Karikatura satirike, posterë e fotografi në ekspozitën “Euimage”

“Euimage” është projekti evropian që i dedikohet lidhjes midis imazhit dhe propagandës së Luftës së Parë Botërore dhe stereotipave kombëtarë bashkëkohorë, është kthyer në një ekspozitë shëtitëse e përbërë nga karikatura satirike, posterë, fotografi historike dhe komente nga nxënës, studentë, qytetarë shqiptarë e të huaj, si dhe ekspert të artit.

Euimage” përbëhet nga një përzgjedhje me karikaturat satirike nga arkivat digjitale në funksion të ekspozitës. Imazhet dhe tekstet janë kombinuar në formën e një gazete për të nënvizuar karakterin e fortë didaktik të projektit dhe për ta bërë të mundur qarkullimin e thjeshtë të ekspozitës në vendet e partnerëve të projektit.

Kuratori i ekspozitës, Andi Tepelena, shprehet se “Euimage” na fton të pyesim veten për efektet e stereotipave të lindur gjatë Luftës së Parë Botërore, ku sot pas një shekulli prekin ende marrëdhëniet midis vendeve evropiane. “Thjeshtimet dhe përgjithësimet e realitetit përbëjnë një filtër përmes të cilit qytetarët formojnë mendime rreth kombit të tyre ose vendeve të tjera, duke anuluar dallimet dhe nuancat. Kështu lindin stereotipat, të cilët bëjnë të mundur reduktimin e një komuniteti të tërë në një etiketë të thjeshtë. Origjina e këtyre perceptimeve, ende relevante në ditët e sotme, shpesh mund të shoqërohen nga veprime propagandistike, të krijuara gjatë luftës së madhe, për të justifikuar konflikte, në të cilin armiqtë përshkruhen sistematikisht si barbarë dhe agresorë”, shprehet kuratori Tepelena.

Duke folur për ekspozitën që u hap te “Destil Tirana”, kuratori Andi Tepelena vijon se “Euimage” synon të nxisë një reflektim mbi Evropën e njëqind vjetëve më parë, por dhe për Evropën e shekullit 21 nën një paqe të brishtë. “Publiku ka mundësi të njihet me një zhanër satirik siç është karikatura politike, e cila është përdorur gjerësisht gjatë Luftës së Parë Botërore për të satirizuar ‘armikun’ e jashtëm. Ka disa imazhe-karikatura, që janë marrë nga Biblioteka Kombëtare e Francës ose nga arkiva digjitale të revistave austriake të kohës. Kanë vlerë aktuale sot e kësaj dite, në një kontekst kur kufijtë në Ballkan janë ende të brishtë edhe 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore”, konsideron Tepelena.

Ekspozita “Euimage” po qëndron e hapur për publikun dhe sipas kuratorit Andi Tepelena përmes saj tregohet edhe ndihma që kanë dhënë shtetet perëndimore për mbijetesën ekzistenciale të Shqipërisë.

Bashkëpunëtorë të ekspozitës janë dhe Mesut Tufan gazetar, historian turk, Ilda Mara -eksperte për marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe Nevila Xhindi.

Euimage” është i financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit “Evropa për Qytetarët – Kujtesa Historike”. Partnerë të projektit janë “Art Kontakt” (Shqipëri); Komuna e Kinselos Balsamo (Itali); Universiteti i Studimeve në Trieste (Itali); Universiteti “Sapienza” në Romë, universiteti “Kaunas” ( Lituani), “Freie Universitat” (Gjermani) dhe “Villa Vigoni”, qendra italian-gjermane për ekselencën evropiane, shkruan gazeta /Zëri/KultPlus.com

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozita ndërkombëtare e karikaturës

Ekspozita që do të hapet të premten e do të rri e hapur për një javë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ngërthen karikaturistë shqiptarë e të huaj, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë që përfshinë 80 artistë vendorë e të huaj ka pas një shtrirje të temave në dy pika si: Kosova në syrin e karikaturistëve, dhe ajo e temës së lirë.

Në këtë ekspozitë pritet të marrin pjesë artistë si: Agim Sulaj, Arben Meksi, Bujar Kapexhiu, Firuz Kutal, Jordan Popoliev, Ilhan Ozdemir, Arif Albajrak, Keziban Ertugrul, ku në fund të mbrëmjes pritet të shpërblehen më të mirët e kësaj gare./KultPlus.com

Karikatura goditëse për lojtarët e Zvicrës (FOTO)

Karikaturisti Alexandre Ballaman nga gazeta e përditshme “La Liberté” në Zvicër, është frymëzuar nga festimi i futbollistëve shqiptarë të ekipit kombëtar zviceran, Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, duke e bërë shqiponjën dykrerëshe, dhe ndëshkimi me gjobë që morën si pasojë, për ta bërë karikaturën e ditës së martë.

Ai e ka vizatuar trajnerin e Zvicrës, Vladimir Petkovic duke u mbajtur ligjëratë lojtarëve të vet sesi të festojnë në të ardhmen, transmeton Gazeta Express.

Ai i mëson ata se bërja e shqiponjës dykrerëshe, e cila gjendet në flamurin kombëtar shqiptar, është e ndaluar, ndërsa tri forma tjera ta festimi duke e bërë shqiponjën një krerësh lejohen.

Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe kapiteni i Zvicrës, Stephan Litschteiner, janë dënuar me gjobë nga FIFA.

Organi qeverisës i futbollit botëror vendosi dje t’i gjobisë Xhakën (10.000 dollarë), Shaqirin (10.000 dollarë) dhe Lichtsteinerin (5.000 dollarë) për “sjellje të pahijshme”./ KultPlus.com

Artisti Gani Sunduri, përfaqësues i karikaturës për Kosovën në Union of the World Cartoonists

Karikaturisti dhe strip artisti Gani Sunduri nga përfaqësuesit e Union of the World Cartoonists, është përzgjedhur si përfaqësues i Karikaturës për Kosovën.

Me vlerësimin e këshillit të UWC-së këtë muaj kanë bërë zgjedhjen e anëtarëve dhe përfaqësuesve botërorë të karikaturës. Pas disa sukseseve kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe një nga organizatorët e suksesshëm të festivaleve dhe ekspozitave ky post i është ofruar artistit kosovar Gani Sunduri. http://www.worldcartoonists.com/

Në këtë organizatë janë bërë zgjedhjet e kryesisë prej 11 anëtarëve dhe prej 33 përfaqësuesve të shteteve si dhe më se 370 anëtarëve anembanë botës.
Gani Sunduri është edhe ambasador i karikaturës për Kosovën nga shoqata PDH në Poloni dhe nga shoqata e karikaturistëve në Maqedoni, organizator i festivalit ndërkombëtar të stripit dhe karikaturës në Prizren, ku këtë vit do të organizohet edicioni i 15-të.

Është një nga artistët e parë të stipit kosovar ku ka promovuar stipin dhe karikaturën shqiptar në shumë shtete botërore. Është fitues i një çmimi të artë në Qipro dhe një medalje të artë në Bulgari, pjesëmarrës në shumë festivale dhe ekspozita botërorë si dhe fitues i më se 50 mirënjohjeve dhe diplomave si për karikaturë ashtu edhe për strip./ KultPlus.com