Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Dua Lipa

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

Në vazhdim, KultPlus ua sjell këngëtaren kosovare me famë botërore, Dua Lipa, e cila së fundmi ka nisur turneun e saj “Future Nostalgia” e që fillimisht ishte paraparë për vitin 2020, por që u shty disa herë për shkak të pandemisë së vazhdueshme COVID-19.

Megan Thee Stallion, Griff, Tove Lo, Angèle, Caroline Polachek dhe Lolo Zouaï janë disa nga emrat mbështetës që do të performojnë në krah të saj gjatë turneut. 

Albumi i saj “Future Nostalgia” në mars të vitit 2021 fitoi çmimin “Grammy” për ”Albumin më të mirë pop” dhe kënga e saj “Don’t Start Now” arriti sukses komercial dhe kritik, duke përfshirë nominimet në “Grammy Awards 2021” për çmimet “Kënga e vitit”, “Regjistrimi muzikor i vitit” dhe “Performanca më e mirë solo e zhanrit pop”.

Po ashtu, Lipa së shpejti do të publikojë edhe një këngë të re. E njohur për zërin e saj magjik, ajo ka bërë të ditur edhe datën se kur do të publikohet kënga e saj e re, e cila do të jetë një bashkëpunim me këngëtaren Megan Thee Stallion.

Kujtojmë se kënga “Scared to be lonely”, një bashkëpunim mes Dua Lipës dhe Martin Garrix pati arritur shifrën e 1 miliardë transmetimeve në platformën muzikore “Spotify”.

Ajo po ashtu ka qenë e nominuar për dy çmime nw “BRIT Awards” derisa ka triumfuar si artistja më e mirë Pop/R&B. 26 vjeçarja la pas vetës yje të mëdhenj siç janë: “Ed Sheeran, Adele, Grif dhe Joy Crookes”.

Këngëtarja shqiptare e cila ka prekur majat e botës, Dua Lipa, ka mbajtur këtë vit dhe një mbrëmje gala të organizuar nga Këshilli Atlanti, ku përfaqësoi Kosovën në nivelet më të larta diplomatike, sikurse të ishte në rolin e një ambasadoreje.

“Ne e kemi në gjene të lulëzojmë”, – ishte njëri prej mesazheve që Lipa u mundua të shpërndajë te të gjithë të pranishmit e famshëm që ishin në atë mbrëmje. / KultPlus.com