Veseli: Buxhovi, një fosil që s’i ndihmon qartësimit të së vërtetës për vrasjet e pasluftës

“UÇK-ja nuk ka qenë e pastër. Ka qenë e drejtë, por ka pasur shumë gjëra të këqija. Janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së”. Kjo deklaratë e Jusuf Buxhovit, njërit prej themeluesve të LDK-së, e dhënë në Rubikon të KTV-së, ka ngjallur reagime të shumta.

Së fundmi ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se “personi i cili e ka vënë këtë theks në këtë formë njëngjyrëshe”, duke iu referuar Buxhovit, “është lloji i fosilit i cili nuk i ndihmon as qartësimit të së vërtetës historike, pavarësisht se lufta në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Zëri i Amerikës: Zoti Veseli, para disa ditësh, historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, tha në një intervistë se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përgjithësisht rezistenca e armatosur në Kosovë ishte e drejtë, por çdo luftë, tha ai, ka elementë të papastër. Ai përmendi edhe vrasjet e 102 veprimtarëve të LDK-së. Çfarë po bëjnë institucionet për të ndriçuar këto vrasje? Është një problem shqetësues në Kosovë.

Veseli: Është një nga elementët më të dhembshëm pas luftës së Kosovës, së cilës duhet t’i shkohet deri në fund. Ka të bëjë me vrasje pas luftës të cilat janë kriminale nga njerëz të këqij të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës, por personi i cili e ka vënë këtë theks në këtë formë njëngjyrëshe, është lloji i fosilit i cili nuk i ndihmon as qartësimit të së vërtetës historike, pavarësisht se lufta në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës …

Zëri i Amerikës: Ai ka thënë megjithatë që lufta ishte një faqe e lavdishme…

Veseli: …pavarësisht, mund të ketë pasur edhe gabime, por varet se nga kush vjen, nga personi. Për të folur në këtë pjesën, në shtet ligjor. I pamëshirshëm do të jem ndaj gjithë atyre që kanë thyer ligjin dhe kanë bërë gabime, qoftë gjatë lufte, qoftë pas lufte. Por në të njëjtën kohë edhe vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të mbrohen deri në fund dhe jo çdokush të vërë pikëpyetje ato kur të dojë.

Veseli në vendin ku ruhen rrobat e të vrarëve: Serbia duhet të distancohet nga krimet dhe të dënohen kriminelët

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, para se të filloj seanca e paraparë në ora 10, e cila ka një pikë në rendin e ditës, atë për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar ka vizituar vendin ku ruhen eksponatet e rrobave të të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë.

“Serbia duhet të distancohet nga krimet që kanë ndodhur dhe të dënohen kriminelët”, është shprehur Veseli gjatë kësaj vizite.

“E kemi për obligim që këto rroba të fëmijëve të vrarë të mos i varrosim. Ato do të vendosen në Muzeun e Gjenocidit. Ne duam paqe, nuk duam konflikt, duam të ardhme, por nuk do ta lëmë askënd të na nguc. S’ka qare pa ardh drejtësia”.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se deri në vitin 2004 kufomat e personave të vrarë në luftë janë varrosur bashkë me rroba, por pas këtij viti është marrë iniciativa që në rastet tjera ato të duhen në mënyrë që të dëshmohen krimet që kanë ndodhur në Kosovë.

Ai ka thënë se aktualisht ruhen 948 pako të personave të vrarë më gjësende dhe rroba. / KultPlus.com

Veseli i dëgjon fëmijët teksa i këndojnë Ushtrisë së Kosovës (VIDEO)

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka nisur sot ditën me një takim të veçantë duke pritur në kabinetin e tij fëmijët e institucionit parashkollor “Bardha” nga Prishtina.

Të vegjlit në këtë takim me kryeparlamentarin i kanë kënduar Ushtrisë së Kosovës.

“Një mëngjes i këndshëm me fëmijët e Kopshtit “Bardha” në Prishtinë. Dëgjoni sa ëmbël i këndojnë Ushtrisë së Kosovës”, ka shkruar Veseli në Facebook. / KultPlus.com


Urime Shën Valentinin për Fatmir Limajn dhe Kadri Veselin!

ORCA – Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka vendos që për ditën e të dashuruarve t’i uroj kryetarin e PDK-së Kadri Veselin, Kryetarin e NISMA-s Fatmir Limajn dhe Konferencën e Rektorëve të cilët në kohën kur u tërhoqën akreditimet në mënyrë profesionale nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, patën takime flirtuese elektorale me mes vete ku shefat e partive ju premtonin rektorëve se do të jenë të paprekshëm pavarësisht cilësisë së munguar në këto universitete.

ORCA uron që ky flirtim të kurorëzohet me dashuri të sinqertë e të njëmendtë, mbase me ndonjë bashkim të ri të ndonjë rektori me partitë në fjalë ose edhe me rikthim të dashurive të vjetra të tyre pra rikthim të disa rektorëve në partitë ku dikur kanë qenë.

Urime pra Shën Valentini!

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Stërnipi i Hasan Prishtinës kundër Kadri Veselit për zhvendosjen e eshtrave të patriotit shqiptar në Prishtinë

Pas kërkesës nga kryeparlamentari i Kosovës Kadri Veseli, për të marrë në Kosovë eshtrat e patriotit Hasan Prishtina, ka ardhur reagimi nga familjarë të tij.

Stërnipi i patriotit, Mehmet Prishtina deklaron se është kundër idesë së hedhur nga Veseli. Ai shprehet se eshtrat e Hasan Prishtinës nuk duhet të lëvizen nga aty ku prehen.

Në një reagim të botuar ditë më parë në revistën Flaka, Mehmet Prishtina thotë se Hasan Prishtina e ka vendin aty ku bashkohet kufiri dhe idetë e kombit shqiptar. Përkundër kërkesës për zhvarrosjen e eshtrave, stërnipi i Hasan Prishtinës thotë se autoritetet në Kosovë duhet të angazhohen që hapësira tek varri i tij në Kukës, të rregullohej e të ndërtohet edhe Muzeu i madh i Bashkimit Kombëtar, e jo të tallen në Facebook për kthimin e eshtrave të tij në Kosovë.

‘Ata duhet që bashkë me institucionet e shtetit shqiptarë, të kujdeseshin që në Vlorën e Pavarësisë krahas shtatoreve të Ismail Qemalit, Isa Boletinit e tjerëve patriot të vendoset edhe Hasan Prishtina në sheshin e flamurit, siç u vendos në Prishtinë e më vonë edhe në Shkup e Tiranë, dhe përfundimisht në qytetin shqiptar në Kukës të derdhet në bronz shtati i shenjtë e i shtrenjtë i Hasan Prishtinës, pasi aty afër e ka edhe varrin, e jo të tallen në Facebook për kthimin e eshtrave të tij në Kosovë’, shkruan në reagimin e tij, Mehmet Prishtina, ndërsa thekson se çdo nismë për t’ i lëvizur eshtrat, është vetëm thellim i ndarjes së shqiptarëve dhe mos respekt e mos nderim ndaj figurës dhe doktrinës së tij hasaniste.

Me rastin e shënimit të 85-vjetorit të vrasjes së heroit Hasan Prishtina, kreu i Kuvendit në Kosovë Kadri Veseli tha, pak ditë më parë, se eshtrat e tij duhet të varrosen me ceremoni shtetërore, afër vendit ku janë varrosur ish-presidenti Ibrahim Rugova, dhe simboli i rezistencës Adem Demaçi./ KultPlus.com

Veseli kërkon që Hasan Prishtina të varroset pranë Rugovës e Demaçit

Kryeparalamentari Kadri Veseli ka bërë të ditur se me rastin e shënimit të 85 vjetorit të vrasjes së heroit Hasan Prishtina, ka kërkuar që eshtrat e Prishtinës të sillen në Kosovë.

Veseli ka thënë se eshtrat e Hasan Prishtinës duhet të varrosen me ceremoni shtetërore, afër vendit ku janë varrosur ish-presidenti Ibrahim Rugova dhe simboli i rezistencës, Adem Demaçi.

“Në 85 vjetorin e vdekjes kujtojmë Hasan Prishtinën, heroin e madh të Pavarësisë së Shqipërisë dhe themeluesin e Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Kosovës. Në këtë vit të nderimit kombëtar për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, dhe në kuadër të shënimit të 100 vjetorit të krijimit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, kam marrë iniciativën që eshtrat e Hasan Prishtinës të sillen në Kosovë dhe në një ceremoni shtetërore të varrosën në Prishtinë, në vendin ku prehen Ibrahim Rugova, presidenti i parë i Kosovës dhe Adem Demaçi, simboli i rezistencës kombëtare në Kosovë”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se për këtë u ka dërguar letër autoriteteve në Shqipëri.

“Për këtë qëllim u kam dërguar një letër autoriteteve shtetërore në Tiranë, që të na mbështesin në këtë iniciativë domethënëse për memorien dhe identitetin shtetëror të Kosovës. Kosova nuk i harron bijtë e vetë, heronjtë e saj. Ata, si gjithmonë, kthehen të fundit nga betejat”, shkruan Veseli./ KultPlus.com