Refleksioni “kundër” narracionit

Nga Jusuf Buxhovi

Proza më e re e Besnik Mustafajt “Një roman i pamundur”, me atë që e quan sprovë, ndonëse formalisht hap “konfliktin” e vazhdueshëm midis narracionit dhe refleksionit si qasje e prosedeut krijues, praktikisht ngre dilemën e misionit që i ngarkohen veprës, që nuk është që në nuk mund të zgjidhen, por që, për autorin, zgjidhja sikur i bën të pazgjidhshme në kuadër të stereotipeve të krijuara nga dogmat ideologjike! Kjo, madje, theksohet, në fund të librit me atë se “vendimi për ta shkruar romanin shtyhet përsëri, si e vetmja zgjidhje për ta shmangur shtratin e Prokrustit”.

Me këtë, sikur pranohet se edhe më tutje, krijuesi i nënshtrohet anatemës së paragjykimeve morale pa marrë parasysh rrethanat, dhe se, i mbet atij që, të luftojë këtë.

Në të vërtetë këtu dhe të kjo çështje fillojnë dilemat e autorit, që përshkojnë fund e krye veprën të shumtën me premisat e një eseu-amallgam, që edhe mund të përkojnë me atë të “ndjekjes së autorit nga personazhet”, pse janë të pakënaqur me të, ose pse dëshirojnë të duken ndryshe (krejt njëjtë), siç i ndodhin Pirandellos. Por, në këtë rast, ndjekja kthehet në një paradigmë, meqë personazhet (Gjyshja, Shog Sokoli dhe Dren Ceka brenda një qarku kohor prej afër një shekulli, që i lidh tragjedia e gjenocidit serb), me sjelljet thuajse të pakuptueshme kur ndodhën të ballafaquar me tragjicitetin makabër (Shog Sokoli kur këndon para burrave që hapnin varrin e përbashkët, ose Dren Caka, fëmijë dhjetë vjeçar, kur thotë se ndoshta motra do të kursehej nga vrasësit, që para syve ia kishin pushkatuar bashkë me nënën dhe dhjetëra të tjerë në shtëpinë e tyre, po qe se do ta din se ajo kishte ditëlindjen e dytë), autorin e mundojnë deri te shkalla e obsesionit pse nuk përkojnë me shabllonet folklorike e as me ato të “heroit” dhe të “armiqve” në anën tjetër, por as me ato që personazhet të kthehen në patllake me të cilat qërohen hesapet historike.

Këto dilema, megjithatë, sikur gjejnë shpjegimin, siç e pranon me sinqeritet autori, tek shpërputhjet midis botëkuptimit “prej shtetasit komunist” dhe “shkrimtarit shqiptar”, që nënkuptonte dogmën socrealiste dhe pasojat e njohura, me ç’rast ajo e “misionarizmit” ishte kryesorja. Këtu kuptohet edhe hezitimi i autorit që t’i qaset sinopsisit të një proze, nga “kohët e hershme”, që mbetet fletë e bardhë!

Në këtë kontekst mbase duhet kuptuar edhe përcaktimin e autorit që, që pas vite e vite mundimesh me një sinopsis letrar, pra pasi që të ketë përfunduar diktatura komuniste, përmes refleksionit të nxjerrë në pah diskursin midis traumës shoqërore dhe politike e cila në rrethanat e diktaturave komuniste, nëpër të cilat ka kaluar autori gjatë formimit është dashtë t’i nënshtrohen logjikës së urdhrit nga veprimi deri te mendimi, kapërcim ky që sipas Çesllav Milloshit paraqet arketipin e krijimit të botëkuptimi ideologjik, si dogmë, që përcakton të gjitha, pra edhe të të menduarit, me çka fillon ajo gjendja e robërisë së vullnetshme fizike dhe shpirtërore.

Këtu dhe te kjo pikë, refletkimet e autorit si kundërnarracion i mbajnë peng personazhet e skicuar emblematikisht të ngujuar brenda për brenda enigmës së veprimit pse ata edhe në situatat më tragjike sillen thuajse pakuptimisht (këndojnë, siç bën Shog Sokoli, ose mendojnë për “mirësinë” e vrasësve, siç pandeh Dren Ceka për motrën dyvjeçare).

Mbajtja e personazheve në nivel të skicimit si dhe reflektimi për rrethanat që paraqesin viktimat e një gjenocidi mbi një shekullor të serbëve ndaj shqiptarëve, nga reflektimi esejistik, shpalos shkakun dhe pasojat tragjike për shqiptarët, por jo edhe dramën e saj shumështresore, që kërkon pikërisht narracionin. Ndaj, është edhe e kuptueshme që dilemat me të cilat ata rrethohen, mbesin në suazat e një reflektimi.

Sidoqoftë, sprova e Besnik Mustafajt, si reflektim, dimensionin tragjik historik, atë të sjelljes gjenocidiale të serbëve ndaj shqiptarëve gjatë njëqind vjetëve të fundit, si dhe pamundësinë e kthimit të saj në një narracion të njëmendtë letrar, e ndërlidh me mbetjet apo ngarkesat që ka lënë diktatura komuniste dhe shabllonet e saj rreth misionarizmit në kuadër të dogmës socrealiste, që shkel lirinë krijuese dhe integritetin moral të krijimtarisë. Në këtë aspekt, Mustafaj, është ndër shkrimtarët e paktë të gjeneratës së vet, që është kritik dhe autokritik ndaj kohës dhe rrethanave nëpër të cilat ka kaluar.

Andaj, “Një roman i pamundur”, paraqet një reflektim esejistik katarsis, të domosdoshëm për shoqërinë tonë në rrethanat e tanzicioneve të turbullta… / KultPlus.com

Ribotohet e plotësuar libri ‘Kosova” I-V nga Jusuf Buxhovi

Nga Jusuf Buxhovi

Shtëpitë botuese “Faik Konica” nga Prishtina dhe “Jalifat Publishing” nga Houstoni i Teksasit  së shpejti nxjerrin nga shtypi, të plotësuar,   veprën historiografike të Jusuf Buxhovit “Kosova” I-V, tashmë të përkthyer edhe në anglisht dhe e pranishme në unviersitetet amerikane dhe botërore.

 Do të jetë ky botim i tretë i radhës nga ai i vitit 2017.

Botimi më i ri i “Kosovës” në pesë vëllime (Antika, Mesjeta, Perandoria Osmane, Kosova 1912- 1945 dhe Kosova 1645-1999),  shfaqet i plotësuar por edhe me disa rishkrime.

Plotësimi ka të bëjë me përforcimin e tezës pellazge dhe lidhjes ilire-shqiptare me të, pastaj me rolin e madh të trinomit mbretëror ilir në  antikitet: Maqedonisë, Dardanisë dhe Epirit në rrjedhat e kohës si dhe demistifikimit të mëtutjeshë  të tezave të historiografisë serbe rreth të ashtuquajturit shtet mesjetar serb, i konvertuar nga Rasha tribale. Kësaj problematike, i shtohet kapitulli i veçantë në pjesën “Mesjeta”, me ç’rast sillen fakte të shumta nga autorët nga mesjeta ndlr ta edhe ajo e perandorit Kantakuzeni, që hedhin dritë të re rreth falsifikimeve të historiografisë serbe si dhe rolit të faktorit arbëror në Bizant dhe gjatë Perandorisë osmane. Vemendje e veçantë i kushtohet edhe periodës së Rilindjes kombëtare, asaj midis dy luftërave botërore si dhe ripushtimit të Kosovës nga Serbia me ndihmën e partizanëve të Shqipërisë në vitin 1944, me ç’rast kemi edhe krimet e përbashkëta të përmasave të gjenocidit ndaj shqiptarëve që kundërshtuan pushtimin sllavo-komunist . Në vëllimin e pestë, vemendje e madhe i kushtohet rrethanave në Jugosllavinë e Titos si dhe shpërbërjes së saj, që u përcoll me lëvizjen kombëtare që vuni në binarët historik pavarësinë e Kosovës./ KultPlus.com

Murtaja te Kamy dhe Buxhovi…

Studim krahasues i romanit „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ të Jusuf Buxhovit me rastin e botimit në frëngjisht – “Qui resiste a la peste resiste au diable”,nga botuesi i njohur francez “L’Harmatann” i Parisit

Shkruan: Aleksandar ZOTO

Është e pamundur të pohohet që leximi i „Dekameronit“ të Bokaçios, i „Ditarit të murtajës“ të Daniel dë Fosee (De Foes) , i „Ambre“ të Katlen Vinsorit (Kathleen Winsorit), i „Kalorësit mbi çati“ të Xhinios (Giono) ose edhe i „L´oevre au noir“ të Margarita Jursenarit (Marguerete Yourcenar), t´i ketë paraprirë hartimit të „Shënimve të Gjon Nikollë Kazazit“ të Jusuf Buxhovit, përderisa keto vepra, nëse nuk gabohemi, nuk kanë qenë të përkthyera në shqip, pa dyshim, as në serbokroatisht. Nga ana tjetër, është e pamundur të përfytyrohet që Buxhovi të mos ketë njohur romanet e Ismail Kadaresë që i kanë paraprirë romanit të tij, sepse, megjithëse të ndaluar nga pushteti serb, ata kanë qarkulluar midis shqiptarëve të Kosovës, qoftë edhe në pak kopje.

Është e pamundur,gjithashtu, të imagjinohet që Buxhovi nuk e njihte „Murtajën“ (La Peste) e Alber Kamysë, këtij klasiku të letërsisë botërore. Pra, është me interes të shohim se si romani i tij, që rrëfen peripecitë e një epidemie murtaje në sfondin e luftës së fshehtë dhe të hapur midis otomanëve dhe shqiptarëve, vendoset në linjën e romanit të Kamysë dhe të disa veprave të Kadaresë dhe takon temën e tyre ose, më saktësisht shtyhemi të shikojmë sesa ai arrin t´u shpëtojë atyreve, të përballojë sfidat që paraqesin këto vepra për të parë, pasi as që mund të vihet në dyshim që ai të ketë pasur synim të vetëm imitimin e tyre, riprodhimin,nëse mund të thuhet e Kadaresë ose të Kamysë në dorë të dytë; krijimtaria e tij e mëparshme e përjashton a priori një proces të tillë dhe një lexim sadopak i vëmendshëm i „Shënimve të Gjon Nikollë Kazazit“ e mbështet këtë mendim.

Në fakt, s´bëhet fjalë për një „remake“ (nga angl.“ribërje“) të „Kështjellës“, i pari nga romanet e Kadaresë, të cilat i jemi referuar. Së pari, sepse Buxhovi rrëfen në të për një epidemi murtaje të shkaktuar nga pushtuesit turq, me synimin politik më tepër se ushtarak, kundër banorëve të qytetit dhe të rrethinës së Gjakovës, synimi është të dobësohet pa kthim dhe të gjunjëzohet një komb tashmë i nënshtruar nga qeveria e Portës, por që ruan një karakter tepër të pavarur, duke e qëlluar për vdekje në përmasa të mëdha. Për më tepër veprimi vendoset në një datë të saktë, në vitin 1747, zgjedhje kjo që me siguri nuk është rastësore, por ka një bazë historike në kryengritjen që shpërthyen gjatë shekullit XVIII kundër sundimit osman.

Në romanin „Kështjella“ përkundrazi, futja e minjve të infektuar në kështjellën e rrethuar përbën një nga manovrat e njëpasnjëshme, me anë të të cilave Tursun pasha përpiqet të bëhet zot i saj; nga ana tjetër, rrëfimi zhvillohet pa referim kronologjik të veçantë dhe ngjarjet shihen kryesisht nga ana turke. Së fundit, nëse Buxhovi, nën shembullin e Kadaresë, aludon për armët bakteriologjike të këtij shekulli, ai zhvillon paralelisht një temë që kolegu i tij i Tiranës vetëm sa e ka skicuar (dhe pa folur për murtajën) në një skaj të novelës së tij „Krushqit janë të ngrirë“:atë të „zgjidhjes përfundimtare“ (solution finale),sipas shprehjes së trashëguar nga nazizmi.

Në fund të fundit, vepra e Buxhovit rimerr më tepër sesa përsërit „Kështjellën“, përderisa ajo ilustron dhe zhvillon disa faqe të këtij romani,ku Intendenti parathotë vështirësitë e ardhshme pas pushtimit të Shqipërisë, pavarësisht nga fitorja ushtarake dhe mjetet që duhen përdorur për ta integruar përfundimisht këtë vend në Perandorinë otomane.

Nga ana tjetër,si mund të mos takoheshin rrëfimet e dy romancierëve shqiptarë përderi sa njëri,ashtu dhe tjetri, e kthejnë ballafaqimin e popullit të tyre me otomanët në një metaforë të ndeshjes së tij të sotme kundër shtypësve të tjerë? Kështu shpjegohet, pa dyshim, fakti se rrëfyesi te „Shënimet…“, si dhe ai i Kadaresë te „Ura me tri hare“ quhen Gjon dhe janë murgj, pra i referohen që të dy figurës së shquar të Gjon Buzukut, murgut themelues të letërsisë së shkruar shqiptare.

Së fundit, disa konvergjenca janë të pranishme për arsye të referimit të përbashkët (pak a shumë të saktë) te doket dhe zakonet politiko-ushtarake të Perandorisë otomane. Ibrahim Pasha,p.sh.,(përveç titullit të tij „kajmekam“) të bën njëherazi të mendosh për Tursun pashën,hero i „Kështjellës“ dhe Hurshid pashën, një nga figurat e „Kamares së turpit“,që e di se është i dënuar edhe ai dhe pret vetëm çastin kur koka e tij do të bjerë. Klasifikimi i kombeve të perandorisë në tri kategori – popujt e asimiluar ose të konsideruar si të tillë, popujt në asimilim e sipër dhe,së fundit, popujt rebelë – të kujtojnë gjithashtu pesë etapat që paraprijnë, në të dytin e romaneve të sipërpërmendura, „zhdukjen“ e plotë dhe përfundimtare të vendeve që i nënshtroheshin ligjit të „kra-kra“-së.

Këto pika të shumta takimi midis Buxhovit dhe atyre të Kadaresë për të cilat u fol më sipër, e veçanërisht te „Ura me tri harqe“, janë tepër të dukshme,të pohuara aq qartë sa s´ka vend për të folur për plagjiaturë. Më tepër mund të konkludohet për njëfarë homazhi, me një syshkelje miqësore ndaj veprës së mjeshtrit (vëmë re, në veçanti,që murgu i Buxhovit,po ashtu si dhe i Kadaresë, e nis kronikën e tij në një muaj mars), madje për një lojë shkrimi ndërtekstore, siç e praktikon si një prirje Mishel Turnier, Premtimi i të cilit na jep shembullin më të njohur. Faktikisht, dallimet janë më të shumta se ngjashmëritë, sikur Buxhovi të kish vënë nderin e tij në lojë për t´u shkëputur nga vepra e Kadaresë, duke e përshëndetur atë në kalim e sipër. Një invetar i shkurtë vetëm i të dhënave materiale që dallojnë dy romanet do të lejonte të gjykojmë për këtë.

Kadareja (rrëfimtari i të cilit i përket një epoke para asaj të Buzukut) mjfatohet me një emër simbolik – Gjon -, ndërsa Buxhovi i jep të vetit një gjendje civile më të detajuar dhe e lidh shprehimisht me kujtimin e Buzukut, nëpërmjet Colit, beniaminit të tij, i cili ëndërron të çojë më tej veprën e stërgjyshit të vet të madh, duke shpikur alfabemin origjinal që ende s´e ka gjuha; Gjoni i Kadaresë,pra, del si përfaqësues i Shqipërisë paraotomane, ndërsa nga ai i Buxhovit, që ka si vëlla e kusheri Lam Mulën, i kthyer në mysliman, prej nga del kjo temë ankese, praktikishte e papranishme në veprat e Kadaresë të përmendura këtu:ndarja e popullit shqiptar midis islamizmit dhe krishtërimit. Dallimi i tretë:figura e emblemore e Buzukut duke si e dyzuar te Buxhovi. Meqë përkthimi i tij i Biblës në shqip saksiononte qenien e një gjuhe dhe të një kulture shekullore, baba i letërsisë shqipe ringjallet njëherazi te Coli, poeti që do të dëshironte të shkruante shkronja të mirëfillta shqipe, dhe te Gjon Nikolla, herë pas here arkitekt si dhe prift e kronik. Një dallim i katërt, së fundi,lidhet me mënyrën e rrëfimit dhe jo më me rrëfimtarin. Te Kadareja, rrëfimi bëhet, si të thuash, me kalim të drejtpërdrejtë nga pena e Gjonit të syri i lexuesit, ndërsa te Buxhovi ka një dyfishim, përsëritja ose „mise en abyme“ të aktit të të shkruarit: murgu i tij është jo vetëm autori i kronikës që e lexojmë, pore edhe i një fletoreje shënimesh, me sa duket e caktuar për të ushqyer këtë kronikë, nga e cila ai na jep andej-këndej disa pjesëza. Kështu vetëpërmbajta e shënimeve paraqitet si një nga ngjarjet që përfshin kronika dhe kështu ato bëhen elemente përbërës i saj…Këtu gjejmë sërish, me nuanca të vogla ndryshimesh, mënyrën e famshme të Zhidit te „Prerësit e parave të rreme“ („Les Faux-monneyeurs“), më tepër sesa atë që ka përdorur Kadareja në „Kronikë në gur“, roman ku gjejnë jehonë kujtimet e rrëfimtarit dhe copëza kronikale që u atribuohen dëshmitarëve të tjerë.

Pra,të kuptuara dhe të vendosura siç duhet, afritë që nxorëm midis romanit të Buxhovit dhe këtyre veprave të Kadaresë, na nxisin më tepër kuriozitetin ndaj tij;ato vërtetojnë vlerën dhe peshën e dëshmisë që ky autor sjell mbi fatin e popullit të vet, jo pa e bërë atë shembull, ose e thënë ndryshe, të aftë për një shtrirje përtej vetë Shqipërisë.

Pikërisht këtë përmasë njerëzore të librit kërkojmë të nxjerrim tani, me anë të një paraleleje tjetër, që na fton me ngulm,së paku për nga tema, sepse edhe aty pikëtakimet do të shfaqen shumë më të kufizuara.

Në fakt,romani „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ i Jusuf Buxhovit nuk është gjithnjë një „remake“ e „Murtajës“ („La Peste“) të Kamysë.Së pari, e rithemi,sepse rrëfimi i Buxhovit është vendosur në një kuadër historik,a, të paktën, mëton të jetë një krijim fiktiv me frymëzime historike. Nga ana tjetër, edhe pse konisderatat morale, madje filozofike, të lidhura me fatin e këtij ose të atij personazhi nuk mungojnë dhe kërkojnë meditimin vetjak të çdo lexuesit, ai trajton para së gjithash një avanturë kolektive. Drama e Kamysë prek gjithashtu një bashkësi, por që është, në thelb, mbarë njerëzimi;pra ai të drejton te një entitet paksa abrstrakt, qoftë edhe i mishëruar në fate të veçanta.Po ashtu,megjithëse ai paraqet efektet e vërejtura klinikisht të një epidemie murtaje, kjo nis dhe përhapet vetvetiu, në një farë mënyre si një fatalitet, dhe megjithë zgjedhjen e Oranit si vend skene, nuk bëhet fjalë posaçërisht për Algjerinë. Në romanin e Buxhovit, përkundrazi, fatkeqësia jepet qartë,me shkaqet dhe fundin e saj, në kohën dhe vendin e saj. Në fund të fundit – por pa u kufizuar në një „subjekt“ rreptësisht të përcaktuar ose të përvijuar – Buxhovi aktualizon dhe zhvillon një nga kuptimet e mundshme të „Murtaja“ („La Peste“) e Kamysë: vuajtjen që u shkaktohet njerëzve nga njerëz të tjerë, dhunë që përdorin disa për të nështruar më mirë të tjerët, madje për t´i zhdukur fizikisht.Pikërisht këtu është, në fakt, një nga murtajat që nënkupton „Murtja“ e Kamysë, në mos shprehimisht,së paku me aluzionet e tekstit ose me përgjithësimet ku ai të shpie.

Sipas datës së shkrimit dhe daljes në shitje – pra realiteteve që e sollën dhe të cialve ai u vën qëllimisht dhe domosdoshmërisht jehonë – romani i Kamysë evokonte së pari, me siguri, totalitarizmin, këtë përbindësh të kohëve moderne. Autori njëherazi ka pasur edhe kurajon, edhe qartësinë, mjaft të rralla në periudhën fill pas luftës, të denoncojë si murtajën e kueqe, edhe atë zezën. Por ai e bën këtë me terma të qarta dhe jo më me zhvendosje, me komente me të cilat ai e shoqëron atë. Rrjedhimitsh, përtej këtyre rezonanace ose shkrimeve „aktuale“ të tekstit, të bëra më të ndjeshme në atë kohë nga kujtimi i menjëhershëm i flijimit (holocauste),kujdesi i Kamysë për t´i siguruar veprës së tij një përmasë polisemike (ai donte,siç shprehet vetë, që ajo „të lexohet në shumë nivele“),kjo i jep atij një karakter „atopik“ (ngjyra algjeriane, e përsërisim, nuk llogaritet aspak), dhe „akronik“, duke përjashtuar disa tregues që dalin nga e kaluara e Tarrout dhe e Rambertit. Do të dukej sikur ai ka dashur kështu ta çojë më me siguri lexuesin drejt pyetjes thelbësore:cilat mund të jenë, në një vështrim absolut,sjelljet e njeriut përballë vdekjes së verbër,e,më përgjithësisht,përballë të gjitha formave të vuajtjeve fizike dhe morale, në të cilat mund të shfaqet e keqja?

Një tjetër veçori e murtajës së Buxhovit, përballë asaj të Kamysë, është se ajo nuk ka pamjen e një fatkeqësie të shfaqur befasisht. Sigurisht romancieri frëng e shtjellon me etapa progresive,por mbetet,siç e theksmuam më lart, që ajo të shfaqet “exnihilio“ se është e tërë njëherazi,pa iu dashur të lindë. Te Buxhovi, përkundrazi,ajo vjen nëpërmjet një vënie në skenë sa sekrete aq edhe të hollë:ajo përbën për dje,por figuron edhe për sot (në kontekstin e sotëm mbi disa realitete social-politike dhe për gjuhën e dyfishtë), një përpjekje për gjenocid, së paku të pjesshëm, aq të shyrë sa të mund të shkatërrojë të mbijetuesit çdo përpjekje, sado të vogël,për t´u mbrojtur. Kështu, vdekja fizike e disave do të sigurojë vdekjen politike dhe morale të të tjerëve.

Fshehtas, i maskuar në përkujdesje, ky plan djallëzor nënkupton, në fakt, në dredhat e veta,një art të përkryer të helmimit, të frikësimit, derisa shkakton psikoza të vërteta, duke krijuar kështu kushtet e favorshme për të parandaluar ose asnjanësuar qëndresën e popullsisë,për t´u paraprirë kundërveprimeve të tij.

Këtu hasim elementet që afrojnë romanin e Buxhovit me ata të Kadaresë në paraqitjen alegorike të Perandorisë Osmane.

Çuditërisht, synimet e kësaj „supërfuqie“ janë shprehur qartë te Buxhovi,të „Strategjia osmane“ e njëfarë Kavijusit.(Prapa kësaj dyshohet për mbështetje në një realietet historik).Nga ky traktat janë frymëzuar gjërisht mendimet e një poeti tjetër epik të madhështisë osmane,i quajtur Osman Inxhi Karaogllu,sipas rrëfimit të Gjon Nikollës.E ashtuquajtura strategji nuk është pohuar,sigurisht, në librin e Karaogllusë si një synim makiavelik. Ajo duhet të përfundojë me kurorëzimin e njeriut të ri osman, të farkëtuar sipas një modeli të vetëm ideal, i vetmi mjet për të siguruar shpëtimin e Perandorisë. Gjithashtu ka prirje për të lexuar aty një aluzion të dyfishtë ndaj realiteteve bashkëkohore, së pari, ndaj ideologjisë komuniste, që ka rishpikur mitin e njeriut të ri, por edhe ndaj shkrimeve të Çubrilloviqit, teoricien i „rregullimit të çështjeve shqiptare“, në të mirën më të madhe për Serbinë. Futja në lojë e dy veprave në fjalë ndoshta gjen këtu shpjegimin e saj:mos jemi të ftuar ta kujtojmë Biblën e paemër dhe të paemërtuar të shovinizmit dhe të ekspansionizmit serb prapa asryetimeve të tij të veshura bukur, ashtu si në roman,njëra nga këto vepra (ajo „e paraqitshmja“ me pamje „të ndershme“) e nënkupton tjetrën (atë të urryerën) nga u frymëzua në të vërtetë?

Merret me mend në një referencë tjetër ndaj sistemit komunist me mbledhjet ose më mirë me dërdëllisjet e pafundme (mania „marksiste-leniniste“),ku përfaqësuesit e pushtetit qendror, kur nuk i anullojnë a shtyjnë, për efekt takt ose thjesht për përbuzje, bëjnë sikur janë në një mendje me mjediset e shquara, për të diktuar, në fund të fundit, vetëm vullnetet e tyre. E si të mos përfytyrosh në këtë faqe autonominë relative të pranuar dikur për krahinën e Kosovës, autonomi që sot është likuiduar krejt.

Përballë kësaj shtypjeje shtetërore, qëndresa shqiptare niset nga një ndërgjegje e vetme, një kapërcim i njeriut,i jetës dhe i vdekjes,e jo nga konsideratat politike. Prej këtij rrjedh një përmasë filozofiko-morale,që i jep romanit gjithë rëndësinë që ka.

Pa qenë e mundur të zbulohen në këtë fushë përkime të qarta midis romanit të Buxhovit dhe këtij ose atij të Kadaresë, gjendet megjithatë atmosfera e përgjithshme,e cila, tek i dyti, përshkon veprat e frymëzuara drejtpërsëdrejti nga tema e „besës“.

Njeriu shqiptar paraqitet si një „homo religiosus“, në kuptim etimologjik;ai përcaktohet vetëm nëpërmjet lidhjeve të tij:me vëllezërit e tij, me tokën,gjuhën, të kaluarën. Romani i Buxhovit „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ na jep të kuptojmë se, meqë as Krishti e as Muhameti nuk u kërkonin të hiqnin dorë nga kjo „besë“,që ishte e rrënjosur thellë në qenien e tyre, Shqiptarët mund t´i përkushtoheshin padallimisht njërit ose tjetrit,sipas rrethanave. Romani „Shënimet…“ na përkujton gjithashtu se sa shqiptarët, nga ky fakt,kanë mësuar e zbatuar tolerancën, respektin e çdo besimi,e, prej kësaj, të çdo kombësie…Kulti i përbashkët i „besës“ nënkupton para së gjithash një sërë angazhimesh, ligjesh e zakonesh,që rrjedhin nga besa e fjalës së dhënë. Kështu, shpjegohen kujtimet e përseritura të historisë së tij të gjatë; ato janë po aq shenja e përjetësisë së tij, sa edhe të nevojës që ai ka, në orët e vështira, të ringjall heronjtë e tij mbrojtës, t´i mëshirojë ose t´i ndjieje që rijetojnë përmes magjisë së fjalës. Më shumë se prej kujtdo tjetër:kujtesa i vjen nga poetët e tij (Colit i shtohet personazhi shumë simbolik i rapsodit popullor Selami Takraku), nga këngët e legjendat që përjetësojnë kujtimin e sprovave. Kështu përballë një të keqeje të harruar, që të zë papritur,kundërveprimi i parë është pyetja e së kaluarës,këshillimi me të vjetrit, me ata që kanë mundur të shikojnë ose të dëgjojnë të tregohet sesi ka mundur ta kufizojnë atë, një shekull më parë, gjatë epidemisë së 1646-ës.

Nga kjo rrjedhin edhe këto elemente të tjera: përsëritja me këmbëngulje e disa toponimeve,zanati i arkeologjisë që ushtron Gjon Nikolla krahas prirjes së tij fetare dhe odiseja e Kelmendëve, një familjeje shqiptare,që përshkon shkurtimisht romanin. Të mërguar në Bosnje që prej disa brezash, para se të rikthehen e të vendosen në Gjakovë,si dyshekëpunues, këta endacakë do ta gjejnë identitetin dhe përkatësinë e tyre të humbur vetëm duke u bërë një me baltën e varrit. Copa e poçarisë së vjetër ilire, që Gjoni ka nxjerrë nga thellësia e dheut, afirmon edhe vlerën shenjtërore të tokës, përveçse vërteton lashtësinë e qytetërimit nga kanë rrjedhur shqiptarët.Së fundit,duhet thënë se ka lidhje të plotë midis koncepteve tokë-identitet-kujetesë. Vetëdija e trashëgimisë është futur shumë imtimisht në shpirtin shqiptar,saqë kronikani njëherazi me predikimin e rizbulimit dhe të pasurimit të kësaj trashëgimie gjatë brezave, arrin të vërejë se jo gjithmonë, në fakt, lipset kërkim ose studim i veçantë,pasi ajo ka kaluar në gjakun e shqiptarëve dhe shfaqet në jetën e tyre të përditshme. Historia duhet njohur,në fund të fundit,kur ta kanë cënuar identitetin tënd për shekuj me radhë vetëm për ta përvetësuar a ripërvetësuar sa më mirë atë e të ruash kështu vazhdimësinë e qenies sate.

Kulti i këtyre vlerave te shqiptari çon në një formë stoicizmin, që e bën atë të shohë vdekjen në sy, meqë ai ka kryer atë çka duhet, atë që kërkon prej tij „besa“.Madje, herë-herë,ai duket si i nënshtrohet një magjepsjeje të vdekjes;së pari,sepse kjo vdekje e lavdishme,e denjë, e virtytshme, mund të lindë një këngë pavdekësi, dhe, e dyta,për atë se kjo vdekje, tek e fundit, paraqet jetësinë e një populli, si dhe për arsyet se ajo është sakrificë,mposhtje e gjunjëzimit.Kronikani arrin deri aty sa të shpjegojë,në mos të përligjë për këtë,zakonet vetëvrasëse të disa fiseve ilire, sipas dëshmive të historianëve latinë.Pasioni dhe krenaria e tij kombëtare do të shkonin pothuaj, në disa prej fjalëve të tij, në larëtsimin elitar, sikurse të mos vërente edhe ai vetë se ka edhe shqiptarë të aftë për vepra të ulëta dhe për tradhti. Njëri prej tyre, Çosaleshi,bie kaq poshtë në bashkëpunim me armikun,sa autori i mohon shugurimin e tokës,duke lënë kështu të qarkullojnë dyshimet për qenien e tij shqiptar:askush s´është në gjendje të thotë nga vjen,nga e ka prejardhjen, thua se s´ka prejardhje fare.

Të gjitha këto zgjatje simbolike dhe metaforike lidhen me të papriturat e një beteje me përmasa me të vërtetë epike:nga njëra anë, një popull i tërë që mobilizohet,qëndron dhe që forcën për të mbijetuar e gjen te burimet e tij më të thella,dhe, nga ana tjetër, makina e ditur politike e një fuqie peradorake dhe,po të mos flasim me gjuhën e La Fontenit, një e keqe që kudo përhap tmerr…muratjë,përderisa duhet thirrume me emrin që ka“. Kështu libri shkon shkallë-shkallë deri në zgjidhjen e tij te fitorja, të paktën edhe e përkohshme,e gjenisë njerëzore mbi të keqen me anë të skenave dh të pamjeve rrënqethëse, që shfaqen si një kërcënim therës. Aty gjejmë frymën e frikërave të mëdha mesjetare,ankthet mijëvjeçare të njeriut përballë fatkeqësive apokaliptike. Edhe në vetë etimologjinë e saj, fjala „mortje“,“murtajë“, në shqip,është sinonim i vdekjes. Ndaj,edhe nëse shqiptari mund të shkojë si individ deri aty sa të kërkojë vdekjen, siç e kemi vërejtur, si kolektiv ai priret drejt jetës, drejt një vullneti të pamposhtur për të qenë,për të ruajtur identitetin e vet.

Shtrirjes dhe ngjeshjes së një drame që priret drejtë epopesë,u shtohen,për lexuesin perëndimor,shijet e forta të një ekzotizmi ballkanik. Libri i Buxhovit, në këtë pikë, ruan denjësisht vendin e tij përballë kronikave të famshme të Ivo Andriçit (nga të cilat do të harrojmë këtu,vetëm për interesa letrare, idetë e padenja për një humanist,që ai shpalli gjatë kohës që punonte në Ministrinë Serbe të Punëve të Brëndshme. Me anën e atyre ideve ai propozonte „rrugët“ për rregullimin përfundimtar të çështjes shqiptare). Shtjellimet që paraprijnë,sidoqoftë,e vërtetojnë mjaftueshëm:ekzotizmi oriental nuk e bën romanin e Buxhovit një vepër thjeshtë argëtuese,një arratisje thjesht romaneske. Ngarkesa e tij emocionale dhe rëndësia e çështjeve që ai shtron,e mendimeve që ai ushqen,e prekin edhe më me siguri lexuesin, nga që ai e zhyt atë në një pjesë të Europës viktimë,edhe sot, e tronditjes më të dhimbshme, fati i të cilës, duam ose jo, prek kontinentin mbarë./ KultPlus.com

‘Maqedonia’ në anglisht, një pasqyrim i saj në kuadër të botës ilire

Shkruan Jusuf Buxhovi

“MAQEDONIA” NË ANGLISHT – NJË PASQYRIM I SAJ NË KUADËR TË BOTËS ILIRE

Botimi në anglisht i veprës voluminoze me 677 faqe, “MACEDONIA – FROM ANTIQUITY TO OUR TIME” nga botuesi amerikan “Jalifat Publishing” në përkthim të Avni Spahiu, krahas përkthimi në anglisht të “Kosovës” në tre vëllime, që tashmë ka depërtuar në shumë nga universitetet amerikane dhe ato botërore si litetaturë alternative për historinë e Evropës Juglindore, paraqet një tjetër të arritur historiografike në përballje me falsifikimet dhe gënjeshtrat e historiografisë serbe, si dhe me diskursin antishkencor sipas të cilit Mbretëria e Maqedonisë, në njërën anë (nga historiografia institucionale shqiptare) përjashtohet nga bota ilire së cilës i ka takuar, dhe në tjetrën anën, nga historiografia greke dhe ajo europiane, shihet si pjesë e helenizmit grek, ndonëse autorët antik nuk e shohin si të tillë, po pjesë të familjes pellazge. Botuesi “Jalifat Publishing” veprën “Macedonia – from atiquity to our time”, nga nxjerrja nga shtypi para një viti, pas shumë promovimeve të sukseshme (në Prishtinë, Shkup, Tiranë dhe shumë vende të tjera), tashmë e ka dërguar në Bibliotekën e Kongresit Amerikan dhe në të gjitha institutet hulumtuese shkencore amerikane si dhe në bibliotekat e universiteteve amerikane, përfshirë këtu edhe atë të Harvardit.Botuesi amerikan vlerëson se përkthimi i këtij libri në anglisht si dhe plasimi në qarqet shkencore dhe universitare amerikane por edhe botërore në përgjithësi, është me interes të veçantë, ngaqë përhap të vërtetën rreth Maqedonisë si pjesë e botës ilire nga antikiteti, të përvetësuar nga grekët, siç përhapë edhe të vërtetën se në shtetin e sotëm të quajtur Maqedoni e Veriut, të shtrirë në pjesën më të madhe të Dardanisë antike dhe më vonë në vilajetin e Kosovës, ndërlidhet identiteti historik, etnik, shpirtëror, kulturor dhe politik i shqiptarëve nga lashtësia i mohuar nga historiografia hegjemoniste serbe, ruse, bullgare dhe ajo e sajuara “maqedone” me ç’rast ata paraqiten “ardhacakë”, “pushtues”, “zullumqarë” të ardhur në këto hapësira nga shekulli XVII e këndej me ndihmën e osmanëve! Mbi këto platforma, nga Kriza Lindore e këtej, janë ndërtuar edhe hartat e reja të shteteve në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane, ku hapësira etnike dhe ajo shpirtërore-kulturore e shqiptarëve është copëtuar nga shtetet fqinje (Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia). Ato u kanë sherbyer edhe programeve antishqiptare nga shpërnguljet e deri te etnocidet dhe gjenocidet, siç ka ndodhë në vitin 1878, 1912, 1944 për të vazhduar edhe me konventat me Turqinë për shpërnguljen e tyre në vitin 1938 dhe 1953. Prandaj, i konceptuar mbi këta faktorë dhe i mbështetur mbi fakte të qëndrueshme historike, libri në anglisht përhapë të vërtetën për vendin dhe rolin e shqiptarëve në këtë shtet të krijuar politikisht në vitin 1944 nga Titoja (fillimisht si pjesë e federatës jugosllave në përputhje me vendimet e AVNOJ-it të vitit 1943) dhe në vitin 1992 si shtet i pavarur, me ç’rast ata do të diskriminohen qoftë si pakicë kombëtare gjatë Jugosllavisë së Titos, qoftë me statusin e qytetarisë “me të drejta njerëzore” në rrethanat e shpalljes së Maqedonisë shtet-komb.Duke marrë në shqyrtim edhe zhvillimet më të reja nga shpallja e shtetit të Maqedonisë, krahas kritikës që u bëhet politikave antishqiptare nga Shkupi dhe Beogradi, të cilat, në forma të ndryshme, vazhdojnë edhe në rrethanat e reja, duke shfrytëzuar në njërën anë faktorët gjeopolitikë rajonalë dhe në tjetrën anë dobësitë e mëdha të të shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës në raport me injorimin e çështjes shqiptare në Maqedoni, në këtë vepër, me sy kritik, vlerësohet edhe roli i faktorit politik shqiptar në skenën politike maqedonase nga viti 1992 e këndej. Kritikat adresohen te mosgatishmëria për t’u mbrojtur pozicioni i referendumit të vitit 1992 për statusin e popullit shtetformues mbi konceptin e një shteti federal-konfederal të dy popujve të barabartë (shqiptarë dhe maqedonas). Në këtë vepër, po ashtu, me sy tepër kritik shikohet edhe mungesa e konsistencës së faktorit ushtarak shqiptar në kuadër të luftës UÇK-së të vitit 2001 në kërkesat politike, të filluara me ato për shtet federativ (shqiptar-maqedon), të cilat, brenda një kohe të shkurtër do të rrudhen deri te ato për “shtetin qytetar” , pra te korpusi i të drejtave njerëzore,, për ç’gjë as që është deshtë të luftohet fare, meqe ato i garanton Karta e OKB-së në kuadër të të drejtave dhe liritë themelore kudo në botë. Ky degradim politik i luftës pasqyrohet më së miri me Marrëveshjen e Ohrit, me ç’rast, klasa politike që erdhi në pushtet “me meritat e luftës”, nuk bëri tjetër, pos, që duke e zëvendësuar idealin e lirisë, për ç’gjë u derdh edhe gjak, në atë të interesave personale dhe përfitime deri te ato meskine, do të shndërrohet në një vasale të politikës maqedonase, në një rajë bashkëkohore të farses parlamentare, që faktorin politik shqiptarë do ta shfrytëzojë për qëllimet e njohura shtetmëdha, ku me anën e ngatërrimit të barazisë kushtetuese të gjuhës shqipe si parakusht i barazisë shtetërore me atë të barazisë ligjore të gjuhës, bëhet vetëmashtrimi dhe margjinalizimi i shqiptarëve në pakicë numrash!

33 vjet nga rrënimi i autonomisë së Kosovës

Përkujtesë historike: 23 mars 1989

RRËNIMI I AUTONOMISË SË KOSOVËS – FILLIMI I SHKATËRRIMIT TË JUGOSLLAVISË DHE LINDJA E SHTETIT TË KOSOVËS

Shkruan Jusuf Buxhovi

Rrënimi i autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë, më 23 mars 1989 në rrethanat e gjendjes së shtetrrethimit, ishin pjesë e skenarit të Beogradit për riformatizimin e Jugosllavisë në një shtet  unitarist që do të mbikëqyrej nga Serbia. Demonstratat e 11 marsit 1981, me ç’rast u ripërsërit e dinamizuar kërkesa për Republikën e Kosovës nga demonstratat e vitit 1968, u shfrytëzuan  si shkas për hapjen e këtij procesi, që do të kthehet në program politik të udhëheqjes serbe me rastin e spalljes së Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve në nëntor të vitit 1986. Dalja e Millosheviqit në skenën politike si dhe përdorimi i lëvizjeve populiste për disciplinimin e federatës jugosllave, duhej të përcillej edhe me ndryshimet kushtetuese, të cilave udhëheqja serbe ua përcaktoi formatin dhe kornizat, që për synimim kishin “barazinë e pozitës kushtetuese të Serbisë me subjektet tjera në federatë”, që nuk do të thoshte tjetër pos rrënimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në federatë në përputhje me kushtetutën e vitit 1974 kur ajo fitoi statusin e njësisë së barabartë federative e me këtë edhe të largimit nga tutela serbe.

Rrënimi me dhunë i autonomisë së Kosovës, sigurisht se nuk do të ishte i mundur edhe pa aminin e njësive të tjera të federatës jugosllave që iu dha Serbisë nga aprovimi i platformës politike për Kosovën nga dy kryesitë e vendit në maj 1981, kur demonstratat e Kosovës u vlerësuan ngjarje kundërrevolucionare, gjë që hapi procesin e gjatë të diferencimit politik, viktimë e të cilit ishte arsimi, kultura, ekonomia dhe të arriturat tjera insitucionale që solli kushtetua e vitit 1974 si dhe burgosjet e qindra dhe mijëra të atyre që nuk pajtoheshin me këtë gjendje.

Në këtë proces të mundimshëm të diferencimit, udhëheqja e atëhershme politike e Kosovës, nuk ishte në gjendje që t’i kundërvihje Serbisë në rrethanat kur kishte prapa republikat tjera që secila në mënyrën e vet spekulonte me viktimizimin e Kosovës, gjë që ndodhi kursi i nënshtrimit në përputhje me logjikën e mbijetimit, që të humbet sa më pak, deri te limiti i mbrojtjes me anën e  nenit 49,  që nënkuptonte mos dhënien e pelqimit për ndryshime,  po qe se prekej subjektiviteti i Kosovës në federatë, që shfaqej më shumë iluzion se sa realitet politik.

Në këto rrethana, udhëheqja e atëhershme (Vllasi dhe K. Jashari), në fund të vitit 1988 dhe në fillim të vitit 1989, u përpoqën që fushatës serbe t’i kundërpërgjigjeshin me demonstratat gjithëpopullore në Kosovë kundër këtyre ndryshimeve, me ç’rast u shfrytëzuan edhe minatorët për grevë dhe të ngjashme, që përfunduan me burgosjen e Vllasit dhe shpalljen e gjendjes së jashtazakoshme, që i duhej Beogradit që në Kosovë të përdorej për rrënimin e autonomisë.

Këtë e tregoi edhe farsa e votimit në Kuvendin e Kosovës, më 23 mars 1989, kur delegatët e Kosovës, nën kërcënimin e tankeve, u desh të jepnin “pelqimin” për këto ndryshime. Por, 11 prej tyre nuk iu nënshtruan kësja trysnie. Votuan kundër dhe me këtë nxorën në pah dinjitetin dhe guximin  politik dhe njerëzor edhe në rrethanat e kërcënmit me jetë. Kjo bëri që në gjithë Kosovën puçi kushtetues i Serbisë ndaj kushtetutes së Jugosllavisë e me këtë edhe të Kosovës, të përcillet me demonstrata të përgjakshme, meqë e gjitha u përjetua si ripushtim i tretë i Kosovës  nga pushtimi i vitit 1912.

Ripushtimi i Kosovës nga Serbia (i par më 1918 dhe i dyti më 1944), megjithatë nuk u pranua me vullnet. Përkudrazi, krahas demonstratave të përgjakshme, u përcoll me lëvizjen kombëtare që filloi me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989 nga intelektualët e njohur (shkrimtarë, akademikë, gazetarë dhe të të tjerë) në të cilën u përfshinë e gjithë popullata e Kosovës, me ç’rast u mor përispër jetësimi i procesit të legjtimimit të vullnetit të popullit të Kosovës (Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, shpallja e Republikës së Kosovës në kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator 1990 si dhe referendumi për pavarësi, në vitin 1991). Me to iu dha legjitimiteti demokratik lëvizjes së rezistencës institucionale dhe asaj të armatosur, që me ndihmën e vendeve të NATO-s të drejtuara nga SHBA-të, pas bombardimit 72 ditësh ( 24 marsi  10 qershor 1999), çoi te çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb  dhe vendosjen e saj nën protekteratin ndërkombëtar me rezolutën 1244 të KS të OKB-së nga 10 qershori 1999.  Protektorati ndërkombëtar mori fundi më 17 shkurt 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës./ KultPlus.com

‘Kosova’ në Universitetin Prairie View A & M të Teksasit

Jusuf BUXHOVI

Në kuadër të vizitave universiteteve amerikane, me botuesin amerikan Ramiz Tafilaj, vizituam Universitetin Prairie View A & M të Teksasit. U pritëm nga drejtori i Institutit të Historisë së këtij universiteti, profesori Rosie L. Albritton. Profesori Albritton bëri të ditur se në Institutin e tij janë të pranishëm autorë të ndryshëm nga Europa Juglindore me veprat e tyre, por edhe si ligjerues të herëpashershëm, të cilët prekin edhe problematikën e historisë shqiptare në përputhje me çasjet e tyre. Me këtë rast profesori Albritton theksoi nevojën që në këtë institut të përfaqësohet edhe mendësia e historiografisë shqiptare, gjë që kjo mund të bëhet me praninë e veprave të autorëve shqiptarë këtu (siç është rasti me “Kosovën” në anglishte), por edhe në të gjitha universitetet dhe bibliotekat universitare amerikane.Gjatë kësaj vizite, botuesi R. Tafilaj, Institutit të Histiorisë si dhe Bibliotekës së Universitetit i dhuroi disa ekzemplarë të “Kosovës” në anglisht. Si e tillë, kjo vepër është e para dhe e vetme e një autori shqipotarë në këtë bibliotekë. /KultPlus.com

Historiografia jonë ka nevojë për korrigjime dhe rishkrim

Jusuf BUXHOVI

Mistifikimi i të vërtetave historike si dhe mbajtja e tyre e ngrirë, është krim shkencor, por edhe moral, meqë pamundësia e çlirimit nga mashtrimet shoqërinë e kthe në viktimë të përhershme të përshtatshme për çfarëdo manipulimi…

Martin Hajdegeri, me të drejtë ngriti çështjen që secila gjeneratë ka të drejtë për rishikimin e historisë në përputhje me “pikëpamjet për të vërtetën e vet”. Kjo arsyetohet me atë se historiografia si shkencë e veçantë shoqërore ka për detyrë të marrë parasysh logjikën e interpretimeve që ofrojnë faktet në vazhdimësi si dhe atë, që qëndrimet e caktuara, të pranueshme ose të imponueshme në një kohë, valorizohen, rishikohen ose edhe korrigjohen në përputhje me ndryshimet shoqërore që vendosin raportet politike. Meqë shtetformimet shqiptare (i Shqipërisë në vitin 1912 dhe të Kosovës në vitin 2008) kanë kaluar nëpër faza të mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe ato ideologjike për mbi gjysmë shekulli, ka qenë e pritshme që edhe ajo që është shfaqë si historiografi “autentike” nga autorët shqiptarë të jetë ndikuar nga këto rrethana, veçmas nga historiografia serbe, që mund të thuhet, se bashkë me diskursin e njohur ideologjik, ia ka përcaktuar kornizat e “të vërtetave” gjithnjë në përputhje me programet hegjemoniste serbe gjatë dy shekujve të fundit. Natyrisht se diktatit të historiografisë serbe ndaj asaj shqiptare, krahas faktorëve nga raporti i forcave, i kanë ndihmuar edhe impulset “shkencore” që kanë ardhur nga “qarku sllavist” i Vjenës dhe shkolla ruse e shekullit XIX-XX në shërbim të drejtpërdrejtë të politikës së njohur të hegjemonizmit pansllavist rus në Ballkan nga Kriza Lindore e këndej, që ka ndikuar edhe hartat politike dhe ato shtetërore. Andaj, ka qenë e pritshme që përjashtimi i shqiptarëve prej hartave politike të Europës sa më shumë që të jetë e mundur, që hisja e tyre në to të jetë sa më e vogël dhe mundësisht nën tutelën e shteteve fqinje (Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë) të shumtën të ngritura dhe të shtrira mbi trungun e etnisë shqiptare.

Kësaj politike i është dashtë parja e mjegulluar e shqiptarëve në histori, veçmas në antikitet dhe mesjetë, si dhe roli i tyre “i pushtuesit” dhe “zullumqarit” gjatë Perandorisë Osmane të ardhur nga Kaukazi, me ç’rast ata, me ndihmën e osmanëve dhe të pranimit të islamit, gjoja kanë rrënuar “shtetin mesjetar serb” si dhe “kishën ortodokse serbe”! Kështu, platformat hegjemoniste , ajo e “Naçertanjes” së Garashaninit dhe “Megaloidhesë” greke të vitit 1844 bashkë me literaturën përcjellëse me plot e përplot gënjeshtra dhe falsifikime ordinare, ia përcaktuan edhe kornizat si dhe hapësirën pamjes së deformuar të historisë së shqiptarëve jo vetëm nëpër qendrat e caktuara hulumtuese dhe studimore evropiane (me përjashtim të shkollës gjermane), por ndikuan që edhe fillet e historiografisë institucionale shqiptare (mbas viteve të njëzeta të shekullit të kaluar) dhe veçmas ato ideologjike gjatë regjimit komunist, të shumtën të mbesin peng i tyre, posaçërisht të çështjet që kanë të bëjë me mesjetën e mesme dhe atë të vonshme, ku dogma e të ashtuquajturit shtet mesjetar serb të identifikuar me dinastinë Rasiane të Nemanjajve tribalë (fis dardan) dhe kishë ortodokse serbe me gjoja autoqefali në shekullin XIII, mbesin të paprekura!

Historiografia ideologjike gjatë gjysmë shekulli në Tiranë, krahas përpjekjeve që së paku, nëpërmes teorisë ilire (gjithnjë në përputhje me kornizat e indoevropianishtes), ta lidh origjinën shqiptare me antikitetin (ndonëse përherë të parë nën ndikimin helen), megjithatë, duke iu nënshtruar klisheve të historiografisë serbe dhe falsifikimeve të saj, gjithnjë nën diktatin ideologjik, që Shqipërisë i ka ardhur nga Beogradi, ka pranuar diskontinuitetin historik dhe veçmas atë etnik, kulturor gjatë Bizantit dhe Perandorisë Osmane, me çka me këto shkëputje i është ndihmuar anatemës së popullit të mjegulluar dhe jashtë strukturave shoqërore dhe politike në mesjetë qofshin ato edhe ndër më të fuqishmet e kohës siç ishte “Despotati i Eprit”i mesit të shekllit XIII, “Mbretëria Arbërore” e Anzhuve e vitit 1272 si dhe dinastive të Balshajve, Thopiajve, Kastriotëve, Dukagjinëve dhe të tjera! Kjo ka bërë që shqiptarët të privohen edhe nga roli i tyre që kishin gjatë shfaqjes së krishterimit dhe më vonë, ku ata ishin ndër të parët që e pranuan atë dhe i takuan dhe i ndihmuan përhapjes së tij tutje Ilirikut. Madje, edhe perandorët e njohur ilir-dardanë Konstandini i Madh, Justiuniani dhe të tjerët, që me të drejtë mund të merren pjesë e trashëgimisë së lavdishme historike arbërore-shqiptare ku duhet të mbështet edhe identiteti politik dhe shoqëror në kuadër të formacioneve autonome të kohës, përjashtohen prej saj, duke u përvetësuar nga të tjerët!

Krahas diskursit përjashtues nga mesjeta në jetën shoqërore dhe politike të saj në dobi të diktatit sllav-ortodoks, historiografia institucionale shqiptare, gjithnjë nën diktatin ideologjik, ka krijuar mundësi të reja, që i njëjti diskurs, të ndikojë drejtpërdrejt edhe raportet e brendshme antihistorike, sidomos ato që solli fillimi i Luftës së Dytë Botërore dhe përfundimi i saj, me ç’rast, fitorja e ideologjisë komuniste dhe përfshirja e dhunshme e shqiptarëve në të, shkaktoi dëme të mëdha gjithë atyre zhvillimeve me të cilat, në përputhje me rrethanat që krijoheshin, kërkohej që të korrigjoheshin vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës. Kështu, historiografia ideologjike, fitores së komunistëve shqiptarë në radhët e Frontit Antifashist si dhe krimeve të rënda, që u ushtruan nga ana e tyre pas marrjes së pushtetit në bashkëveprim me partizanët jugosllavë, u dha “alibi” në emër “të luftës klasore” dhe qërimit të hesapeve me “kuislingët dhe fashistët”! Me këtë rast edhe slogani “luftë nacionalçlirimtare” u ngatërrua deri te keqpërdorimi, kur dihet “komunizmi” jo vetëm që e përjashton “kombëtarën” por edhe e lufton atë, siç ndodhi në vërtetë. Në këtë frymë, pra që të luftohet çdo përpjekje e kombëtarizmës dhe frymës së saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, u erdhën në ndihmë edhe formulimet “kuislingë” dhe “fashistë” ndaj atyre që vepronin për shtet të përbashkët shqiptar në përputhje me rrethanat e kohës, siç ishte shteti i pavarur shqiptar i viti 1943 që doli nga Kuvendi i Dytë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i nëntor 1943, që përfshiu pjesën më të madhe të viseve etnike shqiptare të shkëputura dhunshëm gjatë pushtimit serb dhe grek të vitit 1912. Qeveria shqiptare e vitit 1943-1944 si dhe rrethanat që e nxorën atë, historiografia shqiptare duhet t’i rishqyrtojë dhe t’i trajtojë në përputhje me rolin historik dhe pasoja që prodhoi ajo si një veprim patriotik i elitave intelektuale, që kishin për detyrë të shfrytëzonin raportin e forcave politike për interesat kombëtare, siç ishin ato të krijimit të një shteti të përbashkët shqiptar. Ky rishikim, bashkë me atë që solli ripushtimi i Kosovës nga Beogradi në nëntor të vitit 1944 në saje të bashkëpunimit internacionalist të komunistëve të Shqipëpisë me ata të Titos me pasoja tragjike për Kosovën (me mbi 50 mijë të vrarë nga terrori partizan), me çështjet tjera që lidhen me vazhdimësinë historike të shqiptarëve në të gjitha fazat e saj nga antikiteti, mesjeta e deri te koha jonë, natyrisht se tërheq pas veti edhe vargoin e korrigjimeve, nga ato të vazhdimësisë pellazge, pranimit të trinomit mbretëror ilir në antikitet (maqedon, dardan, epirot), rolit të Ilirikut në themelimin e Bizantit, pa përjashtuar këtu edhe strukturat feudale autonome në të në fazën e dekompenzimit të tij, pastaj të pushtimeve osmave dhe të krijimit të realiteteve shoqërore dhe politike pesqindvjeçare në të për t’u sqaruar pastaj edhe Rillindja Kombëtare dhe gjithë ai zhvillim që çoi deri te pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912, ku me vendimet e Konferencës së Londrës qendra historike (Kosova) u kthye në periferi me fatin tragjik të shuarjes si etni historike dhe kulturore me asimilim ose gjenocide. Në kuadër të këtyre ndryshimeve, krahas fokusimit tek roli i fuqive të mëdha te fatet e shtetit shqiptar dhe çështjes shqiptare në përgjithësi nga lufta e parë botërore e deri te ajo e dyta, përqendrimi te stigma “revolucion” dhe “kundërrevolucion” ka rëndësi të veçantë, meqë ajo nuk nënkupton vendosje-zhvendosje mekanike të tyre, kur njëra gjendje zëvendëson tjetrën, siç është vepruar deri më tani, por kërkon korrigjimin e pikëpamjeve të deritanishme si dhe rishkrimin e historisë në përputhje me to, meqë ato nuk kanë dominuar vetëm logjikën politike në vitet e dyzeta dhe të pesëdhjeta të shekullit të kaluar në Shqipëri dhe Kosovën e pushtuar nga Begoradi, por në vazhdimësi në të dy anët e murit shqiptar, kur në njërën anë, është përdorur për forcimin e diktaturës staliniste, ndërsa në anën tjetër, është përdorur për t’u shtypur vullneti i shqipatarëve për barazi, siç ishte rasti me kërkesën për republikën e Kosovës të shfaqur në vitin 1968 dhe të rikthyer fuqishëm në vitin 1981.

Ndonëse, kërkesa për korrigjime dhe rishqyrtime historiografike shfaqet e papranueshme nga shumë historianë institucionalistë, që kanë qenë pjesë e diktatit të dogmave të tilla dhe sot e gjithëditën gëzojnë privilegje “akademike” dhe madje disa prej tyre edhe aso politike duke u dhënë “alibi” edhe reinkarnimit të politikave antishqiptare siç ishin ato të lidhjeve ideologjike me lindjen, megjithatë, nuk është vetëm e drejta e çdo gjenerate për të vërtetën e vet, siç e thotë Hadegeri, por mbi të gjitha është nevoja që shoqëria shqiptare të lirohet nga mashtrimet ideologjike dhe ato të diktateve nga jashtë, veçmas të historiografisë serbe, në mënyrë që të krijojë rrethanat për bashkim të brendshëm shpirtëror, kulturor, po edhe shoqëror dhe politik. Mistifikimet, mbajtja e tyre “nën embargo morale” dhe të ngjashme nga frika se mund të prodhojnë përçarje, janë vetëm arsyetime antihistorike, që pamundësojnë katarsisin që i duhet secilës shoqëri që jeton nën robëri të gjata… /KultPlus.com

Adem Jashari në Kosovën e pasluftës

Nga Jusuf BUXHOVI

Opinioni kosovar prej kohësh është i mbërthyer brenda kllapave: presidenti historik dhe komandanti legjendar. Realiteti brenda të cilave sot jeton qytetari ynë në vazhdimësi bën trysni mbi ndërgjegjen e tij historike sa epitetet e tilla duken si eufemizma që mbulojnë një gjendje irracionale të jetës shoqërore të këtij aktualiteti tonë. Sa më shumë kohë që shkon dhe sa më shumë që konsolidohet një proces historik gjithnjë e më shumë vjen duke u kristalizuar ndërgjegjja historike, e cila shtron shumë imperativë jo vetëm nga individë dhe grupime shoqërore, por edhe nga qytetari i zakonshëm, të bëjë një ridimensionim të këtij procesi historik. Kush është në të vërtetë komandanti legjendar Adem Jashari në këtë kostelacion të ndryshueshëm mental, cila është përmasa e tij reale dhe vendi në këtë proces historik? Dy janë pozicionet reale: a)Madhështia e sakrificës, dhe b)Roli i tij në formacionet së pari politike e së fundi ushtarake. Adem Jashari, si prijatar i gjithë familjes Jashari, së bashku më të vëllain, Hamzën, për shkak të një sakrifice të jashtëzakonshme, që tejkalon modelin e Oso Kukës, ofron shembullin e sakrificës sublime për një ide, idenë e shtetit të Kosovës dhe lirisë së popullit të Kosovës. Në këtë sakrificë kaq të dhembshme sa është shndërruar në një metaforë që përfshin sakrificën kolektive pa çmim, për një ideal. Përmasa e kësaj sakrifice ka bërë që emri i Adem Jasharit, që nënkupton të gjithë familjen, të marrë një referencialitet jo vetëm politik, por edhe shpirtëror. Nuk është i rastit lindja edhe sloganit të njohur, me rastin e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur: “Bac, u krye!”, e cila më vonë pëson modifikime të ndryshme, por gjithnjë duke ruajtur në thelb atë mesazhin kryesor se sakrifica është me vend apo edhe se ajo po shpërdoret. Mirëpo, esenca e mesazhit mbetet e pandryshuar: ideali për të cilin u bë sakrifica duhet të jetë i përhershëm dhe se është figura e tij duke u mitizuar është ngritur në piedestalin e lirisë prej nga sheh gjithçka dhe që na qorton. Mirëpo, figura e Adem Jasharit, duke qenë se është reale, se ka një histori, e cila ka pësuar transformime të ndryshme, na detyron ta trajtojmë këtë histori të personalitetit brenda një kornize reale aq sa edhe historike. Adem Jashari, Hamzë Jashari dhe e gjithë familja Jashari që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta ka qenë e angazhuar në procesin politik të shtetndërtimit, të cilës i ka prirë LDK-ja. Madje në këtë angazhim shtetndërtues kjo familje është dalluar për seriozitetin e angazhimit, qoftë kur është fjala për organizimet e aktivitetit në nivel politik, por edhe në nivele të tjera, siç është kontributi i Rifat Jasharit rreth Fondit të Republikës së Kosovës, i cili më vonë në mënyrë pezhorative u quajt si “Fondi i Tre përqindëshit”, që realisht i mbante gjallë segmentet kryesore të jetës institucionale në Kosovën e atëhershme. Mirëpo, aktiviteti i tij nuk përmbyllet vetëm në aktivitetet rreth përditshmërisë politike në jetësimin e një projekti ideal, sepse përfundimi i këtij procesi kërkonte edhe angazhime të formave të tjera. U pa qartë se pa një veprim ushtarak nuk mund të jetësohet deri në fund projekti historik i Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Me kohë, duke evoluar proceset, edhe lëvizja shqiptare në Kosovë për pavarësi ndryshoi modalitetet e veprimit, duke e hetuar qartazi se pavarësia nuk mund të realizohet vetëm me metoda paqësore. LDK-ja madje që vitet e hershme e kishte të ashtuquajturin planin “B”, domethënë organizimin ushtarak. Opinionit tonë nuk i është shumë e njohur një marrëveshje midis dy shteteve, atij shqiptar me atë kosovar për një bashkëpunim ushtarak, problematikë kjo që shtrohet te vepra “Kosova” në pesë vëllime si dhe në botimin anglisht. Prandaj Adem Jashari është ndër prijatarët e zbatimit të marrëveshjes mes dy presidentëve, Ramiz Alisë dhe dr. Ibrahim Rugovës, për përgatitjen e formacioneve ushtarake dhe shndërrimin e tyre në formacione operative që në rrethana të caktuara do të futen në territorin e Kosovës dhe do të merren me organizimin e luftës në të gjitha nivelet. Të gjithë e dimë përbërjen e formacionit të djemve të rinj që ushtruan në Surrel, midis të cilëve shquhen Adem Jashari, Sali Çekaj, Zahir Pajaziti dhe shume emra të tjerë që me të drejtë trajtohen si nismëtarë të organizmit ushtarak në territorin e Kosovës. Cili ka qenë roli i Adem Jasharit dhe i këtij formacioni ushtarak mbetet që më vonë të trajtohet nga historiografia ushtarake, e cila do të merret me shqyrtimin e strategjive dhe doktrinave ushtarake që do të zbatoheshin në rast të fillimit të luftës në Kosovë, gjë që e cila edhe ndodhi. Mirëpo, një gjë është e qartë: lufta në Kosovë momentin e vet të fillimit e ka në sulmin e policisë dhe ushtrisë serbe mbi familjen Jashari dhe me sakrificën e Jasharajve. Roli i Adem Jasharit në këtë luftë është trajtuar në mënyra të ndryshme. Rënia e tij jo në ditët kur ndodhi sakrifica e madhe, por pak kohë më vonë, filloi të mistifikohet dhe vetë personaliteti i tij të vishet me një vel mistik sa që për një kohë të shkurtër nga realiteti historik kalon në legjendë. E vërteta është se Adem Jashari e filloi luftën, por jo bashkë me formacionet ushtarake, si ato të Labinotit e as të tjera, që u formuan paralelisht, me synimin që ta zënë një hapësirë boshe e krijuar atëherë nga paqartësitë edhe te subjektet tona institucionale, por edhe nga vetë defensiva e faktorit ndërkombëtar në raport me zhvillimet e reja. Në këtë konstelacion figura e Adem Jasharit na del tejet komplekse. Në njërën anë, ai vishet me një vello legjende, duke ia mbyllur një histori të jetës dhe të veprës, dhe në anën tjetër, megjithatë, si personalitet i mistifikuar apo pa këto elemente, ai mbetet një nyje kyçe në zhvillimet ushtarake. Është e vërtetë se ai i ka takuar vetëm një formacioni ushtarak, grupacionit që në vijën institucionale është dërguar të ushtrojë në poligone të ndryshe ushtarake me qëllim që të krijohet një kuadër i përgatitur për ta organizuar dhe zhvilluar një luftë çlirimtare. Si i tillë ai ishte dhe duhej të mbetej një ndërlidhës, personalitet që si pak kush do të mundësonte të lidhej politika me luftën. Dihet mirëfilli për një dhjetëvjeçar është zhvilluar një politikë dhe një proces shtetndërtimi, ku në sipërfaqe ka qenë parimi i politikës pa luftë. Pas disa viteve në sipërfaqe del koncepti tjetër, prapë i çalë, i luftës pa politikë. Këto mangësi sot po i vuan shteti i ri sepse në momentet kyçe të historisë nuk arriti të bëjë një unifikim, një front të përbashkët lufte dhe një përfaqësim politik. Ky vakum, të cilin është përpjekur ta përmbush personaliteti i Adem Jasharit, por që mbeti i parealizuar për shkak të ngjarjeve në të cilat rolin kryesor e pati Adem Jashari dhe familja e tij. Po të përmbushej ky vakum institucional sot as do të kishte nevojë për gjykata speciale e as për status dualiteti të shtetit, sovraniteti i të cilit jo vetëm se është i brishtë, por cenohet në të gjitha mënyrat. Vetëm me Adem Jasharin, si personalitet pa aureolë mitike e legjendare, Kosova do të kishte atë homogjenitetin e domosdoshëm politiko-ushtarak, të cilin nuk e ka dhe për të cilin sot po paguan një tagër të rëndë. Vepra dhe jeta e Adem Jasharit nga pozicioni i sotëm shtron nevojën për një rishqyrtim të pozicionit që domethënë heqjen e aureolave të tymit mbi të dhe kthimin e meritave reale historike. Nëse vitet e nëntëdhjeta, deri në shpërthim të luftës, janë shquar më një homogjenizim nacional para rrezikut të mundshëm të një konflikti më të gjerë që do të pasonte pas dekompozimit të ish federatës jugosllave, me fillimin e luftës ky lloj homogjeniteti ra, u bë fragmentimi i forcave politike dhe i popullatës në përgjithësi, duke e kaluar popullatën nëpër Kalvarin e një përndjekje që e quajtën biblike, periudha e pasluftës kaloi në përpjekjen për monopolizim të institucioneve në fillim parashtetërore e pas shpalljes së pavarësisë edhe shtetërore. Prandaj ky despotizëm që po e karakterizon gjendjen e këtij shteti është pasojë edhe e mjegullimit të rolit të personaliteteve të caktuara që na i dha ajo periudhë e vrullshme. U harrua sakrifica e madhe e Jasharëve, Deliajve, Ahmetajve dhe e Reçakut, që ishte uvertura për një ndërhyrje ushtarake të Perëndimit në emër të shpëtimit të një populli nga gjenocidi. E vërteta është se Adem Jashari dhe familja e tij, bashke me shume familje të tjera të njohura të Kosovës, ranë në emër të shtetit, në emër të përfundimit të një procesi historik të filluar nga shumë breza para nesh për një shtet që dikur quhej Dardani dhe që ishte epiqendër e zhvillimeve botërore. Kështu, Adem Jashari mbetet shembull i sakrifikimit për shtetin. Edhe të gjithë luftëtarët e tjerë që dhanë këtë e vetë e dhanë pikërisht për këtë shtet, që duhet të jetë shenjtëri. Klasa e sotme politike e ka harruar mesazhin e përjetshëm të sakrificës së Jasharëve dhe të familjeve të tjera, duke e shndërruar këtë shtet në një monedhë për kusuritje për shkak të ambicieve vetjake, në një projekt që nuk po i dihet fundi. Me tradhtinë ndaj amanetit të Jasharëve nuk po tradhtohet vetëm mesazhi i një sakrifice, por edhe një investim ndërkombëtar. Miqtë tanë ndërkombëtarë, falë të cilëve na sot e kemi këtë shtet, janë shumë të dëshpëruar me ne, me mungesën e logjikës së shtetformimit, me personalizimin e pushtetit, me monopolizimin e institucioneve. Dhe që të gjitha këto janë larg praktikave demokratike të botës . Ky vend nuk ka nevojë për praktika revolucionare, nuk ka nevojë për ikonografi dhe stoli revolucionare, të cilat nxjerrin në pah një gjë: monopolin mbi të vërtetën e aq më tepër monopolin mbi pushtetin institucional të të gjitha niveleve. Sukseset në jetë nuk maten me disfata po me fitore. Është koha që kjo mendësi sllave të hiqet nga të menduarit tonë për historinë dhe filozofia jonë historike. Ridimensionimi i një procesi historik dhe i figurave përfaqësuese të saj shtron një nevojë të paevitueshme: kthimin e dëshmorëve dhe gjithë atyre që kanë luftuar për shtetin e Kosovës nga prona partiake në pronë të përgjithshme se ata janë personalitete që dolën prej popullit dhe duhet t’i kthehet popullit, të jenë pronë e të gjitha partive e jo instrumente për luftën për pushtet. Vetëm kështu mund të kemi histori reale dhe një të ardhme jokonfliktuale. Herëdokur do t’iu jepet llogari brezave që vijnë për veprimtarinë e sotme. Njeriu e jeton jetën që të dalë faqebardhë para brezave që vijnë. /KultPlus.com

Buxhovi: Një studim i rëndësishëm për rolin e Britanisë në çështjen shqiptare

NJË STUDIM I RËNDËSISHËM PËR ROLIN E BRITANISË NË ÇËSHTJEN SHQIPTARE

Daut Dauti: “Britania dhe çështja shqiptare gjatë rënies së Perandorisë Osmane 1876-1914”, botoi Logos, 2020, faqe 456.

Nga Jusuf BUXHOVI

Roli dhe rëndësia e Britanisë së Madhe në çështjen shqiptare nga Kriza Lindore e deri te Pavarësia shqiptare, deri më tani, nuk ka gjetur trajtim të duhur në historiografinë shqiptare. Madje, edhe kur është prekur, kanë munguar faktorët meritorë, siç është pasqyrimi i dokumenteve autentike si dhe  vendit dhe rolit të politikës autentike britanike në rrethanat e kohës, veçmas në ato që përcollën procesin e shembjes së Perandorisë Osmane e deri te pavarësia e shtetit shqiptar. Në mungesë të tyre, kemi paraqitjen fragementare, të shumtën të ndërtuar mbi stereotipet e qëndrimeve që ka ofruar historiografia e njëanshme serbe, ruse dhe pjesërisht ajo gjermane, ose ato të klisheve të njohura ideologjike, të cilat rolin e veçantë të Britanisë në këto zhvillime, e kanë interpretuar njëanshëm, prej nga është krijuar përshtypja e gabuar për rolin e saj në përputhje “me interesat hegjemoniste”, të afërta me ato franceze-ruse në kuadër të Antantës.

Studimi i Daut Dautit paraqet përpjekjen e parë serioze të historiografisë sonë që pamja e politikës së Britanisë së madhe në raport me çështjen shqiptare gjatë rënies së Perandorisë Osmane e deri te fillimet e luftës së parë botërore, të shihet në një dritë tjetër, në përputhje me rolin e saj aktiv thuajse në të gjitha fazat e këtyre zhvillimeve, natyrisht në kuadër të interesave të veta, që kanë qenë edhe “të veçanta” në rrethanat e konfrontimeve midis interesave austro-gjermane dhe atyre ruso-franceze, por që atë e kanë përfillur si një realitet në kuadër të ristrukturimeve  të hartës së re politike dhe shtetërore  europiane që filloi të marrë fizionominë e vetë nga Kongresi i Berlinit e deri te Konferenca e Ambasadorëve. Merita e autorit, në këtë zhvillim, gjithsesi duhet parë te kompleksiteti i çështjes brenda për brenda përvijimeve politike britanike si dhe  të raporteve me fuqitë e kohës ku Britania ka ndjekur interesat e veta strategjike dhe  ekonomike në Lindje të Afërme dhe atë të Mesme. Problematika e parë trajtohet me një qasje serioze tek pasqyrimi i asaj që emërtohet si “Periudhë e Post-Berlinit”, pra te koncepti i “Liberalizimit britanik dhe Ballkani” e ku përfshihet edhe “Politika e jashtme britanike dhe çështja shqiptare 1883-1903”, me ç’rast, thuajse për herë të parë, hidhet dritë tek qasja liberale e Komitetit Ballkanik rreth autonomisë së Maqedonisë, me çka fillon edhe faza e implikimit të drejtpërdrejtë të politikës britanike në pjesën europiane të Perandorisë Osmane, mbi bazat e konceptit Gladstoneit  i njohur edhe si “Britannian Pacificatrix”, prej nga, në zhvillimet e mëvonshme, çështja shqiptare do të marrë një dimension politik me angazhimin e Auberty Herbertit në Komitetin për Shqipërinë dhe shtetin shqiptar, si një kauzë për çështjen kombëtare shqiptare ndër më të rëndësishme e kohës në radhën e fuqive të mëdha.

Natyrisht se dioptria e kundrimit të autorit përcjell me shumë vëmendje faktorët që ndikuan kapërcimin e politikës britanike  nga ajo e Komitetit ballkanik rreth Maqedonisë tek çështja shqiptare, që mori përsipër Komiteti Shqiptar i përbërë nga autoritete të rëndësishme politike dhe diplomatike britanike që shtroi ndikim të madh në Konferencën e Londrës për njohjen e shtetit të pavarur shqiptar, ndonëse të përgjysmuar.

E arritur e mirë e këtij studimi që përthekon rolin e politikës britanike për çështjen shqiptare nga vitet 1886-1914 gjithsesi janë edhe kapitujt (VII) për Edith Durhamin dhe angazhimin e saj të madh që mbi pikëpamjet gladstoniane për Ballkanin edhe shqiptarët të vihen në mesin e popujve të Ballkanit, paçka se ky koncept mohonte parimin e nacionalitetit. Si dhe kapitulli (VIII), për Abrey  Herbertin dhe rolin e tij të madh me Komitetin për Shqipërinë.

Pra, vepra si e tillë, duhet të përkthehet në gjuhën angleze, meqë plotëson boshllëkun e studimeve serioze të kësaj natyre, që ka lënë historiografia institucionale me ngarkesa ideologjike në Tiranë dhe Prishtinë.

…./ KultPlus.com

‘Dosja B’ – Roman që flet për anën e errët të luftës

Nga Xhafer LECI

Jusuf Buxhovi, është historian dhe politikan nga më të njohurit e trojeve të Shqipërisë Etnike. Ky libër, si edhe shumë të tjerë, është publikuar edhe në anglisht. Kënaqësi! Dëshiroj të shkruaj pak fjalë. Romani “Dosja B” trajton tema të rëndësishme, për zhvillimin e luftës së fundit në Kosovë, duke përshkruar ngjarje të dhimbshme konfliktuoze mes faktorëve ” të rezistencës institucionale” dhe “rezistencës së armatosur”, të cilat kanë shkaktuar një luftë të hapur kriminale për pushtet, pasojat e së cilës po i ndjejmë edhe sot.

Autori ka prekur temën ende aktuale të një rrëfimi të një vrasësi të penduar, i cili dhjetë vjet pas përfundimit të luftës, i shtyrë nga vrarja e ndërgjegjës, shpirti i tij i lënduar, rrethanat tjera politike, rast shumë i rrallë në historinë e njerëzimit, ai, publikisht, kërkon dënimin e tij nga drejtësia, për kryerjen e një vrasje të organizuar kriminale. Duke u marrë në pyetje nga një hetues gjerman të EULEX-it, i cili kishte filluar zbulimin e lidhjeve kriminale të faktorëve vendorë, në bashkëpunim me ata ndërkombëtarë, të cilët kishin arritur, në bashkëpunim, ta parandalojnë mosfunksionimin e shtetit të Kosovës, në veçanti, të drejtësisë.

Hetuesi gjerman, duke zbuluar edhe vrasjet e dëshmitarëve, disa edhe të mbrojtur, vendos të largohet nga emisioni europian, për të bërë padi private, kundër UNMIKUT, EULEKX-it, BE-së dhe shtetit gjerman, të cilët në vend se të parandalojnë kriminin e organizuar, ata janë bërë pjesëmarrës në krim, duke punuar kundër drejtësisë, për të fshehur gjurmët e krimit! Autori tek ky roman, ka përgënjeshtruar bindshëm kundërshtarët ekstremistë majtistë, të cilët duke ditur se Prof. Jusuf Buxhovi, ka qenë krye-organizatori për themelimin e LDK-së, bile edhe Sekretar i Përgjithshëm i saj, janë munduar ta njollosin LDK-në, përmes emrit të Tij, kinse paska punuar në shërbim të autoriteteve të pushtetit të atëhershëm jugosllav.

Unë, Xhafer Leci, për akuzën e vetme që kanë përmendur deri më sot, majtistët, pra, LPK-ja, dhe kushdo tjetër kundër Prof. J.Buxhovit, kam dy fjalë: Bëhet fajlë për ish të burgosurin politik, H.G.,me të cilin kemi punuar bashkë, në vitet 1977-1979, në Fabrikën e televizorëve “Standard Elektrik Lorenc” në Esslingen të Gjermanisë. H.G. më dhimbset për vuajtjet e tij nëpër burgjet jugosllave. Kam respekt për H.G. si atdhedashës. Por, vërtet, H.G. nuk ka qenë ndonjë faktor aq i rëndësishëm politik, por vetëm një puntor. Atëherë lind pyetja, pse të merrej dikush i rangut të Prof. J.Buxhovit me të, e aq më pak, ta merrte në pyetje në burg! J. Buxhovi, nuk besoj kurrë ta ketë njohur e as parë me sy, derisa H.G. nuk ka dalur nga burgu dhe, në vitin 1990, ka shkuar në selinë e LDK-së, mendohet me porosi të dikujt, në barakat e atëhershme në Prishtinë.

Edhe në këtë rast më dhimbset H.G., i cili ka rënë pre e manipulimeve të disa ekstremistëve stalinistë, të dyshuar për veprime avetureske e udbeske, siç është I.K.,  e të tjerë, të fletushkës së atëhershme “Zëri i Kosovës”, e cila botohej në Zvicër!  H.G. sipas asaj që kam lexuar, kinse me atë rast të vizitës në selinë e LDK-së, gjoja se e paska njohur Prof. J.Buxhovin!  Tek H.G. kanë ardhur njerëz të dyshimtë, siç janë I.K.R.S.S.B., etj. Ky i fundit  e mashtron, e pret në besë dhe, H.G., u kap me disa libra e gazeta shqiptare, duke përfunduar në burg në vitin 1980 ! H.G. kur ka dalur nga burgu, ka pas ardhur në Stuttgart, tek djali i vet, nuk më kujtohet viti, besoj 1990,me atë rast e vizituam, unë Xh.Leci, Hajrullah Matoshi dhe Beçir Emini, ne të tre kemi punuar së bashku me H.G., por atëhrë, nuk kam dëgjuar për këtë akuzë. Për ndryshe do ta kisha pyetur. Për këtë kam shumë çfarë të them e të shkruaj, por po e përfundoi me kaq, sepse “nuk ia vlen barra qiranë”, thotë një urtësi popullore.

Wendlingen, 06.12.2019.

Jusuf Buxhovi: 17 shkurti i vitit 2008, i barasvlershëm me 28 nëntorin 1912

Nga Jusuf Buxhovi

Shteti i Kosovës paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit. Si i tillë, thuajse përmbush kornizën e konceptit politik të Rilindasve që etnia shqiptare në përmasat e katër vilajeteve sa kishte në prag të shembjes së Perandorisë Osmane, t’i kthehet botës perëndimore.

Kjo e arritur historike ishte pjesë e një kundërvënie  thuajse një shekullore mospranimit të pushtimit serb nga viti 1912 e deri në vitin 1999.  Ky proces i pandalshëm kaloi nëpër disa binarë: atë të rezistencës së armatosur (nëpërmes  luftës kaçake në vitet 1912-1924);  të përpjekjeve për bashkim kombëtar në përputhje me rrethanat (ato nga viti 1941-1944) ; të iredentizmit ideologjik nga viti 1945-1968 në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes ,si dhe atë për barazi e manifestuar me kërkesën për Republikën e Kosovës që u shfaq në vitin 1968 dhe në vitin 1981. Përgjegjësia që këtij rrugëtimi t’i jepej akti i fundit, i ra  Lëvizjes Kombëtare në vitet 1989-1999,  e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që drejtoi rezistencën institucionale dhe atë të armatosur, me ç’rast, me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990,  ia doli të shkëputet nga Serbia. Ndërsa me në Kuvendin e Kaçanikut, më 7 shtator 1990, shpallja e Repblikës së Kosovës, që u jetësua mbas zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992, ia krijoi platformën kushtetuese dhe institucionale shtetit të pavarur të Kosovës, që më 17 shkurt 2008 u pranua edhe ndërkombëtarisht.

Andaj, nga kjo pikëpamje, 17 shkurti i vitit 2008, është i barasvlefshëm me 28 nëntorin 1912.

Bota shqiptare ka arsye që këtë ditë ta kremtojë me dinjitet, ndërsa shteti shqiptar duhet që 17 shkurtin ta shpallë festë zyrtare.

Ky veprim, formulën e  bashkimit kombëtar e  konverton në atë të unionit të të dy shteteve shqiptare, si të drejtë të bashkimit në përputhje me vullnetin demokratik, që duhet ta ketë edhe miratimin e faktorit perëndimor./ KultPlus.com

Buxhovi: Shteti i Kosovës – e arritura më e madhe e shqiptarizmit në këtë shekull

Nga Jusuf Buxhovi

Rrugëtimi historik i shtetit të Kosovës, i shpallur më 17 shkurt 2008 dhe i konfirmuar në vitin 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, si proces i pandalshëm, kaloi nëpër disa faza. Fillimisht me atë të shkëputjes nga ripushtimi serb, që Kosovës iu bë me rrënimin e dhunshëm të autonomisë nga ana e Beogradit, më 23 mars 1989. Pastaj, me Referendumin për Pavarësi të shtatorit 1991, që për pasojë pati krijimin e shtetit paralel, që për tetë vite udhëheqi rezistencën insitutcionale deri te ajo e armatosur si dhe kohën e protektoratit ndërkombëtar, të vendos në përputhje me rezolutën 1244 të KS të OKB-së më 10 qershor 1990. Nuk duhet harruar se këtyre fazave u parapriu shfaqja e kërkesës për Republikën e Kosovës, në demonstratat e nëntorit të vitit 1968, e ngritur nga elita intelektuale dhe politike e kohës, e cila rrëzimin e Rankoviqit dhe ndryshimet që solli klima e re politike, e pa si një mundësi të madhe për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në drejtim të subjektit federativ, me çka lirohej nga tutela e Serbisë. Kjo kërkesë dhe zhvillimet tjera nëpër të cilat po kalonte federata jugosllave drejt federalizmit, bëri që me amendamentet kushtetuese të atij viti si dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, Kosova si krahinë, të fitojë statusin e njësisë federative, por jo edhe të republikës, ngaqë Tito nuk ishte i gatshëm për një konfrontim të mëtutjeshëm me Serbinë. Kërkesa për Republikën e Kosovës u rikthyer fuqishëm në vitin 1981, meqë Jugosllavia pas vdekjes së Titos në maj të vitit 1980, po hynte në një fazë të ndryshimeve, që paralajmëronin kthimin e saj nën mbikëqyrjen e Serbisë, që mund të fillonte pikërisht me rrënimin e pozitës së Kosovës në federatë. Këto faza gjithsesi ngërthejnë ngjarjet dhe vendimet e rëndësishme, që mundësuan njëra-tjetrën, në përputhje me zhvillimet që rrumbullakuan këtë proces historik, ku shpërbërja e federatës jugosllave e pranuar në konferencën e Hagës të gushtit 1991, ishte si pikënisje e saj, paçka se e gjitha kaloi nëpër një luftë dhe gjakderdhje me shumë tragjedi, e imponuar nga hegjemonizmi serb nën udhëheqjen politike të Millosheviqit. Kështu, faza e shkëputjes nga Serbia, që nga aspekti formal-juridik mund të përcaktohet “çlirim nga ripushtimi serb” në rrugë demokratike, paraqet themelet e këtij zhvillimi. Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut 1990, ishte guri i parë i saj, meqë Kosovën e shpalli njësi të pavarur në kuadër të federatës jugosllave. Me këtë akt legjitim të delegatëve të Kuvendit të Kosovës iu dha përgjigjja e duhur dhe e drejtë ripushtimit serb, që ndodhi me rastin e rrënimit me dhunë të autonomisë më 23 mars 1989.Ky vendim, gjithsesi duhej të përcillej edhe me aktin tjetër, po ashtu, të një rëndësie historike – shpalljen e Kosovës Republikë. Kjo u bë më 7 shtator 1990 në Kaçanik nga delegatët e Kuvendit të Kosovës. Kuvendi miratoi aktin më të lartë të saj – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që u quajt edhe Kushtetuta e Kaçanikut. Me këtë akt, Kosova u shpall njësi e pavarur e federatës jugosllave në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes, me çka i mundësohej statusi i pavarur dhe i barabartë në federatë deri të e drejta për shkëputje, siç e kishin edhe njësitë tjera federative.Procesi demokratik i shtetësisë së Kosovës i filluar me këto dy akte, kërkonte edhe referendumin për pavarësi, me çka përmbyllej legjitimiteti i tij. Kjo ndodhi me 24 shtator 1991, me ç’rast, qytetarët e Kosovës (kryesisht shqiptarët, po edhe pakicat tjera: turqit, romët dhe boshnjakët) i dhanë përkrahje plebishitare (me 99,3%) shpalljes së pavarësisë.Referendumi për Pavarësi krijoi rrethanat demokratike dhe juridike për ndërtimin institucional të shtetit të Kosovës në përputhje me aktet themelore – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të shpallur në Kuvendin e Kosovës në Kaçanik. Kushtetuta e Kaçanikut e shpallte Kosovën republikë parlamentare – shtet të shqiptarëve dhe të tjerëve që jetojnë në të, me gjuhën shqipe – gjuhë zyrtare. Kushtetua e Kaçanikut përcaktoi edhe hierarkinë institucionale të shtetit nga presidenti, qeveria dhe institucionet tjera të pavarura. Meqë Kosova ishte e okupuar nga forcat ushtarake dhe policore serbe, ndërkohë që pavarësia e shpallur me aktet kushtetuese me mjete demokratike, nuk njiheshin ndërkombëtarisht, konstituimi institucional i shtetit të Kosovës duhej t’u nënshtrohej rrethanave, me ç’rast shteti paralel shfaqej si forma më e përshtatshme e rezistencës institucionale, me të cilën demonstrohej kultura shtetformuese, si një deponim i paparë në praktikën ndërkombëtare, në shërbim të ndërkombëtarizimit të saj.Në kontekstin historik, i ashtuquajturi “shtete paralel”, që me pa të drejtë ose qëllimisht, që t’i mohoheshin atributet e shtetësisë , u quajt edhe “lëvizje paqësore”, “gandizëm” e të ngjashme, strumbullar kishte Qeverinë e Republikë së Kosovës. Ajo u themelua në fund të vitit 1991. Një pjesë e së saj do të vendoset në Shqipëri. Ndërsa disa ministri (dy në Zvicër) dhe të tjerat në Gjermani, që edhe pa njohje zyrtare, puna e saj u tolerua nga shteti gjerman. Në këso rrethanash, veprimtaria e gjithëmbarshme e Qeverisë së Kosovës në ekzil, bosht të “shtetit paralel” kishte fondit e trepërqindëshit, bazë materiale kjo prej nga, me improvizime dhe pa to, u drejtua jeta ekonomike, arsimore, kulturore si dhe veprimtaria shëndetësore deri në qershor të vitit 1999. Ndonëse me vështirësi dhe probleme të shumta që mund ta përcjellin një punë të tillë, ngaqë në njërën anë, ajo zhvillohej në rrethanat e pushtimit policor dhe ushtarak serb si dhe të terrorit shtetëror që ushtrohej ndaj çfarëdo forme të organizimit institucional, ndërsa në tjetrën anë i mungonte njohja ndërkombëtare (edhe pse heshtas nga shumë anë i pranohej de fakto roli i një lëvizjeje paqësore-autentike, që luftonte pushtimin serb në një formë tepër të veçantë, të paparë deri më atëherë), megjithatë, Qeveria e Republikës së Kosovës, formalisht kishte vu nën mbikëqyrje sektorët kryesor të jetës, duke përfshirë edhe mbrojtjen dhe sigurinë. Kështu, në fillim të vitit 1992 formoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Rendit, pra atë të policisë. Në të parën u përfshinë forcat ushtarake nga radhët e Mbrojtjes Territoriale të Kosovës (ushtarakë dhe oficerë të lartë që kishin shërbyer në Armatën Jugosllave). Ndërsa në të dytën, do të përfshihen forcat policore dhe ato të organeve të sigurisë, nga radhët e policisë së Kosovës dhe atyre të sigurisë, të cilat, pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, nëpërmes organizimit sindikal, kishin kaluar në radhët e institucioneve të Qeverisë së Kosovës. Këto dy ministri, do t’i nënshtrohen represionit të vazhdueshëm shtetëror serb, gjë që nga fundi i vitit 1993, pjesa më e madhe e pjesëtarëve të tyre (policë, ushtarakë dhe specialistë të tjerë të sigurisë) do të burgosen. Kjo ndikoi që Qeveria e Kosovës të pushojë përkohësisht veprimtarinë ushtarake dhe policore në Kosovës, duke u orientuar te organizimi i tyre “i përkohshëm” jashtë, me arsyetimin që kur të krijohen rrethanat, pra çastin që rezistenca institucionale të dinamizohet me rezistencën e armatosur si pjesë e strategjisë që politika të vazhdohet edhe me mjetet e luftës, të veprojnë edhe në Kosovë. Kjo, megjithatë, nuk pengoi, që nën sloganin e “mbrojtjes së shtëpisë”, të ruhet fryma e kundërvënies me anën e grupeve të shkapërderdhura, si guerilë vendore në Dukagjin, Drenicë, Llap dhe gjetiu, të cilat vepruan nga viti 1991 e këndej, prej nga, në vitin 1997 u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si një faktor i cili në planin politik ndikoi që lufta e deriatëhershme diplomatike (veçmas pas Dejtonit) të zëvendësohet me diplomacinë e luftës (pas marrëveshjeve të Rambujesë). Ndërsa në planin gjeostrategjik – Kosovën dhe krizën e saj, që deri më atëherë konsiderohej “çështje e brendshme e Beogradit” – ta kthejë në agjendën e faktorit ndërkombëtar të vendosjes çoftë si çështje humanitare, meqë Millosheviqi, pasi kishte refuzuar marrëveshjen e Rambujesë, kishte filluar ofensivën ushtarake për t’iu dhënë një zgjidhje me anën e luftës, ku planifikohej edhe një gjenocid i përmasave të mëdha. Kjo legjitimoi edhe ultima ration ndërkombëtare, e pasqyruar me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga ajri ndaj forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Kosovë dhe caqet tjera ushtarake në Serbi, nga 23 marsi deri më 10 qershor 1999, që solli çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe për pasojë pati vendosjen e saj nën administrimin ndërkombëtar të përcaktuar me rezolutën e KS të OKB-së 1244 të 10 qershorit 1999. Pra, rezistenca e armatosur, nën emblemën e UÇK-së, përkundër ndasive të brendshme, përçarjeve dhe problemeve të shumta midis rrymave institucionale dhe jashtë institucionale, që atë e lanë pa një qendër drejtuese, paraqet rezistencën e parë të armatosur të shqiptarëve kundër soldateskës jugosllave në formën e një kryengritjeje popullore, me çka iu hapën rrugët ndërhyrjes së armatosur të NATO-s. Kështu që, shfaqja e UÇK-së, shënoi kthesën historike, që i dha epilogun e duhur politik lëvizjes shtetformuese.Vendosja e Kosovës nën administrimin ndërkombëtar nga 12 qershori 1999 deri më 17 shkurt 2008, me ç’rast përgjegjësinë për krijimin e institucioneve demokratike të vendosura mbi katër shtyllat e sistemit juridik-parlamentar e mori përsipër UNMIK-u, ndërsa sigurinë NATO-ja, krijuan rrethanat për shtetësinë e Kosovës. Shpallja e saj më 17 shkurt 2008 nga Parlamenti i Kosovës, në të vërtetë, është një konfirmim ndërkombëtar i vendimeve që ishin marrë në verën e vitit 1990 (me Deklaratën e 2 korrikut dhe Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator) dhe vjeshtën e vitit 1991(me mbajtjen e Referendumit për Pavarësi). Shpallja e shtetit të pavarur të Kosovës më 17 shkurt 2008, megjithatë la të hapur procesin e përmbylljes dhe të konsolidimit të tij në planin e brendshëm dhe, veçmas atë të jashtëm, përderisa Kosova të njihet ndërkombëtarisht nga Organizata Botërore, me çka ajo fiton edhe vendin e vet në të gjitha mekanizmat dhe organizatat botërore për të qenë e barabartë me të tjerët. Ndonëse Kosova, si shtet është njohur nga mbi njëqind vende (nga SHBA-ja dhe vendet kryesore të NATO-s dhe ato kryesore të BE-së), megjithatë ajo ka mbetur jashtë strukturave Veriatlantike dhe të BE-së. Ngecjen këtu duhet kërkuar më shumë te shkaktarët e brendshëm, te faktori politik shqiptar dhe prirja që interesat e pushtetit të vihen mbi ato të konsolidimit të shtetit. Korrupsioni, krimi i organizuar, kapja e institucioneve nga brenda me anën e nepotizmit dhe strukturave kriminale, e mbi të gjitha mungesa e shtetit ligjor, Kosovës i kanë dhënë atributet e “shtetit të dështuar nga brenda”!Kjo gjendje ka bërë që Kosova të shikohet me mosbesim nga aleatët, që e kanë ndihmuar krijimin e tij në përputhje me interesat e tyre gjeostrategjike, (në radhë të parë SHBA-ja dhe vendet kryesore evropiane), ndërsa nga Serbia dhe Rusia, që e kanë kundërshtuar dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë me të gjitha mjetet, të pengohet konsolidimi i tij duke e paraqitur atë “si vatër krize”, së cilës i duhet rikthimi te “pika zero”, pra te protektoratit ndërkombëtar të përcaktuara me rezolutën 1244 të OKB-së.Këtij diskursi, gjithsesi se i ka ndihmuar sjellja e papërgjegjshme e kreut politik të Kosovës, duke përfshirë ish presidentin Thaçi dhe ndihmaçarët e tij, të cilët, gjatë katër viteve të fundit, gjoja në emër të normalizimit të raporteve me Serbinë dhe të “një pajtimi historik”, hapën çështjen e ndryshimit të kufijve – veprim ky që ishte kryekëput në përputhje me konceptin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve për krijimin e rrethanave për një Serbi të madhe, që për kurban do ta kishte pikërisht shtetin e Kosovës, të pranuar nga GJND-ja, ku disa pjesë të tij (disa komuna të parëndësishme), do t’i bashkoheshin Shqipërisë, me çka “problemet historike midis shqiptarëve dhe serbëve” do të konsideroheshin të mbyllura e me këtë edhe rajoni nuk do të paqësohej!Ky sakrifikim, gjithsesi do të ishte i mangët, pa pëlqimin e shtetit shqiptar dhe angazhimin e politikës zyrtare të Tiranës, siç ndodhi me marrëveshjet e fshehta të Ramës me Vuçiçin që patën edhe bekimin e Thaçit dhe të klientelistëve të tij të shumtë medialë në Tiranë dhe Prishtinë.Ndonëse djallëzia e Beogradit dhe ndihmaçarëve të tyre në Shqipëri dhe Kosovë ra në ujë, ngaqë nga SHBA-të dhe vendet kryesore evropiane (Gjermania dhe Britania e Madhe), nuk u pranua dhe u hodh poshtë si një karrem i rrezikshëm serbo-rus, megjithatë kjo la të hapur anatemën e rrezikimit të shtetit të Kosovës nga brenda, përderisa në Prishtinë, po edhe në Tiranë, të kenë pushtet politik, aktorët e shantazhaur, që kanë përgjegjësi për këtë gjendje. Andaj, shteti i Kosovës, katërmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, ka nevojë për një ndryshim politik rrënjësor, që për moto duhet ta ketë kosovocentrizmin, si një kauzë afatgjate në shërbim të konsolidimit shtet i pavarur, i lirë dhe demokratik. Kosovocentrizmi si i tillë, i shërben edhe kumbarëve të shtetit të Kosovës (SHBA-ve, NATO-s , Gjermanisë dhe vendeve kryesore evropiane). Siç i shërben edhe rajonit që ta mbrojë nga ndikimi serbo-rus për ta vu nën mbikëqyrje atë po qe se shqiptarët vetëdefaktorizohen. Por, kosovocentrizmi, mbi të gjitha i shërben edhe çështjes shqiptare në përgjithësi, meqë dy shtete shqiptare, demokratike dhe të lira, pengojnë rikthimin e koninkturave të vjetra, që u shkojnë për shtati interesave hegjemoniste serbe dhe greke. Ndaj, është e domosdoshme, që Shqipëria, 17 shkurtin ta shpall festë zyrtare. Me këtë veprim, hiqet dorë nga formula ideologjike e shekullit të kaluar për bashkim kombëtar që ka përfunduar çastin që Konferenca e Londrës njohu shtetin e përgjysmuar shqiptarë ndërsa gjysmën tjetër të etnisë shqiptare e la nën pushtimin serbe, malazias dhe grek, por i hapet rruga një unioni të mundshëm të dy shteteve shqiptare në përputhje me vullnetin demokratik të të dy anëve dhe me pëlqimin e aleatëve perëndimorë. Ky përcaktim gjithsesi ka rëndësi historike edhe për shqiptarët në Maqedoninë Veriore, meqë midis dy shteteve të fuqishme shqiptare, aleate të perëndimit, Maqedonia e Veriut do të jetë e detyruar që të plotësojë kërkesat e shqiptarëve për barazi kushtetuese, pra si popull shtetformues dhe assesi, si deri me tash, t’i trajtojë “si shkëputje kombëtare”, pra si ardhacakë. (Shkëputje nga libri “Kosova – histori e shkurtër”, që doli së voni nga shtypi). /KultPlus.com

‘Historiku i emancipimit arsimor, kulturor dhe kombëtar të Shqiptarëve lidhet ngushtë me themelimin e Universitetit të Prishtinë’

Jusuf Buxhovi

Historiku i emancipimit arsimor, kulturor dhe kombëtar të Shqiptarëve në ish Jugosllavi si dhe procesi i shkëputjes politike nga Serbia nga fundvitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, lidhet ngushtë me themelimin e Universitetit të Prishtinë, më 15 shkurt 1970. Mund të thuhet se nga dita që u themelua Universiteti i Prishtinës, ky zhvillim historik u vu në binarët e pakthyeshëm. Ato që tha rektori i parë i Universitetit të Prishtinës, akademik Dërvish Rozhaja, gjatë seancës solemne në Kuvendin e Kosovës, se vetëdija arsimore dhe kulturore e kultivuar në institucionet më të larta të dijës dhe të shkencës, siç është universiteti, përcaktojnë edhe atë shoqërore dhe politike, u kthyen në platformë politike të kthesës historike nëpër të cilën kaloi Kosova gjatë lëvizjes kombëtare të fundviteve të tetëdhjeta dhe atyre të nëntëdhjeta e deri te shpallja e pavarësisë shtetërore, më 17 shkurt 2008.Andaj, nuk është e rastit që në listën e nismëtarëve të themelimit të LDK-së ishin edhe rektorët e Universitetit të Prishtinës: akademik Dervish Rozhaja dhe akademik Idriz Ajeti. Ndërsa akademik Gazmend Zajmi ishte njëri ndër ideatorët kryesorë të Programit politik të LDK-së si dhe dokumentve themelore të shkëputjues nga Serbia: Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutës së Kaçanikut të 7 shtatorit 1990.Në vazhdën e angazhimit të rektorëve të Universietit të Prishtinë në kuadër të lëvizjes kombëtare duhet përkujtuar edhe rolin e akademik Idriz Ajetit si Kryetari i parë i Parlamentit të Kosovës nga zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992 kur iu vunë themelet parlamentare shtetit të Kosovës. Me këtë rast duhet përkujtuar edhe kontributin e madhe të rektorit të Universitetit të Prishtinës, profesor Ejup Statovcit, njëherësh edhe anëtarë i Këshillit Qendrot të LDK-së, për dinamizimin e lëvizjes së rezistencës kombëtare në tetoritn të viti 1997 me anën e protestave të studentëve, që i dhanë impulset vendimtare rezistencës së armatosur. /KultPlus.com

Kronikë e eksodit të papërfunduar shqiptar

Jusuf Buxhovi

Afrim Krasniqi: “Kriza e ambasadave – Shqipëria në vitin 1990”, monografi. Botoi: Institui i Historisë i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2020. Eksodet e mëdha shqiptare, nga ato që njohim (pas vdekjes së Skënderbeut dhe rrënimit të diktaturës komuniste në Shqipëri), kryesisht lidhen me disfatat e mëdha historike të shqiptarëve, siç ishte ajo e para pas ripushtimit osman të Shqipërisë nga fundi i shekullit XIV dhe, kjo e fundit, nga jeta gjysmëshekullore nën diktaturën më të egër komuniste që njohu bota. Nëse mund të thuhet se eksodi i parë përfshiu fisnikërinë shqiptare nga radhët e feudalëve dhe ushtarakëve që ishin pjesë e luftës çlirimtare të Skënderbeut kundër osmanëve gjatë një çerek shekulli dhe u strehuan në Itali si pjesë e një shtrese që kishte formim të caktuar shoqëror dhe kulturor, gjë që këtë e vazhdoi edhe në rrethanat e reja, eksodi i dytë, ai nga viti 1990 e këndej, përfshiu shtresën proletare dhe qytetarinë e shpronësuar nga dinjiteti elementar, atë që rëndom kishte jetuar në rrethanat e një Gullagu komunist të krijuar nga diktatura e regjimit komunist të Enver Hoxhës, shtresë kjo të shumtën me tru të shpërlarë, që ikjen nga diktatura e konsideronte çështje ekzistenciale.Edhe pse kanë kaluar mbi tridhjetë vjet nga eksodi shqiptar, përmasat tektonike të të cilit edhe më tutje vazhdojnë saqë etninë shqiptare e kanë sjellë deri te gjendja e “murtajës së bardhë”, përkundër asaj se shkaktari i saj kryesor shfaqet faktori ideologjik që si bartës kryesor pati diktaturën komuniste të Enver Hoxhës që Shqipërinë në emër të “idealeve komuniste” duhej ngrënë edhe bar gjë që vendin e ktheu në një kamp përqendrimi me njeriun e varfër dhe të zhvlerësuar, pra kësaj së keqe nuk i ishte dhënë anamneza e plotë në përputhje me shkaktarin e vetëm – atë ideologjik ngaqë shumë studiues i takojnë asaj mendësie. Megjithatë monografia e Afrim Krasniqit “Kriza e ambasadave – Shqipëria në vitin 1990”, e botuar së voni nga Instituti i Historisë i Studimeve Albanologjike në Tiranë, paraqet një kronikë të aktit të fundit të shthurjes së kësaj diktature në rrethanat kur tranzicioni tashmë kishte përfshirë shumë nga vendet e ish bllokut komunist (nga Polonia, Gjermania Demokratike, Çekosllovakia, Rumania e të tjera), ndërkohë që garda e fundit komuniste në Tiranë po përpiqej që tranzicionin e pandalshëm pra kur diktaturat ktheheshin në sisteme shumëpartiake, përpiqej që pluralizmin partiak ta maskonte me “pluralizmin e mendimeve”, siç doli nga takimi i gushtit i vitit 1990 i R. Alisë me disa intelektualë të Tiranës, të cilët, nuk patën guxim që kësaj formule t’ia jepnin përgjigjen siç ia dhanë vendet tjera ish komuniste, por lejuan që edhe atë që do të shfaqet “tranzicion shqiptar”, në zgjedhjet e para “të lira”, të vitit 1991, të fitojë Partia e Punës e Shqipërisë, e transformuar në Partinë Socialiste. Natyrisht se kronika e kësaj ngecjeje, apo sabotimi shqiptar të pluralizmit drejt tranzicionit, pasqyrohet mirë në monografinë e Afrim Krasniqit. Duke ndjekur rrugën e dokumenteve, autori në katër kapitur jep kronologjinë e këtij zhvillimi që hapi kthesën historike. Kështu, në kreun e parë paraqiten zhvillimet politike dhe gjendja në Shqipëri në gjysmën e parë të vitit 1990, nga protestat e para sociale të janarit 1990, pastaj të ndikimit të rastit “Popaj” në ambasadën e Italisë në eksodin e atij viti e deri te hyrjet në ambasada në atë të RDGJ-së. Në kreun e dytë pasqyrohen ngjarjet e korrikut dhe kriza e “Pushtimit të ambasadave” me gjithë ato që përcollën këtë zhvillim nga hyrja në ambasadat perëndimore e deri te largimi i refugjatëve nga Shqipëria, me çka përfundimisht u thye “miti i mashtrimit komunist për Shqipërinë lule në Adriatik”, e të ngjashme, siç propagonte Enver Hoxha nëpërmes grupeve marksiste-leniniste nëpër botë, që kryesisht i shërbenin Beogradit dhe Moskës për të mbajtur nën anatemë edhe kërkesat e drejta të shqiptarëve të Kosovës për Republikën e tyre në kuadër të federatës jugosllave. Në kapitullin e tretë bëhet fjalë gjerësisht për rrolin dhe pozicionin e ambasadave dhe shteteve në krizën e korrikut 1990, ku pasqyrohen edhe pozicionet e këtyre vendeve rreth zgjidhjes së krizës së refugjateve, me ç’rast edhe pjesës më të madhe të tyre iu lejua largimi i organizuar nga Shqipëria, largim ky që pastaj, mori përmasat e një eksodi të pambikëqyrur që vazhdoi për vite dhe ende vazhdon në forma të ndryshe. Monografia përmbyllet me kapitullin rreth përpjekjeve të regjimit për rivendosjen e kontrollit në vend, ku pasqyrohen gjithë ato zhvillime që udhëheqja e lartë partiake e vendit (nomenklatura komuniste e kohës) u mundua që eksodin, nëpërmes fushatave denigruese, ta shfrytëzojë për të fshehur shkaktarin e vërtetë të krizës – sistemin. Me këtë rast, jepen edhe të dhëna rreth burgosjeve dhe masave të tjera, që regjimi i atëhershëm ndërmori ndaj atyre që përpiqeshin që të largoheshin nga vendi, për në liri, nëpërmes rreziqeve të mëdha, ku edhe shumë prej tyre nuk ia dolën… Në tërësi, monografia e A. Krasniqit, paraqet një faktografi të caktuar, atë të krizës së ambasadave, që ia hapi rrugën në njërën anë tranzionit shqiptar me shumë e shumë vështirësi dhe në tjetrën anë, eksodit shqiptar, ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohëve, me pasoja tepër të rënda për vetë Shqipërinë, po edhe për ata që u detyruan të braktisin vendin për një jetë më të mirë dhe liri, paçka se shumë prej tyre humbën atdheun përgjithmonë… /KultPlus.com

Ndikimi i Ligës Qytetare shqiptaro-amerikane dhe DioGuardit te politika amerikane për çështjes së Kosovës

Faton Bislimi: “Te Quest for Albanian Fredoom and the Ende of Jugoslavia Hon. DioGuardi and the Albanian American Civil Legue 1985-1993”, botoi Albanian American Fondation, New York 2021.

Roli i Ligës Qytetare shqiptaro-amerikane te politika amerikane për ngritjen e çështjes së Kosovës nga rrënimi i autonomisë së saj dhunshëm nga Serbia më 23 mars 1989 e deri te te internacionalizimi i saj në nivel botëror që për pasojë do të ketë edhe ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, me ç’rast Kosovas, sipas rezolutës 1244 të KS të OKB futet nën protektoratin ndërkombëtar si një fazë kalimtare që do t’i paraprijë pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008, është i një rëndësie thuajse historike. Ky vlerësim ka të bëjë me lobimin shqiptar në nivelet më të larta të politikës amerikane nga kongresi, senati, ku do të përfshihen senatorë, kongresmenë me ndikim dhe personalitet të tjera të rëndësishme të politikës amerikane. Ç’është e vërteta puna e lobimit të Ligës Qytetare Shqiptaro-amerikane do të fillojë edhe më herët, sapo të shpërthejnë demonstratat e marsit të vitit 1981 me kërkesën për republikën Kosovës, që nga politika e atëhershme jugosllave u karakterizua si “kërkesë armiqësore” me prapavijë kundërrevolucionare për ç’gjë, nga dy kryesitë e vendit (ajo e shtetit dhe e partisë) edhe u aprovua platforma politike për Kosovën, që i hapi rrugën diferencimit shumëvjeçar, si një proces që çoi te privimi i popullatës së Kosovës nga të drejtat kushtetuese si dhe diskriminimi i saj mbi baza nacionale në përputhje me planet hegjemoniste të Beogradit që Kosova të rikthehej nën tutelën e siç ishte në kohën e Rankoviqit, pra të humbte pozitën e elementit konstituiv të federatës jugosllave që ia garantonte kushtetuta e vitit 1974. Diskriminimi kushtetues i shqiptarëve si dhe dënimet drakonike që pasuan për vite u përcollën me reagime nga Liga Shqiptaro-Amerikane në planin e brendshëm, pra të lobimit te politika amerikane (senatorët dhe kongresmenët), që t’i kundërvihet kësaj fushate, po edhe të merren parasysh kërkesat e shqiptarëve për avancimin e pozitës së tyre kushtetuese në federatë, si dhe ngritjen e saj si çështje të pazgjidhur në planin e ndërkombëtar. Në këtë drejtim vihet me të drejtë në spikamë roli i ish kongresmenit amerikan me prejardhje arbëreshe, Joe DioGuardi, i cili udhëhoqi Ligën Qytetare Shqiptaro-amerikane nga vitet 1985-1993. Gjatë kësaj kohe, në Kongresin amerikan u sollën disa rezoluta, me të cilat u kërkua rikthimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në përputhje me atë të vitit 1974 si dhe ndalja e represionit ndaj popullatës shqiptare, që pas vitit 1990 e këndej, gjithnjë e më shumë po merrte përmasat e një aparthejdi të hapur. DioGuardi dhe lobi shqiptaro-amerikan, i dhanë ndihmë të madhe edhe lëvizjes kombëtare për liri, demokraci dhe pavarësi nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës më 23 dhjetor 1989 dhe në vazhdimësi, duke përkrahur atë dhe konceptin e saj të rezistencës aktive institucione (me shtetin paralel) deri te rezistenca e armatosur.
Në këtë libër, me fakte, argumentohet puna e madhe e Ligës Qytetare Shqiptare-amerikane nën drejtimin e Joe Dioguardit, me ç’rast sillen thuajse të gjitha dokumentet meritore që iu drejtuan senatit dhe kongresit amerikan, pastaj kongresmenëve dhe senatorëve të rëndësishëm që dhanë ndihmesë të madhe e të vazhdueshme që çështja e Kosovës të kthehet në prioritet të politikës amerikane nga ai juridik e deri te politik.
Në tersi, ky libër, si i tillë, sjell informacion autentik nga veprimtaria e Ligës Shqiptaro-amerikane në dobi të çështjes së Kosovës nga shfaqja e saj në vitet e tetëdhjeta e deri te faza dinamike e angazhimit amerikan për të, angazhim ky që ia hapi dyert ndërhyrjes ushtarake, protektoratit, dhe së fundi, edhe shpalljes së pavarësisë së saj.
Libri, i tillë, megjithatë, krahas faktimit të një angazhimi konkret në rrethanat e caktuara, sjell edhe mesazhe të qarta rreth domosdosë që lobi shqiptaro-amerikan të aktivizohet edhe në rrethanat e tanishme në mënyrë që politika amerikane të vazhdojë mbështetjen për konsolidimin e mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës, veçmas në raport me sfidat e mëdha me Serbinë, e cila po mundohet që me lobimet e shumta në Kongres dhe Senat, shtetësia e Kosovës të pengohet që të fitojë edhe legjitimitetin e plotë ndërkombëtar përmes njohjeve dhe pranimit në OKB. /KultPlus.com

Profesori Buxhovi në vizitë te “Vatra” në Amerikë

Shkrimtari dhe historiani, Jusuf Buxhovi, ka vizituar sot Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Varta, ka njoftuar për vizitën e Buxhovit në ambientet e tyre.

“Sot, në ambientet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA patëm nderin e veçantë dhe privilegjin të presim shkrimtarin, historianin, intelektualin dhe aktivistin e mirënjohur politik të Kosovës, profesorin Jusuf Buxhovi. I shoqëruar nga Milaim Abdullahu, bashkëbotues dhe donator, Prof. Buxhovi u prit nga Editori i Diellit Sokol Paja dhe Anëtari i Kryesisë Mark Mrnaçaj. Në një ditë stuhie e dëbore dhe në kushte atmosferike të jashtëzakonshme, takimi vëllazëror me Buxhovin e z.Abdullahi ishte shumë interesant dhe mbresëlënës në zbulim të historisë së Vatrës, gazetës Dielli dhe shqiptarëve të Amerikës”, thuhet në postimin e tyre.

Profesor Buxhovi dhuroi për Bibliotekën Shkencore të Vatrës disa pako të vëllimit të fundit në gjuhën angleze të librave të tij, “Kosova” i botuar në 3 volume, dhe dy romanet e tij: “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” dhe “Dosja B”.

Në mbrëmjen e 24 janarit, në Harvard Faculty Club në Library Room, u promovua zyrtarisht libri historiografik në tri volume “Kosova” nga autori dhe historiani Jusuf Buxhovi. /KultPlus.com

Jusuf Buxhovi u mirëprit nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork


Sot, në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, ata patën nderin të presin shkrimtarin, historianin, intelektualin dhe aktivistin e mirënjohur politik të Kosovës, profesorin Jusuf Buxhovi.

Fillimisht, Ambasadori Isufaj e informoi profesorin Buxhovi për aktivitetet dhe funksionimin e Konsullatës në Nju-Jork ku, përpos shërbimeve të rregullta konsullore që ofrohen për qytetarët tanë në këtë pjesë të botës, ata janë përkushtuar edhe në zhvillimin dhe ruajtjen e raporteve me OKB-në dhe përfaqësuesit e Misioneve të Përhershme pranë kësaj organizate.

Nga ana tjetër, profesori Jusuf Buxhovi, përveç që bëri një përshkrim të shkurtër mbi historiografinë e tyre, që nga kohërat e lashta e deri në historinë më të re, duke qenë dhe vetë dëshmitar i saj, ai inkurajoi që si përfaqësues të shtetit të Kosovës të shpërfaqin historinë e tyre, gjithnjë të bazuar në argumente të besueshme historike.

Dëshmi që e përthekon tërë këtë historiografi është dhe vëllimi i tre librave të profesor Buxhovit, që kur flitet për rrënjët shqiptare-nga Dardania në kohërat antike dhe të Mesjetës te periudha e Perandorisë Osmane e deri te historia e tyre më e re-nga okupimi e deri te Protektorati Ndërkombëtar.

Këta libra nuk i kontribuojnë vetëm një realiteti historik, shoqëror, kulturor e politik të shqiptarisë, porse do të mbesin edhe përjetësisht në sirtarët e një historie të pamohueshme-histori që do t’u shërbejë gjeneratave të reja.

Me këtë rast, profesor Buxhovi i dhuroi atyre disa pako të vëllimit të fundit në gjuhën angleze të librave të tij, “Kosova”. / KultPlus.com

Promovim dinjitoz i ‘Kosovës’ në Universitetin e Harvardit

Në mbrëmjen e 24 janarit, në Harvard Faculty Club në Library Room, u promovua zyrtarisht libri historiografik në tri volume “Kosova” nga autori dhe historiani Jusuf Buxhovi, shkruan KultPlus.

Në praninë e një numrit të madh pjesëmarrësish, Buxhovi shpalosi pikat më kryesore të librit të tij, tezat hisorike që ngriten e shtjellohen aty, dhe të cilat shpartallojnë në gjenezë gënjeshtrën më madhore anti-shqiptare të sllavëve.

Si një ish-student, Faton Bislimi, ishte i pranishëm në këtë promovim si përfaqësues i Harvard Alumni Association për Kosovë edhe me Asociacionin e Studentëve Shqiptarë në Harvard.

“Si nikoqir të kësaj ngjarje historike, isha jashtëzakonisht i nderuar e krenar me përgjigjen pozitive të shumë studentëve e pjesëtarëve të komunitetit tonë që na u bashkangjitën në promovim”, ka thënë Bislimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”.

Bislimi tutje ka shtuar se ndjehet shumë mirë që pas gjithë atyre aktiviteteve dy ditore, arritën të fusin historinë e Kosovës, të mirëfilltë e faktike, në Universitetin e Harvardit, i themeluar në vitin 1638.

“Në këtë kohë kur po thyhen shumë shtiza në gjeopolitikë globale, të flasësh për Kosovën e për kombin shqiptar në kupolen e intelektualizmit akademik në SHBA është vlerë e shtuar për Republikën tonë të re.Një falëmnderim i veçantë për Shoqatën ‘Kosova’ në Boston, bashkë me Gred Brahon (Asociacioni i Studentëve Shqiptarë në Harvard), si dhe pronarin e Restaurantit ALBA në Quincy, MA, për përkrahjen e mikpritjen”, thotë në fund Bislimi.

Buxhovi e ka cilësuar  këtë si një tjetër fitore e madhe e depërtimit të historiografisë së Kosovës në universitetet më të njohura botërore. /KultPlus.com

“Kosova” e Jusuf Buxhovit në bibliotekën e Universitetit të Harvardit

Sot, pak orë para ngjarjes së promovimit në Harvard Faculty Club që filloi në orën 5:30, “Kosova” e Buxhovit iu dorëzua zyrtarisht Zv.Drejtoreshës së Bibliotekes së Universitetit të Harvardit, Elizabeth Kirk.

Në një diskutim të përemertë bashkë me autorin Buxhovi, botuesin Tafilaj nga Jalifat Publishing e bashkëbotuesin Abdullahu, Kirk shprehu falëmderimin më të sinqertë për pranimin e librave në fjalë.

Në vatrën më të famshme të diturisë e të kërkimeve akademike nga sot edhe historia e Kosovës në tri volumet e përkthyera e botuara në Anglisht (bashkë edhe me një kopje të librit “Maqedonia” në Anglishtë poashtu) do të jenë e çasshme për shkollarë e studentë, profesorë e hulumtues nga e gjithë bota që frekuentojnë Universitetin e Harvardit.

Imazhi i Republikës sonë të re ndërtohet më së miri përmes shkencës e fakteve, përmes përkushtimit e punës vetmohuese!

Po ashtu, botimi i librit në SHBA në anglisht është mundësuar pas përkthimit nga shqipja nga Avni Spahiu, Getoar Mjeku dhe Faton Bislimi.

“Krenar që në universitetin tim nga ku kam magjistruar para fiks 15 viteve, kemi kaq shumë respekt e çasje!”, ka shkruar tutje Bislimi në rrjetet sociale. / KultPlus.com

 ‘Kosova’ e Jusuf Buxhovit, në kishën dhe Bibliotekën Memoriale të Fan S. Nolit në Boston

Një ditë para promovimit të librit ‘Kosova’ në Universitetin e Harvardit, Jusuf Buxhovi i ka dhuruar kopjet e këtij libri Presidentës së Kishës Autoqefale Shqiptare në SHBA “Shën Gjergji” si dhe Drejtoreshës së Bibliotekës Memoriale të Fan S. Nolit.

Lajmin e ka dhënë Faton Bislimi përmes një postimi në Facebook.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Me miqët e mi të nderuar, Ramiz Tafilaj, Jusuf Buxhovi, e Milaim Abdullahu, sot ishim për vizitë në Kishën dhe Bibliotekën Memoriale të kolosit të kombit, shqiptarit që ndihmoi në bërjen e njëmend të Shqipërisë, Harvardianit që iluminoi botën për kombin tonë, dhe patëm nderin e jashtëzakonshëm të bisedojmë e prezantojmë librin “Kosova” të historianit Buxhovi, të botuar në anglishte nga Jalifat Publishing e Ramiz Tafilajt në Houston, përkrahur nga Santefarm e Milaim Abduallhut.

Ishim të nderuar që kopjet e librit t’ia dorëzojmë zyrtarisht Presidentës së Kishës Autoqefale Shqiptare në SHBA “Shën Gjergji” (emëruar në nder të Gjergj Kastriotit), znj. Laureen Toli, si dhe Drejtoreshës së Bibliotekës Memoriale të Fan S. Nolit, Dr. Neka Doko.

Nuk ka inspirim më të sinqertë sesa prania në vendin nga ku punoi, veproi, ligjëroi e shkroi Noli i madh! Kombi ynë është me fat që ka pasë intelektualë patriotë si Noli e Konica, që vendosën themelet e shtetit demokratik shqiptar e shpërfaqen para botës në përgjithësi, e Amerikës në veçanti, imazhin e duhur e të brumosur shqip të kombit tonë fisnik.

Nëse historia e tyre na mëson diçka, ajo na mëson se si shihet e si duhet atdheu – dashni kjo, që nuk shuhet as kur ne s’jemi më,  përgjerësa jeton në gjakun e brezave pas nesh!

Nga sot, librat e famshëm të Buxhovit i kanë edhe gjenerat e shumta të shqiptaro-amerikanëve të Bostonit e më gjerë në bibliotekën e Nolit.

Në fund, ishim për homazhe edhe tek varrezat e Nolit e Konicës.

Nesër, në Harvard për ngjarjen e rradhës ne 5:30pm./ KultPlus.com

Buxhovi me librin “Kosova” në Harvard: Kjo është një tjetër fitore e madhe e depërtimit të historiografisë së Kosovës

Libri “Kosova” nga Jusuf Buxhovi do të promovohet në Universitetin e Harvardit, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Buxhovi ka thënë se kjo është një tjetër fitore e madhe e depërtimit të historiografisë së Kosovës në universitetet më të njohura botërore.

Libri në fjalë konsiderohet se ka dridhur në themel propagandën shumëvjeçare sllave anti-shqiptare mbi prejardhjen dhe historinë tonë kombëtare dhe bazuar në fakte historike e referenca arkivore e akademike, libri paraqet versionin më të çiltër e të saktë të historisë së Kosovës.

Po ashtu, botimi i librit në SHBA në anglisht është mundësuar pas përkthimit nga shqipja nga Avni Spahiu, Getoar Mjeku dhe Faton Bislimi. /KultPlus.com

Buxhovi: Me moslejimin e referendumit serb në Kosovë, Kosova mbron sovranitetin shtetëror

Shkruan Jusuf Buxhovi

Reagimi i  krerëve të insitutcioneve më të larata  të shtetit të Kosovës karshi ambasadorëve të vendeve të QUINT-it” që kërkuan mbajtjen e referendumit serb në Kosovë që lidhet me ndryshimet kushtetuese në Serbi, është i drejtë dhe në përputhje me sovranitetin shtetëror të Kosovës, shpesh herë të nëpërkëmbur gjatë këtyre viteve nga politikanët e Kosovës,  në rapot me Serbinë.  Me këtë rast , arsyetimi i krerëve të Kosovës se “qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse”, është në përputhshmëri të plotë me standardet ndërkombëtare që praktikojnë në raste të tilla vendet europiane. Andaj, veprimi ndryshe, pra i hapjes së qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës, siç u tha, përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës.

 Qendrimi i prerë i krerëve të institucioneve më të larta të  Kosovës, që është kompatabil edhe me atë të opozitës, është hap i drejtë dhe më se i duhur që Kosova, më në fund,  përkundër dëmëve të pësuara nga politika e deritanishme, të demonstrojë gatishmërinë për mbrojtjen e sovranitetit shtetëror edhe në rrethanat kur faktori ndërkombëtar kërkon “kompromise”, siç thuhet në kërkesën e vendeve të QUINT-it “për të çuar përpara dialogun midis Kosovës dhe Serbisë”, paçka se në një pasus vazhdohet praktika e zëvendësimit të predikatëve shtetërore me ato të toponomistikës (dialogu Beograd-Prishtinë në vend të Kosovë-Serbi)./ KultPlus.com

“Kosova” e Jusuf Buxhovit do të promovohet në Universitetin e Harvardit

Libri “Kosova” nga Jusuf Buxhovi do të promovohet në Universitetin e Harvardit, përcjell KultPlus.

Libri në fjalë konsiderohet se ka dridhur në themel propagandën shumëvjeçare sllave anti-shqiptare mbi prejardhjen dhe historinë tonë kombëtare dhe bazuar në fakte historike e referenca arkivore e akademike, libri paraqet versionin më të çiltër e të saktë të historisë së Kosovës.

Po ashtu, botimi i librit në SHBA në anglisht është mundësuar pas përkthimit nga shqipja nga Avni Spahiu, Getoar Mjeku dhe Faton Bislimi.

KultPlus ju sjell tutje njoftimin e Faton Bislimit:

Ndjehem krenar që si ish-student i Harvardit dhe si Përfaqësues për Kosovë i ‘Harvard Alumni Association’, në bashkëpunim me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë në Harvard College, nën udhëheqjen e Gred Braho, e në bashkëpunim të ngushtë me botuesin e mikun tim të çmuar Ramiz Tafilaj (Jalifat Publishing, Houston) me mbështetjen e parezervë të z. Milaim Abdullahu (Santefarm, Prishtinë), do promovojmë librin e famshëm të historianit e publicistit të shquar të Kosovës, Jusuf Buxhovi, “Kosova” në tri vëllime, në Universitetin e Harvardit më 24 Janar 2022.

Një ngjarje e tillë në njërin nga top universitetet në Amerikë e botë është ogurbardhë për Kosovën dhe imazhin tonë si shtet e komb!

Një falëmnderim i veçantë për përkrahjen e kësaj ngjarje shkon edhe për Shoqatën ‘Kosova’ në Boston dhe MASSBESA!

Ftoj të gjithë shqiptarët në rrethninën e Bostonit të na bashkangjiten me 24 Janar në këtë promovim! / KultPlus.com

Programi i LDK-së, dokumenti autentik i paraqitur në Kuvendin Themelues

Në vigjilie të 32 vjetorit të themelimit të LDK-së (6)

PROGRAMI  I LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS*

(Dokument autentik i paraqitur në Kuvendin Themelues)

Nga Jusuf BUXHOVI

 “Kriza e thellë shoqëror, ekonomike dhe politike, në të cilën gjendemi tash e sa kohë, para bashkësisë shumëkombëshe hapi dilema që kanë të bëjnë me ekzistencën e saj të mëtutjeshme. Në opsion tashmë janë shumë programe dhe projekte të nduarndurta që mëtojnë të fitojnë legjitimimet në Jugosllavi. Kjo larmi idesh, propozimesh e deri te programet me profile të qarta politike tregon më së miri se për fatin e Jugosllavisë janë të brengosur dhe të preokupuar të gjithë, dhe se, e ardhmja e saj mund të garantohet po qe se për të angazhohen të gjitha subjektet e saj, pa iu rezervuar askujt e drejta  që të flasë apo të vendosë në emër të të tjerëve. Jugosllavinë duhet kuptuar si interes të secilit që jeton në të, pra, edhe të popullatës së Kosovës, e cila ruan të drejtën e saj që lirisht  të vendosë për fatin e vet.

 Fakti se kriza e thellë dhe e gjithanshme që po rëndon vendin dhe që më fuqimisht e me  pasoja më të rënda po shprehet në Kosovë, kërkon kthesa radikale në fushën ekonomike, shoqërore e politike, se ajo mund të përballohet e të tejkalohet vetëm me angazhimin dhe veprimin e të gjitha forcave subjektive e të potencialeve krijuese, dhe se ky angazhim nuk është i mundur në kuadër të monizmit politik dhe të monopolit njëpartiak, ne të nënshkruarit, morëm nismën që të themelojmë:

 Lidhjen Demokratiket të Kosovës,

Si Parti për veprim shoqëror-politik e kulturor të të gjithë atyre që aprovojnë orientimet programore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe intencat e saj.

 1

 Lidhja Demokratike e Kosovës (në  tekstin e mëtutjeshëm LDK) angazhohet për reforma ekonomike e shoqërore që synojnë daljen sa më të shpejtë nga kriza, që mund të bëhet me  zhvillim më të shpejtë ekonomik të vendit. Për këtë qëllim LDK angazhohet për ekonomi të tregut, forma të ndryshme të pronësisë, për treg  modern dhe për përjashtimin e ndërhyrjes jokompetente të politikës në çështjet ekonomike  (nga orientimi i pa kriter i investimeve e deri te caktimi i kuadrit drejtues në ekonomi), gjë që kishte dhe ka pasoja të dëmshme.

 Kosova, përkundër potencialeve të veta njerëzore dhe natyrore, është pjesa ekonomikisht më e prapambetur dhe me papunësi më të madhe. Prapambetja ekonomike dhe papunësia janë forma permanente të krizës. LDK vlerëson se pikërisht prapambetja ekonomike dhe papunësia janë problemet kryesore të Kosovës dhe përpiqet për përballimin e tyre. LDK përpiqet për stimulimin e iniciativave dhe të angazhimeve të investimeve, për racionalizimin dhe modernizimin e prodhimit, për rekonstruksione e orientime prodhuese dhe jo për falimentime dhe shuarje të nxituar të organizatave ekonomike; angazhohet për të drejtën e barabartë të secilit  në punë – varësisht nga aftësitë; angazhohet kundër privilegjeve në këtë lëmë në baza regjionale, kombëtare dhe të tjera.

LDK angazhohet për shfrytëzimin e të gjitha potencialeve dhe mundësive të brendshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës; angazhohet për politikë sociale, siç ndodh në të gjitha shtetet moderne  dhe angazhohet për solidaritet të të  zhvilluarve ndaj të pazhvilluarve.

 2

LDK angazhohet për Jugosllavinë demokratike, federative dhe për reformën e sistemit politik në këtë drejtim.

LDK angazhohet për demokraci që do të sigurojë barazinë e plot juridike e politike të qytetarëve, të individit, të dinjitetit dhe të pronës së tij – pavarësisht përkatësisë kombëtare, gjinore apo fetare; angazhohet për shtetin juridik, që respekton kushtetutën dhe ligjin dhe përjashton arbitraritetin politik e pushtetmbajtës.

LDK angazhohet për pluralizëm politik që shpreh strukturat dhe interesat e ndryshme dhe mundëson garën e koncepcioneve politike të ndryshme;

LDK angazhohet për sistem shumëpartiak; angazhohet për  mbrojtjen e plotë dhe zgjerimin e lirive të njeriut dhe të  qytetarit; angazhohet për të drejtën e mendimit dhe të shprehjes së lirë, për lirinë e fjalës, të shtypit  e të organizimit politik; angazhohet për heqjen e  çfarëdo censure të fshehur; angazhohet për gjyqet e pavarura dhe për përjashtimin e varësisë së individit, të ndjekjes dhe të ndëshkimit politik të gjyqtarëve.

LDK angazhohet për zhvillimin e raporteve demokratike në Federatë, duke e kuptuar Federatën si bashkësi të subjekteve të barabarta, si bashkësi të qytetarëve dhe të kombeve të barabarta. Pra,angazhohet për një federatë moderne, e cila do të mundësojë barazinë e nacionaliteteve dhe  të republikave dhe të krahinave në sistemin parlamentar në bazë të së drejtës së votës së lirë.

LDK do të angazhohet për një shoqëri demokratike, në bazë të traditës më të mirë të qytetërimit njerëzor.

LDK do të angazhohet për zgjerimin e kanaleve demokratike institucionale, drejt ri afirmimit dhe afirmimit të mëtutjeshëm të individualitetit të Kosovës dhe të pozitës së saj kushtetuese si njësi e barabartë e federatës.

LDK angazhohet për afirmimin e subjektivitetit shoqëror, politik e kulturor të shqiptarëve dhe për të drejtën e tyre, që në marrëveshje me popujt me të cilët jetojnë bashkërisht, të shfrytëzojnë format e  konstituimit politik dhe juridik që do të afirmonin barazinë e tyre.

    3

E vetëdijshme për faktin që bashkëpunimi, mirëkuptimi, miqësia dhe solidariteti i popujve janë rezultat dhe frytet  më të rëndësishme të civilizimit, kurse grindjet dhe armiqësitë janë fatkeqësi  e madhe, LDK do të angazhohet vendosmërisht për zhvillimin e miqësisë dhe të bashkëpunimit të gjithanshëm të të gjithë popujve në Kosovës, në Jugosllavi dhe në botë.

Barazia  e plotë përbën edhe parakushtin qenësor të miqësisë dhe të bashkëpunimit të popujve. Prandaj, LDK përpiqet për barazi të plotë kombëtare në Jugosllavi e në Kosovë. Ajo do të punojë për afirmimin e vetëdijes se Kosova është e të gjithë atyre që jetojnë në të:

-se shqiptarët, serbët,malazezët, turqit dhe të tjerët historikisht dhe aktualisht Kosovën e kanë të tyre dhe bashkërisht duhet ta zhvillojnë dhe ta përparojnë;

-se jeta në miqësi është bazë e mirëqenies dhe lumturisë së popujve;

-se shumësia e kulturave dhe e traditave, e kuptuar drejt, është pasuri;

-se bashkëpunimi e miqësia e popujve janë të pandashme pa njohjen, mirëkuptimin dhe respektin e kulturave dhe të traditave, të qenieve dhe të interesave të njëri-tjetrit.

LDK do të luftojë kundër çdo qëndrimi ose pikëpamje të pabarazisë. Ajo veçmas do të angazhohet:

-kundër çdo privilegje ose diskriminimi kombëtar;

-kundër konceptet mbi popujt autoktonë dhe shteformues dhe popujve të prezencës së rastësishme e margjinale;

-kundër shovinizmit dhe hegjemonizmit;

-kundër manipulimeve nacionaliste e burokratike me çështjen kombëtare.

LDK përpiqet për barazinë e plotë të nacionaliteteve në Jugosllavi. Angazhohet për zhvillimin e  gjithanshëm kulturor të të gjithëve, për arsim të plotë në gjuhën amtare në të gjitha shkallët e shkollimit; angazhohet për ruajtjen e pozitës dhe të dinjitetit moral e material të shkollës; për kultivimin e gjuhës amtare dhe barazinë e saj në komunikim publik dhe në administratë;angazhohet për kultivimin e lirë e të barabartë të traditave kulturore, historike dhe për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare dhe të kremtimit me dinjitet të festave kombëtare; për të drejtën dhe mundësinë që çdo popull të shfrytëzojë rezultatet pozitive të krijimtarisë së vet kulturore dhe shpirtërore kudo që krijohen.

Në këtë drejtim duhet zhvilluar edhe më tutje institucionet që merren me studimin dhe kultivimin e kulturës, të traditës dhe të shprehjes së lirë të individualitetit kombëtar të të gjithëve në Kosovë dhe në Jugosllavi.

    4

LDK përpiqet për të vërtetën për Kosovën, duke luftuar kundër dezinformatave e shpifjeve, kundër përpjekjeve që çështjet e sotme të Kosovës të paraqiten e për to të flitet vetëm me terme diskualifikuese, pa u parë ato në tërësinë dhe kompleksitetin  e tyre. LDK është kundër represioneve e rikonstruksioneve si zgjidhje të problemeve, është kundër imponimit të pseudovlerave për t’u mbyllur problemet e vërteta, është kundër gjendjeve dhe masave të jashtëzakonshme, kundër izolimeve e kundër proceseve politike si dhe angazhohet për lirimin e të burgosurve politikë. Angazhohet, pra për dialog konstruktiv e mirëkuptim të ndërsjellë dhe kundër diskualifikimeve dhe etiketimeve të çdo mendimi ose kërkese, që ndryshon nga ajo zyrtare e një partie.

 5

LDK do të angazhohet për ruajtjen e ambientit të natyrës dhe të resurseve natyrore. Asnjë gjeneratë nuk ka të drejtë që pa nikoqirllëk t’i shfrytëzojë ato që duhet t’u takojnë edhe gjeneratave të tjera.

Në Prishtinë,

Më  23 dhjetor 1989.

Jusuf Buxhovi (Nënshkrimi)

* Ky dokument, i mbështetur mbi sugjerimet e akademik Gazmend Zajmit, profesor Fehmi Aganit dhe Ajri Begut dhe me korrigjimet që iu bënë pak para fillimit të Kuvendit, u paraqit në Kuvendin Themelues, i aprovuar njëzërit nga të pranishmit. Dokumenti autentik që gjendet në arkivin personal te autorit bashkë me të tjerët nga themelimi, i paraqitur në librin “Kthesa historike” 1, ka rëndësi ngaqë  menjëherë pas aprovimit, në opinion iu nënshtrua përpjekjeve të shumta për t’u falsifikuar. Këso falsifikime, që pastaj u shpërndanë nën firmën e LDK-së, pati në Gjermani dhe Zvicër, mbi të cilat u mbështetën shumë nga shpifjet partisë dhe programit të saj, me ç’rast fjala “barazi në federatë” u zëvendësua me “autonomi” madje edhe nën Serbinë! Këto dhe falsifikime të ngjashme me të cilat u përcoll veprimtaria e pandalshme e LDK-së, shkuan deri aty  saqë u lansua edhe shpifja  se “programi i përkthyer, me kërkesa autonomiste, u soll nga Serbia”!./KultPlus.com