Kalaja e Himarës, një thesar i trashëgimisë kulturore

Mëngjeset në Kalanë e Himarës, ofrojnë pamje mahnitëse, që rikujtojnë pasurinë historike dhe natyrore që mbart ky vend i mrekullueshëm.

Kalaja e Himarës është një thesar i trashëgimisë kulturore. Në majën e kodrës, mbi të cilën ajo ngrihet, takohet deti me historinë dhe shpirtin e banorëve të kësaj zone.

Panorama është mahnitëse dhe vizitorët që mbërrijnë deri aty, për ta shijuar, janë të shumtë. Kalaja e Himarës i pret çdo ditë me dyert hapur dhe shpirtin e saj të lashtë. Vizitorët, vendas e të huaj, enden rrugicave me gurë, duke zbuluar kisha e shtëpi të vjetra të cilat dikur gjallonin. Kalaja e Himarës është ndërtuar nga kaonët e lashtë. Ajo ishte një fortesë e fuqishme nëpër shekuj, që ka parë pushtime romake, bizantine dhe osmane, por gjithmonë ka qëndruar kryelartë.

Qyteti i lashtë i Himarës në vetvete është një monument i rëndësishëm me moshë rreth 3.500-vjeçare. Kalaja (e njohur ndryshe si Barbakas) ka dy porta hyrëse, në veri dhe jug dhe kufizohet nga dy kanione, ai i Vishës (monument natyror) në veriperëndim dhe në juglindje nga kanioni ose përroi i Kole Midharit.

Kalaja e Himarës ekziston, të paktën qysh nga mesi i shekullit të IV para Krishtit dhe kontrollonte rrugën nëpër bregdet nga Oriku për në Buthroto. Përmendet me emrin Chimera (toponimia Himarë lidhet nga disa studiues me Kimeran, një qenie mitologjike me trup luani koke dhie dhe luani dhe bisht gjarpri) dhe përfshihet në fisin Epirot të Kaonëve.

Në disa pjesë të saj janë ruajtur mure rrethuese të periudhës Helenistike. Blloqet e mëdha të gureve poligonale janë të ngjashëm me muret rrethuese të Finiqit, Butrintit dhe qyteteve të tjera të Kaonisë të së njëjtës periudhë.

Kisha e Episkopisë konsiderohet nga monumentet më të rëndësishme dhe gjendet brenda mureve helenistike. Sipas një versioni është e ndërtuar mbi themelet e një tempulli kushtuar Apolonit. Ajo përbëhet nga tempulli kryesor dhe një gjysmë tjetër e zbuluar ku prehen dhe dy peshkopë/atsh/

Kumbaro, apel me pamje nga kalaja e Himarës: Më shumë kujdes me hedhjen e mbeturinave

Kalaja e Himarës, me një krah nga Skutaraja e Qafa e Vishës, me sytë nga deti mbi Livadh, braktisur nga banorët në fund të viteve 40′, mbetet një sit shumë interesant për vizitorët qoftë për rrënojat, por sidomos për pamjet fantastike që sheh prej aty. Por ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka ngritur shqetësimin e mbetjeve që hidhen prej vizitorëve, në këtë objekt të trashëgimisë kulturore si dhe në natyrën përreth tij.

Mirela Kumbaro ka ndarë këtë episod që ka lidhje me pastërtinë, në një prej postimeve të saj në rrjetet sociale, duke bërë thirrje që të kihet më shumë kujdes me sjelljen kundrejt natyrës, që duam ta shijojmë, por harrojmë ta respektojmë.

Ministrja Kumbaro theksoi se punonjësit e bashkisë Himarë, rrezikojnë edhe jetën duke u kacavjerrë në shpatin e kalasë për të mbledhur plehrat që vizitorët apo banorët hedhin “pa teklif”. Prandaj duhet ta mendojmë dy herë, shkruan Kumbaro, përpara se të lëshojmë nga dora, çdo mbeturinë që shëmton atë që na pëlqen aq shumë. /atsh / KultPlus.com