Kujtimet nostalgjike të fëmijërisë, sigurisht, përbëjnë strehë mbrojtëse për një shkrimtar, i cili krijon nën regjim totalitar. Mënyra të tjera krijuese për një shkrimtar në kushte të tilla janë përkthimet, tregimet për fëmijë dhe romanet fantastiko-historike.”
Ky përfundim është një analizë e hollë e poetikës së mbijetesës. Kujtesa personale bëhet jo vetëm lëndë narrative, por edhe strategji për të mbrojtur veten nga përplasja direkte me pushtetin. Përkthimi, nga ana tjetër, shërben si një dritare drejt botës dhe si një mjet për të ushqyer gjuhën dhe stilin. Ndërsa zgjedhja e një zhanri si romani historik ose ai fantastik është, në të vërtetë, një mënyrë për të shmangur konfliktin frontal me realitetin politik, duke e zhvendosur mesazhin në të shkuarën, ose në një univers tjetër.
Në këtë dritë, Kadareja nuk është një shkrimtar i dorës së dytë që fati e nguli në një cep të errët të hartës letrare, por një mjeshtër i formës dhe përmbajtjes në kushte ekstreme. Ai nuk është më pak universal sesa Márquezi — vetëm se universaliteti i tij vjen jo nga shpërthimi i imagjinatës tropikale, por nga disiplina e nënkuptimit, simbolikës dhe arketipit ballkanik.
Updike e lexon Kadarenë me një ndjeshmëri të rrallë për lexuesin anglo-amerikan, duke na dhënë një mësim se si letërsia e madhe, edhe kur vjen nga një vend i vogël dhe i mbyllur, mund të jetë universale në ndjeshmëri dhe mjeshtërore në zbatim./KultPlus.com