“KÂ kamping” me një qëllim të veçantë, për krijimin dhe forcimin e marrëdhënieve në mes shqiptarëve në Austri

Jeta Zymberi

‘Kâ kamping’ i cili organizohet që disa vite me radhë, tashmë është shndërruar në një aktivitet tradicional që zhvillohet në Austri nga organizata KÂ. Sikurse edhe viteve të kaluara, edhe këtë vit ky grup kanë zgjedhur një vend të veçantë për ta eksploruar, shkruan KultPlus.

Nga data 11-14 qershor, të rinj e familjarë shqiptarë që jetojnë në Austri mund të kalojnë 4 ditë të paharrueshme së bashku në një prej zonave më të bukura malore të Niederösterreich (Austria e Ultë), gjegjësisht në Krumau am Kamp.

Ky organizim, thellë në vete ka një qëllim shumë më të fortë. Krijimin dhe forcimin e marrëdhënieve në mes shqiptarëve që jetojnë në Austri. Në këtë mënyrë edhe gjeneratat e reja njihen së bashku dhe krijojnë shoqëri, e kjo njëkohësisht ju ndihmon që mos të harrojnë gjuhën, kulturën e traditat shqiptare për të cilat edhe flasin gjatë këtyre ditëve, por edhe të kenë një copë Kosovë me vete. Në kamping shpesh ftohen edhe të huaj të cilët gjithashtu gjatë qëndrimit aty, mësojnë më shumë për shqiptarët. Gjatë qëndrimit në kamping nuk kanë munguar as ushqimet tradicionale, flija është shijuar shumë nga të gjithë aty.

“Gjatë krijimit të organizimeve të ndryshme me vetiniciativë dhe në mënyrë vullnetare, mbanim gjithsesi vetëm një qëllim në kokë, që njerëzit nga komuniteti jonë të njiheshin, të qëndronin sa më shumë në kontakt me njëri-tjetrin, të bashkëpunonin e shkëmbenin ide, të kalonin kohë të bukura dhe cilësore së bashku; gjëra për të cilat kishte nevojë secili nga ne”, thotë për KultPlus, Ermal Vejsa, njëri nga organizatorët e këtij kampingu.

Kampingu i sivjetshëm ka përsëri në fokus të veçantë eksplorimin e natyrës, aktivitete rekreative, edukative dhe artistike. Organizohet ecje në natyrë, aktivitete sportive, not, volejbol, joga, peshkim, etj. Duke pasur si qëllim rritjen e aktiviteteve sportive gjatë kampingut, ata kanë organizuar edhe garat e ashtuquajtura ‘lojëra pa kufi’ dhe turnire të ndryshme sportive, ku do të përfshihen të gjitha moshat. Aktivitetet tanimë tradicionale, të cilat kanë përcjellur kampingun që nga viti i parë, sikurse open-air kino (filma të përzgjedhur), mbrëmje rreth zjarrit me muzikë, përgatitje e ushqimit tradicional, do të realizohen përsëri.

“Sikurse edhe në vitet e kaluara, edhe këtë vit ‘KÂ kamping’ ka në fokus të veçantë sportin, prandaj është zgjedhur kampingu Seecamping u. Freizeitanlage Krumau am Kamp, i cili ofron mundësi të shumta për lojëra dhe sport si për fëmijë ashtu edhe të rritur sikurse: volejboll në rërë, terren të madh të futbollit, terren të tenisit, mini-golf, anije të ndryshme për sporte ujore, peshkim, hiking etj”, tregon për KultPlus, Ermal Vejsa.

Vejsa i fton të gjithë të interesuarit që të konfirmojnë pjesëmarrjen sa më parë, sepse duhet të lajmërohet numri i saktë i tendave që do të vendosen në kamping, pavarësisht që hapësira e përbashkët në kamping tanimë është e rezervuar.

Organizata KÂ njihet për organizimin e shumë aktiviteteve rinore në Austri, kryesisht në Vjenë.

KÂ filloi me organizimet vullnetare të Ermal Vejsës dhe Lirjetë Avdiut, të cilët përmes krijimit të kësaj oganizate e bënë më të lehtë jetën për shqiptarët që jetojnë në Austri.

“Duke jetuar jashtë vendlindjes, dhe rrethit të ngushtë familjar e shoqëror, u krijua nevoja që këtu në Vjenë ta gjejmë sadopak një zëvendësim të denjë, të asaj se çfarë kishim lënë pas. Nga dëshira që të afrohemi dhe njihemi me bashkëkombës, të krijojmë shoqëri të reja, kuptuam që ajo nevojë mund të përmbushej fare bukur dhe jeta në Vjenë mund të ngjante më e lehtë”, thotë Ermali për KultPlus.

Kjo organizatë, shikuar në një spektër më të gjerë, ka për qëllim të ndihmojë në integrimin e komunitetit shqiptar në Austri përmes aktiviteteve të ndryshme sportive dhe artistike, poashtu dhe përmes përçimit të vlerave tona kulturore. Organizata gjithashtu është e përkushtuar edhe në inicimin e aksioneve për qëllime humanitare.

“Përveç organizimeve të shumta vetanake, qëllimin tonë synojmë ta arrijmë edhe përmes bashkëpunimit me organizata të tjera joqeveritare, politike apo institucione shtetërore në Austri”, thotë Ermali.

Emri i organizatës ‘Kâ’, është frymëzuar nga dëshira për të kundërshtuar fuqishëm mendimet pesimiste se shqiptarët që jetojnë në Vjenë nuk organizojnë gjëra me vlerë dhe për të mbjellë një mendim pozitiv dhe frymëzues.

‘Kâ’ deri më sot ka arritur të organizojë evente të rëndësishme kulturore e artistike të cilat e kanë ndihmuar shumë jetën e shqiptarëve në Austri dhe padyshim që do të vazhdojnë edhe tutje.

Krejt për fund Erma Vejsa e përmbyllë intervistën me një thënie të Nënës Terezë: Ne s’mund të bëjmë gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe. / KultPlus.com