Nis rijetësimi i Kalasë së Kaninës, Rama: Do të kthehet në ndalesë të paharrueshme për çdo udhëtar

Në Kalanë e Kaninës kanë nisur ndërhyrjet konservuese, strukturale dhe gjeologjike, si dhe zbatimet e planeve të reja të interpretimit dhe përmirësimit të eksperiencës së vizitorëve.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale disa pamje ku bëri me dije se “në Kalanë e Kaninës ka nisur nga procesi i rijetësimit, për ta kthyer këtë objekt të trashëgimisë sonë kulturore në një destinacion të vizitueshëm turistik”.

Sipas Ramës “me ruajtjen e identitetit historik dhe krijimin e hapësirave të reja panoramike nga ku mund të shihen pamjet mahnitëse të Gjirit të Vlorës, do ta kthejnë Kaninën në një ndalesë të paharrueshme për çdo udhëtar që kërkon të përjetojë historinë nga afër”.

Ndërhyrjet në Kalanë e Kaninës po financohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit si një projekt i Proskene dhe CHwB Albania, në kuadër të Programit PIUTD, me mbështetje nga Banka Botërore. Ndërhyrjet konservuese pritet të përfundojnë më 25 prill 2026.

Ky proces restaurimi dhe përmirësimi përfshin jo vetëm ruajtjen e strukturave ekzistuese, por edhe krijimin e hapësirave të reja që i japin jetë sitit, pa humbur identitetin e tij historik.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se, gjatë kësaj periudhe Kalaja e Kaninës nuk do të jetë e hapur për vizitorët./atsh/KultPlus.com

Shtohen të pasionuarit pas kulturës dhe historisë në Kalanë e Kaninës

Kalaja e Kaninës ka pritur se fundmi vizitorë të shumtë, nga vendi dhe bota.

Vizitorët kanë mundur të prekin nga afër muret që ruajnë shekuj të tërë krenarie, legjendash dhe kujtimesh, duke pasur një përvojë që prek jo vetëm shqisat, por edhe shpirtin.

Kalaja e Kaninës gjendet vetëm 3 km larg qytetit bregdetar të Vlorës dhe kjo afërsi e ka bërë atë një nga destinacionet më të vizituara të turizmit kulturor dhe historik.

Historia e ndërtimit të kalasë nis prej shekullit IV para Krishtit, përcjell periudhat e Antikitetit dhe të Mesjetës (bizantine, veneciane, turke), së bashku me teknikat respektive të ndërtimit.

Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3,6 hektarësh. Përballë saj është deti Adriatik, që duket si në pëllëmbë të dorës. Kjo fushëpamje i mrekullon të gjithë vizitorët e Kaninës.

Në kala është edhe teqeja, më parë në vend të saj ka qenë një kishë dhe me ardhjen e Sulejman Pashait, admirali i madh e ktheu në teqe./atsh/KultPlus.com

Kalaja e Kaninës, atraksion i jashtëzakonshëm për turizmin historik e kulturor në Vlorë

Kalaja e Kaninës, 3 km larg qytetit bregdetar të Vlorës është kthyer vitet e fundit në një destinacion për turizmin kulturor dhe historik.

E cilësuar si një nga objektet më të njohura të trashëgimisë kulturore e historike në Vlorë e më gjerë, historia e ndërtimit të kalasë që nis prej shekullit IV p.e.s, përcjell periudhat e antikitetit dhe të Mesjetës (kronologjikisht bizantine, veneciane, turke), së bashku me teknikat respektive të ndërtimit.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, në një video të publikuar me pamje nga kalaja e Kaninës fton turistët vendas e të huaj ta vizitojnë atë.

Sipas Lelit, kjo kala përbën një atraksion të jashtëzakonshëm për turizmin historik e kulturor, në Vlorë.

Kastriot Hoxha, ciceroni i kalasë shprehet se “kalaja është në një fushë të rrethuar me mure dhe përballë saj është deti, që duket si në pëllëmbë të dorës. Këto kanë qenë sarajet e pashallarëve të Kaninës”.

Sipas tij, Sulejmani i madhërishëm e ka vizituar Kaninën dhe ka lënë porosi ta kenë kujdes atë.

“Kjo është pika ku dashur pa dashur të gjithë vizitorët qëndrojnë dhe shikojnë fshatin, ata mahniten nga bukuria . Në kala është edhe teqeja, më parë në vend të saj ka qenë një kishë dhe me ardhjen e Sulejman Pashait, admirali i madh e ktheu në teqe”, – tha Hoxha.

Ai tregon se Ernest Koliqi kur e pa për herë të parë Kaninën nga mali i Shashicës ka thënë: Për Kaninën Perëndia kur e pa si diell mbi det tha, “nuk është nga veprat e mia këtë mrekulli dikush tjetër e ka bërë””.

Kalaja e Kaninës është vizituar nga Sulejmani i Madhërishëm, ndërkohë që simbolika e saj, merr dimensione të tjera me emrat e Gjergj Arianitit, Donika Kastriotit, pashallarëve të famshëm protagonistë të fazave të ndryshme të Perandorisë Turke, Ismail Qemalin etj.

Struktura e ndërtimit të saj, evokon ngjashmëri me objekte të tjera si kalatë e Beratit, Durrësit etj. Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3,6 hektarësh. Prej këndej hapet një pamje mjaft e bukur drejt Vlorës dhe gjirit të saj.

Në këtë zonë, ngrihet një kodër në të cilën gjenden rrënojat e një qyteti të vjetër, atij të Kaninës. Këtu lugina e Lumit të Vlorës shtyhet deri në rrëzë të kodrës duke e lehtësuar tepër lidhjen e zonës bregdetare me atë të thellë.

Vizitorë të shumtë që pushojnë gjatë verës në gjirin e Vlorës, vizitojnë edhe kalanë e Kaninës. /atsh/ KultPlus.com