Presidenti Meta ndan dekorata për disa artistë të shquar shkodranë

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot disa personalitete të shquara të fushës së artit dhe të kulturës shkodrane, në një ceremoni të veçantë të mbajtur në sallën e këshillit bashkiak të Shkodrës.

Kreu i shtetit çmoi me dekoratën e lartë “Nder i Kombit” (pas vdekjes) Shyqyri Alushin (Hagjanin): “Në shenjë vlerësimi për talentin dhe interpretimin e rrallë të këngës popullore shkodrane. Me mirënjohje mjeshtrit të talentuar, i cili me vokalin e tij të veçantë u bë i njohur, i dashur dhe i respektuar në Shkodër e kudo ku ai interpretoi këngën popullore shkodrane, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në përhapjen e krijimtarisë sonë popullore.”

Ndërsa me titullin “Mjeshtër i Madh” u vlerësua Agron Dizdari me motivacionin: “Me mirënjohje për kontributin dhe personalitetin e tij të gjithanshëm, të shpalosur në artin skenik dhe kinematogafinë shqiptare, duke dëshmuar cilësi të spikatura me aktrimin dhe profesionalizmin e tij”.

Titulli për Ramazan Çekën mban motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin dhe vlerat e mëdha krijuese si poet, publicist dhe tekst-shkrues i muzikës popullore dhe qytetare shkodrane, e cila këndohet nga shqiptarët, anembanë botës, si dhe për bukurinë e fjalëve dhe të melodisë së saj”, për Ilmi Kurtin “Në vlerësim të kontributit të madh si shkrimtar, poet dhe publicist në promovimin e shkëlqyer të traditave dhe fuqisë artistike të malësisë shqiptare. Me mirënjohje personalitetit me cilësi të jashtëzakonshme, i cili me mjeshtëri kulturore dhe ndjenjë të thellë kombëtare, ka përcjellë me vërtetësi historitë e kohës”; për Nimet Salabegun (Begu), “Me mirënjohje për talentin dhe përkushtimin e treguar në muzikën popullore shqiptare, si mjeshtër i klarinetës dhe këngëtar me grupin e njohur ‘Na bashkoi kënga popullore’, duke dëshmuar cilësi të rralla si artist profesionist dhe i vlerësuar nga artdashësit”; për Merita Smajajn, “Me vlerësim ndaj artistes së spikatur të teatrit ‘Migjeni’ të Shkodrës dhe kinematografisë shqiptare, si dhe për talentin e rrallë në realizimin e shumë personazheve me profesionalizëm dhe me cilësi të lartë artistike”.

Titulli për Adnan Balën mban motivacionin: “Me mirënjohje për talentin dhe përkushtimin e treguar për muzikën popullore shqiptare, veçanërisht për muzikën popullore shkodrane, duke dëshmuar cilësi të rralla si artist profesionist, i dashur dhe i vlerësuar nga artdashësit”; ndërsa për Mhill Çun Gjonajn (pas vdekjes): “Për meritat e veçanta në hulumtimin, autorësinë e shumë teksteve, si dhe interpretimin e shkëlqyer të folklorit dukagjinas e më gjerë për më shumë se pesë dekada. Në vlerësim të organizimit dhe drejtimit të grupeve artistike në Dukagjin e Gruemirë, si dhe bashkëpunimit të frytshëm me mediat vizive lokale për njohjen dhe përhapjen e folklorit dhe kulturës popullore dukagjinase dhe shqiptare”.

Presidenti i Republikës, duke iu drejtuar autoriteteve vendore të këshillit bashkiak, artistëve të dekoruar, familjarëve dhe kolegëve të tyre, vuri në dukje se, “artistët, që ne vlerësojmë sot, janë aktorë, këngëtarë, rapsodë e poetë, por të gjithë i bashkojnë dy gjëra të rëndësishme: dashuria për Shkodrën dhe pa dyshim dashuria për artin”.

“Arti popullor është një pasuri e jashtëzakonshme që duhet ruajtur e trashëguar në brezat që do të vijnë pasi kërcënohet realisht për t’u zbehur, për t’u zvetënuar ndërkohë që ne kemi një nevojë të domosdoshme të forcojmë identitetin tonë kombëtar, akoma edhe më shumë në sfidat që kemi përpara. Ndaj edhe vlerësimi i artistëve që kanë dhënë e japin një kontribut të çmuar për ruajtjen dhe zhvillimin e artit tonë duhet të mbetet një detyrim dhe përparësi e institucioneve dhe të gjithë së bashku duhet të bëjmë më shumë”, tha Meta./ata.gov.al/ KultPlus.com