Me një program tradicional i kushtohet vëmendje e posaçme fëmijëve në TIFF

Në këtë edicion të TIFF, një vëmendje të posaçme i është kushtuar programit tradicional për fëmijë, KIDs, i ndarë në dy programe për moshat nga 5-10 vjeç dhe nga 11-15 vjeç.

Ky program i pasur e i larmishëm nga të gjitha zhanret do shfaqet çdo ditë me tre programe 1-orëshe, nga ora 10-13:00, te salla e re e shfaqjeve “Tonin Harapi”, pranë Liceut Artistik. Është parashikuar që edhe fëmijët do të votojnë për filmin më të mirë sipas tyre të programit KIDs 2022.

Ky program është mundësuar nga bashkëpunimi i ngushtë me bashkinë Tiranë, Agjencinë e Industrisë Kreative dhe Ministrinë e Arsimit.

Programi KIDs i përshtatshëm për fëmijë deri në moshën 10-vjeçare, përmban 20 filma animacion. Filmat janë të metrazhit të shkurtër në mënyrë që të kenë vëmendjen e fëmijëve. Gjeografia e këtyre 20 produksioneve është e larmishme, ka filma nga vende të ndryshme të Europës por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Hong-Kongu e vende të tjera të Lindjes së Largët.

Ndërsa programi për fëmijë mbi 11 vjeç përmban 9 filma artistikë të metrazhit të shkurtër. Ai nis me një film që vjen nga Irani dhe vijon me filma nga Kanadaja, Izraeli, Franca etj.

Për këta filma por edhe për të tjerë, të përfshirë në seksionin “Panorama” do të ketë një juri të veçantë, e përbërë nga partnerët zyrtarë të TIFF 2022, si Jonid Jorgji nga Bashkia Tiranë, Irena Prici nga Ministria e Kulturës, Arben Lami nga QKK dhe Jona Hasija nga TOP Channel. /atsh/ KultPlus.com

“Siparantum kids”, hapet konkursi për fëmijët e moshës 7-15 vjeç

Kori “Siparantum” nga Peja ka hapur konkurs për të gjithë fëmijët që kanë talent dhe dëshirojnë të këndojnë, shkruan KultPlus.

“Siparantum Kids” hap konkurs për fëmijët e moshës 7-15 vjeç, që të bëhen pjesë e një prej koreve më të suksesshme në histori të muzikës klasike në Kosovë.

Konkursi do të jetë i hapur deri më 31 gusht, derisa audicioni do të mbahet më 1 shtator në ora 16:30 në Qendrën Rinore “Peja”.

Për të aplikuar në këtë kor, ndiqeni vegzën në vazhdim: https://forms.gle/Yn3mY1Us1VTxCg9F8. /KultPlus.com