“Kalorësi i Babunjës” rikthehet në Shqipëri pas ekspozimit në Vjenë

Skulptura unike prej bronzi, “Kalorësi i Babunjës”, është rikthyer në Shqipëri pas dy muajsh ekspozimi në një nga institucionet muzeale më prestigjioze të Europës, Muzeun e Historisë Natyrore në Vjenë.

Lajmi është bërë i ditur nga Akademia e Shkencave, e cila thekson se ekspozita u realizua falë bashkëpunimit mes Ambasadës së Shqipërisë në Austri, Institutit të Arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave dhe vetë muzeut austriak. Hapja e saj u shoqërua me një konferencë shkencore ndërkombëtare, ku morën pjesë mbi 120 studiues nga e gjithë bota.

Shqipëria u përfaqësua me emra të njohur të fushës, si akad. Adem Bunguri, prof. Neritan Ceka, prof. Bashkim Lahi dhe prof. asoc. Eduard Shehi.

Skulptura 2600-vjeçare, e zbuluar në vitin 2018 pranë Apolonisë (Babunjë, Lushnjë), qëndroi e ekspozuar në “Sallën e Artë” të muzeut nga 13 maj deri më 31 korrik 2025, ku u prit me interes të madh nga publiku dhe ekspertët ndërkombëtarë.

Pas suksesit të ekspozitës, “Kalorësi i Babunjës” është rikthyer në Tiranë dhe do të vendoset për ekspozim të përhershëm në Muzeun Arkeologjik, pranë Institutit të Arkeologjisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë./KultPlus.com

Gonxhja: Kalorësi i Babunjës zhvendoset në Muzeun e Historisë së Natyrës në Vjenë

“Kalorësi i Babunjës”, statuja prej bronzi e zbuluar në Babunjë të Lushnjës, vjen nga lashtësia në skenat ndërkombëtare.

Pas restaurimit në Institutin Getty dhe ekspozimit në Los Angeles, ky dëshmitar i epokës arkaike ndodhet tani në Muzeun e Historisë së Natyrës në Vjenë, një ambasador 14 cm i trashëgimisë sonë mijëravjeçare.”

Kështu shkruan Gonxhe në rrjetet sociale. /KultPlus.com

Kalorësi 2600-vjeçar i zbuluar pranë Apolonisë ekspozohet në muzeun e Vjenës

“Kalorësi i Babunjës”, skulptura 2600-vjeçare e zbuluar pranë Apolonisë (Fier) është ekspozuar në Muzeun e Historisë Natyrore të Vjenës, ku do të qëndrojë deri më 31 korrik.

“Kalorësi i Babunjës” është një statujë e jashtëzakonshme prej bronzi që paraqet një kalorës të armatosur mbi kalë. Kjo është hera e parë që kjo vepër unike shfaqet para komunitetit shkencor austriak dhe studiuesve ndërkombëtarë, në një nga muzetë më të rëndësishëm në botë.

“Kalorësi i Babunjës” do të qëndrojë pranë Venusit të famshëm të Willendorf-it. Prezantimi i këtij zbulimi të jashtëzakonshëm të arkeologjisë u ideua dhe u organizua nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Muzeu i Historisë Natyrore në Vjenë.

Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e Muzeut të Historisë Natyrore të Vjenës, prof. Katrin Vohland, tha se ekspozita e veçantë “Kalorësi i Babunjës”, përbën një tjetër moment të rëndësishëm në bashkëpunimin mbi 100-vjeçar midis Shqipërisë dhe Austrisë në fushën e kulturës dhe të kërkimit shkencor. Që nga punimet e hershme në fushën e arkeologjisë në Shqipëri nga Camilo Praschniker-i dhe Arnold Schober-i, të publikuara në vitin 1919 dhe që vazhdojnë të jenë themelore edhe sot, janë realizuar një sërë projektesh të përbashkëta arkeologjike dhe kulturore-historike, si ekspozita dhe gërmime.

Në fjalën e tij, Fate Velaj, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri, tha se çdo zbulim arkeologjik përfaqëson një ngjarje të rëndësishme në jetën shkencore dhe shoqërore, duke pasuruar njëkohësisht trashëgiminë kulturore dhe historinë e një vendi.

“Kalorësi i Babunjës” u zbulua në vitin 2018 në qytetin e lashtë ilir Arnisa në fshatin Babunjë pranë Apolonisë së lashtë, si pjesë e kërkimeve shqiptaro-gjermane./ KultPlus.com