Apokrifi i vonuar

Tringë Arifi

Tek veprat dhe shkrimet e njerëzve më të përshpirshtëm përjetimet personale apo të tjetrit si shumë herë tregojnë fëmijërinë e vetminë. Luftërat, vrasjet, përndjekjet, mosbindjet datojnë qysh nga antikitekti ku gjaku dhe kundërshtari janë problem madhor. Mbreti nuk e arreston mbretin tjetër, por njerëzit e zakonshëm jo rrallë herë bëhen që të ketë njerëz që arrestojnë dhe vrasin. E gjithë kjo e përndjek narracionin ideo-tematik të autorit José Saramago tek libri i tij Ungjilli sipas Jezu Krishtit.

Në mes të kaosit letërsia çdoherë na sfidon me të bukurën, me dashurinë. Kjo duhet edhe të jetë detyra e secilit shkrimtar të epokave ku çdoherë e më pak dashurohet, përftyrohet e bashkëndjehet. Por në një histori dy mijëvjeçare kundrejt së bukurës projektoheshin fëlliqësi, gjuhë që është shpikur nga njerëzit që nuk njohin gjuhën e dashurisë, dhembshurisë dhe nuk kanë asnjë trohë feminiteti. Tek më të përshpirtshmit kur realiteti bëhet aq i rëndë saqë as përpjekja e tyre nuk i ndalon përndjekjet dhe vrasjet, aty shfaqen ëndrrat ku trupi nga parandjenjat e forta tkurret e përdridhet nga tmerri. Këto ëndrra e kishin përndjekur edhe Jozefin në veprën e Saramagos, tek thotë se po shkoj të vras tim bir në Betlehem. Ai kishte shtatë djem ndër ta dhe Jezusin dhe nga të cilët ndihmohej dhe ishin shembull i ekonomisë shtëpiake. Ëndrrat e kishin përndjekur edhe Jezusin për vdekjen e babait të tij, i cili i vetëm me vëllezërit në kasollen e tyre kishte mbathur sandalet e të atit, por kjo e kishte ngatërruar nënën dhe shikimin e të birit i cili jo rrallë herë tentonte të shfajësohej me urinë. Ajo tenton të gjej përgjigjje nga i biri se mos është sëmurë dhe ai i thotë se “është njëlloj sikur t’i kem këmbët dhe duart e lidhura, të thërras ty, por ti je larguar, thërras babanë, por ai vjen të më vrasë dhe në këtë çast zgjohem, si këtë natë, ashtu dhe natën e shkuar.”

Me ndihmën e skllaves Zelomi ai shoqërohet në shpellë kur mes mureve të errëta kërkon ta dëgjoj heshtjen dhe britmën e tij të parë të lindjes. Gjatë udhëtimit të tij në Jerusalem, takimit me bariun, gjetjes se qengjit vie një moment kur atë e futë në torbë dhe vrapon se kujton që Perëndia ka thënë “në qoftë se njeriu bashkohet me kafshën do të ndëshkohet me vdekje dhe ju do vrisni kafshën, gjithashtu mallkuar qoftë ai që mëkaton me çdo lloj kafshe” Gjithë përndjekjen e tij, këmbët e kulluara me gjak i kishte mjekuar një grua me të cilën fle dhe duket se aty merr fajin fillestar. Aty dhe sheh ëndrrën e dytë sikur babai vjen ta vrasë dhe gruaja i thotë se babai yt ka vdekur dhe se ti nuk di asgjë. Ai i thotë se në Betlehem kanë vdekur fëmijë për shkak të babait tim dhe në ëndrrat e tij ai vdes nga mijëra vdekje. Sërish kthehet në Nazaret ku në familje përçohet ngazëllimi kur kthehet fëmija i madh dashuri-dhembshuria. Ju sjelle edhe monedha e vetëm Lisia i mban sytë poshtë dhe është më e turbulluara që askush nuk do ta njohë përkatësinë e tyre. Sërish largohet. Sërish e kërkojnë.

 Tek është duke arsyetuar gruan kurorëshkelëse, gati për t’u vrarë me gurë sipas ligjeve të Moisiut “ndaloni aty, le ta hedhë gurin e parë ai që prej jush është pa mëkate”. Një varg vrasjesh ia numron i ati nga Adalberti i Pragës, Anjeza e Romës, Apolini i Aleksandrisë, Aureja e Sirisë, Beatriçja e Romës etj. Koka të prera, vrasje me çekan, eshtër kau, turrë të druve, shigjeta, masakruar etj etj. Dhe kur i thotë Zoti nuk u mërzite nga 3 faqe vrasje që ja përmend Jezusi i thotë që këtë pyetje duhej të ja bëje vetës. Ende shpresonte se kjo është e gjitha gjersa merr lajmin se do këtë gjakosje e kasaphane, luftëra të reja, por ky nuk e kishte menduar se e priste Kryqi. Sa përmend inkuizicionin ai insiston të di për të, por ideja rreth tij ishte të vuante të tashmen nga pendimet që i përkasin së ardhmes nga Ai që nuk ka pendime dhe brerje ndërgjegjeje. Këtu mbase lind ajo se të gjithë duhet të jemi Ai, në mënyrë që mos të pendohemi e vihemi në faj. Inkuizicioni fundja është një polici, gjykatë që mund të arrestoj dhe dënoj, ku tymi i drurëve do ta errësoj qiellin nga rënkimet e agonisë. Kështu djalli nxjerrë përfitim nga vdekja, të tjerët japin lavdinë.

Pse autori është marrë aq shumë me religjionin është se sikur regjilioni, sikur jeta të ishin më ndryshe se ç’janë ndryshe do të ishte edhe gjendja, dhe gjërat, vdekjet nuk do të mbeteshin me buzëqeshjen enigmatike të të vrarëve që shoqërohen me befasinë e çastit, dashamirësinë përbuzëse dhe kurreshtjen e lodhur. Këtu edhe rrotullohen kuptimet e gjërave si faji e pafajësia, besimi e mosbesimi dhe rikuptimësohet historia mijëravjeçare e njerëzimit për vrasjet dhe arrestimet. Dhe pse-të janë fundi i kësaj tragjedie e cila po të ndjekte të ashtuquajturën vetmi nuk do të parashkruhej si fat.

Në mes të veprave të tij si Kaini, Udhëtimi i përkryer, Nata dhe ç’do të bëj me këtë libër?, Tjetri si unë, Verbëria, Le të ulërijmë dhe Ungjilli sipas Jezu Krishtit jo rastësisht jam ndalur të shkruaj për Ungjillin sipas Jezu Krishtit, për shkak të Tundimit të Fundit të Nikos Kazanxaqis dhe krahasimit të interpretimit të tyre, që në fund të fundit edhe Ungjilli edhe Tundimi i Fundit prekin sedrat e secilit që dëshiron të jetë edhe survejues edhe ndëshkues, por, të cilët as sot nuk e kanë kuptuar që nuk munden ta bëjnë njëkohësisht arbitrin dhe indiferentin, përballë një sistemi që më së paku rrëfen dashurinë dhe pasionin dhe më së shumti kultivon frikën e dëshpërimin. / KultPlus.com

Sot shënohet 100 vjetori i lindjes së nobelistit portugez José Saramago

Sot shënohet 100 vjetori i lindjes së nobelistit portugez, José de Sousa Saramago. Saramago ka lindur në Azinhaga të Portugalisë, më 16 nëntor 1922, në një familje shumë të varfër, në një fshat të vogël në provincën Ribatejo, rreth njëqind kilometra në verilindje të Lisbonës. Prindërit e tij ishin José de Sousa dhe Maria de Piedade.

 Saramago u zhvendos në Lisbonë me familjen në moshë të re, dhe i braktisi studimet universitare për shkak të vështirësitë ekonomike; filloi të merret me punë të ndryshme. Ai në fakt ka punuar si farkëtar, projektues, lektor, përkthyes, gazetar, gjersa u punësua në mënyrë të përhershme në një Shtëpi Botuese, ku punoi për dymbëdhjetë vjet si redaktor letrar.

Në vitin 2003, Harold Bloom e përshkroi Saramagon si “romancierin më të talentuar të gjallë në botë sot” dhe në vitin 2010 tha se ai e konsideron Saramagon si “një pjesë e përhershme e kanunit perëndimor”, ndërsa James Wood vlerëson “të veçantën ton për trillimin e tij, sepse ai i rrëfen romanet e tij sikur të ishte dikush i mençur dhe injorant”.

Romani i tij i parë, “Toka e mëkatit”, i vitit 1947, nuk do të ketë një sukses të madh në Portugalinë obskurantiste të Salazarit, diktatorit ndaj të cilit Saramago nuk e ka ndaluar luftën, duke u përballur me censurën sistematike të shkrimeve të tij gazetareske. Në vitin 1959 ai u regjistrua në Partinë Komuniste Portugeze, ku vepron në fshehtësi, duke ikur gjithmonë nga kurthet dhe intrigat e Pidës famëkeqe, policisë politike të regjimit. Në fakt, duhet të theksohet se për të kuptuar jetën dhe punën e këtij shkrimtari, nuk mund të injorojmë angazhimin e vazhdueshëm politik në çdo aktivitet.

Në vitet gjashtëdhjetë, ai u bë një nga kritikët më të mëdhenj të vendit nëpërmjet edicionin të ri të revistës “Seara Nova” dhe më 1966 publikon përmbledhjen e parë të poetike “Poezi të mundshme”. Më pas bëhet drejtor në një Shtëpi Botuese dhe nga 1972 deri 1973, ishte redaktor i shtojcës kulturore dhe editoriale të gazetës “Diario de Lisboa”, gjer në shpërthimin e të ashtuquajturit Revolucioni i Karafiltë në vitin 1974. Saramago botoi librin poetik “Ndoshta lumturia”, 1970, kronikat “Për këtë dhe botën tjetër”, 1971, “Bagazh udhëtar”, 1973, “Mendime që DL kishte” 1974, drama, novela dhe romane. Saramago (zëvendës kryeredaktor i gazetës “Diario de Noticias” më 1975 dhe shkrimtar me kohë të plotë) e çliron letërsinë portugeze nga kompleksi i mëparshëm dhe krijon një brez post-revolucionar.

Në vitin 1977, Saramago publikoi romanin e gjatë me titull “Manual i pikturës dhe kaligrafisë”, ndjekur nga “Një vend i quajtur Alentejo,” i 1980, fokusuar në revoltën e popullit të rajonit në lindje të Portugalisë. Por me “Përkujtimorja e manastirit” të 1982-ës, më në fund arrin suksesin e shumëpritur. Në gjashtë vite botoi tri veprat me ndikim të madh (përveç Përkujtimores, “Viti i vdekjes së Richard Reis” dhe “Rafti i gurtë”) duke marrë vlerësime të shumta nga kritika. Vitet nëntëdhjetë e kanë shenjtëruar atë në skenën ndërkombëtare me “Rrethimin e Lisbonës” dhe “Ungjillin sipas Jezusit”, e më pas me “Verbërinë”. Në vitin 1998, duke ngjallur polemika sidomos nga Vatikani, ai u nderua me çmimin “Nobel” për letërsi.

Më shumë se dy milionë kopje të librave të Saramago janë shitur vetëm në Portugali dhe vepra e tij është përkthyer në 25 gjuhë.

José Saramago vdes më 18 qershor, 2010 në banesën e tij në Lanzarote, në qytetin e Tías, në Ishujt Kanarie. /KultPlus.com