Jose Manuel Alvarez Losada dhe Pedro Mateo, dyshja e mrekullueshme që solli vallet dhe këngët spanjolle në “Kosova KamerFest”

Një dyshe spanjolle ka dëshmuar për një dashuri të pa krahasuar ndaj muzikës klasike, mbrëmë në kuadër të festivalit  “Kosova KamerFest”, me ç’rast ka mbledhur rreth vetes një numër të konsiderueshëm të artdashësve të cilët me vëmendje të lartë kanë pikasur dhuntinë e tyre të veçantë. Violinisti Jose Manuel Alvarez Losada dhe kitaristi Pedro Mateo kanë shkrirë magjinë e tyre në ato instrumente krejt natyrshëm, gjegjësisht, kanë interpretuar një program që ka lënë mbresa të mëdha, shkruan KultPlus.

Modelariumi i Fakultetit të Arkitekturës ka mirëpritur këta dy artistë nga Spanja, të cilët me një program krejt unik, kanë lënë shpirtin e tyre në hapësirë. Karrige të shumta ishin të vendosura mu përballë “skenës” ku dyshja ka performuar. Ndërlidhja e violinës dhe kitarës ka qenë e mahnitshme, ndërsa akustika qe e mirë pikërisht për këtë dyshe.

Arkitektura e hapësirës i shtonte një ngrohtësi ndryshe këtij koncerti. Hijeshia e çdo objekti, e bënte mbrëmjen më të afrueshme me të pranishmit. Ndonëse nuk kishte ndonjë ndriçim specifik ndaj instrumenteve, ajo që sillte dritë përbrenda shpirtit të pranishëm, qe vija melodike e secilës vepër të interpretuar.

Mbrëmë, harku i violinës ka thyer limitet e interpretimit perfekt. Ndërsa, kitara që i bashkëngjitej violinës në një vallëzim melodish, ka qenë ajo që ka rrëmbyer tingujt spanjoll e i ka dërguar edhe përtej mureve të objektit. Kompozitorët si: Joaquín Nin, Leo Brouwer, Manuel de Falla, Feliu Gasull, Joaquín Rodrigo, Astor Piazzolla, janë vlerësuar mbrëmë në mënyrë jashtëzakonshme nëpërmjet dyshes spanjolle. Magjia e këtyre kompozitorëve u shndërrua në një mrekulli interpretuese të dyshes që pasonte lehtazi nga melodia në melodi.

“Suite espanola (Vieja Castilla, Murciana, Catalana, Andaluza)”, “Elegia por Cinito Vitier”, “Suite popular espanola (El pano moruno, Asturiana, Jota, Nana, Cancion, Polo), “L’anima del vent”, “Canciones valencianas (Allegro, Andante moderato, Andantino, Tempo di bolero), “Historia del tango (Bordel 1900, Cafe 1930, Night-club 1960, Concert d’aujourd’hu)”, ishin veprat unike që erdhën nën mjeshtërinë e violinistit Jose Manuel Alvarez Losada dhe kitaristit Pedro Mateo.

Duke filluar nga shprehjet e fytyrës, lëvizja e kokës që vazhdimisht merrte kahje të ndryshme, gishtërinjtë e pandalshëm mbi instrument, mbi tela e mbi hark e deri tek frymëmarrjet që dëgjoheshin në hapësirë, të dy instrumentistët kanë dhënë gjithçka nga vetja e tyre. Kjo dukshëm vërehej kur duartrokitjet e zjarrta zinin vend pas secilës vepër të interpretuar, teksa buzëqeshjet e dyshes qenë vezulluese ndaj këtij publiku. E gjithë vëmendja e të pranishmëve i dedikohej dyshes, ndërsa e njëjta gjë vlente edhe për dy instrumentistët, që fokusin e kishin vetëm ndaj violinës dhe kitarës, që qëndronin përpara tyre.

Ishin duartrokitjet e zgjatura ato që e rikthyen dyshen edhe një herë në skenë. Me një vepër të famshme, ata përmbyllën një orë e gjysmë performancë të mrekullueshme. Qe një teknikë e rrallë që ata e shfaqën mbrëmë, dhe që me patjetër ka frymëzuar edhe fytyrat e të rinjve në publik. Fotografi, video e plot palë sy, kanë mbështjellë këtë natë brenda një foleje melodike krejt të pasur.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth koncertit dhe përshtypjeve të tyre, për KultPlus folën Violinisti Jose Manuel Alvarez Losada dhe kitaristi Pedro Mateo.

“Po ndihemi shumë mirë. Ishte një përvojë e mrekullueshme të luajmë këtu për këtë audiencë që dukej sikur ishin mësuar të shkonin në koncerte muzikore-klasike. Është hera jonë e parë në Kosovë dhe ne kemi ardhur tek dje. Jemi shumë të befasuar për ndërtesat, njerëzit dhe jetën e qytetit. Është si një qytet i mbushur me jetë”, thotë dyshja.

Sipas tyre, programi i përzgjedhur është kryesisht i bërë nga muzika spanjolle dhe latine, dhe disa nga to janë vepra shumë të njohura e disa tjera janë transkripta për repertor të pianos, por ky program nga ta, është luajtur tash e disa vite, andaj dhe atyre u pëlqen ta luajnë pikërisht atë.

“Gjithçka për ne ishte vërtet e re këtu. Ne nuk jemi mësuar me audiencën e këtij populli dhe mënyrën se si i bëni gjërat, por na pëlqen dhe ishte vërtet i organizuar mirë. Mendoj se krijuesja e festivalit, Sihana, po bën një punë shumë të mirë. Ajo është shumë entuziaste dhe na trajtoi shumë mirë. Ne jemi vërtet të lumtur për këtë”, përfundon dyshja. / KultPlus.com

Sonte fillon ‘Kosova KamerFest’, Badivuku: Veçantia e mbrëmjes së sotme, prania e violinistit Klajdi Sahatçi

Flonja Haxhaj

Pas dy viteve pauzë për shkak të pandemisë, nis sonte më 1 tetor, Festivali i muzikës kamertale ‘Kosova KamerFest’ në edicionin e tij të XXI-të përcjell KultPlus.

Sihana Badivuku, drejtoreshë artistike e festivalit thotë për KultPlus se ndonëse përgjatë këtyre dy viteve, ka qenë në dilemë për vazhdimin e mbajtjes së tij, për shkak të problemeve me sallë, është rikthyer sërish pas përkrahjes që mori nga Komuna e Prishtinës.

“Gjatë këtyre 2 vite pauzë të festivalit mua personalisht më është freskuar truri dhe kam qenë në dilemë a duhet vazhduar më tutje me këto kushte, problemet rreth sallës së mirëfilltë koncertale dhe pianos që e kemi komplet komuniteti i muzikës klasike kosovare, pêrkrahjes dhe sponsorëve etj. Por, sivjet u mundësua realizimi dhe vazhdimësia e festivalit si edicion i XXI me përkrahjen e vetme të Komunës së Prishtinës”, u shpreh Badivuku.

Festivali i muzikës kamertale ‘Kosova KamerFest’ do të mbahet nga 1 tetor deri më 1 dhejtor ku  përgjatë 11 mbrëmjeve koncertale do të shfaqet program dhe koncept i larmishëm me performim të veprave kolosale dhe kamertale të artistëve dhe ansambleve kamertale botërore dhe mbarëshqiptare, përcjell KultPlus.

Badivuku po ashtu njoftoi se dy nga koncertet do të jenë dedikim për laureatët e garave ArsKosova dhe një koncert për fëmijët me autizëm.

“Çdo koncert e ka “emërtimin”e koncertit me “simbol” ose të pêrvjetoreve të kompozitorêve si Cesar Frank dhe Çesk Zadeja por edhe përkushtim/homazh për pianistin Amerikan Derek Han i cili ishte shtyllê e festivalit tonë plot 20 vite”, tha Badivuku për KultPlus duke shtuar se në mesin e artistëve që do të performojnë këtë edicion janë edhe Merita Rexha, Trio HarkorKosova, Blerim Grubi, Aristidh Prosi, Dorina Laro, Kristina Petrollari-Laço, Daniela Dikova kanë performuar edhe në edicionet e kaluara të festivalit.

Ndërkaq sonte, në hapjen e madhe të këtij festivali që do të mbahet në Sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore të UP-së do të jehojë muzika e Gjigantëve Romantikë të interpretuar nga Klaidi Sahatçi në violinë dhe Merita Rexha-Tërshana në piano.

Badivuku duke folur për mbrëmjen e sotme thotë se është një koncert shumë i veçantë me pjesëmarrjen e violinistit me emër botëror Klajdi Sahatçi.

Ky festival  do të mirpresë edhe artistë të tjerë si: String Trio Kosova, Sihana Badivuku, Blerim Grubi, Aristidh Prosi, ArsKosova Competition 2022 laureats, Vesa Dume, Eda Vlaqo, Elsa Gashi, Dejon Bendaj, Kristina Laqo, Dorina Laro, Galina Koycheva, Duo Lesage, Celine Lesage, Eric Lesage, Jose Manuel Alvarez Losada, Pedro Mateo, Syzana Jakupi, Alba Muçolli, Ensemble XXI, Lygia O’Riordan dhe Pia Sirala.

Ndërkaq, ‘Kosova KamerFest’ do të mbahet në Prishtinë nga 1 tetor deri më 1 dhjetor 2022./ KultPlus.com

Ju kujtojmë që publiku do të ketë mundësi të shijojë magjinë e veprave kamertale në ‘Kosova KamerFest’ nga 1 tetor deri më 1 dhjetor 2022./ KultPlus.com