Grupi “Jonas Brothers” me yll në Hollywood

Grupi “Jonas Brothers” u nderua me yll në shtegun e të famshmëve në Hollywood.

Tre vëllezërit që e përbëjnë grupin, Kevin, Nick, dhe Joe, ishin të pranishëm në ceremoninë e zbulimit të yllit.

“Ky ka qenë një rrugëtim i çmendur dhe ne jemi shumë mirënjohës që kemi mundësinë ta ndajmë këtë pasion të muzikës për kaq gjatë me botën. Kemi kaluar shumë ulje-ngritje, por gjatë gjithë kësaj kohe kemi mbetur vëllezër dhe i kemi qëndruar besnik pasionit tonë për muzikën. Andaj dëshirojmë ta shfrytëzojmë këtë moment për t’i falënderuar prindërit tanë për mbështetjen dhe dashurinë e tyre të palëkundur. Ata kanë qenë gjithmonë tifozët tanë më të mëdhenj dhe kanë qenë me ne në çdo hap të rrugëtimit”.

Gratë e secilit anëtarë të grupit, Sophie Turner, Danielle Jonas dhe Priyanka Chorpa, po ashtu e ndoqën ceremoninë.

Nick ishte ai i cili e përmbylli atë duke e paralajmëruar lansimin e albumit të ardhshëm, “The Album”, në maj të këtij viti.


“Mami dhe babi, ju duam shumë. Ne nuk do të ishim këtu pa ju, prandaj faleminderit. Dhe Franklin Jonas, edhe ty të duam gjithashtu. Jemi shumë mirënjohës që jeni këtu me ne. Për gruan time të bukur, ti je qetësia e shpirtit tim në çdo moment çmendurie dhe shkëmbi ku gjej mbështetje në kohë stuhie. Më pëlqen të jem i martuar me ty dhe të jemi prindër të përkushtuar, është dhurata më e madhe e jetës. Për vajzën time të vigël, Malti Marie. Mezi pres të kthehem këtu me ty pas 15 vitesh dhe të të turpëroj para shoqërisë. Dhe në fund fare, falënderojmë fansat tanë të mrekullueshëm, ata që janë këtu sot dhe të tjerët që po na ndjekin online. Ju jeni familja jonë, ju duam shumë dhe jemi falënderues për përkrahjen tuaj. Është një kënaqësi për ne të reflektojmë mbi këtë rrugëtim gati 20-vjeçar dhe ta festojmë atë këtu me ju. Por ne gjithashtu po shikojmë drejt së ardhmes dhe asaj që do të vijë më pas. Pra, mendoj se duhet ta bëjmë një njoftim të shpejtë. Jemi të ngazëllyer t’ju njoftojmë sot se albumi ynë i ri, ‘The Album’, do të publikohet më 5 maj. Mezi presim t’ju shohim në turne kah fundi i këtij viti. Faleminderit shumë të gjithëve”.

Disa prej albumeve të kaluara të grupit janë: “It’s About Time”, “Jonas Brothers”, “A Little Bit Longer” dhe “Lines, Vines and Trying Times”. Ata po ashtu kanë luajtur në projektet e “Disney Channel” si, “Camp Rock” dhhe “Jonas”.

Ndër vite, dy prej vëllezërve Jonas kanë gëzuar gjithashtu karrierë si solo artistë. Nick i publikoi albumet me titull, “Nick Jonas” dhe “Last Year Was Complicated”, kurse Joe Jonas ishte vokalist i grupit të shumëshpërblyer “DNCE”. Në vitin 2019 grupi “Jonas Brothers” u ribashkua dhe e publikuan albumin e titulluar “Sucker”, i cili e kryesoi toplistën “Billboard”.

AP